Kulturë
Ilir Muharremi: Viti 2024, një vit i suksesshëm në fushën e artit
E marte, 31.12.2024, 07:53 PM
Viti 2024, një vit i suksesshëm në fushën e artit
Nga
Ilir Muharremi, kritik i artit
Ky
vit ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për artin dhe kulturën e Kosovës, një
dëshmi e fuqisë krijuese që buron nga një histori e thellë dhe një pasion i
pashuar për të shprehur të pathënën. Në një botë ku arti është ura që lidh të
kaluarën me të ardhmen dhe individualen me universalen, artistët tanë kanë
treguar se krijimtaria nuk njeh kufij, as gjeografikë dhe as shpirtërorë.
Kosova, një vend i vogël në madhësi, por i madh në shpirt dhe vizion, ka
lartësuar zërin e saj përmes gjuhës së artit bashkëkohor.
Kjo
arritje kulmoi me suksesin e Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të
Artit në Venecie, ku instalacioni skulpturor "Heshtjet kumbuese të metalit
dhe lëkurës", i artistes Doruntina Kastrati dhe kuruar nga Erëmirë
Krasniqi, u nderua me Mirënjohjen e Veçantë. Në një konkurrencë me mbi 80
shtete, kjo vepër trajtoi me mjeshtëri dhe ndjeshmëri çështjen e punës së
feminizuar dhe trupave të dërmuar nga ekonomitë e parregulluara.
Instalacioni
skulpturor i Kastratit është më shumë se një vepër arti; është një thirrje e
heshtur, një jehonë që ngrihet nga thellësitë e historive të heshtura dhe të
trupave të dërmuar lëkurës së brishtë, Kastrati krijon një dialog të fuqishëm
midis forcës dhe cenueshmërisë, midis strukturës industriale dhe intimitetit
njerëzor. Skulpturat e saj nuk janë vetëm objekte vizuale, por bartëse të
përvojave të heshtura dhe të dhimbjeve të grumbulluara ndër vite nga gratë që
mbajnë mbi supe barrën e ekonomive të padrejta.
Metalike
dhe të fuqishme, skulpturat simbolizojnë qëndrueshmërinë e grave, ndërsa lëkura
organike mishëron ndjeshmërinë dhe cenueshmërinë e tyre. Ky kontrast flet
fuqishëm për tensionet e përditshme të një realiteti të heshtur dhe shpesh të
injoruar. Përmes këtij ndërthurjeje, instalacioni shkon përtej një përshkrimi të
thjeshtë, duke i dhënë zë përvojave të heshtura që janë të pranishme jo vetëm
në Kosovë, por edhe globalisht.
Një
element thelbësor i instalacionit është peizazhi tingullor, i cili përshkon
hapësirën dhe rezonon fizikisht në trupat e vizitorëve. Kjo valë tingujsh i bën
audiencat jo vetëm vëzhgues, por edhe pjesëmarrës në një dialog të heshtur që
fton reflektim. Zhurmat e prodhuara nuk janë thjesht element estetik; ato janë
një jehonë që ndërgjegjëson, duke përshkruar fuqinë dhe dhimbjen e një
realiteti të hidhur.
Artistja
Doruntina Kastrati, në fjalën e saj pas pranimit të çmimit, citoi shkrimtaren
Elif Shafak: "Historitë na bëjnë bashkë, ndërsa historitë e parrëfyera na
mbajnë larg njëri-tjetrit. Për të pasur mundësinë për të treguar historinë
tënde, të heshtësh për të do të thotë që je e dehumanizuar." Kastrati
shprehu kënaqësinë që përmes kësaj vepre mundi të ndante një histori që ka qenë
prezente si në përvojat lokale ashtu edhe ato globale.
Ky
sukses i Pavijonit të Kosovës, i arritur në një bienale ku çdo pjesëmarrje
është një fitore, përfaqëson një moment historik për artin kosovar. Mirënjohja
e Veçantë shënon jo vetëm arritjen e kësaj vepre të fuqishme, por edhe një hap
të madh përpara për të gjithë skenën kulturore dhe artistike të Kosovës. Në këtë
mënyrë, viti 2024 po përmbyllet me një kurorëzim të meritueshëm të artit tonë,
duke dëshmuar se Kosova, përmes zërit të grave dhe artistëve të saj, është një
djep i krijimtarisë dhe shpirtit të rezistencës kulturore.