Kulturë
Luan Asllan Dibrani: Ekspozitë individuale nga Sylë Mujaj
E hene, 16.09.2024, 06:55 PM
Ekspozitë individuale nga Sylë Mujaj në shtëpinë e Arteve Lugano, Via Carzo, Zvicër
Shkruan
Luan Asllan Dibrani
Sylë
Mujaj (1958), u lind në fshatin Dukaivë, Rugovë, komuna e Pejës në Kosovë.
Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Pejë. Studimet e larta,
në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, Dega inxhinier i agronomisë. Sa ishte
student, në vitin 1981 është arrestuar dhe dënohet me 10 vjet burg.
Përveç
burgut hetues në Prishtinë të tjerat i ka vuajtur në burgun famëkeq të Nishit
në Serbi. Me ndihmën e Amnisti Internacional dhe Komitetit të Helsinkit në
vitin 1990, lirohet nga burgu. Dhe po atë vit ka emigruar në Zvicër duke u
vendosur në Lugano, kantoni Ticino.
Me rastin e hapjes së
Ekspozitës Personale
Sylë
Mujaj, është ndër të rrallët të burgosur politik që dhembjen, vuajtjen, dhunën
fizike, si dhe atë psikike, arriti t’i shndërroj në art letrar dhe në art
figurativ. Tashmë ai është bërë njëri nga emrat e respektuar, punimet e tija
gjigante, sidomos ato në mozaik i kanë dhënë kuptim artistik emrit dhe
krijimeve të tija të cilat për kah madhësia shprehin me shumë indikacion atë
lirinë e munguar sa kishte vuajtur burgun dikur. Poezinë e tij e kam trajtuar
vite më parë, portreti e tanishëm do ta përkufizojë, kryesisht në kornizat e
krijimtarisë artistike.
Sylë
Mujaj, kur ishte në burgun e Nishit në Serbi, ishte “I mbyllur në mes të
betonit dhe hekurit”, dhe natyrisht përreth i rrethuar me rrethoja të hekurta.
Këtë mënyrë jetese, ai e mbijetoi falë afinitetit poetik dhe prirjes artistike
që kishte për të vizatuar. Duke vizatuar dhembjen ai i jepte shpresë shpirtit
dhe lirikave. Pra poezia dhe arti figurativ e kanë shpëtuar Sylë Mujajn, dhe
vetëm ato e kanë përshkruar saktësisht e artistikisht botën e brendshme të
krijuesit e cila kurohej nëpërmes krijimtarisë letrare dhe artit figurativ duke
shpërthyer si “Lulja në beton”, përsëritet ky element figurativ i burgut i
kthyer në art.
Piktori
Sylë Mujaj, ka ekspozuar punimet e tij në disa ekspozita individuale të cilat i
ka hapur në Zvicër e në Itali, prandaj nga viti 1996-1997, pikturat dhe
vizatimet e tij janë ekspozuar në:
Ekspozitat:
•
1992 - "Simpozium Ndërkombëtar" në Lugano.
•
1992 - "Psikologjia e burgjeve jugosllave", ekspozita në Basel .
•
1993 - "Pas hekurave", Art-Atelier në Roveredo.
•
1994 - Ekspozitë Etnografike në "Université Populaire Albanaise",
Geneve.
•
1995 - "Njohje", Zürich.
•
1996 - "Psikologjia e burgjeve në burgjet jugosllave", ekspozita në
Bolzano.
•
1997 - "Ekspozitë Etnografike, Pyrography dhe Kostumografi", Zürich.
•
1998 - Autor i librit "Njerëz Numër".
Poashtu
edhe keto ekspozita:
•
2001, në Milano (I), Në ekspozitën “Bardh e Zi” për Kosovën në Qendrën
Zvicerane të Milanos.
•
2007 - Iragna/Ticino, Organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Zvicerane.
•
2007 - Pejë, gusht 2007. Ekspozitë individuale.
•
2024 - Paradiso /Ticino. Ekspozitë individuale.
Etj.
etj.
•
1994 – 2024, Sylë Mujaj, ishte organizator, koordinator i Simpoziumeve,
ekspozitave dhe manifestimeve të shumta. Pjesëmarrës në TV emisione
dokumentare. Fitues i disa mirënjohjeve dhe shpërblimeve nga Organizata,
Institucione dhe shoqëri të ndryshme.
Mozaiku
i biografisë së Sylë Mujajt, përpos vizatimit dhe poezisë, përplotësohet me
shkrime të tjera nga fusha e publicistikës, analiza dhe studime të tjera. Në
fushën e artit pamor, Sylë Mujaj ka shkëlqyer më shumë, sepse me vizatime ka
portretizuar fytyrat e të tjerëve, personalitete të njohura nga kultura,
historiografia dhe lufta e UÇK-së, dhe bashkë me krijimet tjera artistike nga
fusha e etnografisë e arkeologjisë, është kompletuar personaliteti i tij
intelektual. Ky angazhim shumëdimensional e i gjithanshëm e kanë bërë
protagonistin e këtij portreti, shumë të pranueshëm, parë nga këndvështrime të
ndryshme.
Edhe
ekspozita individuale në Shtëpinë e Arteve, Via Carzo 1, 6900 Paradiso në
Zvicër, e cila është e hapur nga 15 - 29 shtator 2024, është në funksion të
afirmimit artistik të autorit, po më shumë të artit që krijon Sylë Mujaj, të
cilin e urojë shumë suksese në të
ardhmen në fushën e artit!...