Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Sahiti: Politika dhe humbja e sensit me realitetin

| E diele, 19.01.2025, 07:54 PM |


POLITIKA DHE HUMBJA E SENSIT ME REALITETIN

Nga Fadil Sahiti

Nuk mund të them se kam ndjekur në hollësi fushatën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë. Mirëpo, me sa kam kuptuar, edhe kjo fushatë, sikurse edhe fushatat e mëparshme, dominohet nga dy elemente që në një mënyrë e definon karakterin e politikës dhe politikanëve kosovarë.

Së pari, politika kosovare po vazhdon të riciklojë një numër të madh politikash dhe politikanësh tashmë të testuar. Kjo jetë e mjerë që po bëjmë në Kosovë ka shkak, ka burim, nuk ka ardhur ex nihilo. Gati 90% e politikanëve që konkurrojnë për këto zgjedhje tashmë janë testuar. Të gjithë e dimë se politika është një hipotezë që testohet kundrejtë realitetit. Është shumë e çuditshme, politikanët kosovarë, veçanërisht këta që na kanë qeverisur gjatë katër viteve të fundit, e harrojnë këtë fakt, ose të paktën pretendojnë kështu.

Së dyti, edhe kjo fushatë karakterizohet nga një gjuhë ekstreme populiste dhe mjaft primitive. Autostradat dhe projektet infrastrukturore si Prizren - Tetovë, Binullë - Lipjan - Shtimje, ndërtimi i super spitaleve, përfshirja e Kosovës në NATO vazhdojnë të dominojnë diskursin e kësaj fushate, ndonëse rrugët tona janë bërë kantiere të papërfunduara. Ky diskurs dëshmon se këta njerëz e kanë humbur sensin me realitetin, këtij realiteti që po e jetojmë edhe ne edhe ata!

Platoni thoshte se një politikan i mirë është si një mjek i mirë. Një mjek i mirë nuk mund ta shërojë kurrë pacientin e tij nëse nuk arrin të identifikojë me saktësi burimin dhe shkakun e sëmundjes. Diagnoza e sëmundjes është një parakusht për përcaktimin e një terapie shëruese.

Politikanët tanë kanë mungesë elementare në diagnostifikimin e problemeve (sëmundjes). Mungesa e moszhvillimit tonë nuk është infrastrkutura e dobët. Jo sepse cilësia e infrastrukturës sonë është më e larta në rajon, por sepse gjendja në sektorët e tjerë është e mjerueshme. Është budallallëk të vazhdojmë të shpenzojmë paratë tona publike për beton dhe asfalt, kur kemi shkollat më të dobëta në rajon, kur të sëmurët tanë kërkojnë mjekim jashtë Kosovës, kur kultura jonë është e dominuar nga "tallavaja", kur sipërmarrësi ynë ka nevojë për punëtorë të aftë, etj. Është një mungesë totale e edukimit politik të mendosh se ndërtimi i infrastrukturës domosdoshmërisht sjell zhvillim dhe progres. Infrastruktura rrugore, apo infrastruktura e fortë në përgjithësi, nuk është shtytësi kryesor i zhvillimit ekonomik të një shoqërie. Marrëdhënia shkakësore është e kundërta, zhvillimi i infrastrukturës së butë, e cila lidhet me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, sjell zhvillimin ekonomik të një shoqërie, e më pas infrastrukturë më të mirë.

Pyetja që duhet të ngrejë sot çdo votues kosovar është se a duhet të vazhdojmë të shpenzojmë paranë publike për beton dhe asfalt kur kemi shkollat më të dobëta në rajon dhe më gjerë? A duhet të shpenzojmë para publike për asfalt dhe beton kur të sëmurët e Kosovës kërkojnë mjekim diku tjetër, jashtë Kosovës? A duhet të ndërtojmë shkolla kur këto që i kemi prodhojnë fuqi punëtore të paaftë?

https://www.facebook.com/profile.php?id=828092747