Kulturë
Agron Tufa: Mollë e lyer me mjaltë dhe helm
E enjte, 02.01.2025, 07:49 PM
MOLLË E LYER ME MJALTË DHE HELM
(Shënime
rreth vëllimit me tregime të Ornela Musabelliut “Trëndafila dhe qiparisa”, RL
BOOKS, Bruksel, 2024)
Nga
Agron Tufa
Kur
mbarova së lexuari 36 tregimet e vëllimit “Trëndafila dhe qiparisa” të Ornela
Musabelliut më habiti fakti që kisha të bëj me një libër të parë. Skalitja e
subjekteve, laryshia e gjerësia e tyre, kompozicioni i qartë dhe kthesat
befasuese nën rrjedhën e qetë të rrëfimit, e mbi të gjitha, zotërimi i pjekur i
tekstit, frymëmarrja poetike e tregimeve dhe aftësia përthithëse në materien e
rrëfyer – këto e shumë virtyte të tjera të një proze të sigurt e me ndjenjë të
admirueshme mase – flasin, përpos dhuntisë së një prozatoreje të lindur, edhe
për një intuitë dhe shije të mirë letrare të shkrimtares, qysh në librin e saj
të parë. Tregimi është një zhanër tejet kapriçioz, si art miniaturesk, gjithë
me rrezikun të të shkasë doresh, së paku në një nga përbërësit e shenjuar të
tij. Por, fatmirësisht jo për “dorën e sigurt”, me të cilën janë shkruar këto
tregime, në një libër prej 280 faqesh.
Ornela
Musabelliu ka një syçeltësi për të mos e tepruar as me përshkrimet, as me
hyrjet dhe mbylljet, as me dialogjet. Nganjëherë tregimi ndërpritet duke lënë
të hapur perspektivën e imagjinuar të lexuesit. Por mbizotëron në këto tregime
rrëfimi dinamik, shpesh i kontrolluar rreptë me pasazhe liriko-dramatike,
nganjëherë i ngjashme me strukturimin e kinonovelës. Nga kjo pikëpamje shumë
prej tregimeve të këtij vëllimi mendoj se janë të lakmueshme për sporva
ambicioze kineastësh, me gjendjet, situatat, konfliktet dhe botët njerëzore që
i popullojnë ato. Kam parasysh me këtë tregimet: “Ajo ish vdekja”, “Heshtja”,
“Leonorë”, “Nishanet”, “Ankthi i një qyteze”, “Trëndafila mes qiparisave”. Në
të gjitha këto tregime (dhe në shumicën e vëllimit) mbahet pezull gjatë
rrëfimit një farë enigme e pamundur t’ia qëllosh, ta zbërthesh nga pritshmëria
e zakonshme e lexuesit. Në masën që evoluojnë situatat dhe shtjellohen imtësisht
detajet, enigma vazhdon e padukshme në horizontin e pritjes dhe shfaqet
papritur në fund të tregimit për t’i dhënë një kuptim befasues, simbolik e
meditativ gjithë rravgimit të botës së protagonistit dhe raporteve të tij me të
tjerët.
Një
teknikë të tillë që zotërohet gjatë gjithë rrëfimit dhe kushtëzon, me ndikimin
e vet tensionin e brendshëm, njëfarë ankthi e pritshmërie “sikur të të ndillte
larg diçka”, - pra, mbajtjen pezull të enigmës nga narratori – do ta quaja
“efekti i fshehjes së faktit”.
Është
zotërimi dhe ruajtja e njëfarë sekreti vendimtar mbi gjithë substancën e
tregimit ajo që shkakton befasimin dhe ridimensionimin e papritur të materies
së rrëfyer. Ornela Musabelliu e ka përdorur me mjaft natyrshmëri e pa sforco
këtë truk. Ky fakt që zbret vërtik në fund të rrëfimit i ka dhënë ndërkohë
gjithë linjës së tregimeve një temperaturë të brendshme dhe lexuesi kupton, në
fund, se gjithçka e mëparshme ka qenë përgatitur me një dorë të kujdesshme për
të mbërritur në këtë finale. Pavarësisht nëse “fakti i fshehur” ka të bëjë me
befasime të lumtura, të trishtuara, apo tragjike. Një ilustrim të tillë
përbëjnë, për shembull, tregimet “Lidhëset”, “Trëndafila mes qiparisave”, apo
edhe më fort në tregimin “Heshtja”.
