Editorial
Sami Islami: Shpërngulja për në Turqi
E marte, 19.11.2024, 06:59 PM
SHPËRNGULJA PËR NË TURQI
(Sipas
një ngjarjeje të vërtetë)
Nga
Sami Islami
Edhe
pse Kosova kishte luftuar, me të gjitha forcat e saja për çlirim, ajo
prapë mbeti nën sundimin serb. Pra
çështja shqiptare mbeti e pazgjidhur. Pasuan
masakrat, dëbimet ndjekjet ndaj shqiptarëve. Serbia do të përdorte çdo
gjë për t’i shpërngulur apo edhe
eliminuar shqiptarët. Fill pas përfundimit të LDB, në emër të, gjoja, ndjekjes
së gjermanëve, të mbetur akoma në ish Jugosllavi, Serbia mobilizoi me mijëra
shqiptarë të rinj. Të mobilizuarit i dërgoi në dy drejtime: njërin në drejtim
të Sremit, kurse tjetrin në drejtim të Tivarit. Këta shqiptarë nuk u kthyen
kurrë më në vatrat e veta. U masakruan! Me këtë akt Serbia tani merrte frymë
shumë më lehtë se s’kishte kush të luftonte më për Kosovën. E kishte eliminuar
forcën mbrojtëse. Edhe ajo rezistencë e Drenicës me në krye me patriotin Shaban Polluzha, u shua.
Por
kjo nuk mjaftoi për Serbinë. Ajo po planifikonte t’i shpërngulte krejt shqiptarët. Por deri sa të realizonte këtë
program, famëkeqi e çetniku Aleksandër Rankoviçi, organizoi mbledhjen e armëve
nga shqiptarët. Maltretimet e serbëve ndaj shqiptarëve u bënë të pa durueshme.
Secila shtëpi shqiptare ishte e detyruar ta dorëzonte së paku një armë! Nëse
nuk do ta dorëzonte, pasonte ndëshkimi deri në vdekje, ose deri në invaliditet
të përjetshëm. Në këtë kohë ka plot raste, kur shqiptari, për t’i shpëtuar
maltretimit, ka qenë i detyruar që ta blinte një armë dhe ta dorëzonte! Thonë
se një pushkë është shitur edhe disa herë. Për t’i shpëtuar kësaj dhune
shtetërore, shqiptarët e shkretë detyroheshin të shpërnguleshin jashtë Kosovës.
Pjesa më e madhe e të shpërngulurve ishin ata që u dërguan në Turqi.
Shpërnguljen
për Turqi e përjetoi edhe xhaxhi i Mirit. Kjo ka ndodhur më vitin 1958, kur ai
ishte 8 vjeçar. Ishte shpërngulja e fundit masive e popullatës së Kosovës.
Xhaxhai H, pasi që u maltretua për ta dorëzuar një armë, të cilën nuk e kishte, vendosi të
ikte! Për këtë vendim nuk u konsultua
me askënd. As me kushërinjtë, as me
familjarët! Fëmijët i kishte të vegjël. Vendimin e mori në pranverë, pas një dimri të ashpër...
Atë ditë pranvere, xhaxhai ishte zgjuar herët në
mëngjes, e kishte ndezur një cigare dhe po shëtiste nëpër oborr. Po e shikonte
për të fundit herë shtëpinë ku kishte
lindur dhe ishte rritur, hajatin, bunarin, ahurin, qerren, plugun, kotecin e pulave, deri edhe
qenin në koliben e tij. U kthye brenda në shtëpi dhe po i vështronte fëmijët, të cilët ende ishin në
gjumë. I shikonte ata se si qetë-qetë po flinin dhe po mendonte: “Unë po shkoj
në fund të botës e bashkë me mua duhet t’i marr edhe këta engjëj! Nuk e di nëse
Zoti, ndoshta, do të ma fal këtë mëkat që
po e bëj!”. Nga emocionet që e kapluan zemra filloi t’i rrihte më shumë!
