Kulturë
Timo Mërkuri: Duart e dashurisë dhe rrëmuja shpirtërore e tyre
E merkure, 18.12.2024, 07:55 PM
DUART E DASHURISË DHE RRËMUJA SHPIRTËRORE E TYRE
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
"Ëndërr për duart e tua" e Ilirian Zhupës shfaqet që në leximin e
parë si një himn i ndjerë dhe i ëmbël dashurie, i mbështjellë me një
muzikalitet të butë dhe një nostalgji të thellë. Ritmi i qetë dhe përsëritja e
vargjeve krijojnë një melodi të brendshme, e cila ngjall mallëngjim dhe
përcjell një dhembshuri të ndjerë. Shfaqja e duarve të së dashurës , realizuar
me tonalitet delikat dhe të përzemërt, mbush poezinë me një ndjesi të brishtë
melankolie, duke i dhuruar lexuesit një përjetim emocional që mbetet gjatë në
kujtesë. Kjo melodi poetike risjell kujtime e përjetime shpirtërore që
kapërcejnë kohën. Lexojeni këtë poezi si një këngë të ngrohtë himariote dhe do
të ndjeni thellësinë e saj; një tingull që nuk mund të harrohet lehtë.
I-Në
poezinë e tij, Ilirian Zhupa shfaqet si poet novator, sjell gjithmonë diçka të re, qoftë
në formë apo përmbajtje, duke mbetur thellësisht i rrënjosur në poetikën
moderniste. Në poezinë “Ëndërr për duart e tua”, i jep një rëndësi të
jashtëzakonshme duarve të së dashurës, duke i shndruar ato në simbolin qendror
të ndjenjës së dashurisë dhe kujtesës së saj. Përmes kësaj qasjeje, Zhupa sjell
një risi në poezinë e temës së dashurisë, ku tradicionalisht elemente si sytë,
zemra apo buzët zenë vendin kryesor.
Në
këtë poezi, duart nuk janë thjesht një pjesë e trupit; ato shndërrohen në
mediume që lidhin të kaluarën me të tashmen, duke mbartur një prani të fuqishme
shpirtërore edhe pas largimit të së dashurës. Vargjet si “Duart e tua paskan
mbetur te unë, si hiri i zjarreve në shpella” dhe “Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë
rrëmujë atje brenda” i kthejnë duart në simbole të një dashurie që lë gjurmë të
pashlyeshme në qenien e subjektit lirik. Këto vargje, me fuqinë e tyre
imazhore, përçojnë një ndjenjë të thellë dhe të përjetshme mallëngjimi.
Përsëritja
e vargjeve krijon një efekt refreni, si një këngë, duke i dhënë poezisë tonalitet melodik dhe ritëm të butë, por
ngulmues. Ky refren shërben jo vetëm për të theksuar rëndësinë e duarve në
përjetimin e dashurisë, por ngre një ndjenjë vazhdimë-sie dhe përjetësie, duke
përforcuar idenë se dashuria dhe kujtesa nuk janë të lidhura me një moment të
vetëm, por mbeten aktive dhe të gjalla në botën e brendshme të poetit.
Përqendrimi
te duart ka dimension estetik dhe ekzistencial. Ato simbolizojnë prekjen,
ndjeshmërinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë shpirtërore, po ashtu njëkohësisht përcjellin brishtësinë dhe
fuqinë e dashurisë. Në këtë poezi, duart shndërrohen në ndërmjetëse mes
shpirtërores dhe fizikes, mes intimes dhe universales, duke mbartur dashurinë
si një formë përjetësie të rrënjosur në kujtesë.
Kjo
qasje e Ilirian Zhupës dëshmon një ndjeshmëri të thellë poetike dhe aftësi të rrallë për të shndërruar detajet e
përditshme në simbole universale. Struktura muzikore e krijuar përmes refrenit
dhe shfaqia e vazhdueshëm e duarve i japin poezisë ngarkesë emocionale të veçantë, duke e kthyer
atë në një perlë të poezisë shqiptare moderne të dashurisë.