Në
“Trëndafila mes qiparisave” Krik Xhonsoni dhe Laura, një çift pleqsh të vetmuar
e të rrënuar shpirtërisht nga vdekja aksidentale e birit të vetëm, Davidit,
kanë një kopsht ku rrisin trëndafilë dhe një vajzë qiraxhie, Kristën, që u
qëndron e kujdeset me dhembshuri për ta, si t’i kishte prindër. Por gjatë
gjithë tregimit mbetet shqetësimi misterioz për dikë që u vjedh tëndafilët, -
tëndafilë që pastaj i gjejnë të nesërmen mbi varrin e të birit. Një ditë pleqtë
gjejnë tek varri i të birit, tok me trëndafilat e vjedhur një natë më parë, edhe
një karficë që e njohin: është karfica e Kristës, qiraxhies, e cila kthet ta
kërkojë dhe kështu ndeshet me prindërit e djalit dhe është ajo që e ka
aksidentuar. Vjen dhe zgjidhja e enigmës në fund:
“
Lotët nëpër faqe u terën nga puhiza e erës dhe krijuan harta të trishta në atë
lëkurë të zbehtë. Zëri iu shua. Doli përpara Laurës. Fytyra e ngurosur e gruas
iu shfaq e ndarë në figurina, si ta shihte përmes një kaleidoskopi lotësh. U ul
në gjunjë e ia mori duart në të vetat. “Më fal!”, belbëzoi, por s’mundi të
dëgjonte as veten. Laura, e kallkanosur nga habia dhe dhimbja, nuk mundi të
lëvizte as atëherë. Krista u ngrit ngadalë, u shkëput prej saj dhe si e
qorrollisur iu afrua Krikut. Pa i thënë asnjë fjalë, nderi pëllëmbën para tij.
Plaku, po në heshtje, i ktheu karficën. Gruaja mblodhi dorën grusht e iu var
plakut në qafë. Dënesi edhe aty për pak. Kriku as e përqafoi, as e largoi.
-
Davidit i kërkova falje çdo ditë gjatë këtij viti e u mundova t’i sillja pak
aromë shtëpie me ato trëndafila, - tha si u shkëput nga burri. - T’ju rrija
pranë ish një formë shpagimi në fillim e dashurie më pas. Shpresoj të më falni
dikur!
...dhe
u tret ashtu siç erdhi, si hije mes qiparisave e trëndafilave”.
(Fq.
33, “Trendafila mes qiparisave).
Në
tregimin “Heshtja” efekti i faktit të fshehur, që zgjidh pengun e një zemërimi
të gjatë të motrës e vëllaut ndaj të atit, të cilin e akuzojnë se, me mungesat
e tij të gjata në shtëpi, ishte shkaku i brengosjes dhe vdekjes së mamasë së
tyre. I mbajtën mëri, e neveritën. Shkaku zbulohet pas vdekjes së babait, ku e
vërteta tronditëse shpjegohet jo në gjallje të tij, por me anë të një letre
postume nga ëma për bijtë, që i ati ua ka lënë pasi ka ndërruar jetë. Vetëm pas
vdekjes së tyre ata zbulojnë të vërtetën me natyrën e saj të kokolepsur e të
pështjelluar, një marrëdhënieve “trekëndësh” midis prindërve të tyre dhe një
gruaje tjetër, Betit, të cilën gjatë gjithë jetës e kishin pandehur për tezen e
tyre. Por letra e së ëmës në fund sqaron enigmën, domethënë, faktin e fshehur
në tregim, që ka efekt shokues. Ndër të tjera në letrën e saj postume e ëma u
shpjegon:
“...Teze
Beti, që ju e thirrët gjithë jetën kështu, nuk ishte veç mikesha ime e ngushtë.
Ajo ishte e dashura ime që para se të njihja Gilion... Por aq e fortë qe
dashuria që kishim për njëri-tjetrin, sa Gilio pranoi ta ndante jetën me mua,
ndërkohë që unë e ndaja edhe me Betin. Ata të dy pranuan për hir të dashurisë e
s’mund t’u jem veçse mirënjohëse edhe përtej kësaj jete. Babai juaj, veshur me
petkun e mirësisë dhe fisnikërisë, u kujdes gjithë kohës ta fshihte këtë gjë,
për të cilën shoqëria do më kish paragjykuar dhe dënuar.
...
E
di që e keni gjykuar Gilion, për veten dhe për mua, por dijeni se zgjodhi
rrugën më të mirë për ne, por jo pa dhimbje për të. Zgjodhi të më rrinte pranë
nga largësia, që unë të mund të ndaja kohë edhe me Betin, të cilën e doja po aq
fort sa atë”. (Fq 105, “Heshtja”).
Në
disa tregime që zhvillohen si monologje në vetë të mbyllur e në hapësirë të
mbyllur, tregimi endet në kufij të brishtë të përjetimit në vetvete, si zë jo
pa biografi, por pa kohë. Një vogëlush dënohet nga e ëma dhe mbyllet në banjo,
për shkak se ai nuk po bëhet shembull që ta shohë e të mahnitet “bota”.
Vogëlushi ka frikë nga errësira, andaj monologu i tij bëhet me sy mbyllur, ku i
shpëton dhe çiçi: ai rrëkëllen në monologun e vet copëra realitetesh shtëpiake
që përbëjnë lidhjen e tij me botën përreth, e këto lidhje, sipas mamasë, janë
“ne” dhe “bota” (“Dënimi”). Kemi botë të izoluara në vetmi të pakapërcyeshme që
kërkojnë një urë çfarëdo të komunikimit me të tjerët, sa për t’u ndier se janë
gjallë. Në tregimin “Këpucët” një plak ngulmon kundër çdo logjike, të riparojë
këpucët e tij të vjetra, të marra fund, të pariparueshme, duke ofruar çmim të
lartë. Vërtitet një enigmë në ajrin e tregimit, një metaforë, me gjasë, që mban
lidhur protagonistin plak me kujtimin mbi sendet. Fraza e fundit – “Nesër te
rrobaqepësi” – na shpalos një perspektivë të papritur, se historia e debateve
me këpucarin tani do të zhvendoset tek rrobaqepësi dhe pretektin e këpucëve do
ta zëvendësojë ndonjë rrobë.
Në
të gjitha këto rrëfime karakteresh ndër kohëra e situata të ndryshme, nyja
vendimtare e poetikës së tregimit është misteri dhe pengu i pazgjidhur
shpirtëror i protagonistëve. Jo gjithçka ka mbaruar për ta: ajo që mbetet pa
thënë, besohet e shpresohet se do t’i çlirojë sosh në njëfarë mënyre. Andaj dhe
harta topografike nga marrin zanafillë dhe shtjellohen subjektet e tregimeve të
Ornela Musabelliut, nuk shenjon një kulturë të mbyllur, një etnos, por mbarë
përvojën shpirtërore të njerëzve pa dallim vendi e përkatësie. Është harta e
përjetimit shpirtëror që bëhet shkak mandej, edhe për identifikimin dhe
koordinatat kulturore e sociale se ku gjendesh, me sharmin, koloritin dhe
idiomën vendase. Lirshmëria për të kaluar shpengueshëm nga njëri sistem i afërt
vlerash, tek një tjetër më i përlargët, nuk përbën kurrëfarë problemi. Tregimi
është, njësoj si poezia pothuaj, art i kondensimit. Brenda këtyre mjeteve të
kursyera dhe me ndershmëri koprrace, Ornela na bën gjithmonë të vetëdijshëm për
kronotoposin se ku ndodhemi. Për lexuesin shqiptar nuk përbën problem
identifikimi edhe i zonave nga vijnë e flasin “zërat” që mbushin hapësirën e
tregimeve që vijnë nga atdheu (“Dënimi”, “Pritja”, “Bardhë e zi”, ankthi i një
qyteze”, “Vdekja e gjuhës”, “Komoja e plakushit”, “I fejuari”, “Margarita”
“Fustani”). Pjesa tjetër e tregimeve ose e kanë të qartë kronotopin e huaj, me
qytete e habitatr të “huajs” kulturore, ose kjo veçori bëhet krejt e
papërfillshme për materien dhe filozofinë e tregimit.
Edhe
pse duket paradoksale, rrëfimi në vetë të parë përbën zgjidhjen më të thjeshtë,
në mos më të mirë, të problemit, sepse rrëfimi dhe veprimi janë një dhe e
vetmja gjë. Këtë mund ta themi me siguri sa i përket vetës së parë nga zbret
pikëvështrimi i instancës narrative në tregimet e Ornela Musabelliut. Kjo vetë
e parë rrëfimi nuk është asnjëherë e njëjtë: ajo lëviz e zhvendoset
organikisht, sipas shtrirjes dhe karakterit të tregimit, qoftë ai me dominimin
e komponentit rrëfyes si histori, qoftë me përjetimin e një sensacioni të
brendshëm në llojet e tregimeve “pa subjekt”. “Edhe kur flitet për të tretët,
ai që flet është pjesë e veprimit, është në flluskë dhe jo në pipëz”- thotë
Julio Cortasar-i. Ndoshta për këtë, në historitë e Ornelës në vetën e tretë,
veprohet, ricitojmë Cortasar-in: “thuajse gjithmonë në mënyrë të tillë që të
mos dal nga një rrëfim strictu senso, që ato të mos sjellin largësinë në
trajtën e gjykimit për atë që po ndodh. Më duket një kotësi të duash të
ndërhysh në një tregim me diçka më tepër se sa tregimi në vetvete”.
Ornela
Musabelliu ka një nytyrshmëri çarmatosëse për sa i përket tensionit të
brendshëm rrëfimor. Po ai Cortasar që cituam më lart, bën një vërejtje të
thellë që i shkon shumë përshtat finesës së tregimeve të Musabelliut, kur pohon
se: “Prej një tregimi të tillë dilet si prej një akti dashurie, i rraskapitur
dhe jashtë botës që të rrethon, në të cilën kthehesh duarduarshëm me një
vështrim të habitur, me vetëdijësim të ngathët, shumë herë vetëdijësim
lehtësimi e herë të tjera vetëdijësim dorëzimi”. S’di pse më duket se ky
konstatim është si i bërë enkas për njërin nga tregimet më të koklavitur,
artistikisht më abiciozët dhe që përmbledh në vetvete dominanten e shumicës së
tregimeve të vëllimit. Është fjala për tregimin “Ajo ishte vdekja”, i endur
njëkohësisht si kryq dhe si labirint, si vegulli e si esëlli, si ëndërr në një
ëndërr, një seri e pafund ëndrrash me zgjim të pasigurt, si një sistem i
ndëkallur matrioshkash, diç borhesiane si ide, por me një mjeshtëri në
përpunimin e një skeme të mprehtë syzhetore. Tregimi ka një kompozim të
përsosur unazë, si të na ndërmendë që rrethi është apoteoza e të përsosurës në
këtë botë. Kështu, për shembull tregimi hapet: “Zhytur në kolltuk, me duart e
kryqëzuara sipër barkut, Larsi po mendonte me dëshpërim se ishte e kotë e duhej
të hiqte dorë nga përpjekjet, kur e shoqja hyri në studion e ndriçuar fare pak
dhe i zgjati pjatën e vogël, me një mollë të qëruar e të ndarë në thela, lyer
me mjaltë dhe pudrosur me kanellë”.
Dhe
mbyllet: “Hapi sytë e brofi në këmbë ta pushtonte në krahë të shoqen e të
hidheshin e përdridheshin të lumtur se ishin gjallë, por gëzimi i ngriu në
buzë, kur e pa ashtu të buzëqeshur, teksa i zgjaste një pjatë të vogël
porcelani, me mollën e ndarë në thela, lyer me mjaltë e pudrosur me kanellë”.
Në
fillim Larsi është i dëshpëruar me sforcimin, përdhunën e pranimit të mollës së
ndarë, të lyer me mjaltë e të pudrosur me kanellë. Pse? Në fund të tregimit,
për të njëjtën gjë të ofruar, ai nuk është i dëshpëruar, por përkundrazi, është
aq i ngazëllyer, sa brof në këmbë për ta përqafuar e për të vallëzuar me të nga
gëzimi “se ishin gjallë”. Por gëzimi i ngriu në buzë. Çfarë ka ndodhur midis
këtyre dy paragrafëve hyrës e përmbyllës, kur e shoqja, Lana i ofron Larsit të
njëjtën mollë të prerë në thela, të lyer e të pudrosur me mjaltë e kanellë?
Larsi
është një burrë te të pesëdhjetat kur i shkrep dëshira e ndrydhur prej
shkrimtari, për të realizuar pengun e tij të vjetër: të bëhet shkrimtar. “Dhe
kish pyetur veten: përse mos të botonte edhe ai? Le ta njihnin dhe donin
njerëzit edhe si shkrimtar! E kish nisur të shkruante jo më për veten, por për
lexuesit. Ndërkohë, e shoqja, edhe pas kaq vitesh refuzimi nga botuesit, nuk e
kish humbur zellin për ta ndihmuar dhe shpresën se talenti i tij do binte në sy
një ditë”. Ajo çfarë ndodh më pas është një histori e tmerrshme asfiksie e
survejimi vdekjeprurës për shkrimtarin: përkujdesi dhembshuror, dashuria e
vëmendja janë armët e së shoqes së përkushtuar, që vrasin “magjinë” e krijimit,
atë sferë mërgimi ku misteri krijues ndihet i kapur gafil lakuriq dhe dështon.
Revolta, tërbimi dhe mllefi i shkrimtarit që torturohet nën diktaturën e
survejimit të syrit, kapërcen çdo kufi padurimi, derisa ai, merr një vendim për
ta vrarë të shoqen e për të qenë më në fund i lirë. Vihet në kërkim të një
vdekjeje të ëmbël e të pabujë, provon disa variante, të cilat nxiton t’i prishë
të nesërmen dhe kështu, ta shtyjë për më vonë vrasjen, ndërsa përpiqet t’i hapë
udhë gjetjes, zgjidhjes së kësaj vrasje përmes subjektit të romanit që po
shkruan. Dhe në një prej ditëve të shumta. “Kur e shoqja doli nga studioja,
pasi i zgjati pjatën e vogël me mollën me mjaltë, pudrosur me pak kanellë,
shoqëruar me një puthje të lehtë, uroi që Lana të kish pasur fuqinë t’i lexonte
mendjen e kanellën ta kish përzier me helm, nga ai që përdornin në bodrum për
minjtë. Do ishte vdekje e dhimbshme, por... Kërceu përpjetë. “Gjeniale”,
mendoi, “e gjeta zgjidhjen për librin” dhe rendi te kompjuteri, pa u merakosur
për copat e mollës që ranë e përlyen tapetin venecian. Gjithë ato muaj që
përpiqej të vriste heroinën e romanit, duke përshkruar me detaje çdo plan që
thurte vetë për vdekjen e Lanës... ja ku kish qenë çelësi. Do vriste
“vrasësin”, që s’dinte e nuk mundej të vriste. Po, po. Ja ku e kish të gatshme
skenën e fundit, që do t’i shpëtonte librin, madje do t’ia çonte nëpër stendat
e librarive: E shoqja lexon fshehur dorëshkrimin e burrit dhe e llahtarisur
kupton qëllimin e tij, por edhe paaftësinë e tij për të vrarë... atë dhe veten.
Dhe shkrimtari i vihet përshkrimit të realizojë bëmën famëkqe në roman: atë që
kishte ndërmend të bënte në jetë, ta bënte në letërsi, e kësisoj të shpëtonte
nga krimi i vrasjes dhe vetëvrasjes. Për pesë orë i përpirë nga frymëzimi ai i
jep fund romanit duke e transferuar aty, atë që kishte dashur ta bënte në
realitet. “Kur shkroi fjalën “Fund”, dy lot i rrëshqitën faqeve. Nuk e kuptoi
në shprehnin gëzimin për mbylljen e romanit, për të cilin tashmë ish më se i
sigurt që jo vetëm do botohej në Belgjikë, por do merrte udhët e botës, apo
rëndim emocional për krimin që kish dashur të bënte. Me sytë e mendjes pa nëpër
vitrina kopertinën me emrin e tij dhe titullin “Ajo ishte vdekja”. Por kur kërkon të dalë jashtë, pas triufit
çlirues të veprës së shkruar, që e shpëton, aji e sheh veten të mbyllur me kyç,
pas asnjë mundësi të dalë jashtë. Këtë ndrymje shkrimtari e merr të mirëqenë,
si dijeni dhe depërtim të gruas në fsehtësinë e tij, që gjendej vetëm në
dorëshkrimin e romanit. “Pra, ajo e paska lexuar dorëshkrimin. Gjithçka
shkruajta deri tani, po ndodhte në kohë reale”, mendoi i fikur dhe i dorëzuar”.
Të mirëqenë e merr dhe faktin, se pas kyçjes së tij në studio, ajo ka kryer
vetëvrasjen, në përputhje me dorëshkrimin, duke ia lënë atij radhën me mollën e
prerë në feta, të lyer me mjaltë e të pudrosur me kanellë – që nuk është tjetër
pos se helm, arsenik, me vdekje të sigurtë. Shkrimtari Lars, vendos ta hajë
mollën e helmët e të vdesë, andaj shtrihet në tapet, siç e kishte përshkruar në
roman, pak më parë, në formë embrionale, dhe duke pritur vdekjen e zë gjumi,
për pesë orë rresht. Mbyllja e tregimit, vjen tashmë në po atë frymë befasuese
të Ornela Musabelliut, - me zgjidhjen dramatike të nyjës së misterit, një
tjetër “fshehje e faktit; zgjohet nga e shoqja, Lana, i pushtuar nga habia
ngazëllyese e të qenit gjallë. Trupi e përcjell këtë ngazëllim, si rrathët e
ujshëm të një liqeni të zgjuar nga një gur. Dhe së këndejmi vjen befasia e
shtangët, tashmë e fundit, me pasazhin përmbyllës:
“Hapi
sytë e brofi në këmbë ta pushtonte në krahë të shoqen e të hidheshin e
përdridheshin të lumtur se ishin gjallë, por gëzimi i ngriu në buzë, kur e pa
ashtu të buzëqeshur, teksa i zgjaste një pjatë të vogël porcelani, me mollën e
ndarë në thela, lyer me mjaltë e pudrosur me kanellë”.
Një
fund i tillë lë një pespektivë të hapur për shumë interpretime, por më i
mundshmi për logjikën e tregimit është, se Syri gjithëvrojtues e vdekjeprurës i
të shoqes, e ka kapur dorëshkrimin pa zhvillimin e tij të fundit përmbyllës,
pa, si me thënë, aktin e katarsisit, deri në pikën e fundit dhe fjalën “Fund”,
që e bën një vepër të mbyllur e të kryer. Ajo ndërkohë ka vepruar pikërisht
ashtu, siç do ta ketë prirë instinkti i vetëmbrojtjes, duke nxituar të hiqte
qafe të shoqin shkrimtar, por nëse do t’i jepte ajo vetë fund vetes, këtë nuk
kemi si ta dimë. As nëse Larsi, me gëzimin e ngrirë në buzë, i hëngri apo jo
thelat e mollës së lyer e ngjyer në helm. Ca gjëra është më mirë të mos i
dimë... Ky syzhet i mprehtë, përpos zhdërvjelltësisë së imagjinatës, përcjell
dhe shumë ide e përfytyrime intriguese mbi marrëdhëniet etike midis artit dhe
jetës, midis artistit dhe veprës, midis fshehtësisë, si parakusht për lindjen e
magjisë së artit, dhe kurreshtjes së sëmurë e vrastare të njerëzve tanë të
rëndomtë, që nuk e kuptojnë dot natyrën tejet të brishtë, delikate dhe efemere
të transit krijues. Sepse e tërë metafora e krijimit mund të reduktohet ashtu,
siç na e përcjell me natyrshmëri e sqimë Ornela Musabelliu në këtë vëllim të
paharruar me 36 tregime: “Mollë e lyer me mjaltë dhe helm”, - një zanafillë
mëkatare e pashmangshme, por e një tjetër Edeni tashmë...
Agron Tufa, 1 janar, 2025