Kulturë
Lekë Mrijaj: Gojani dhe Berisha - Luz S. Thaçi, veprimtar dhe humanist i shquar në diasporë
E diele, 15.09.2024, 06:57 PM
Në Bibliotekën Publike "Dr. Ibrahim Rugova" në Gjakovë, është promovuar libri "LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË" i koautorëve Mikel Gojani dhe Engjëll I. Berisha
Shkruan
Lekë Mrijaj
Promovimi i librit
monografik "LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË
DIASPORË" i koautorëve të mirënjohur, Mikel Gojani dhe Engjëll I. Berisha
u mbajt në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore në Bibliotekën Publike
"Dr. Ibrahim Rugova" në Gjakovë, pikërisht në Sallën "Teki
Dervishi" ku figura e Luz S. Thaçit u nderua për kontributin e tij të
jashtëzakonshëm në shërbim të kombit shqiptar, kulturës dhe humanizmit.
Ky promovim i sotëm
është organizuar nga Klubi Letrar "Gjon Nikoll Kazazi" në Gjakovë, i
cili shënoi një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe intelektuale, duke
mbledhur miq nga Gjakova, Klina, Peja, dhe figura të njohura nga fusha e
letërsisë, kulturës, politikës, akademisë, dhe të aktivitetit kombëtar.
Po ashtu
në këtë ngjarje kulturure tê pranishëm ishin edhe deputetë të Parlamentit të
Kosovës, gjeneral Anton Çuni, deputeti Armend Zemaj, ish nenkryetari i LDK-së
dhe bashkëpunetori me i denjë i presidentit historik të Republikës së Kosovës,
dr. Ibrahim Rugova, profesor Anton Kolaj etj.
Promovimi i librit
"LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË" u hap në
një atmosferë të veçantë, përmes një interpretimi muzikal me violinë tejet të
ndjerë që përçoi emocionin e thellë të kësaj ngjarjeje kulturore. Pra një
kombinim artistik, mes fjalës së shkruar dhe muzikës së violinës qe e e ngriti
promovimin në një nivel të lartë ndjesor dhe kombëtar, kulturor duke nderuar më
së miri figurën e Luz S. Thaçit.
Fjalët e para që u
drejtuan të pranishmëve nga ana e moderatorit, prof. Engjëll I. Berisha,
përshkuan rëndësinë e koautorëve dhe subjektit të librit, Luz S. Thaçit dhe
veprës së tij të jashtëzakonshme, duke krijuar një lidhje të ngushtë mes
audiencës dhe temës qendrore të promovimit.
Në promovimin e
librit "LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË",
përveç autorëve, pjesë e rëndësishme e diskutimeve me kumtesat e tyre ishin
edhe studiues të njohur si prof. dr.
Anton N. Berisha, prof. Hajdin Morina, prof. Pal Canaj, dhe
publicisti Lekë Mrijaj, të cilët
kontribuuan me kumtesa të vlefshme që thelluan analizën e figurës së Luz S.
Thaçit.
? Prof. dr. Anton N. Berisha vuri në dukje
dimensionet intelektuale dhe njerëzore të Luz. S. Thaçit, duke e vendosur atë
në kontekstin e meritorëve të diasporës shqiptare në Gjermani. Shkrimtari dhe
studiuesi i letërsisë shqipe, dr. Berisha, më pastaj foli rreth angazhimit dhe
të veprimtarisë së zotit Luz Thaçi
përpos në fushën politike, të humanizmit, por edhe atë të kulturës, ”Diaspora
jonë, gjithherë, edhe në të kaluarën, por edhe në periudhat e fundit të rrjedhave të historisë, ka luajtur
rol të rëndësishëm në
internacionalizimin e çështjes së Kosovës, por edhe të asaj shqiptare
përgjithësisht, duke i dalë në ndihmë atdheut në kohët kur kishte më së shumti
nevojë”, shtoi Berisha.
? Prof. Hajdin Morina në kumtesën e tij
veç tjerash theksoi se monografia e
autorëve Gojani dhe Berisha është një vepër publicistike e madhe që trajton
materialin gjuhësor dhe realizimin e personazheve, sidomos atë të Luz S.
Thaçit, një intelektual i dalluar. Ajo përmban elemente të kronikës, prozës
dokumentare, eseve argumentuese dhe përshkruese, si dhe pasazhe nga
udhëpërshkrimet dhe letërkëmbimet. Përmes faksimileve dhe fotografive, autorët
plotësojnë profilin e personazhit, duke ndihmuar lexuesin të ndërtojë mesazhe
dhe nëntekste të reja nga leximi i tyre, duke zgjeruar kështu kuptimin e veprës
dhe qëllimin e autorëve.
