Kulturë
Agron Tufa: Miti i Shpellës së Platonit dhe përfytyrimet tona mbi të vërtetën
E marte, 31.12.2024, 07:55 PM
MITI I SHPELLËS SË PLATONIT DHE PËRFYTYRIMET TONA MBI TË VËRTETËN
Nga
Agron Tufa
Në
Librin VII të "Republikës", Platoni paraqet një nga alegoritë më të
famshme dhe më të thella në filozofinë perëndimore: "Miti i
Shpellës".
Kjo
histori nuk është vetëm një përrallë magjepsëse, por edhe një mjet i fuqishëm
për të kuptuar teorinë e dijes dhe perceptimin e realitetit, konceptet qendrore
të mendimit platonik.
Imagjinoni
një shpellë të errët ku një grup të burgosurish janë lidhur me zinxhirë që nga
lindja. Këta të burgosur janë të shtrënguar në atë mënyrë që të mund të
shikojnë vetëm drejt murit që kanë përballë.
Pas
të burgosurve ka një zjarr, dhe midis zjarrit dhe të burgosurve ka shteg
kalimi. Përgjatë këtij shtegu, njerëzit kalojnë duke mbajtur objekte dhe figura
të formave të ndryshme dhe lëshojnë hije mbi murin ku shohin të burgosurit.
Për
këta të burgosur, këto hije janë i vetmi realitet që ata njohin. Hijet në
shpellë simbolizojnë padijen dhe perceptimin e kufizuar të atyre që nuk kanë
arritur njohurinë e vërtetë.
Ato
përfaqësojnë një realitet të shtrembëruar dhe sipërfaqësor, një metaforë sesi
dukjet dhe perceptimet mund të mashtrojnë të kuptuarit tonë për natyrën e
vërtetë të gjërave.
Miti
merr një kthesë të rëndësishme kur një nga të burgosurit lirohet.
Në
fillim, ky i burgosur ndjen dhimbje të mprehtë dhe trullosje të fortë kur
përballet me dritën e zjarrit dhe, përfundimisht, terratiset krejt kur ndesh me
sy diellin e vërtetë përjashta. Drita është verbuese dhe i burgosuri përpëlitet
për të kuptuar këtë realitet të ri.
Pak
e fije, herëdokur, sytë e tij mësohen me të dhe ai fillon ta shohë botën ashtu
siç është: ngjyrat, format, pafundësinë e qiellit dhe shkëlqimin e diellit.
Ky
proces simbolizon rrugën drejt dijes dhe ndriçimit intelektual, një rrugëtim i
mundimshëm dhe i dhimbshëm, por thellësisht shndërrues.
I
burgosuri i liruar kupton se hijet në shpellë nuk kanë qenë realitet, por
thjesht një iluzion.
Me
dëshirën e tij për ta ndarë këtë zbulim, ai kthehet në shpellë për të liruar të
tjerët.
Megjithatë,
përpjekja e tij ndesh në qëndresë fanatike, nuk pranohet dhe keqkuptohet nga
ata që janë ende në zinxhirë.
Për
ta, hijet mbeten realiteti i vetëm i vlefshëm dhe sugjerimi i një realiteti
tjetër është i papërfytyrueshëm dhe kërcënues.
Ky
rikthim nxjerr në pah vështirësinë e përcjelljes dhe pranimit të së vërtetës në
një botë të mësuar me iluzione, një pasqyrim i rezistencës njerëzore ndaj ndryshimit
dhe pranimit të të vërtetave të reja.
Prandaj
"Miti i Shpellës" ilustron jo vetëm teorinë epistemologjike të
Platonit, por edhe vizionin e tij për edukimin dhe rolin e filozofit në
shoqëri.
Filozofi,
ashtu si i burgosuri i liruar, ka përgjegjësinë t'i drejtojë të tjerët drejt
dritës së dijes, edhe nëse kjo përpjekje do të detyron të përballesh me
moskuptimin dhe qëndresën kokëngjeshur.
Në
fund të fundit, kjo alegori na grish të vëmë në dyshim perceptimin tonë të
realitetit dhe të njohim rëndësinë e kërkimit të dijes përtej paraqitjes.
Na
bën thirrje të thyejmë zinxhirët tanë dhe të dalim nga shpellat tona personale
në kërkim të një kuptimi më të thellë dhe më të vërtetë të botës.