Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Flijimi i brirëve
E enjte, 12.09.2024, 05:56 PM
F L I J I M I I B R I R Ë V E
Nga
Timo Mërkuri
Poezia "Bariu i
mirë" e Sadik Bejkos është një krijim modernist, që trajton një temë të
veçantë, të cilën nuk e hasim në poezinë shqipe, pafuqinë e prijësve për të përmbushur
misionin dhe sakrificën e tyre të pashmangshme. Poeti përmes simboleve të botës
blegtorale si dashi, bariu dhe kopeja, shpreh shqetësime universale mbi
udhëheqjen, përgjegjësinë dhe sakrificën, duke përdorur një qasje
ekzistencialiste dhe filozofike. Ky tekst ndërthur elemente tradicionale me
qasje moderniste, ku nëpërmjet simboleve të jetës blegtorale shtjellon probleme
filozofike dhe sociale. Përmes një gjuhe simbolike dhe metaforike, poeti
ndërton një rrëfim me ngjyrime tragjike, ku tradita bëhet mjet për të shqyrtuar
krizën e modernitetit dhe udhëheqjes në shoqërinë njerëzore.
I- Le ta strukturojmë analizën ideo-artistike të saj në nivelet e: simbolika, toni, dhe mesazhi
filozofik.
1. Në poezinë "Bariu i
mirë" të Bejkos, dashi merr rolin e narratorit dhe përfaqëson një figurë
simbolike që i kalon kufijtë e botës blegtorale. Ai nuk është thjesht një
kafshë, por një lider, prijës apo kryefamiljar, që reflekton mbi rolin dhe
përgjegjësinë e tij. Përmes rrëfimit në vetën e parë, dashi shpreh dhimbjen,
vuajtjen dhe pafuqinë e tij për të mbrojtur kopenë nga rreziqet, duke u bërë
kështu një zë filozofik që përfaqëson krizën e lidershipit dhe
sakrificën.Poezia nis me një kujtim nga e kaluara, ku subjekti lirik shprehet
se: “Mendoj se dash kam qenë, dikur /leshtor, pamjebutë e brifortë/Kështu them
dhe besoj se/disi ndryshe prapë do të jem në botë” por tani është plakur dhe
përballet me fatin e tij , ide që lidhet me konceptet e reinkarnimit,
arketipeve mitike ose projeksioneve simbolike të vetes. Nga një perspektivë
psikoanalitike, kjo shihet si një manifestim i dëshirës për të rifituar forcën
dhe kontrollin, ose si metaforë për faza të ndryshme të jetës së njeriut, ku
"dashi i fortë" përfaqëson një fazë të rinisë ose të fuqisë. Në
letërsi, kjo interpretohet si një lidhje me arketipin e heroit luftëtar, që i
referohet koncepteve mitike të fuqisë fizike dhe shpirtërore, ku heroi e sheh
të kaluarën e tij në formë të idealizuar. Përmes figures së dashit, poeti
pasqyron një përvojë të hidhur ku dashi ka drejtuar për një kohë të gjatë nën
barinj të këqij,(profetë të rremë) të cilët kanë shpënë tufën në humnera dhe
rreziqe. Kjo simbolikë mbart kuptime të thella të lidhura me sakrificën,
përballjen me vështirësitë dhe autoritetin që bie mbi supet e një lideri.
Ndërsa dashi është figurë e njohur në jetën blegtorale, në këtë poezi ai
simbolizon një prijës që shpreson për ardhjen e një bariu të mirë, një figurë
shpëtimtare që do ta çlirojë nga vuajtjet dhe përgjegjësitë e pafundme.
b.Në poezinë e Bejkos, ku
dashi simbolizon kryefamiljarin, prijësin apo pushtetarin,figura e bariut ka
një kuptim të thellë: ajo përfaqëson një forcë të lartë, shpirtërore ose
morale, që udhëzon dhe shpëton. Bariu në këtë poezi mund të përfaqësojë disa
role të mundshme: përfaqëson Zotin ose një fuqi hyjnore. Në traditën kristiane,
Zoti përshkruhet si një bari, që kujdeset dhe udhëheq popullin e tij. Në
Psaltin 23:1 thuhet: "Zoti është bariu im; nuk do të kem mungesë.",
dhe tre 23.2 vijon: “Ai më shtrin në lëndina të blerta, më çon pranë ujrave të
qeta” duke shprehur idenë se Zoti, si bari i mirë, siguron mbrojtje dhe kujdes
për besimtarin. Në poezinë e Bejkos “bariu i mire” mund të jetë simbol i
shpresës për shpëtim, figurë që vjen për të çliruar “dashin” nga vuajtjet e
tij, ku djegia e brirëve në zjarrin e shenjtë mund të shihet si një rit
shenjtërimi ose pastrimi shpirtëror. Ndaj them se ariu mund të përfaqësojë edhe
një “udhëheqës shpirtëror”, një figurë morale ose drejtues që është më i lartë
se prijësi.
c.Kopeja dhe qengjat
përfaqësojnë masat e gjera, familjarët, pasuesit, që ndjekin prijësin të bindur
në drejtësinë dhe aftësinë e tij ose populli. Kjo është një qasje klasike e
botës blegtorale, ku qengjat, si dhe dhentë
ndjekin njëri-tjetrin pa vetëdije dhe dashi ka për “detyrë” tu prijë në
shtigje të sigurta, ndërsa bariu ka detyrë
t'i mbrojë dhe drejtojë në mënyrë të përgjegjshme.
II- Këto figura nga bota blegtorale kanë një simbolikë në poezi të cilën
Bejko e përdor për të krijuar një paralele midis botës rurale dhe shoqërisë
njerëzore të njeriut. Në këtë rast, bota blegtorale bëhet metaforë për
marrëdhëniet shoqërore, ku kryefamiljarët, udhëheqësit, prijësit dhe të
udhëhequrit prej tyre lidhen në një cikël të përpjekjesh dhe sakrificash për
mbijetesë apo përparim.
1. Në këtë kontekst,
veprimet si “sakrifikimi i qengjave” janë pjesë e jetës blegtorale, por në
poezi marrin një kuptim më të thellë moral dhe shpirtëror. Për shembull,
sakrifikimi i qengjave për Pashkë tregon për përpjekjet që prijësit bëjnë për
të mbrojtur pasuesit e tyre dhe për procesin e “pastrimit dhe transformimit
shpirtëror” që ata kalojnë.
2.Në poezi Bejko përdor botën blegtorale për të krijuar
“një urë midis jetës tokësore dhe sferave shpirtërore”.Nëpërmjet figurave
blegtorale, ai eksploron tema universale të drejtësisë, sakrificës dhe
shpëtimit shpirtëror. Jeta blegtorale bëhet metaforë për çështje të mëdha të
pushtetit, udhëheqjes, drejtimit dhe përgjegjësisë, duke e lartësuar përvojën e
përditshme në nivel poetik dhe filozofik.
III-Sigurisht që lind pyetja: pse Sadik Bejko u mor me temën e prijësit dhe
përgjegjësisë, një temë e që ska tërhequr vemëndjen e poetëve më parë?
Gjatë analizës së poezisë na lindi
mendimi se poeti u muarr me këtë temë për të shtjelluar një problematikë
komplekse dhe universale, që ka të bëjë me rolin e liderit dhe sakrificën e tij
për të mirën e të tjerëve, sepse poeti gjithmon duhet të thotë diçka të re ose
në një formë të re. Bejko në poezi I plotëson të dy këto kritere,ai sjell një përmbajtje të re në peizazhin e
poezisë shqipe, ku fokusohet në një figurë simbolike (dashi, prijësi), si dhe përdor elemente tradicionale të jetës
blegtorale për të trajtuar tema filozofike dhe ekzistencialiste.
Fakti që Bejko sjell diçka
të re në poezi duket për disa arsye: 1.Duke vendosur në qendër të poezisë një
prijës (dashi) që reflekton mbi rolin dhe sakrificat e tij, Bejko prek çështje
si pafuqia, fati, vuajtja dhe përgjegjësia, duke e lidhur poezinë me filozofinë
ekzistenciale. Kjo e bën poezinë të thellë dhe reflektuese, hap dialog mbi
sfidat e liderit dhe absurditetin e detyrës së tij përballë botës. 2. Bejko
merr figura tradicionale të jetës rurale ,dashi, bariu, kopeja dhe i përdor ato
për të shtjelluar probleme bashkëkohore. Ai i përçon këto simbole në kontekst
të gjerë, duke krijuar lidhje midis traditës dhe modernitetit Kjo përzierje e temave
tradicionale me ekzistencializmin modern i jep poezisë një veçantësi. 3.Në
poezinë shqipe, qasja në rolin e prijësit gjithmon ka qenë heroike. Bejko, nga
ana e tij, shfaq prijësin si një figurë që ndjen pafuqinë e tij për të ndaluar
fatin tragjik të ndjekësve. Kjo përmbysje e pritshmërive heroike sjell veç një
forme të re edhe një ton kritik dhe reflektues, që ndihmon në zgjerimin e
perspektivave poetike
IV-Në poezinë e Bejkos, mesazhi poetik ndërlidhet me kritikën sociale dhe
filozofinë e udhëheqjes, pse trajtuar temën e sakrificës, bindjen e ndjekësve
dhe përgjegjësisë së liderëve, tema që
janë shprehur përmes simbolikës së dashit, bariut dhe kopesë.
Mesazhi kryesor qëndron në
vuajtjen e prijësit (dashit) dhe sakrificën e tij për kopenë (popullin), duke
nënvizuar pamundësinë e tij për të mbrojtur ndjekësit e tij nga dështimet e
rreziqet që vijnë prej udhëheqjes së keqe apo verbërisë kolektive. Dashi
(prijësi) përjeton dhimbjen për fatin e
kopesë, ndërkohë që ajo ndjek rrugën drejt sakrifikimit. Vargje si: "Ç’t’i bësh? Qengjat vit për vit / m’i
çonin drejt e në thikë." shfaqin ciklin e përhershëm të sakrificës të të
pafajshmëve dhe pamundësinë e drejtuesit (kryefamiljari, prijësi) për ti
shpëtuar. Nga ana tjetër vargjet: "Do vijë bariu im i mirë /do t’i ndezë,
do t’i djegë brirët e mi / në zjarr të lashtë e të shenjtë." shprehin
idejnë e një shëlbimi shpirtëror, ku bariu i mirë (figura e shpëtimtarit) do
çlirojë prijësin nga barra e rëndë e udhëheqjes së pa-frytshme dhe do ti sjellë atij një përtejësi parajsore, sigurisht
krahas shpëtimit të kopesë.
V-Ndjenja që zotëron në poezinë e Bejkos është vuajtja dhe pafuqia, e
shoqëruar në fund me shpresën për shpëtim nga “bariu i mirë” (Zoti apo rilindje
shpirtërore). Kjo ndjenjë e përzier mes dhimbjes e shpresës përcillet përmes
simbolikës së dashit dhe bariut të mirë, duke u thelluar në imazhe të
sakrificës dhe shfrytëzimit, por që më vonë marrin një kuptim të shenjtë e të
ngushëllueshëm.
1.Në pjesën e parë të
poezisë, ndjenja e pafuqisë dominon. Heroi lirik përshkruan dhimbjen e tij (si
dash), duke përdorur imazhe të forta që tregojnë vuajtje të thellë. Kjo duket
në vargjet:"Ç’të bëja? Kopenë ma shpinin/drejt në gryka ujku a buzë
humnere", ku dashi shpall “dorëzimin e tij të plotë” përballë fatit. Ai
është i detyruar ti udhëheqë delet nëpër rrezik, por është i pafuqishëm për të
ndryshuar këtë rrugë të rrezikëshme që të çon në katastrofë.
