E enjte, 01.05.2025, 12:13 PM (GMT+1)

Mendime

Eduard Skufi: Kush do ta gjykojë Inteligjencën Artificiale?!

E merkure, 15.01.2025, 07:55 PM


KUSH DO TA GJYKOJË INTELIGJENCËN ARTIFICIALE NË DRITËHIJET E SAJ?!…

Refleksion Analitik

NGA DR. EDUARD A. SKUFI, ATHINË

Inteligjenca  artificiale një sfidë  joshëse  dhe  po aq misterioze.

Kush do ta gjykojë, apo më saktë kush do ta penalizojë Inteligjencën  Artificiale mbas  probabilitetit një gabimi ?!.

Një pyetje retorike që do të na preokupojë në të ardhmen.     Një  këmbanë    duhet dëgjuar  dhe duhet   vlerësuar…

Duke njojtur vlerat dhe  “antivlerat”  e inteligjencës  artificiale ( IA)  pyes veten dhe juve, se si do të kontrollohen  saktësisht kufijtë e kompetencës, si dhe saktësia e burimit të informacionit apo aplikimeve të saj vecanërisht në mjekësi...Apoteoza ndaj inteligjencës artificiale  nuk duhet jetë e hiperbolizuar. Inteligjenca artificiale është tepër dinamike, racionale dhe inteligjente për të kryer operime të shumta me  shanse të larta suksesi,  bazë qëllimeve paracaktuara. Ajo është e aftë për t’u fokusuar qartësisht  të dhëna statistikore, fakte dhe  parashikime. Vërtetë  simbolizon  perfeksionin elektronik  por mbetet në  hije  ndaj  inteligjencës  humane, krijuesit të saj. Aktualisht  ekzistojnë  mjaftë këndvështrime apo opinione mbi inteligjencën artificiale që informojnë se evoluimi i IA mund të rritet përtej niveleve tona njohëse, madje mund të konvertohet  si kërcënimi kryesor i njerëzimit, që tejkalon parashikimet e krijuesve të saj dhe del nga kontrolli. Për më tepër IA po zhvendoset me ritëm galopant nga industria teknologjike elektronike drejt biznesit  “ bullist “...

Osmoza midis shkencave  është  një fenomen i njohur, por “osmoza  imperative” e inteligjencës artificiale, cuditërisht nuk lejon diskutim. Aktualisht  na duhet  të ecim në një rrugë paralele krahas Mjekësisë moderne me Inteligjencën  Artificiale,

duke vendosur një raport racional, larg emocioneve, në  kërkim    ekuilibrit, por pa humbur dinjitetin. Në  esencë objekti i dyjave është NJERIU, por qasja nga njëra  anë mbetet e distancuar, mekanike,  e ftohtë  dhe   pa vetëdije.

Por prania e “ L’Art de Guerir” apo “The Art of  Healing”,  zbulon burimin universal të mrekullisë që fillon nga thellësia e vetes të pacientit për të gjetur qetësinë, paqen duke e kërkuar midis spirituales, trupit  e shpirtit dhe ndihmës së mjekut.

Eshtë arti i mjekësisë  që evidenton  kujdesin dhe humanizmin për pacientin  dhe efektiviteti  i  tij diktohet  nga lidhja e vecantë bipolare mjek-pacient. Lidhje, që në një farë shkalle rezulton e pa realizuar në kuadrin e inteligjencës artificiale. Fjala e ngrohtë  e  mjekut zëvendësohet nga  ftohtësia e  një aparati , i cili mbetet peng i kodit software, pa mundur të gjej alternativat  krijuese, pa mundur të debatojë të konsultojë diagnozën dhe variantet terapeutike individuale, megjithë sistemet e sofistikuara   Deep Learning, për zgjidhjet kompjuterike dhe aplikimin e variacioneve  Algoritmike.

Vec asaj ajo  nuk duhet absolutizuar, por të jetë nën kontrollin e plotë mjekut, pasi IA nuk mund të arrijë nivelet e vetëdijes njerëzore. Nuk duhet të ndjehemi të dominuar  dhe për më tepër të mos humasim  integritetin. Mjeku duhet të përdorë të gjitha njohuritë, dashurinë, durimin, mirëkuptimin dhe aftësitë  e tij  për atë mision të shenjtë në bashkëpunim me inteligjencën artificiale. Duke sugjeruar ndërveprimin kompleks zhvillim të mjekësisë dhe makinave  elektronike,  kualifikohet gjatë  një rrugëtimi dhe jo të vendosim një algoritëm në një vakum.Shqyrtimi i  aplikacioneve të IA në kujdesin shëndetësor thekson nevojën për vlerësime  reale mbi efektivitetin dhe pasojat e padëshiruara. Mundet IA të mbushë boshllëqet në aksesin ndaj kujdesit, të evitojë burokracinë, por nuk realizon trajtimin e plotë të personalizuar, me praninë e  risqeve të mundshëm. “ Unë mendoj se është një tren i pandalshëm në një fushë specifike mjekësisë, që tregon performancë të vërtetë, në nivel  ekspertësh“.., deklaron Isaac Kohane, shef i Departamentit të Informatikës Biomjekësore Universiteti të Harvardit. Duke  nënkuptuar  se potenciali i IA është aq i madh sa dhe sfidat  e  surprizat  e pakëndshme që e shoqërojnë. Por dhe ky sistem elektronik superpower mund të pësojë black out  dhe të humbasi pjesë të ndryshme informacionit që mund të jenë të rëndësishme në historinë e pacientit ose të bllokohet  performanca e tij gjatë një interventi kirurgjikal, duke përfshirë rrezikun e keqtrajtimit të pacientëve nga gabimet e sistemit algoritmikë, me eklipsimin e  shpejtësisë  dhe aftësisë reaguese   mjekut  bashkëpuntor.

Nëse ky sistem rekomandon medikamentin e gabuar për një pacient, apo nuk evidenton  një proces  tumoral në një skanim radiologjik pacienti mund të lëndohet, pra  gabimet okulte të  IA janë potencialisht të ndryshme  dhe me  konseguenca. Megjithëse IA ka bërë një ecuri në botën mjekësore, mbikëqyrja njerëzore prej saj është e pa mjaftueshme. Nevojat e pacientëve shpesh shtrihen përtej kushteve fizike,si  faktorëve socialë, ekonomikë dhe historikë, që ndikojnë në rekomandimet e duhura për pacientë të veçantë, ku  pasaktësitë janë ende mundshme. Ky perceptim lidhet me faktin se IA nuk ka kontekst apo përvojë njerëzore, pra nuk mund të përshtatet në të gjitha situatat  klinike të  personalizuara dhe  vecantitë e tyre.

Inteligjenca artificiale mjekësore varet shumë nga të dhënat e diagnozës të disponueshme nga miliona raste të kataloguara, por kur ekzistojnë pak të dhëna për sëmundje të pazakonta, faktorë demografikë ose mjedisorë, ku një diagnozë e gabuar është plotësisht e mundur. Ndërsa IA përdor të dhënat për t'i bërë sistemet më të zgjuara dhe më të sakta, ajo mbetet akoma e pa garantuar  nga agresionet kibernetike ! IA akuzohet të jetë konflikt  me humanizmin real, madje konsiderohet instrument koherent   i “ kërcënimit  ekzistencial “. Sigurisht, në një skenar të tillë, nuk ndihet e pamundur që  të humbasim kontrollin e  saj,  apo  IA kthehet kundër nesh…          Por mund të kërcënojë dhe mbijetesën e qytetërimit nga        një drejtim i paparashikuar,  duke  u transformuar  në oponent  i  saj, duke  u  konvertuar   nga   synergist   në   antagonist.

Nga ana tjetër  ekziston një e vërtetë  papërshtatshmërie midis fluksit  frenetik të IA dhe elementëve të infrastrukturës,   që varen vecanërisht nga konteksti  socialo - ekonomik.

Dihet se nëse një mjek kryen një akt që cënon etikën mjekësore, apo konkludon në një diagnozë të gabuar apo keqtrajtim terapeutik, i nënshtrohet gjykimit të një këshilli shkencor dhe një komisioni medikolegal. Kështu lind llogjikisht pyetja:“ Po gabimet e inteligjencës artificiale , kush do ti gjykojë ose kush do ti ndëshkoj “?!...Apo do të  ndalojnë  dhe  penalizojnë  robotin…Kush do të përgjigjet për keq trajtimin  dhe rezultatin e pa dëshiruar…Kujt do  ti vejë “ fatura” ?... Pacientit të pafaj apo specialistit  të IA  me  algoritmet  inteligjente!

Këto pyetje retorike    dukje hipotetike  por  reale, aktualisht pa përgjigje, me  dritëhijet  e  këtij  fenomeni si interference moderne, do  ti  pohojë bilanci  i futurizmit  kohor.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx