Kulturë
Hamza Halabaku: Paritë tona me dallkaukë, lajkatarë, dallaveraxhinj dhe delenxhinj
E marte, 31.12.2024, 07:57 PM
Paritë tona me dallkaukë, lajkatarë, dallaveraxhinj dhe delenxhinj
(Letër imagjinare mikut tim, shkrimtarit të
ndjerë, Zejnullah Halili)
Nga Hamza
Halabaku
Zejnullah
i dashur,
Tani
lutem për Ty: “Zot i madh, vendose Zejnën në
vendin më të mirë, atje ku është!” Kujtoj se Zejna e meriton vendin më
të mirë, në botën tjetër, nëse ekziston botë tjetër!
Si
duket, nuk kam durim që të pres të vijë vera për të të shkruar.
Tani,
në fund të muajit janar 2018, mësoj se në Prizren, në xhaminë “Sinan Pasha”, më
1912, imam Adnani, që kishte predikuar për besimtarët e islamit në gjuhën shqipe, paskësh qenë rus. Emri i vërtet i tij
kishte qenë Kazimir Olenko. Kështu e ka shkruar anasi ynë, shkrimtari i njohur,
Ibrahim Kadriu, në romanin e tij “Misioni rus”. Bile, sipas asaj që shkruan Ibrahimi
në romanin e tij, vetë mulla Adnani, para xhematit që e përmenda më lart, e
kishte pranuar se ishte Kazimir Olenko dhe pas njëzet vjetësh predikimi paskësh
thënë: “Unë jam Kazimir Olenko dhe tani dua të shkoj, se misionin tim si imam
në xhaminë ‘Sinan Pasha’ në Prizren e kreva!” Ibrahimi më ka thënë me gojën e
vet se ka gjetur dokumente për këtë që ka shkrua në romanin e tij “Misioni
rus!”
Për
besë, na thoshin edhe gjyshërit tanë, po ne nuk e besonim që ka mundur të
ndodhë diçka e tillë!
Tani,
pikërisht në atë xhami, imami i saj, i tashëm, Mustafa Tombash, si duket është
nga Turqia. E sheh që edhe tani, fenë po na e predikon një i huaj, sikur në
vitin 1912. Këtu, pra, pas faljes së namazit të jacisë (është lutja e fundit që
bëhet pas darkës), është organizuar “lutja e
fitores”, që i bie se qytetarë të Prizrenit, përfaqësues të organizatave
të shoqërisë civile, si dhe ushtarët turq në Kosovë, pas leximit të Kuranit,
janë lutur për ushtarët që të arrijnë fitore në operacionin e nisur nga Forcat e Armatosura Turke (TSK), diku në Siri e ku
po luftojnë kundër popullatës së pafajshme kurde. Pra, lutja është bërë
për t’i mbështetur forcat turke në luftën kundër kurdëve të pafajshëm!
Po i
luten Zotit që të fitojë i forti në tokën e huaj!
O Zot, bash shqiptarët, që para tetëmbëdhjetë vjetësh nuk mund të
gjenin vend nga forcat paramilitare e
ushtarake të Serbisë së Millosheviqit, marrin pjesë në një lutje të
këtillë!?
Më
lejo, të lutem i dashuri Zejnuallah, të ta përshkruaj një shkrim nga Kurani.
Në
Kaptinën 9:107 të Kuranit shkruan: “(nga hipokritët më të shëmtuarit janë) edhe
ata që ndërtuan xhami sherri, mosbesimi e përçarjeje mes besimtarëve dhe ftuan
në pritje (solemne) atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të
dërguarit të tij. Ata do të betohen: ‘Ne nuk kemi pasur tjetër qëllim, vetëm
për të mirë!’ Po Allahu dëshmoi se ata vërtet janë rrenacakë”.
Nuk
duhet t’u besohet të gjithë imamëve, o miku im i mirë!
