E hene, 14.10.2024, 08:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Flet ish e përndjekura politike Vitore Stefa Leka - Ku i çojnë këta ministra milionat që vjedhin?!

E shtune, 20.07.2024, 07:55 PM


Flet ish e përndjekura politike Vitore Stefa Leka: Ku i çojnë këta ministra milionat që vjedhin?!

-Në Shqipëri po rregullohen rrugët, qytetet, por drejtësia, shëndetësia, arsimi, janë për faqe të zezë.

- Në një Festival ku isha në Juri më ka bërë përshtypje veshja dhe këngët patriotike të fëmijëve të Mitrovicës.

-Monizmi më pushkatoi babanë, por them se në monizëm nuk kishte rrëmbim femrash, korrupsion dhe shëndetësia dhe arsimi ishin të shkëlqyera.

- Me Labërinë më lidh patriotizmi pasi Qosja ka thënë “Pa Labëri nuk ka Shqipëri”.

-Në Trieste bashkë me disa shoqe dëgjojmë këngë labe në disketa dhe kënaqemi.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Me Vitoren kam rreth 25 vjet që njihem dhe ajo që më ka shtyrë është aktiviteti i saj patriotik në emigracion. Vitore Stefa Leka, ka vite e vite që është e njohur jo vetëm në atdhe, por në gjithë trevat shqiptare, apo në diasporë, në lidhje me veprimtarinë e saj humane. Kanë shkruar shumë gazeta për të duke filluar nga viti 1990 pikërisht nga koha që ajo emigroi familjarisht në Itali dhe iu kushtua çështjesh shqiptare duke aktivizuar jo vetëm shqiptar, por dhe të huaj. Këto i kemi lexuar nga intervistat e ndryshme në gazeta që kanë dhënë jo vetëm profesorë, politikanë dhe gazetarë shqiptarë, por edhe të huaj. Vitore Leka Stefa është një nga figurat më të rëndësishme të emigracionit që jetën e saj e ka lidhur ngushtë me bamirësinë. Poetja dhe shkrimtarja, vajza e një prej familjeve më të njohura shqiptare, e persekutuar në kohën e diktaturës, pas pushkatimit të të atit, me akuzën “agjent i amerikanëve”, prej kohësh cilësohet si “Nënë Tereza e Tristes”, “Nënë Lokja”, “Nënë Madhja”. Roli i saj human tashmë i ka kapërcyer kufijtë e bamirësisë, duke e kthyer në organizatore të gjithë diasporën shqiptare. Vitore Stefa Leka është një nga personalitetet e Lidhjes Shqiptare në botë, por edhe e autoriteteve italiane. Babai i saj, Kostaq Stefa, është shpallur pas vdekjes “Martir i Demokracisë”, nëna, Eleni, “Mësuese e Popullit”, ndërsa vetë ajo, nga ish Presidenti Alfred Moisiu, është dekoruar me Medaljen e Artë të Mirënjohjes, për punën e saj.

-Ju dhe pse 30-vjet në emigracion dhe pse fëmijët i keni aty të sistemuar, sërish nuk ndaheni nga atdheu. Kush ishte qëllimi që erdhe këtë verë në Tiranë?

Në radhë të parë ishte malli që sa vjen e shtohet. Duhet të jesh atje që të kuptosh sa të dhemb atdheu, dhe sa vlera ka. Po njëkohësisht jam thërritur nga Mira Korançe presidentja e Shoqatës “Jehona Shqiptare”, ku bëri një festival folklorik të talenteve të zërave të rinj  te salla e kulturës “Tonin Arapi” në Liceun Artistik (27 Qershor) ku kishte mbledhur fëmijë nga mosha 10-15-27 për të prezantuar talentet e rinj. Ishte sikusht që pjesëmarrësit të ishin të veshur me kostumet shqiptare të ardhur nga e gjithe diaspora. Pra ishte festival mbarëkombëtar me mërgimtarë nga 15 shtete të Diasporës dhe ishte internacionale. Shikoje fëmijë që shkëlqenin dhe mua më bëri përshtypje më shumë se para nesh u paraqitëm me veshje kombëtare dhe me prezantime dinjitoze, por mbi të gjitha më bëri përshtypje Mitrovica. Më bëri përshtypje veshja karakteristike e Mitrovicës dhe ishte me të vërtetë për t’u lavdëruar. Ishte mënyra se si e prezantuan kombin, ishte një gjë më e veçanta nga të gjitha ata aty. Ishte një Festival me vlera ku u njoha me kostume të rralla të kombit nga të gjitha trevat, por edhe u njoha me këngë patriotike që si kisha dëgjuar. Kjo më solli në Shqipëri, por edhe malli.

-Sa orë zgjati ky Festival dhe çfarë veçove?

Zgjati shumë nga ora 8, pra mbaroi mbasdite. Unë isha në Juri dhe shijoja çdo gjë me vëmendje. Më habisnin kostumet dhe këngët e bukura, Zot çfarë këngësh patriotike! Si kisha dëgjuar. Të gjitha këngët ishin me tekst të theksuar kombëtar. Sa më emociononin. Qaja nga gëzimi pasi shihja dashurinë, që kishin fëmijët për atdheun, kombin.

Ishin të gjitha me karakter kombëtar. Ata u prezantuan edhe me veshjet e vjetra shqiptare. Dhe më shumë i dedikoheshin periudhës së Skëndërbeut, në këngë  dhe në poezi.

