Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Mo u bë morr, po bëhu plesht
E shtune, 03.08.2024, 01:06 PM
MOS
U BË MORR -
PO
BËHU PLESHT
(Rrëfim
i Nanës)
NGA
KALOSH ÇELIKU
Babai,
përveç mauzerrit mbi krye, “nagëntin” në brez dhe nën jastëk me fishek në gojë,
një “kashikarë” serbi, dhe dy molla të kuqe (bomba italjani) në xhepat e
strukes varë pas dere, e kishte në shtëpi edhe shkamin me tre këmbë, mbuluar me
lëkurë ogiçi. Nga i cili pranë zjarrit me flakë në oxhak, shpesh ma përsëriste
një thënje të tij antologjike: Mos u bë
morr, po bëhu plesht! Edhe, vazhdonte me porosinë: Morrin e vrasin, ndërsa
pleshti kërcen, ikë nga rreziku.
Askush,
nuk guxonte të ulet në Shkamin e tij personal me tri këmbë. Shkamin e Babait.
Shkam, të cilin e kishte ndreçur vetë nga trungu i lisit. As, Nana, as ne
fëmijët.
Ditë-Natë,
ai shkam me tri këmbë rrinte në mes të dhomës. Herë pas here, edhe pranë
oxhakut. Zjarrit me flakë dru lisi, që e nxirrte tymin përoxhaku mbi çati.
Dramaxhakun me kokë gjarpëri, pranë të cilit gjithë ditën e gjatë vlonte vorba
me groshë. Edhe, e ruante Nana për darkë, miqtë që rrugës i ka zënë Nata.
E,
neve si fëmijë shpesh-herë na zente gjumi edhe pa darkë. Shkaku, se: Nana, e
ruante vorbën me groshë për miqtë, që Nata i kishte zënë rrugës. Natë, edhe kur
mua si fëmij xhindet më merrnin nga mesi tyre në shtrat, dhe më hudhnin dorë më
dorë mbi çatia të shtëpive dhe majë lisave deri në Agim. Pak, para zbardhjes të
Dritës, më kthenin mes Nanës dhe Babait në shtrat.
Në
shkamin me tri këmbë, nuk guxonte të uleshte, as edhe vetë Nana. E cila pas
ikjes tij në atë botë, shpesh thoshte: po t’i thoja se, do të jetojë aqsa
shkami me tre këmbë, vrik do ta nxirrte “nagëntin” nga brezi. Vetëmse, nuk më
besohet, se në pleqëri: Nana e bëri “musliman”. Dhe, e shiti një livadh pranë
Lumit Zajazit për të shkuar haxhi në Mekë?!
Babai,
vërtetë iku nga mesi ynë familjar, shkaku një sëmundje të pashërueshme të rëndë
kanceri, edhe pse i doli në dyluftim me dy revole në brez. Mauzerrin e fshehur
në hatullat e nën çati të shtëpisë, “kashikarën” serbit dhe mollët e kuqe të
itljanit në xhepat e strukes. Dhe, i kishte fituar shumë beteja luftarake flakë
më flakë maleve, kësaj radhe e humbi luftën në shtëpi, pranë oxhakut. Edhe
nga shtrati dergjes, përpara se shpirti
t’i fluturojë në Qiell, herë pas here na e përsëriste: Lakmi ua kam shokëve mi
të luftës, që vdiqën maleve. Nuk kishte edhe kush t’i varrosë, ne të gjallët i mbulonim me
gjethe të lisave, dhe borë mes maleve.
E,
unë po vdes në gjirin familjar, armëve dhe mes librave në shtëpi...