2.Befas, ndjenja e shpresës
fillon të shpërfaqet përmes figurës së “bariut të mire”, i cili sjell çlirim
dhe rilindje. Kjo shpresë është e lidhur me një ndërhyrje të jashtme,madhore,
që do të ndreqë padrejtësitë dhe do e çlirojë dashin nga dhimbja e tij:“Por
do të vijë bariu im,/ në
faltore të
madhe brirët e mi /do t’i varë lart, lart tek i latuari mur". Këto vargje shprehin një ngritje shpirtërore dhe një shpresë për një të
ardhme më të mirë, ku ai do shpërbl;ehet nëpërmjet shënjtërimit të brirëve.
VI-Duke qenë poezi me elemente blegtorale, themi se dhe përdorimi i
figurave nga bota blegtorale në poezinë e Bejkos është dukuri që pasqyron
tradicionalitetin si bazë themelore për krijimin e një poezie me qasje
moderniste, është një ndërthurje midis traditës dhe modernizmit, tipar themelor
i poezisë moderniste. Këtu duhet të specifikojmë se elementët tradicionalë në
poezinë e Bejkos janë elemente themelorë, elemente bazë mbi të cilët ngrihet
poezia moderniste, ndryshe nga shumë poetë, që elementët tradicionalë i
përdorin si sfond poetik në poezinë moderniste.
1.Poezia bazohet në figura
nga bota blegtorale,si dashi, bariu, qengjat dhe kopeja, që janë thelbësore për
jetën rurale dhe tradicionale shqiptare.Këto elemente me rrënjë në kulturën
popullore, i japin poezisë ndjesi të
fortë autenticiteti dhe zakonshmërie. Kështu:
a.Figura tradicionale që
lidhet me forcën, lidershipin dhe sakrificën në poezi është dashi, por
dashi është element blegtoral i njohur në shoqërinë tradicionale, madje
është element aktiv edhe në këngët popullore, rrëfimet, vajtimet e përrallat.
b.Bariu është figurë arketipale në jetën blegtorale dhe
përfaqëson pronarin, kujdestarin, rruajtjësin, udhëheqësin. Në poezi ai
transformohet në simbol të lartë shpirtëror, hyjnor duke ruajtur ndërkohë
lidhjen me mjeshtërinë e jetës dhe traditës blegtorale.
2. Duke përdorur këtë
strukturë tradicionale, Bejko krijon një poezi që ndërlidh traditën me ide të
reja moderniste, element i modernizmit: shfrytëzimi i traditës si pikë nisjeje
për krijimin e diçkaje të re dhe për të trajtuar dilema dhe probleme
universale.
a.Ndërsa figurat janë të
rrënjosura në kontekst tradicional, veprimet dhe simbolikat e tyre shkojnë më
tutje jetës rurale. Dashi dhe bariu nuk janë më vetëm figura blegtorale; ata
bëhen “simbole të mëdha” të sakrificës, shpëtimit dhe transformimit shpirtëror.
Kjo është karakteristike për poezinë moderniste, që përdor elemente të njohura
për të eksploruar “kuptime të reja dhe abstrakte”.
b.Poezia sjell tension midis
botës tradicionale dhe botës moderne, ku poetët përballen me ndryshime sociale
dhe identiteti. Në këtë poezi, traditat e blegtorisë dhe udhëheqjes së tufës
përzihen me kërkimin për “shpëtim moral dhe shpirtëror”, duke i dhënë një
kuptim të ri modern botës tradicionale.
3. Poezia moderniste shpesh
i referohet traditave për të krijuar një kontrast me realitetet e reja.
Tek "Bariu i mirë," përdorimi i figurave blegtorale krijon një
diskurs midis botës rurale dhe marrëdhënieve shoqërore e shpirtërore që shkojnë
përtej saj. Përmes këtij kontrasti, poeti
përdor strukturën e njohur të traditës për të ndriçuar problemet
e thella të moderni-tetit, si: a.Lufta për drejtësi dhe udhëheqje të
përgjegjshme, b.Sakrificat e kryefamiljarëve dhe prijësve,c.Përpjekja për
shpëtim shpirtëror. Në këtë mënyrë, poezia ndërthur jetën rurale me
simbolikën moderniste, duke krijuar dialog midis të kaluarës dhe të tashmes,
traditës dhe modernitetit.