II-
Kjo poezi e Ilirian Zhupës mbart një kompleksitet të thellë modernist, duke u
dalluar për disa veçori që e vendosin atë në qëndrën e poezisë moderne dhe
novatore. Përtej përqendrimit te duart si simbol qendror, poezia mishëron
elemente thelbësore të estetikës moderniste:
1.Poezia
moderniste shpesh largohet nga shprehja e drejtpërdrejtë e emocioneve, duke u
përqendruar te një detaj i thjeshtë për të përcjellur një spektrum të gjerë
ndjesish dhe filozofish. Në këtë poezi, duart shndërrohen në bartëse të
dashurisë, humbjes e trazimit ekzistencial. Zhupa i jep detajit të duarve një
simbolikë të thellë, duke e ngritur atë nga konkretja në universalen dhe duke i
dhënë veprës një përmasë filozofike unike.
2.Poezia
nuk ndjek një narracion linear apo kronologji tradicionale. Përkundrazi, ajo
ndërton një strukturë fragmentare, ku imazhet dhe ndjesitë ndërthuren për të
krijuar një rrjedhë të lirë emocionale. Ky fragmentarizëm, tipar thelbësor i
modernizmit, përçon jo vetëm subjektivitetin e poetit, por edhe natyrën kaotike
dhe të copëtuar të përvojës njerëzore.
3.Duart,
në këtë poezi, nuk mbeten në nivelin e një simboli fizik. Ato shndërrohen në
metafora të kujtesës, prekjes dhe ndikimit të pashmangshëm të dashurisë së
humbur. Imazhet poetike si “si hiri i zjarreve në shpella” dhe “si rrënjët e pemëve
të shkulura në dhera” krijojnë një lidhje të fuqishme mes ndjenjave njerëzore
dhe elementeve të naty-rës, duke reflektuar një nga veçoritë më të rëndësishme
të modernizmit: unitetin mes shpirtërores dhe natyrores, mes intimes dhe
universales.
4.Nëpërmjet
përvojës personale të humbjes e mallëngjimit, poezia ngre pyetje thelbëso-re
ekzistenciale. Duart nuk janë vetëm kujtim i një dashurie të humbur, por janë
prani e gjallë që vepron në thellësitë shpirtërore të subjektit lirik. Vargu
“bëjnë rrëmujë atje brenda” shfaq trazimin e brendshëm, duke reflektuar krizën
ekzistenciale të moderni-zmit:përballjen me humbjen, kalueshmërinë e kohës dhe
pashmangshmërinë e ndryshi-mit.
5.Përsëritja
e vargut “Nuk përqafohemi më” krijon një efekt ciklik dhe një ndjenjë të ngrirë,
të ngurtësuar të kohës. Në këtë poezi, koha nuk rrjedh në mënyrë lineare, por
rikthehet në formën e një përjetimi të pandryshueshëm emocional, një tipar i
njohur i poezisë moderniste, ku ndjesitë mbeten të ngurtësuara në një cikël të
përhershëm kujtese dhe mallëngjimi.
6.Natyra,
në poezinë e Zhupës, nuk shërben thjesht si sfond dekorativ, por si një zgjatim
i botës shpirtërore të poetit. Shirat, era, rrënjët këto elemente natyrore nuk
janë vetëm përshkrime vizuale, por bartin ngarkesë emocionale dhe filozofike,
duke ndërtuar një dialog të vazhdueshëm mes gjendjes shpirtërore të subjektit
dhe universit të jashtëm.
Pra,
veçantia e kësaj poezie qëndron në aftësinë e poetit Zhupa për të sintetizuar
emocionet personale dhe ato universale përmes simbolikës së pasur, një
strukture të hapur dhe një përjetimi filozofik të dashurisë dhe kujtesës. Kjo
poezi shndërrohet në një hapësirë reflektimi ekzistencial dhe estetik, duke
afirmuar një karakter të thellë modernist dhe novator në letërsinë shqipe.
III-Poezia
“Ëndërr për duart e tua” e Ilirian Zhupës ndërthur në mënyrë të hollë dy rryma
madhore të modernizmit: ekspresionizmin dhe ekzistencializmin. Kjo sintezë, që
në pamje të parë mund të duket kontradiktore, është në të vërtetë një harmoni
perspe-ktivash të ndryshme që bashkëveprojnë për të ndërtuar një univers poetik
unik.Më konkretisht po e zberthejme si më poshtë:
1.
Ekspresionizmi: Rrëfimi i gjendjeve të brendshme në këtë poezi merr formë
përmes figurave të ngarkuara emocionalisht, të cilat depërtojnë me forcë në
ndjesitë e lexuesit. Poezia shfaq dramatizim të ndjenjave, ku peizazhet e
brendshme të shpirtit reflektohen në imazhe poetike të fuqishme dhe simbolike:
a.Simbolika
e mjegullë te vargjet: “Po duart e tua, e dashura ime / M’u ulën mbi flokë si
mjegulla” ku mjegulla simbolizon turbullimin e mendjes dhe shpirtit, një
gjendje e errët dhe e pakuptueshme. Prekja e duarve, krahasuar me zbritjen e
mjegullës, përfaqëson kujtimet dhe mallin e paqartë që mbështjell qenien, duke
krijuar një ndjenjë delikate dhe të pashmangshme. Ky imazh është tipik për
ekspresionizmin, sepse konkretizon trazimet e brendshme përmes një metafore të
fortë dhe dramatike.
b.Simboli
i hirit të zjarreve: “Duart e tua paskan mbetur te unë /Si hiri i zjarreve në
shpella” këtu shndërrohet në një kujtim të heshtur, një gjurmë të dashurisë së
shuar, por ende e pranishme në shpirtin dhe mendimet e heroit lirik. Figura
ndërthur dy elemente: zjarrin që ka ekzistuar dikur dhe hiri si dëshmi e një
përjetimi të pashlyeshëm. Dramaticiteti i këtij imazhi bart një dhimbje të
mbetur pezull, duke i dhënë poezisë një forcë ekspresioniste të
jashtëzakonshme.
c.Metaforat
për fytyrën si peizazh: “Rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime / Si shirat
e vjeshtës përzënë nga era”,ku fytyra e poetit shndrohet në një terren të
ndjenjave të stuhishme. Lotët shfaqen “si shirat e përzënë nga era”,
simbolizues të trazimit të brendshëm dhe trishtimit të madh përjetues. Peizazhi
shpirtëror shfaqet i lëvizshëm dhe dramatik, duke pasqyruar thellësinë
emocionale të ekspresionizmit.
2.
Ekzistencializmi: Dialogu me kohën, kujtesën dhe humbjen shihet në këtë poezi që eksploron marrëdhënien e njeriut me
kohën e kujtesën, duke ngritur pyetje të thella mbi kuptimin e ekzistencës në
përballje me humbjen.
a.Simboli
i rrënjëve të shkulura te vargjet: “Duart e tua paskan mbetur te unë / Si
rrënjët e pemëve të shkulura në dhera” shfaqet si një imazh që prek thelbësisht filozofinë ekzistenciale:
ndërprerjen dhe shkëputjen e një përvoje që, pavarësisht mungesës fizike,
mbetet e rrënjosur në thellësitë e shpirtit. Ky simbol përcjell ndjenjën e një humbjeje
që nuk mund të harroet plotësisht, por bëhet pjesë përbërëse e qenies.
b.Metafora
e ujërave te vargjet: “Po duart e tua, e dashura ime, / Humbasin si ujërat /
Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda...” realisht shfaq përjetimin intim të dashurisë dhe ndikimin e
saj të përhershëm. Kujtimet rrjedhin nën lëkurë, duke trazuar shpirtin në një
mënyrë të ngjashme me rrjedhën e kohës, të pandalshme dhe të pakuptueshme. Kjo
metaforë përfaqëson ndërgjegjësimin ekzistencial për pasojat e ndjenjave në
qenien njerëzore.
c.Vargu
kulmor:“Një jetë të tërë / Pres të dalin prej meje duart e tua/ Të më qetësojnë
mua” përmbledh filozofinë e poezisë: përpjekjen e përjetshme për të gjetur
qetësi dhe kuptim përmes kujtimeve. Dashuria kthehet në një metaforë
ekzistenciale të përballjes me humbjen dhe të kaluarën, duke e lënë heroin
lirik në gjendje pritjeje dhe nostalgjie
të pafund.
3.
Figurat artistike në këtë poezi u ngjajnë prizmave gjeometrikë shumëfaqësh që përthyejnë
e reflektojnë dritën e diellit në shumëngjyrshmëri.
Le ti shohim “prizmat” e figurave artistike tek përthyejnë dritën e ndjenjave
dhe reflektimeve filozofike. Simbolet dhe metaforat nuk ekzistojnë të izoluara,
por bashkëjetojnë në dialog të vazhdueshëm midis ekspresionizmit dhe
ekzistencializmit:
a.Simboli
i mjegullës shfaqet si një gjendje shpirtërore e turbullt (ekspresionizëm), por
njëkohësisht sugjeron edhe humbjen e orientimit dhe kuptimit në ekzistencën
njerëzore (ekzistencializëm).
b.Hiri
i zjarreve përfaqëson një dashuri të shuar (ekspresionizëm), por edhe një
kujtim të përhershëm që mbijeton përtej kohës (ekzistencializëm).
c.Metafora
e ujërave dhe rrënjëve ndërthur brishtësinë emocionale me filozofinë e
pashmangshme të humbjes dhe kujtesës që mbetet e ngulitur në shpirt.
Pra,
poezia “Ëndërr për duart e tua” e Ilirian Zhupës nuk kufizohet brenda kornizave
të një rryme të vetme, por ndërthur mjeshtërisht ekspresionizmin dhe
ekzistencializmin. Përmes figurave të pasura dhe imazheve poetike, poeti krijon
një vepër emocionale dhe filozofike, ku ndjenja dhe reflektimi bashkëveprojnë
në një dialog të pandërprerë. Kjo poezi, në thelb, është një rrëfim i shpirtit
që përpiqet të përballojë peshën e kujtesës dhe të gjejë kuptim nëpër mjegullën
e ndjenjave të përjetuara. Prandaj, përmes një estetike të lartë dhe një
ndërtimi të kujdesshëm poetik, Zhupa na ofron një univers modernist të denjë
për vëmendjen dhe admirimin e lexuesit bashkëkohor.
IV-
Poezia "Ëndërr për duart e tua" e Ilirian Zhupës është një vepër që
mbart në thelb ndjenjën e përbashkët njerëzore të dashurisë. Nëpërmjet një
gjuhe poetike të ngjeshur dhe figurash të shumëfishta simbolike, poeti ngre një
përvojë personale në dimension universal, duke i dhënë jetë ndjenjave që
jetojnë në përjetësinë e shpirtit njerëzor. Ajo që bie në sy që në leximin e parë
është aftësia e poezisë për të përqafuar ndjenjat më të përhershme të njeriut:
dashurinë, humbjen, kujtesën dhe përpjekjen për të rigjetur veten përmes hijes
së një kujtimi.
1.Dashuria,
si një ndër temat më të përjetshme të njerëzimit, mbizotëron në këtë poezi jo
në trajtën e saj të lumturisë dhe plotësisë, por në mungesën që lë pas, në
kujtesën që rëndon si një zjarr i fikur. Vargjet “Duart e tua paskan mbetur te
unë / Si hiri i zjarreve në shpella” përçojnë idenë e qartë se gjurmët e
dashurisë së humbur nuk treten kurrë plotësisht, por bëhen një pjesë e
pandashme e qenies. Poezia, në këtë rast, kap esencën e një përvoje që i përket
çdo kohe dhe çdo kulture: dashuria mbetet gjithmonë si kujtim i pashlyeshëm,
një shenjë që i mbijeton përkohshmërisë së njeriut.
2.Universaliteti
i kësaj poezie qëndron në përdorimin e kujtesës si një mekanizëm që ndërton dhe
ruan ekzistencën njerëzore. Në vargjet “Një jetë të tërë, / Pres të dalin prej
meje duart e tua, / Të më qetësojnë mua”, poeti rrëfen një pritje të përjetshme,
një përpjekje për të gjetur paqen në kujtesë. Kjo përvojë nuk i përket vetëm
autorit, por çdo lexuesi që ndalet në përballjen me mungesën, ikjen e të dashurës.