Këtu te ne, tani për tani, gjithandej ku jetojnë shqiptarët,
edhe nëpër xhami, edhe nëpër udhëheqje politike, ka dallkaukë
edhe lajkatarë, edhe dallaveraxhinj, po edhe delenxhinj, që besa
janë vendosur në
maja të majave të pushtetit.
Pas
lutjes në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, siç të shkrova më lart, Qeveria
jonë ka thënë se ajo “është e përkushtuar
për paqen dhe stabilitetin kudo në botë dhe kundër çdo nxitjeje të urrejtjes
dhe përfshirjes së shtetasve të Kosovës në konfliktet jashtë vendit!”
Këtë
tekst e kam marrë në një portal, i dashur miku im Zejnullah. Ky është qëndrimi
i Qeverisë sonë. Si duket, nuk ka dëshirë Qeveria të ballafaqohet me Bashkësinë
Islame të Kosovës. Pse, do të thuash ti?
Sepse
nuk do të ketë vota në zgjedhjet e ardhshme!
*
Të njëjtën ditë, më duket, Sheshi Skënderbe në Tiranë është mbushur me
qytetarë që po protestojnë kundër qeverisë Rama. Ti do të thuash, është normale protesta, kur populli është i pakënaqur.
Në rregull, pajtohem edhe unë, po, ama këta të qeverisë kur ishin në opozitë
çoheshin në protesta që i organizonin
politikanët, e vriteshin qytetarët. Nuk e di a jam i qartë, në këto
rrëfime, për këto punë të pahijshme që po ndodhin ndër ne shqiptarët. Në
protesta çohen përherë ata që janë në opozitë, se këta në qeveri nuk i kanë
shumë keq punët e veta.
Është
neveritëse të dëgjosh çka thonë për njëri-tjetrin.
*
Më 26
janar, të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës, në Prishtinë, ka qenë një cirk i
vërtetë. Ishte mbledhja e parë në këtë vit! Një deputet i akuzon të tjerët,
normal, se po bëjnë ahengje e po shtien me revole e pushkë automatike për asgjë
- hiç. Po pinë raki e po hanë meze të nxehtë e po shtien e po shtien... Më
duket as gjatë luftës nuk kanë harxhua aq
fishekë, sa po harxhojnë në ahengje! Ky deputeti, duke i kritikuar, u
thoshte: “Me meze e raki njeriu bëhet trim edhe pa qenë trim hiç!”
Pastaj çohet ai tjetri, kishe po i mbroj shokët e partisë së vet, duke i
thënë:
“Prite
tash ti, se vetë e lype... Ju, në partinë tuaj, kishe në VV, me bar po bëni
orgji seksuale”! Hahahaha, më vjen për të qeshur me kësi cirkusi. As kur kemi
qenë barinj e kemi luajtur guxhas, nuk kemi përdorur këso fjalësh në fushë, e
le më në sallën e Parlamentit tonë në Prishtinë, para kamerave televizive...
Shpesh
po e pyes veten: A mund të na bëjë keq dikush më shumë se ne vetvetes...? Baba
më thoshte, biro po ta bëri dikush të keqen, shpëton diqysh, por, ama, po e
bëre të keqen vetë për vete, nuk ka kush si të të shpëtojë...
*
Ka
përçarje, gati, në të gjitha partitë tona politike. Përçarje brendapërbrenda
partive! Edhe në PDK, edhe në LDK, është normale të ketë përçarje të vogla.
Nuk mund të mendojnë të gjithë njësoj. Kështu e ka pluralizmi! Jam i befasuar
me ato përçarjet e këtyre të rinjve. Vetëvendosje po e quajnë ata partinë e
vet. Donin t’i bashkonin të gjithë shqiptarët, kudo janë. Kështu thoshin se e
kanë programin e tyre! Jo, more, tani ata janë sharë ndër vete e janë përçarë
keq! Janë ndarë në dy grupe.
Kush
po na i bën këto të këqija, nuk e di. Ama, keq e kemi punën.