VII-U shprehëm se elementet tradicionale në poezinë e Bejkos përdoren për të
krijuar poezi moderniste, duke mbartur simbolika dhe kuptime të thella. Thamë
gjithashtu se figurat si dashi, bariu, dhe kopeja nuk janë thjesht përshkrime
të botës rurale, por kanë një funksion simbolik dhe stilistik, shërbejnë për të
ndërtuar kuptimin modernist të poezisë. Këto elemente mund të kategorizohen si:
1.Simbole poetike: pse
figurativisht, dashi, bariu, dhe kopeja simbolizojnë ide më të gjera si
udhëheqja, sakrifica, dhe ndjekja verbale e masave. Ata janë më shumë se
elemente konkrete të blegtorisë; ato janë mjete për të krijuar domethënie
universal. Psh te vargjet: “Mendoj se dash kam qenë, dikur / leshtor, pamjebutë
e brifortë" dashi nuk është thjeshtë një kafshë, por përfaqëson prijësin,
individin që drejton, mban përgjegjësinë dhe vuan për masën, apo te vargjet:” "Do vijë bariu im i
mirë, /do t’i ndezë, do t’i djegë brirët
e mi.", ku bariu, në kuptimin e tij, përfaqëson udhëheqësin shpirtëror,
duke pasur ngjashmëri me figura hyjnore apo shpirtërore (ndërlidhur me
konceptin biblik të bariut si kujdestar i popullit).
2. Elementet blegtorale
përdoren për të krijuar metafora që shkojnë përtej botës tokësore, duke
thelluar e zgjeruar kuptimin e poezisë. Psh te vargjet: "Qengjat vit për
vit /m’i çonin drejt e në thikë" qengjat simbolizojnë popullin që vuan, që
sakrifikohet pa e kuptuar se pse. Po ashtu te vargjet: “me viza gjaku rrëzë
brirëve, /shkumuar buzët, ka
rënë" brirët dhe gjaku shërbejnë si
metafora për sakrificën, ndërsa plagët janë simbolika të dhimbjes e sfidave që
përballon.
3.Këta elemente (blegtorale)
përdoren si figura letrare, përmes të cilave poeti zhvillon imazhe poetike, që
krijojnë atmosferë tradicionale, por njëkohësisht evokojnë kuptime që lidhen me
jetën sociale dhe ndërgjegjen shpirtërore. Psh: te vargjet: "Kopenë ma
shpinin, /drejt në gryka ujku a buzë humnere" kopeja është personifikuar
si grup që ndjek verbërisht dikë, duke i dhënë kuptim njerëzor e përfaqësuar
popullin që ndjek liderët pa e kuptuar rrezikun(është e njohur shprehja :
populli është kope delesh). Ose te vargjet: "ma kanë qethur bashkën me
gjithë lëkurë / e drejt mishit tim ndërsenin qentë." hiperbola e vuajtjes
dhe sakrificës zmadhohet qëllimisht për të theksuar abuzimin ndaj individit
(dashi) dhe për të shprehur ndjenjat e poetit për padrejtësinë dhe
shfrytëzimin.
Pra, në thelb, shihet se
simbolet poetike, metaforat e figurat letrare me origjinë botën blegtorale
shfrytëzohen nga Bejko për të ndërtuar poezi moderniste, ku tradita shërben si
bazë për të eksploruar problemet dhe dilemat shpirtërore, udhëheqjen, dhe
sakrificën në shoqërinë njerëzore. Dhe duhet të pranojmë se Bejko është
mjeshtër i shfrytëzimit të elementeve blegtoralë për krijimin e poezisë
moderne, gjë që e kemi parë në disa raste.
VIII-Poezia "Bariu i mirë" e Sadik Bejkos përmban elemente universale që lidhen me përvojat e
përjetshme të njerëzimit, duke tejkaluar kontekstin specifik blegtoral. Këto
elemente të përbashkëta përfshijnë:
1.Tema e vuajtjes dhe
sakrificës është një përvojë universale. Në poezi, subjekti lirik (dashi)
paraqet ciklin e vuajtjes, ku është i detyruar të sakrifikohet vetë dhe të
shohë sakrifikimin e qengjave. Kjo përvojë padrejtësie dhe shfrytëzimi lidhet me përvojat njerëzore në të
gjitha kulturat dhe epokat, ku njerëzit ndihen të pafuqishëm përballë vuajtjeve
që jeta sjell. Vargu: “Qengjat vit për vit m’i çonin drejt e në thikë"
simbolizon padrejtësinë dhe pafuqinë për të ndryshuar fatin, një ndjenjë që ka
prekur individët përgjatë historisë njerëzore.
2.Elementi i shpresës për
shpëtim dhe transformimit shpirtëror është koncept universal. Në poezi, ardhja
e bariut, si “ardhja e Krishtit” për të krishterët simbolizon çlirimin nga
dhimbja dhe vuajtja, një akt që shpreh dëshirën njerëzore për ndërhyrje hyjnore
për t’i çliruar nga vuajtjet dhe të sjellë drejtësi. Kjo duket te vargu:
"Do vijë bariu im i mire/ do t’i ndezë, do t’i djegë brirët e mi/ në zjarr
të lashtë e të shenjtë." Ku akti i djegies në zjarr të shenjtë përfaqëson
“katarsisin”, një akt universal i pastrimit shpirtëror që njihet në shumë
tradita kulturore dhe fetare.
3. Një tjetër element
universal është: “cikli i padrejtësive” (që duket i pashmangshëm), dhe kërkimi
për drejtësi. Poezia shfaq një situatë ku dashi dhe delet përsëritin të njëjtin
fat vit pas viti, duke u sakrifikuar në një cikël të pamëshirshëm. Por, dashi
pret për një moment çlirimi, gjë që shprehet te vargjet: "Të mos më
verbohem kurrë më kopetë/ të mos m’i presin më qengjat e dhentë", varg që
përmbledh shpresën universale për t'u çliruar nga ciklet e dhimbjes dhe
padrejtësisë, që kanë prekur njerëzit në çdo kohë.
4.Figura e “bariut të mire”
është universale, pse përfaqëson një figurë shpëtimtare, qoftë ajo hyjnore
(Krishti), morale apo udhëheqëse. Në shumë kultura e tradita fetare, ekziston
gjithmon një figurë që shfaqet për të ndihmuar ata që janë në vështirësi e për
të sjellë çlirim. Bariu i mirë simbolizon drejtësinë e ardhshme, që do të
vendoset për të ndrequr padrejtësitë e së kaluarës.
IX-Pas një udhëtimi analizues arijmë në përfundimin se poezi “Bariu i mirë” i
Bejkos ka tipare të forta filozofike dhe ekzistencialiste, pasi trajton çështje
që lidhen me qenien, përgjegjësinë, sakrificën dhe vuajtjen, që janë tema që
qëndrojnë në thelbin e filozofisë ekzistencialiste,
e cila fokusohet te vetmia, përballja me absurditetin e jetës dhe përgjegjë-sia
e individit për fatin e vet dhe të të tjerëve.Në vargun:"Mendoj se dash
kam qenë, dikur," dashi, si subjekt që reflekton mbi të kaluarën e vet,
shpreh një vetëdije ekzistenciale për qenien e tij, duke u përballur me
“kuptimin e ekzistencës” dhe pozicionin e tij në raport me të tjerët (kopetë).