Kujtesa shndërrohet në një dimension ekzistencial, ku njeriu kërkon ngushëllim
dhe përmbushje përmes diçkaje që nuk mund të rikthehet më. Përmes kësaj, Zhupa
ndërton një urë të fuqishme mes përvojës personale dhe përvojës universale.
3.Në
këtë poezi, natyra e dyfishtë e ndjenjave njerëzore është e pranishme në çdo
varg: butësia dhe dhimbja, prania dhe mungesa, qetësia dhe trazimi. “Si shirat
e vjeshtës përzënë nga era”, vargu që ngërthen brenda vetes një imazh lëvizjeje
të pandalshme, një humbje të pashmangshme, pasqyron një të vërtetë të
përbashkët njerëzore: ndjenjat më të thella shpesh lindin nga përvoja e
dhimbshme dhe nga vetë ndërgjegjësimi për përkohshmërinë e jetës, madje mund të
kujtojmë se simboli i dashurisë është një zemër e çpuar nga një shigjetë.
Poezia nuk është thjesht një përvojë e izoluar e autorit, por një rrugëtim i
përbashkët për çdo lexues që ndjen dhe reflekton mbi fatin e tij të përkohshëm.
4.E
rëndësishme në këtë poezi është edhe dimensioni filozofik që ajo mbart.
Kujtimet për duart që kanë lënë gjurmë “si rrënjët e pemëve të shkulura në
dhera” i japin lexuesit ndjesinë e humbjes së rrënjëve, të një lidhjeje që
është ndërprerë përfundimisht. Kjo ide, e cila shtrihet përtej kohës dhe
vendit, e vë njeriun në qendër të një udhëtimi ekzistencial ku mbetet të
përballet me boshllëkun e krijuar nga mungesa. Në këtë pikë, poezia fiton një
thellësi universale, sepse çdo njeri në një moment të jetës përballet me këtë
zbrazëti: qoftë si mungesë e dashurisë, qoftë si përballje me vetminë e
ekzistencës.
5.Ky
universalitet nuk është thjesht një karakteristikë stilistike, por thelbi i vetë
artit të Zhupës. Poezia e tij nuk ndalet në të veçantën, në përvojën
individuale të një personi apo një vendi të caktuar, por arrin të kapë atë çka
është e përhershme në shpirtin njerëzor. Ndërthurja e imazheve poetike me
simbole të fuqishme si “hiri i zjarrit”, “shirat e vjeshtës” apo “rrënjët e
shkulura” i jep lexuesit një ndjenjë universale njohjeje dhe përjetimi. Këto
simbole nuk lidhen vetëm me kulturën apo kohën në të cilën autori jeton , por
me një përvojë që flet për të gjithë njerëzimin në të gjitha kohrat.
6.Në
këtë mënyrë, rëndësia e universalitetit në poezinë e Zhupës qëndron në aftësinë
e saj për të krijuar një lidhje të pandashme mes lexuesit dhe poetit, për të
bërë që lexuesi të gjejë në vargjet e tij diçka nga vetja, një copë kujtese apo
ndjenje që e ka shoqëruar dikur apo gjithmonë. Poezia e tij flet për të
përjetshmen që gjendet në të përkohshmen, për dashurinë që qëndron në kujtesë
si një hije, për mungesën që shndërrohet në një prani të pashlyeshme. Në këtë
përmasë, ajo nuk i përket vetëm autorit, por gjithë atyre që guxojnë të ndjejnë
dhe të kujtojnë.
Kjo
është fuqia e artit të madh: të shndërrojë individualen në universale, të
ngreje përvojën e zakonshme njerëzore në një lartësi ku ajo bëhet e përjetshme.
Dhe është pikërisht kjo aftësi që e bën poezinë e Ilirian Zhupës një dëshmi të
thellë të shpirtit njerëzor dhe të përjetësisë së artit të vërtetë.
