Mendime
Ndue Dedaj: ''Udha e Kombit'', një histori e pakryer
E diele, 04.08.2024, 07:59 PM
“UDHA E KOMBIT”, NJË HISTORI E PAKRYER...
NGA
NDUE DEDAJ
1
Kanë
kaluar 15 vjet që kur është përuruar segmenti i autostradës Rrëshen - Kalimash,
në qershor 2009, në një miting te mbikalimi i Rrëshenit, me praninë e
presidentit turk Erdogan, që dhe sot është në po ato këmbë që ishte atëherë.
Muzikë e lehtë, fjalime, duartrokitje, edhe pse udha numër një e shqiptarëve
ishte e papërfunduar dhe gjithsesi e tillë është dhe sot. Vetëm para pak vitesh
u ndërtuan urat e mbetura përgjysmë në pjesën Kukës – Morinë. Ura e re e
Kukësit, prej çeliku, treqind e dhjetë metra e gjatë, është episodi i fundit i
saj, por mund të thuhet dhe segmenti i ri rrugor Thumanë – Kashar, 21
kilometra, paçka se i përket Korridorit Blu, që do të ndjekë itenerarin Kashar
- Rrogozhinë - Fier. Duhet ndërtuar së paku dhe pjesa nga Kashari në Durrës (për
shkak të portit) që të quhet e përfunduar Udha e Kombit dhe doemos segmenti
Milot – Rrëshen, që është me nga një korsi vajtje - ardhje dhe si i tillë nuk
përmbush standardet e autostradës. Pavarësisht se si mund të jetë “argumentuar”
nga Banka Botërore lënia gjysmake e kësaj pjesë të Udhës së Kombit, duhet thënë
se ka qenë diçka e pamenduar mirë, pasi ajo ngushtohet pikërisht aty ku duhej
zgjëruar!...
Ndërkohë
që në pjesën e Udhës së Kombit, që shtrihet në Kosovë, nga Vërmica në
Prishtinë, nuk u la asnjë centimetër pa u kryer në kohën e caktuar. Shto faktin
se për të nuk pati as përfolje për abuzime, as përplasje politike, kjo nga
ndjeshmëria e lartë patriotike, po dhe interesi për rrugën, për të dalë sa më
parë në Adriatik. S’do të vononte e në Milot, Lezhë etj. do të shiheshin
emërtesat “Rruga e Kosovës”.
Kemi
të gjithë, po dhe secili, historinë tonë me këtë rrugë, ndërtuesit përmes
punimeve ditë – natë, ne përmes shkrimeve në gazeta dhe disa, fatkeqësisht,
përmes kundërshtimit, jo se nuk e donin udhën ndërkufitare të shqiptarëve, por
nuk ishin dakord me “ndërtuesin” e saj politik, pasi do t’i merrte ajo meritat,
sigurisht duke treguar me gisht dhe ndonjë qeveritar që sipas tyre kishte
abuzuar me fondet e dhëna për ndërtimin e veprës. Agolli pati thënë atëherë se
pas njëzet vitesh do të harrohet se kush ishte në pushtet kur u ndërtua Udha e
Kombit dhe sa kishte kushtuar ndërtimi i saj, duke i ftuar së pari të vetët të
mos bënin politikë me një vepër kombëtare si ajo. Kurse sot kanë rrjedhur shumë
ujëra dhe njerëzit, kush me zë e kush në heshtje, e vlerësojnë qeverinë për
përkushtimin e saj për përfundimin sa më parë të rrugëve të reja, si ajo
Thumanë - Kashar, tuneli i Llogarasë, vënien e afateve (fundi i vitit) për
përfundimin e unazës së madhe të Tiranës dhe të Rrugës së Arbërit, më saktë të
Tunelit të Murrizit, një vepër që ka zgjatur aq shumë në kohë.
Ka
mbetur larg në kohë ajo batuda e hidhur e Kryeministrit të sapo ardhur në
pushtet më 2013, “rrugë – rrugë – rrugë”, si një ironi me paraardhësin, pasi
tashmë u është futur vetë rrugëve, sigurisht pas marrjes për një mandat a më
shumë me qendrat urbane, ku mund të përmendim disa rrugë të reja të
përfunduara, si Kardhiq - Delvinë dhe tuneli i Skërficës, Qafë T’thore – Theth,
apo rrugë të rëndësishme në ndërtim, si aksi Elbasan - Qafë Thanë (pjesë e
Korridorit), rruga Shëngjin – Velipojë, rruga e Dukagjinit, e Lurës etj.
2
Udha
e Kombit u fiksua në kronikën e kohës si një histori suksesi. Kujtoj reporterët
e Mirditës e Kukësit, që ishin me shkrime të përditshme në faqet e gazetave
kryesore, por dhe ata të Prishtinës e Tiranës një sy e kishin përditë kah Udha
e Madhe. Asllan Bajrami ishte i pari që do të intervistonte qytetarët e
Rrëshenit për RTK-në, ndër të cilët dhe autori iu këtyre radhëve, se si po përjetohej
nisja e punimeve brigjeve të Fanit. Ishte hera e dytë, pas hidrocentraleve mbi
Drin, që Veriu zgjohej në zhurmën e kantiereve masive ndërtimtare, nga Miloti
në Morinë, në një gjatësi prej 136 kilometrash. Ritmet e ndërtimit të Rrugës së
re ishin të jashtëzakonshme. Nuk ishte punuar ndonjëherë në Shqipëri ashtu, ku
përvoja e fituar nga ndërtuesit tanë aty do të ishte shkollë për ndërtimet e
mëvonshme të rrugëve.
Kisha
shkuar asokohe me punë në shkollat e Oroshit dhe Fanit dhe deri në Reps më së
shumti udhëtoja me doktor Pjerinin, pastaj me makinat e kantiereve të rrugës
deri në Klos, Thirrë a Domgjon, të cilave shpesh balta u kishte mveshur xhamat
e trashë. Andej zakonisht kabinat e makinave i mbulonte dëbora, kurse tashti
ishte radha e baltës, por vetëm për pak muaj, sa të hidhej asfalti. Ishte një
emocion i pazakontë për të gjithë, aq më tëpër që udha e re po ngjitej maleve
në një kohë që ato po i linin njerëzit. Në të hyrë të viteve ’80, kisha punuar
për do kohë me sondat e kërkimit të bakrit në Shpal e Kullagji dhe Karmave të
Pëshqeshit u kaloja përditë e përnatë pranë, por pa guxuar me i shkel me këmbë,
pasi në ato rrëpira të gurta mund të kalonin vetëm dhitë e egra. Një humnerë e
pafundme, poshtë Majës së Malthit dhe Kthesave të Shpalit, aq të rrezikshme, ku
kishin ndodhur aq shumë aksidente rrugore, më i rëndi ai i maturantëve
tropojanë më 1975, ku tre prej tyre dhe shoferi humbën jetën.
Me
këto ndjesi të trishta, në njërën nga ditët e ndërtimit të Udhës, bashkë me
kushëririn tim, Gjinin, që inspektonte sigurinë në punë dhe një shofer të zotin
që ngiste fuoristradën u futëm bregut të Fanit, rrugë e pa rrugë, një varianti
ku mezi kalohej, për të shkuar deri afër urës që po hidhte themelet
drejtpërdrejt në lumë. Karmat e Pëshqeshit po jepnin “shpirt”, miti i tyre po
thyhej njëherë e përgjithonë, tani vetëm për dhitë e egra nuk do të kishte më
shtigje. I kam fotografuar ato çaste pune në atë humbëtirë, që do ta
tjetërsonte rruga e re me emrin e kombit, që nuk mund të ishte asnjëherë e
vogël, por një rrugë e madhe. Udha e Madhe ishte lajtmotivi ynë në reportazhet
e asaj kohe, në gazetat “Shqip”, “Shekulli” etj., pasi vërtetë kishte ekzistuar
një e tillë prej kalldrëmi, që përshkonte tërthorën e gjatë nga Shkodra në
Orosh e deri në Prizren. Kosovën kishin synim asokohe të gjitha rrugët, dhe ajo
që shkonte nga Vau i Dejës në Pukë - Va Spas e Gjakovë, por sidomos udha
skenderbegiane, që niste nga bregu i Adriatikut, afër Patokut (porti i
Shufadasë) përshkonte luginën e Fanit të Vogël, Kukësin, Lumën dhe mbërrinte në
Prizëren. Udha e Kombit shkonte fiks nëpër gjurmën e kësaj të fundit, veçse nuk
ngjitej në Qafën e Komit, por përbironte nëpër tunelin e Thirrës/ Kalimashit.
Që nga fillimet e shekullit XX ishte hedhur ideja e një hekurudhe nëpër të
njëjtin aks, që siç thuhej në vitet ‘70, do të vijë dita që sirena e trenit do
të dëgjohet në Kukës. Mirëpo ne së voni sikur u “armiqësuam” me udhët e
hekurta, që patën nisur gjatë Luftës së Parë Botërore nga austriakët, ndoshta
nga nguti për të parë sa më shpejt autostradat në vendin tonë, pa asnjë
kilometër rrugë moderne si në Europë.
Por
të kthehemi te rruga Durrës - Kukës - Prishtinë, e cila ende nuk kishte një
emër fiks, dikush e quante “korridori verior”, dikush “autostrada e parë
shqiptare”, “dikush Egnatia e re”, dikush “udha e kombit”, ku togfjalëshi i
fundit erdhi duke u bërë mbizotërues. Tuneli ishte objekt vizitash që në
ndërtim. Kolegu ynë i letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit, profesor Bardhoku, në
nëntor 2007, mori nxënësit e klasës në kujdestari, i vuri në autobus dhe pas
tre orësh mbërritën aty ku kishte nisur tuneli. “Nesër kur të kaloni këtu, ta
dini se si ka qenë!” Ky ishte mesazhi. Kam qenë disa herë te Tuneli, në kohën
që po ndërtohej, me miq e familjarë, ku na priste Marku, ish - kryetari i
komunës, që punonte aty. Një rast kam shkuar bashkë me vullnetarin e Korpusit
të Paqes, Patrik O’Brein, me të cilim ishin kolegë në gjimnaz dhe djalin tim të
vogël, Mirdianin, që më vonë do të diplomohej në Tiranë si inxhinier ndërtimi
dhe, pas tre vitesh pune në atdhe, tani punon në Londër në profesion. Do të
shkoja te tuneli dhe ditën e hapjes së tij, bashkë me Zef Ndrekën, ku kishte
ardhur dhe Mark Marku tashmë deputet, që para se të niste studimet e larta,
kishte qenë pak kohë mësues në shkollën e vogël të Thirrës në kodër. Rrësheni,
që dje me skodat e trupave dhe të mineralit bëhej katër orë, tashmë ishte veç
njëzet minuta larg. Nuk është se duam të bëjmë retorikë, por infrastruktura e
sillte më pranë qytetërimin...
3
Me
siguri ka pasur njerëz të politikës dhe jo vetëm që u është skuqur fytyra kur
kanë kaluar për herë të parë kësaj Udhe, pasi në çastin që kanë vënë këmbën në
të u janë kujtuar deklaratat e tyre anti-rrugë, se rruga ka kosto
jashtëzakonisht të lartë, ajo po merr fondet e rrugëve të tjera të vendit, është
abuzuar me fondet për ndërtimin e saj etj. Edhe nëse kjo e fundit ka ndodhur,
në ndonjë segment, nuk përbënte arsye që deputetë mjeranë e të tjerë të
anatemonin Udhën. Më vonë, njerëzit me mandatin e popullit në xhep, kanë shkuar
si të habitur dhe mua më janë “përngjarë” me krushqit e ngrirë të
legjendave!...
Për
ta fiksuar në histori këtë përplasje të panevojshme mes palëve politike poeti
dhe publicisti i njohur kukësian Rexhep Shahu, në vitin 2021, boton librin
“Apologji për Udhën e Kombit”, me shkrime reporterësh të shumtë, që ndryshe nga
politikanët, që bënin llogari elektorale, e pasqyruan rrugën si ngjarjen më të
madhe të fillimshekullit XXI. Me sa duket të gjitha gjërat e mëdha të këtij
kombi nuk mund të kalojnë pa apologji, kujtoni “Apologjinë” e Frang Bardhit për
heroin kombëtar, apologjinë në dhjetëra shkrime e qëndrime për origjinën
shqiptare të Nënë Terezës, në këtë
kontekst, dhe apologjia për veprën më të madhe shqiptare, Udhën e Kombit. Shahu
shkruan se ideja e kësaj Udhe është e Ibrahim Rugovës, i cili në intervistën e
dhënë gazetës kroate “Nedeljna Dalmacija”, të datës 22 korrik 1990, kërkon
ndërtimin e udhës Durrës – Prishtinë, që t’u krijojë mundësinë shqiptarëve të
Kosovës të mund të udhëtojnë qoftë edhe sikur “për një kafe në Shqipëri”. Siç
dihet, disa vite më vonë, më 1999, qeveria socialiste do të miratonte taksën
“Majko” për ndërtimin e kësaj rruge. Kryeministri pasardhës Nano bashkë me
Presidentin Rugova, në vitin 2004, do të bënin një shkrepje simbolike në Fang,
ku kishte nisur të hapej traseja nga forcat e ushtrisë. Por hyri në mes
politika dhe kumbarët e parë të rrugës nuk ishin më të një mendje, pasi tashti
në pushtet kishte ardhur Sali Berisha dhe sipas tyre nuk duhej ta merrte ai
“lavdinë” e një vepre që bënte histori, a thua se ishim në kohën e
kreshnikëve!?... Rruga tashmë nuk ndalej, jo thjeshtë se ndërtuese e saj ishte
kompania e fuqishme amerikane Bechtel + Enka.