Këtu fillon të shihet elementi filozofik i “vetëreflektimit. Vargjet e
mëvonshme:"Po ç’të bëja? Kopenë ma shpinin, /drejt në gryka ujku a buzë
humnere/..." shfaqin një situatë të pashmangshme, ku prijësi është i
pafuqishëm për të ndaluar fatin tragjik të pasuesve. Këtu reflektohet koncepti
ekzistencialist i absurditetit, ku pavarësisht përpjekjeve, njeriu shpesh është
i zhytur në situata të pa kontrollueshme prej tij. Kjo shpallje e pafuqisë
është një temë qendrore në filozofinë ekzistenciale. Ndërsa te vargjet: "Do
vijë bariu im i mirë,/.. "shpreh dëshirën për shpëtim përmes
shenjtërimit, një element që përfshin një përpjekje për të kapërcyer
absurditetin e ekzistencës përmes sakrificës dhe pastrimit, e cila i afrohet
idesë ekzistencialiste të kërkimit të kuptimit të jetës permes vetë
sakrifikimit. Kjo i jep poezisë ngjyrim filozofik ekzistencialist, ku
ballafaqohet ndjenja e absurdit me dëshirën për transcendence. Kjo jo vetëm në
teori, historia është plot shembuj abdikimi, vetëdorzimi, dorëheqje etj. madje
pa pretenduar shenjtërim a shpërblim, vetëm që të shpëtohen pasuesit e
pasardhësit.
X-Melodiciteti i poezisë së Bejkos është i ndërtuar me kombinim elementësh si rima, ritmi ,
përdorimi i zanoreve dhe ndërtimi i vargut, që kontribuojnë në krijimin e një
fluksi të veçantë melodik të poezisë. Sigurisht që ky melodicitet, ndërsa ndikohet
nga elementet blegtoralë, ndryshon në varësi të intensitetit emocional të
poezisë, duke krijuar një efekt ritmik dhe tingullor që pasqyron gjendjen e
subjektit lirik.
1.Rima në këtë poezi është
jo e rregullt dhe ndonjëherë e lirë, por aty ku ajo shfaqet, krijon një lidhje
tingëllore mes vargjeve, që ndihmon lexuesin të ndjekë strukturën dhe të ndjejë ritmin e brendshëm
të poezisë. Poezia nuk ndjek një strukturë me rima të rregullta, gjë që është e
zakonshme në poezinë moderniste, që synon të jetë e lirshme dhe e natyrshme në
rrjedhën e vargjeve. Në disa vargje, rima, mund të themi se përshtatet lirshëm,
duke ndihmuar që lexuesi të fokusohet më shumë te përmbajtja emocionale sesa te
struktura teknike. Psh. frazat:“...brifortë” dhe “...në botë”,“...buzë humnere”
dhe “... njëra-tjetre”. Të kuptojmë se ndërsa ritmi i poezisë është i lirë,
është njëkohësisht i ndërtuar në bazë të një ritmi të brendshëm, i cili ndjek
emocionet e subjektit lirik. Strofa e parë ka një ritëm më të ngadaltë e të
qetë, që përçon ndjenjën e reflektimit dhe kujtesës, ndërsa strofat e mëpasme
bëhen të tensionuara dhe të vrullshme,
për të pasqyruar vuajtjen dhe sakrificën.
2.Zanoret sigurisht që kanë një ndikim të madh në
krijimin e melodicitetit të poezisë, ku përdorimi i zanoreve të hapura dhe të
mbyllura krijon kontraste tingëllore që ndikojnë në emocionet e vargjeve.
Psh.: në vargjet: “leshtor, pamjebutë e
brifortë”, përdorimi i zanoreve të plota “e” dhe “o” krijon një tingull të
fortë dhe të rrumbullakët, që përçon ndjesinë e qetësisë dhe qëndrueshmërisë.
Në vargun: “shkumuar buzët, ka rënë mbi lëkurën e vet”, tingujt më të zbutur të
“u” dhe “ë” ndihmojnë në krijimin e një ndjesie melankolike. Në strofat që
pasojnë, përdorimi i zanoreve të hapura, si “a” dhe “o”, krijon ndjenjë
tensionimi dhe pafuqie, gjë që duket te vargu: “Qengjat vit për vit m’i çonin
drejt e në thikë”, ku zanorja “a” përsëritet, duke krijuar një ndjenjë të
hidhur që reflekton dhimbjen e sakrificës.
3.Melodiciteti ndryshon nga
strofa në strofë në bazë të emocioneve që transmetohen. Strofa e parë është e
qetë dhe reflektuese, pse përdor fraza të shkurtra dhe një ritëm të ngadaltë
për të shprehur përvojën e kaluar. Ky qetësim melodik pasqyron një ndjenjë të
largët dhe disi të vagëlluar të të kaluarës.
Në strofat e mesme,
intensiteti melodik rritet dhe ritmi bëhet i ndërprerë dhe tensionuar, pse
reflekton vuajtjen dhe krizën ekzistenciale të subjektit lirik. Psh, strofa e
tretë dhe e katërt kanë ritëm më të
vrullshëm, të krijuar përmes frazave të gjata që ndalohen befas, duke përçuar
ndjenjën e shfrenimit emocional: “Ç’të bëja? Kopenë ma shpinin, drejt në gryka
ujku a buzë humnere” këtu frazat e ndara dhe ndërprerjet rritin tensionin
melodik, duke reflektuar një ndjenjë pafuqie dhe dëshpërimi.
Në strofat e fundit,
melodiciteti kthehet në ton të qetë, por
më solemn, si të shenjtë, duke pasqyruar shpresën dhe shpëtimin. Përdorimi i
vargjeve të gjata dhe i frazave të
lirëshme përçojnë një ndjenjën rilindjeje dhe transcendence:” Do vijë bariu im
i mirë, do t’i ndezë, do t’i djegë brirët e mi në zjarr të lashtë e të
shenjtë”, këtu frazat janë më të plota dhe rrjedhin pa ndërprerje, duke krijuar
një melodicitet të butë dhe të lartë që reflekton pritjen për shpëtim.
Në përfundim themi se poezia
"Bariu i mirë" e Sadik Bejkos shquhet për ndjeshmërinë dhe thellësinë
me të cilën trajton tema të rëndësishme njerëzore. Ajo veçohet për përdorimin
mjeshtëror të simboleve dhe figurave që e ngrenë poezinë mbi nivelin e thjeshtë
rrëfimtar, duke i dhënë asaj një dimension universal. Kjo poezi reflekton
aftësinë e Bejkos për të gërshetuar traditën me modernitetin, duke krijuar një
vepër me vlera të qëndrueshme artistike. Bejko mbetet një poet që, përmes
gjuhës së tij të pasur dhe të stilizuar, arrin të preki aspekte të thella të
ekzistencës njerëzore dhe shpirtërore, duke e bërë poezinë e tij të veçantë në
letrat shqipe.
Sarandë, shtator
2024
BARIU I MIRË
Mendoj se dash kam qenë,
dikur,
leshtor, pamjebutë e
brifortë.
Kështu them dhe besoj se
disi ndryshe prapë do të jem
në botë.
Dash, që kur i hanin brirët,
u binte kodrave me kokë,
tundte dhe lëkundte dhenë
dhe me viza gjaku rrëzë
brirëve,
shkumuar buzët, ka rënë
mbi lëkurën e vet, i
plasaritur thellë.
Po ç’të bëja? Kopenë ma
shpinin,
drejt në gryka ujku a buzë
humnere
e delet në verbëri… litar
binin
në bisht të njëra-tjetre.
Ç’t’i bësh? Qengjat vit për vit
m’i çonin drejt e në thikë.
Për turp, dy - tri herë,
pasi m’i kanë çarë dhentë,
ma kanë qethur bashkën me
gjithë lëkurë
e drejt mishit tim ndërsenin
qentë.
Por do të vijë bariu im,
në faltore të madhe brirët e
mi
do t’i varë lart, lart tek i
latuari mur
e do t’i përul, do t’i
përfal para erës së pyjeve,
para hënave, ujvarave si
dikur.
Do vijë bariu im i mirë,
do t’i ndezë, do t’i djegë
brirët e mi
në zjarr të lashtë e të
shenjtë:
të mos më verbohem kurrë më
kopetë,
të mos m’i presin më qengjat
e dhentë.
Nga libri "Psalm për atin"