-Kjo tregon se ndjenja kombëtare nuk është shuar si në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi.

Po aty vërtetova se ndjenja kombëtare nuk po shuhet. Jo vetëm nuk po shuhet por edhe te të vegjlit jashtë atdheut po forcohet kjo dashuri. Them me bindje se shqiptarët e Shqipërisë duhet të marrin shembull nga shtëpitë e fëmijës të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, por edhe nga emigrantët në Evropë. Atje është shumë e zhvilluar, por duhet ne këtu të marrim pak shembull andej.

-Si t’u duk Shqipëria këtë verë?

Të them të drejtën, ne kur vijmë këtu edhe pse ka të meta, na duket Shqipëria yll. Të kesh xhepin me lekë, mund të zgjedhësh kë plazh të duash. Pra ne jemi të ardhurit, që vijmë të pregatitur. Kudo që vajtëm ishte shkëlqyeshëm. Unë personalisht shkova në Pogradec. Ishte një organizim i shkëlqyer. Nuk kishte orë gjumi fare, baret dhe klubet nuk pushonin ditë dhe natë. Edhe çmimet ishin normale, të ulëta. Më bëri shumë përshtypje se kishte shumë turistë të huaj sidomos italianë, gjermanë, polakë si edhe në Tiranë. Nuk mund të themi se nuk ka ndryshime, ka ndryshime shumë. Sidomos tek rrugët dhe qendrat e qyteteve ka shumë shumë ndryshime. Qytetet të bukur plot aktivitete. Por politika zihet si gjithmonë. Ne nuk na vjen mirë kur dëgjojmë atje se pala e majtë shan të djathtët duke i cilësuar hajdutë, apo anasjelltas. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kështu që çdo gjë të shahet. .

-Kush janë problemet sot në Shqipëri, si është mendimi juaj?

Për mua problemet në Shqipëri janë ato të drejtësisë, korrupsionit, të shëndetësisë, por edhe të krimit. Femra është e rrezikuar. Të kesh një hall për drejtësinë nuk e qan. Diçka po lëviz, por jo ashtu si duhet.

Ju jeni bijë e dy intelektualëve të shquar, Kostaq dhe Eleni Stefa. Babai juaj u pushkatua nga regjimi komunist, ndërsa familja u internua. Mund të na përcillni diçka nga fëmijëria juaj?

Rrjedh nga një familje intelektualësh nga Berati. Jam stërmbesë e Konstandin Kristoforidhit dhe Gjergj Stefës, pjesëmarrës krah për krah me Abdyl Frashërin në Lidhjen e Prizrenit. Babai mbasi mbaroi shkollën teknike të Harry Fulc-it ku një kohë punoi dhe si profesor, studimet e larta i mbaroi në Institutin Superior, ndërsa magjistroi në Firence. Babi im ka folur tetë gjuhë. Ka përkthyer edhe nga Japonishtja. U pushkatua në moshën 44 vjeç nga diktatura dhe që atëherë filloi kalvari i pa mbarim i vuajtjeve tona familjare. Nëna gjithashtu mësuese, edukatore e disa brezave, një grua e rrallë që ia kushtoi jetën e saj, që nga mosha 33 vjeçare, rritjes së pesë fëmijëve jetim në një fukarallëk të plotë po me një krenari të rrallë. Pas rënies së diktaturës, babait i dhanë titullin "Martir i Demokracisë". Sot në qytetin tim një rrugë mban emrin e tij, kurse mamaja ka titullin "Mësuese e Popullit ". Nga fëmijëria dhe rinia e hershme kam vetëm kujtime të hidhura e të dhimbshme, kështu që më mirë mos t'i kujtojmë e flasim për to. E shkuara nuk më kondicionin për atë që jam, por është një pjesë, e cila më ndihmon për atë që do të jem.

Për ju sistemi komunist a kishte ndonjë fushë që duhet vlerësuar që meriton respekt?

Unë jam e persekutuar ju e dini. E thashë dhe më lart çfarë kam hequr, por di të them se ai system nuk kishte çdo gjë të zezë. Jam koshiente se dhe ai ka pasur disa gjëra, që duhen vlerësuar. Jo çdo gjë ishte e zezë. Për shembull femrat nuk trafikoheshin. Nuk kishte në rrugë vrasje, kërcitje automatiku apo diçka tjetër. Por mbi të gjitha në atë system vlerësoja, arsimin dhe shëndetësinë. Askush nuk të falte nëse vdiste dikush në spital. Askush. Arsimi ishte shumë i mirë ku të gjithë ne ishim të lidhur shumë me librin. Defektet dhe të metat i kam thënë mijëra herë. Sot që jam mbi 80—të dua të jem realiste. Nuk vidhte një ministër miliona, o zot ku i çojnë sot gjithë ato lekë që vjedhin?

Sa herë vini blini kaseta me këngë labe përse?

Unë jam lidhur shpirtërisht me Labërinë, por sidomos me gazetën Labëria, që ma nis ti. Me Labërinë më lidh patriotizmi, por mbi të gjitha kënga labe me atë fuqinë e saj. Qosja i madh ka thënë se “pa Labëri nuk ka Shqipëri”. Këngët labe ju kanë bërë përshtypje dhe shoqeve të mia italiane. Ulemi dhe i dëgjojmë së bashku.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora