Mendime
Ilir Muharremi: TikTok u mbyll në Amerikë, në Kosovë ende jo!
E diele, 19.01.2025, 07:53 PM
TikTok u mbyll në Amerikë, në Kosovë ende jo!
Nga
Ilir Muharremi
TikTok
u mbyll në Amerikë një vendim që gjeti
mbështetjen e dy partive kryesore, republikanëve dhe demokratëve, dhe që u
vulos nga Gjykata Supreme. Dhe pse? Sepse e kuptuan se ky aplikacion, pas
fasadës së tij të pafajshme, ishte duke ndikuar negativisht tek të rinjtë, duke
i manipuluar, shpërqendruar dhe shpërfytyruar lidhjet e tyre me realitetin.
Amerika e pa rrezikun dhe veproi. Çfarë po bëjmë ne në Kosovë?
Ky
nuk është thjesht një aplikacion, por një mjet që po shkatërron mendjet e reja
në vendin tonë. Të rinjtë tanë, në vend që të angazhohen në aktivitete që
zhvillojnë mendjen dhe shoqërinë, kalojnë orë të tëra duke imituar kërcime të
pakuptimta, duke ndjekur trende boshe dhe shpesh herë të dëmshme, dhe duke u
zhytur në sfida të rrezikshme që i vënë në rrezik edhe fizikisht. Në vend që të
lexojnë, të mësojnë ose të krijojnë, ata garojnë për më shumë pëlqime, duke i
lidhur vlerat e tyre personale me numrin e ndjekësve virtualë.
Në
TikTok, banalitete të përditshme shiten si argëtim, ndërsa manipulimet dhe
propagandat e fshehta po e godasin kulturën dhe identitetin tonë. Pse po
lejojmë që një algoritëm i ndërtuar diku larg prej nesh të vendosë çfarë është
"cool" për të rinjtë tanë? A është kjo Kosova që duam për fëmijët
tanë?
Amerika
nuk hezitoi ne pse po vonohemi? Kosova, si një shtet i ri me një rini që është
shpresa e vetme e së ardhmes, nuk mund të lejojë që brezat e saj të përpihen
nga një platformë që shpërndan mediokritet, toksicitet dhe shpërqendrim masiv.
Nëse Amerika, një superfuqi, vepron për të mbrojtur qytetarët e saj, atëherë
ne, një shtet i vogël me aq shumë për të humbur, duhet të veprojmë edhe më shpejt.
TikTok
është një armë e butë që po na shkatërron nga brenda. Të rinjtë tanë po i
humbin vitet më të rëndësishme të jetës duke shpërndarë video boshe, duke
ndjekur influencues të pavlerë dhe duke ndërtuar një realitet fals. Është koha
të zgjedhim: a do të mbrojmë rininë dhe të ardhmen tonë, apo do ta lejojmë këtë
helm të na copëtojë të ardhmen?