Po
kush? Vetë, more, vetë! Mbrëmë mora vesh se njëri nga zëvendëskryeministrat e
paska të birin, në njërën ministri, zëvendësministër apo më duket shef të
kabinetit të njërit ministër?! Baba zëvendëskryeministër
e i biri zëvendësministër...!!! E tërë familja nëpër ministri!
Mësova
se një intelektual kishte thënë, edhe këtë e lexova në një shkrim të një
portali, “u kërkoj falje publike fëmijëve që i lashë në Kosovë! E unë po mendoj
shpesh, pse nuk i mora të gjithë fëmijët me vete, këtu ku jam. Po edhe eshtrat
e babës dhe të nënës që më kanë vdekur, pse i lashë aty!”
Nuk i
kemi punët mirë. I forti të bën çka të dojë dhe nuk i përgjigjet askujt!
*
Hajni
në krye të shtetit, po edhe hajni në xhepat
e qytetarëve, prej këtyre hajnave të rrugëve. Këta janë të vegjël, po të
lënë keq, more Zejnullah i dashur!
- O,
na kanë ardhur kohë shumë të rënda!!!
Ditëm
drekë, në mes të sheshit, para shtatores së Zahir Pajazitit, hajnat plaçkitin!
Hajna nga të sillesh. Dheun nën këmbë ta vjedhin!
Tani,
haptas duket se ka edhe grupe të organizuara hajnash.
Po, a
nuk kishte të drejtë kur një miku im, Sylë Bajrami, në përmbledhjen e tij me
vargje “Një copë atdhe” në f. 163 shkruante: “Dikush vjedh me gishta; dikush
vjedh me letër; ne, këtë farë zanati; e kemi bukur të vjetër”.
Tani,
një qytetar kishte thënë: “Dikur më ka ardhur marre që kam qenë hajn, e sot po
më vjen marre që nuk jam më i madh se këta”!
Pra, i
dashuri Zejnullah, te ne është një kohë, jo siç e kemi pritur!
Një
miku im, sa isha në Prishtinë, më tha kështu:
“Qeveria që e mban pushtetin duke vjedhur
pare, e qet miletin fare!”
*
Zejnullah
i dashur, nuk mundem pa t’i kujtuar edhe disa vargje të rilindësit tonë, Ali
Asllani. Ai në vargjet e tij në “Vepra” 2, botimi “Rilindja” - Redaksia e
botimeve Prishtinë, 1984, në faqen 94 shkruan:
“Dallavera nëpër zyra,
dallavera në pazar,
Dallavera me të huaj,
dallavera me shqiptar`
Vetëm vetëm dallavera, dhe
në dëm të këtij vëndi
Që ju rriti, që ju ngriti,
që ju ngopi, që ju dëndi!”
Po e
lë strofën vijuese dhe po kaloj në tjetrën!
“Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla
dallavera
Kukuvajka do përtypi zog e
zoga si përpara...
Ja, ja, grushti do të bjerë
përmbi krye të zuzarëve,
Koha është e maskarenjve,
po Atdheu i shqiptarëve!”
*
Dëgjo,
dëgjo, një deputete e një partie të Parlamentit
të Shqipërisë, duke diskutuar, u kishte thënë deputetëve të pozitës, në një mbledhje komisioni parlamentar, “ju nuk jeni burra”. Kurse ky “burri”, deputeti i partisë në pozitë, gjatë diskutimit ia
kishte kthyer koleges deputete: “kur ua
ke provuar deputetëve burrërinë”! Na provo!” Demek, na provo a jemi burra a
jo...!!!
Eee, more Zejnë. Poshtë na ka rënë katundi! Kush është bërë deputet ta
dije! Do të të tregoj ndoshta në letrën tjetër! Nuk po flas veç për Tiranën,
por edhe për Shkupin e për Prishtinën!
“Qeveria
që e mban pushtetin duke vjedhur pare, e qet miletin fare!”, më ka thënë një
ditë ish-mësuesi yt e miku im, tanimë i ndjerë, Rabit Rexhepi!
Dritë
paç, o miku im i mirë!
(Nuremberg, fundi i janarit 2018