V-
Duke lexuar datën kur është shkruar e
botuar së pari kjo poezi shohim i përket realitetit shqiptar në fillimet e
trasformimeve demokratike, ndaj dhe mendojmë se poezia i përket botës
shqiptare. Ajo nuk shfaq tipin e vuajtjeve të ndonjë “djaloshi Verter” dhe as
të dashurën si ndonjë vajzë pasive, pse ajo dhe në mungesë bën “rrëmujë me
duart e saj”në mendjen dhe shpirtin e djaloshit. Gjithashtu në jetën shqiptare
janë të shumta rastet që vajzat detyroheshin të tërhiqeshin nga dashuria e tyre
për shumë arsye dhe ta vuanin të dy partnerët këtë tërheqje, këtë mungesë në
dashurinë e njeri tjetrit, pavarësisht se poeti flet vetëm për përjetimet e
djaloshit. E parë në këtë aspekt themi se: poezia e Zhupës përbën një lidhje
ndërmjet artit shqiptar dhe botës europiane, duke e vendosur Shqipërinë jo
vetëm si një hapësirë të kulturës, por si pjesë e një tradite të gjerë letrare,
ku poezia, emocionet dhe përjetimet nënkuptojnë diçka më të gjerë se sa vetë
kufijtë e shtetit dhe të kombit. Janë të shumtë poetët europianë që kanë
shkruar për duart e të dashurave, mdje duke i hymnizuar e hyjnizuar ato si: Charles
Baudelaire (Francë) te poezia “Himn bukurisë” ai shkruan: “Duart e tua janë një
altar/ku dëshirat e mia luten.”,Janis Ricos (Greqi) te poezia “Nën hijen e
duarve të tua”:“Hijet e duarve të tua mbulojnë fytyrën time/si gjethet e një
peme të lashtë./Ato fshijnë pluhurin e kohës/dhe më kthejnë në fëmijërinë e
dashurisë.”, Paul Éluard (Francë)te
poezia “Duart e dashurisë”:“Duart e tua, si ura të bardha,/lidhin dy
brigjet e shpirtit tim./Ato mbajnë në pëllëmbë heshtjen e natës/dhe më çojnë
drejt vetvetes.”, Federico García Lorca (Spanjë)te poezia “Kënga e duarve të
tua”: “Duart e tua, dy pëllumba të bardhë,/fluturojnë mbi fytyrën time./Ato më
prekin sytë,/më pikturojnë qiej të gjelbër/në një mbrëmje plot ëndrra”, Pablo
Neruda te poezia "Soneti XVII":“Më pëlqejnë duart e tua,/sepse ato përmbajnë
gjithë botën time” por ndryshimi është se këta shkruajnë për duart fizike që i
shohin dhe i prekin, ndërkohë që Charles Baudelaire i sheh si të shenjta duart
e vajzës. Vetëm Konstandinos Kavafis (Greqi) ka qasje me poetin tonë, kur në
poezinë e tij: “Një kujtim” shkruan: “Kam mbetur me duart e tua në
kujtesë,/duar që mbanin tërë botën,/kur ti më prekje pa thënë asnjë fjalë./Më
shumë se fjala, ato folën për gjithçka”, por të mos harrojmë se Kavafis është
nobelist me ndikim të madh në poezinë europiane. Ajo që duam të themi me këtë
rast është fakti se poeti Ynë Zhupa është poet i “oborit” europian dhe ne këtë
nuk e kemi ditur.
Ja
pra, njësoj si te poetët e mëdhenj europianë një nga elementët kryesorë të
poezisë së Zhupës është përdorimi i imazheve të cilat janë përfshirë në një
natyrë të pasur simbolike dhe abstrakte. Duart, te ai, si pjesë të jetës së
përditshme, marrin një kuptim shpirtëror,bëhen shprehje të dashurisë, shenjë e
lidhjeve shpirtërore, si dhe pasqyrim i thellësive të ekzistencës njerëzore.
Kjo qasje, që e përdor elementin fizik për të treguar shpirtin e njeriut, e
lidh poezinë e Zhupës ngushtë me traditën poetike të modernizmit europian, ku
poetët (si Rainer Maria Rilke, Paul Éluard, dhe Federico García Lorca) kanë
përdorur metafora të ngjashme për të pasqyruar pasionet dhe ndjesitë, por dhe
ata e kanë folur për duar fizike.