Rexhep
Shahu, në librin e tij të vëllimshëm, ka pasur mirësinë të na përfshijë ndër
miqtë e kësaj rruge madhore, ku në kreun e tretë të titulluar “Apologjia e
Miqve”, ai përmbledh artikujt dhe pohimet e një vargu personalitetesh të
njohur, siç i quan ai, “shqiptarë e të huaj, që kanë shkruar me dashuri për
Udhën e Kombit Shqiptar, siç janë: Ndue Dedaj, Gjergj Marku, Elinda Marku,
Jemin Gjana, Preç Zogaj, Eliot Engel, Uiliam Uoker, Izet Duraku, Edison Ypi,
Veton Surroi, Artan Fuga, Kastriot Myftaraj, Pandeli Majko, Kim Mehmeti, Benet
Koleka, Aleksandër Çipa, Roland Qafoku, Shkëlzen Maliqi, Dalip Greca, Ramiz Lushaj,
Agron Gjekmarkaj, Riza Hoxha, Sulejman Dida, Arbnora Dushi, Jean-Arnault Derens
& Laurent Geslin, Karl-Peter Schëarz, Jonuz Hallaçi”. (Gazeta “Nacional”,
29 maj 2012, Tiranë.)
4
Erdhi
koha të nxjerrim dhe ndonjë “sekret”. Nëse zoti Shahu e botoi librin e tij fill
pas përfundimit të Udhës, një dorëshkrim tonin publicistik kushtuar kësaj vepre
e “dogji” vetë ajo, pasi u krye para se libri të shkonte për botim; prej tij u
publikuan vetëm dhjetë faqe reportazh me titullin “Epopeja homerike e një
rruge” në gazetën “Shqip” të datës 21 maj 2009, që më pas u përfshi në librin
“Apologji për Udhën e Kombit”. Nga dorëshkrimi i pabotuar po shkëpusim sythin e
titulluar “Celulari i “Bosit” të Autostradës”, ku rrëfehet një detaj i sjellë
nga kryebashkiaku i Rrëshenit, Gjon Dedaj, që ka të bëjë me psikologjinë
shqiptare të tranzicionit për të pasur sende të shtrenjta!? “Ndodhësha në një
takim me funksionarë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, drejtues vendorë,
menaxherë rë rëndësishëm, ekspertë punimesh, të gjithë “VIP - a”, ku po flitej
për Rrugën, detyrimet e ndërsjellta mes palëve, bashkëpunimin, që ndonjëherë,
sa ç’është një fjalë e bukur për tryezat e seminareve, aq i vështirë është kur
vjen puna për të vepruar. Përtej këtyre përsiatjeve, sytë më rrëshqitën një
çast mbi telefonat celularë në tavolinë, secili më i kushtueshëm se tjetri, ku
shkëlqente sidomos ai i ndonjë qeveritari të pranishëm. Dikush kishte dhe nga
dy e nga tre telefona dhe nuk përtonte dhe aty të eglendisej me mesazhe. Më
shkuan sytë dhe tek telefoni im, që gjithsesi ishte më i shtrenjtë se ai i
zotit Majkëll, drejtuesit amerikan të punimeve të Autostradës. Celulari i tij,
për çudi, ishte më i thjeshti nga të gjithë, më se i zakonshëm, që nuk kishte
duk, por që i mbante bateria një javë, shkurt, një telefon për punë, siç
thuhet…” Është mani e tranzicionit, që gjithçka ta kemi të dorës së parë, kurse
punën ende jo të tillë...” Punën të parën e kanë amerikanët, gjermanët,
anglezët etj.
Edhe
një tjetër pasazh nga libri i pabotuar: “Repsi është njëri ndër 3 kantieret
(kampet) kryesorë të Ausostradës. Një lloj kantieri i përhershëm, prej më shumë
se gjysmëshekulli, që kur këtu patën nisur punimet e para për qytezën e
minatorëve të Spaçit dhe flotuesve të fabrikës së pasurimit të bakrit, që tani
është një rrënoja... Është e vështirë të përshkruhet ky kantier, i cili kur
soditet nga lart, ka pamjen e një qyteze pune komplekse, ku gjithçka është në
harmoni dhe përkryerje, selia qendrore e Firmës, me zyrat dhe mjediset e saj
funksionale, fjetoret, mensën dhe pak më tej parku i makinerive të shumta,
ashtu si dhe reparti i prodhimit të trarëve etj. Një qytezë tipike
ndërtimtarie, ku lëvizin pa puashim njerëz dhe mjete, ku të gjithë e dinë se ku
do venë, se ku do të jenë tash e më pas. Hanë drekë, ashtu shpejt e shpejt, dhe
nisën, dikush te një mur e dikush te një urë. Janë të gjitha racat e kombet
këtu, inxhinierë, teknikë, menaxherë, vinçierë, shoferë, gurëthyes, muratorë,
sinjalistë, supervizorë, oficerë të sigurisë së objektit, kuzhinierë etj., ndër
të cilët dhe femra, që shkëmbehen nëpër turne tre herë në 24 orë. Flitet më së
shumti turqisht, pasi shumica e ndërtuesve janë turq. Vendasit me ironi thonë
se mund të flitej dhe më shumë “shqip”, pra që të kishte më shumë shqiptarë në
ndërtimin e veprës, çka duhej të ishte parashikuar në kushtet e kontratës me
kompaninë që në fillim. Se, thonë ata, ka dhe diferenca në pagat, ku për të
njëjtën punë, një punëtor turk paguhet dy - tre herë më shumë se një
shqiptar!...”
Në
ditarin e kohës kanë mbetur të shënuara mjaft thënie speciale për këtë vepër
historike, por duam të veçojmë atë të një miku të ndjerë, Liman Varoshit,
historian, asokohe rektor i Universitetit të Elbasanit: “Rruga e bën unike
botën shqiptare…” Pikërisht kjo nuk ishte e mirëpritur nga gjeopolitika e
rajonit, por ky mallkim fqinjësh jo dashamirë nuk ngjiste më, integrimi e donte
që ajo të ishte njëherësh dhe udhë e tyre!...
*
Post scriptum. Udha e Kombit nuk mund
të thuhet se e bëri më të mirë fshatin, mungesa e rrugëve dytësore, përkundrazi
i hodhi fshatrat malorë mbas krahësh. U desh një projekt i ri më vete që të
bëhej dalja për në Orosh dhe hyrja për në Mashtërkor. Vetëm tek ne ndërtohen
autostrada pa rrugë të dyta për banorët. Trau peseurosh i Kalimashit është si
një “lak në fyt” për automjetet, pasi o kalimi aty, dmth nëpër nëpër Udhën e
Kombit, o hiç!? Është jo vetëm qesharake, por dhe cinike, t’iu thuash
udhëtarëve se ja ku e kani rrugën pa euro, atë nga Fushë-Arrëzi, që ka qenë jo
vetëm rruga më e mundimshme shqiptare, por mbase dhe në Ballkan. Vetëm turistët
e aventurës mund të kenë nge ta marrin atë rrugë në kohën e sotme, kurse ti si
qeveri e quan rrugë alternative për njerëzit më të varfër të vendit, që jo më
kot e kanë zbrazur Hasin, Kukësin e Shishtavecin, për Anglinë. Tash do të “ikë”
dhe Fushë - Kruja, vetëm 21 kilometra nga kryeqyteti, që autostrada Thumanë -
Kashar e la anash!? Kjo ka bërë që banorët e zonës të dalin në protestë në
rrugën e re, por dhe për dëmshpërblimin që nuk e kanë marrë. Si mund të
ndërtosh sot një vepër të re rrugore, që i largon banorët nga “vetja”, tradita,
pronat, biznesi, ekonomia që kanë krijuar aty me mundim. Vërtet aksi iu shërben
turistëve, që më së shumti janë të huaj, por a ka kuptim që të lehtësohen miqtë
dhe të vështirësohen të zotët e shtëpisë në tokën e tyre!? Nuk mund të jetë
trau prej 2.1 eurosh qëllimi i vetëm i një aksi të ri si ai Thumanë – Kashar,
një lloj “shtrunge” për të mjelur e vjelur të ardhura që nuk i takojnë
konçesionarit dhe shteti për këtë është... aq më tepër një qeveri që mbahet për
e majtë!