? Prof. Pal Canaj, me kumtesën e tij zgjoi
interesim tek auditoriumi prezent, i cili shkoqiti disa aspekte të rolit të
diasporës sonë dhe kontributit që në
momentet e nevojshme ka luajtur rol të rëndësishëm në çlirimin e Kosovës. Sipas profesor Canajt, diaspora
jonë është shndërruar në një institucion
që na garanton një ndihmesë të madhe për
një zhvillim dhe përparim më të shpejtuar të vendit.
? Nga moderatori Engjëll I. Berisha, u
lexua edhe kumtesa e prof. Prend Buzhalës e cila është mirëpritur nga të
pranishmit. “Do theksuar se autorët na bëjnë të kuptojmë që sfondi shoqëror dhe
historik i një monografie është ndër elementet kyçe për ta kuptuar kontekstin
në të cilin ky veprimtar e mërgimtar ka jetuar dhe vepruar. Ky sfond ofron
kornizën në të cilën shtjellohet dhe kuptohet puna dhe ndikimi i tij, si dhe
kushtet që i kanë formësuar veprimtarinë dhe qëndrimet e tij. Është sfond që
shfaqet nëpër disa kontekste të tilla historike, nacionale e shoqërore, ashtu
sikundër ka në kaluar nëpër to gjenerata e Luzit, thuhet në kumtesën e
Buzhalës.
? Publicisti Lekë Mrijaj, gjatë prezantimit
të recensionit të tij për monografinë "LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE
HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË," të shkruar nga koautorët Mikel Gojani dhe
Engjëll I. Berisha, vlerësoi qasjen e autorëve në trajtimin e jetës dhe
veprimtarisë së Luz S. Thaçit. Ai theksoi se libri është shkruar me një gjuhë
të thjeshtë dhe të qartë, e cila e bën të lehtë për lexuesin e zakonshëm të
përfshihet në rrëfimin e historisë së Luz S. Thaçit, pa u ndërlikuar nga terma
të vështirë akademikë apo profesionalë. Sipas Mrijajt, kjo e bën veprën të
qasshme për një audiencë më të gjerë. Libri fillon me një fjalë hyrëse, në vend
të një parathënieje tradicionale, ku koautorët theksojnë rolin e
jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, e cila ka luajtur një rol kyç në
përpjekjet për liri, demokraci dhe çlirim kombëtar të Kosovës. Kjo pjesë hyrëse
i bën jehonë kontributit të diasporës në ndërtimin e një shteti të lirë dhe të
pavarur të Kosovës, duke vendosur në qendër të vëmendjes angazhimin e figurave
si Luz S. Thaçi, i cili është përfaqësuar si një veprimtar dhe humanist i
dalluar në diasporë. Mrijaj vuri theksin edhe në mënyrën sesi autorët kanë
strukturuar monografinë, duke paraqitur një qasje narrative që e përfshin
lexuesin në jetën dhe kontributet e Thaçit në kontekstin më të gjerë të
historisë dhe çështjeve kombëtare.
Këto kumtesa të
këtyre studiuesve plotësuan dhe thelluan rëndësinë e librit të koautorëve, duke
treguar se Luz S. Thaçi jo vetëm që ishte një figurë kyçe në diasporë, por
është dhe mbetet edhe një frymëzim për brezat e ardhshëm në diasporë, Kosovë
dhe Shqipëri.
Ishte koautori i
librit prof. Engjëll I. Berisha, i cili foli për procesin e hartimit të
monografisë dhe për sfidat që u përballuan gjatë grumbullimit të materialit mbi
jetën dhe veprën e Luz S. Thaçit. Ata e përshkruan Thaçin si një figurë të
madhe që, përveç angazhimit politik, kishte një shpirt humanitar të theksuar, i
cili dallohej për mbështetjen e tij ndaj njerëzve në nevojë, si dhe për
përkushtimin ndaj diasporës shqiptare.
Në fjalimin e tij
prof. Berisha gjithashtu i falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për
realizimin e këtij libri të cilët ndihmuan në ofrimin e dokumenteve dhe
informacioneve të rëndësishme.
Me emocione të
veçanta foli edhe z. Luz S. Thaçi, i cili shprehu mirënjohje për autorët e
librit, duke theksuar se ndjehej i nderuar që jeta dhe veprimtaria e tij në
diasporë janë përjetësuar në këtë monografi. Ai vlerësoi librin si një dëshmi
të rëndësishme jo vetëm për jetën e tij, por edhe për rolin e diasporës
shqiptare në përpjekjet e tija për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Ky libër i promovuar
sot në ambientet e Bibliotekës Publike "Dr. Ibrahim Rugova" në
Gjakovë, ofron një pasqyrë të plotë të jetës dhe veprimtarisë së Luz S. Thaçit,
duke qenë një burim i rëndësishëm për studiuesit, por edhe për publikun e gjerë
që dëshiron të mësojë më shumë për historinë e diasporës shqiptare. Pas promovimit
të librit nga organizatorët është organizuar një koktej rasti për të gjithë të
pranishmit.