Veçori
e dallueshme në poezinë e Zhupës është dhe përpunimi i detajuar i subjektit të
përjetësisë së dashurisë. Ky aspekt është i pranishëm në poezinë e poetëve
modernistë të tjerë, ku theksi vihet mbi natyrën efemere të qenies njerëzore
dhe lidhjet që krijohen përmes saj. Në mënyrë të ngjashme, Zhupa përdor figura
të tilla si duar dhe hijet për të paraqitur proceset që ndodhin brenda
shpirtit, duke e bërë kështu poezinë e tij një pasqyrim të gjendjes shpirtërore
të individëve të modernitetit, të cilët janë të mbërthyer nga pasiguria dhe
kërkesa për thellim në kuptimin e jetës.
Poezia
e Zhupës ka një element të thellë të reflektimit mbi kohrat, që është i
ngjashëm me teknikat e përdorura nga poetët modernistë si T.S. Eliot, të cilët
përcjellin ide të shkatërrimit dhe rinovimit, të kaluarës dhe të tashmes, të
njohurës dhe të panjohurës. Në këtë kontekst, Zhupa përdor figura të qasëshme për
të ndërthurur realitetin shqiptar dhe atë europian, duke krijuar lëvizje të
vazhdueshme mes dy dimensioneve, që i jep poezisë së tij një nuancë të gjallë
dhe të vazhdueshme. Ajo që duam të shtojmë është se bota shpirtërore e heroit
të Zhupës gjithsesi mbart një shpresë e besim (të mjegulltë) për një rikthim të
dashurisë.
Kjo
qasje e thellë dhe ndërkulturore e ndihmon Zhupën të ketë një zë të rëndësishëm
në letërsinë europiane, duke e bërë atë një poet që shfaq realitetin shqiptar,
por që nuk ngurrohet të përqafojë botën më të gjerë të kulturës dhe letërsisë
evropiane. Poezia e Zhupes është një lloj "shkrimi universali" që i
mundëson lexuesve, pavarësisht se nga vijnë, të lidhin ndjesitë dhe idetë që ai
përshkruan me përvojat e tyre vetjake. Ky universalitet, që bazohet mbi
thellësinë e emocioneve njerëzore dhe përdorimin e simboleve të pasura, e bën
poetin Ilirian Zhupa një figurë që mund të shihet si një "ambasador"
i artit shqiptar në Europë, duke e vendosur Shqipërinë në një hapësirë më të
gjerë kulturore dhe intelektuale. Ai nuk është thjesht një poet që shprehet në
një gjuhë të veçantë, por është një artist që shpërndan mesazhe dhe ndjenja të
përbashkëta që arrijnë lexuesit nga të gjitha shtresat kulturore dhe sociale,
duke e bërë poezinë e tij një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë letrare
europiane. Ai shpie në Europë poezinë shqipe si të barabartë dhe konkuruese me
poezinë europiane dhe kjo nuk është pak..
Sarandë, më dhjetor 2024
Ilirian Zhupa
ËNDËRR
PËR DUART E TUA
Nuk
përqafohemi më,
S’shikohemi.
Po
duart e tua, e dashura ime,
M’u
ulën mbi flokë si mjegulla.
Duart
e tua paskan mbetur te unë,
Si
hiri i zjarreve në shpella.
Nuk
përqafohemi më,
Mallohemi.
Po
duart e tua, e dashura ime,
Rrjedhin
brigjeve e lugjeve të fytyrës sime,
Si
shirat e vjeshtës përzënë nga era.
Duart
e tua paskan mbetur te unë,
Si
rrënjët e pemëve të shkulura në dhera.
Nuk
përqafohemi më,
Harrohemi.
Po
duart e tua, e dashura ime,
Humbasin
si ujërat.
Hyjnë
nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda…
Një
jetë të tërë,
Pres
të dalin prej meje duart e tua,
Të
më qetësojnë mua.
(Botimi i parë, gazeta "Drita", 14 qershor 1992)