Gryka iu tha, sa nuk mund të përbihej. I shpëtuan dy pika loti. Lotët e fshiu
shpejt të mos ia shihte e shoqja, por pikëllimin nuk mundi ta fshehte. Dëshmi e
kësaj gjendje ishin sytë e përlotur, skuqja në fytyrë e vetullat e ngrysura.
Kur e pa ashtu të pikëlluar e shoqja e pyeti:
-Ç’ke
more njeri që ke ra mazunë këtë mëngjes?
-Nuk
durohet më jeta këtu, - oj grua- do të
nisemi edhe në për Turqi!
Kjo
fjalë gruas i ra si të kishte shkrepur rrufeja mbi të! Iu duk sikur tavani i
dhomës e zuri përfundi. Rrinte si e nemitur! Për pak çaste nuk foli asgjë, por
pasi u këndell pakëz i tha:
-
A je në vete, çfarë po flet, pashë zotin!
-Po,
po në vete jam- i tha preras.
Ajo
nuk i foli më, por u largua me një anë dhe po qante. Kur e morën vesh edhe
fëmijët, filluan të qanin edhe ata. Po xhaxhi H
nuk fliste dy herë! Ai e kishte ndarë mendjen...
Në
shtëpinë e xhaxhit ishin mbledhur krejt farefisi për t’u përshëndetur për herë
të fundit. Po shkonin për të mos u kthyer më kurrë! Në qerre kishin ngarkuar
pak plaçka, se shumicën e tyre po ua falnin kushërinjve të tjerë, që po
mbeteshin në Kosovë! E, çka kishin t’u falnin bre? Dikujt një djep, dikujt një
plug, dikujt një jorgan, ndonjë qilim,
dikujt një magje. Në anën tjetër, Miri s’e dinte nëse xhaxhai ia shiti, apo ia fali dikujt edhe arat,
livadhet, shtëpinë, qilarin, ahurin, bagëtinë?
Fëmijët
e lanë shkollën në gjysmë, i lanë shokët dhe shoqet e tyre të shkollës, i lanë
librat ku mësonin historinë dhe gjuhën shqipe, i lanë fletoret, hartimet. Me
një fjalë i lanë gëzimet, hidhërimet, lojërat, vizitat, argëtimet, këngët shqipe e çdo gjë tjetër. Me vete morën vetëm
ëndrrat dhe kujtimet.
Erdhi
momenti i nisjes, moment ky që përshkohej me një atmosferë vaji dy palësh. I
njërës anë, vaji i familjes së xhaxhait, i cili me gruan dhe 4 fëmijë që po
ikte dhe, në anën tjetër, i të tjerëve që po ndaheshim për herë të fundit me
ta. Po ndaheshin për së gjalli! Qanin të rriturit, po qanim edhe fëmijët.
Në
momentin kur ishin gati të dilnin nga dera kryesore, xhaxhi H e pa vëllain e vogël, Lulin , të cilin nëna
e mbante ngryk. Ai i thotë: “ Mbylli sytë dhe nxirre gjuhën jashtë!”, Si fëmije
4- vjeçar, Luli bëri siç i tha xhaxhai. Dhe ai, siç e pat cigaren e ndezur, e fiku atë në gjuhën e tij, sikur të kishte
qenë taketuke! Merre me mend e fiku cigaren në gjuhën e një fëmije!
Skandaloze! Vëllai ia plasi vajit edhe
më shumë, tash nga djegia e cigares. Për çudi, nëna nuk i tha asgjë xhaxhit, po
mundohej ta qetësonte vëllain. Edhe qante, sa për djalin, po aq edhe për ndarjen nga familja e xhaxhait.
Dikush (nuk i kujtohej se kush qe) i tha: “Pse bre ia sose gjuhen fëmijës”? A nuk po të vjen gjynah, prej tij
a? E ai nuk iu përgjigj në pyetjen që iu bë, por tha: “Unë po shkoj në fund të
dynjasë, e ndoshta nuk do të kthehem më
kurrë, po ky fëmijë, nuk do të më harrojë asnjëherë”!
Tani
më qerrja, me kushërinjtë në të, doli në rrugë.
Nga dhembja e ndarjes lotët po u shkonin të dy palëve rrëke, vetëm
luhatja e duarve dukej në horizont... Ata shkuan. Xhaxhai H jetoi edhe një kohë
në Stamboll. Thonë se ka vdekur më 1979. Vdiq në mërgim me mallin për ta parë
edhe një herë Kosovën dhe shtëpinë e tij në Lugajë. Kurse, vëllai edhe pse
tashti është në moshën e tretë, vërtetë,
s’e ka harruar kurrë xhaxhin H!
Për
një kohë, nuk dihet saktësisht sa, familja e xhaxhait dhe familja e jonë, po
mbanin një lloj kontakti në mes vete. Në mungesë të telefonit, i vetmi kontakt
me ta ishte kontakti me letra! Dhe letrën për të çuar në Turqi merrte shumë kohë.
Vonohej me muaj. Po aq edhe për t’u kthyer. Më kujtohet si sot -tregon
Miri- se si nëna jonë kishte dëshirë të flaktë t’ia shkruante ndonjë letër,
kushërirës së saj Xhevës, (që ishte gruaja e xhaxhit H). Me që nëna nuk dinte
shkrim lexim i thoshte Mirit ta shkruante. Nëna fliste, ai shkruante. Ajo fliste dhe qante edhe ai
shkruante dhe qante. Në mungesë të fotografisë, shpesh, në letër i vizatoninin
duart e fëmijëve , për t’u treguar atyre
se sa ishin rritur...Eh, sa lot malli derdhej deri sa shkruhej një
letër. Kjo gjë përsëritej brenda një apo dy muajsh. Edhe kur vinte letra nga
Turqia përsëritej i njëjti skenar.
Askush
më nuk u kthye në Kosovë, sepse sipas një marrëveshje që ishte arritur në mes
Mbretërisë së Serbisë dhe Turqisë, si
thonë, këto shpërngulje ishin dizajnuar, që shqiptarët të mos kishin te drejtë
të ktheheshin. Ishte ende në fuqi edhe
pas rrëzimit të Rankoviqit nga pushteti. Të gjithë mbetën atje! Kjo pengesë
vazhdoi deri kah fundi i viteve të 80-ta...
Një
ditë vere e vitit 1987, pas plot 30 vjet
mërgimi, kishte ardhur djali i madh i xhaxhit
H, në Lugajë. Kishte ikur si djalë i ri e kishte ardhur si 55 vjeçar. Sa
qe në Kosovë kishte kryer shkollën e
mesme, bile kishte punuar për një kohë, si mësues në një fshat të Kosovës. Po
edhe ky e kishte lënë ditarin e mësuesisë dhe iu kishte bashkuar familjes.
Tani,
pas rreth tri dekadash, kishte ardhur në
vendlindje! Dukej se e kishte djegur malli edhe për gurët e sokakut, si thonë!
Së pari kishte ardhur tek shtëpia e tij. U mërzit kur pa se shtëpia nuk
ekzistonte, oborri, kishte mbetur djerrë. Dyert e oborrit ishin shkatërruar,
po ashtu. Në vend të dyerve kishte një
grumbull të madh ferrash. Vetëm bunari kishte mbetur, edhe pse edhe ai pa
parmakë. Ishte rrafsh me tokë, i mbuluar me një trinë. Nuk ndejti shumë. Doli
të çmallej me kushërinjtë. Nuk u çmall vetëm me ta! Doli edhe nëpër katund. Nga
malli nuk la derë të katundit që nuk e hapi! Të rinjtë dhe fëmijët po habiteshin me sjelljen e një” të
huaji” “A mos është ky ndonjë i çmendur
që shkon shtëpi me shtëpi” thoshin.
Jo,
nuk ishte i çmendur. Ishte normal! Këtë po e bënte sepse diçka po ia gërryente
zemrën nga brenda. Ishte diçka që as nuk blihet, as nuk shitet! Ishte malli që
vinte nga ajo copë jete që dikur e kishte kaluar nëpër rrugët e këtij fshati.