Kulturë
Paulin Z. Zefi: Kisha Katolike mesjetare e Shën Mëhillit, në fshatin piktoresk, Grykë-Manati
E enjte, 18.07.2024, 07:54 PM
Kisha Katolike mesjetare e Shën Mëhillit, në fshatin piktoresk, Grykë-Manati, në Malësinë e Lezhës
Nga
Paulin Z. Zefi
Ky
objekt religjioz i kultit të krishterë qëndron në mënyrë mjaft impozante në një
pozicion mbizotërues sipër fshatit Grykë-Manati. Kisha është një ndërtim me
planimetri të thjeshtë njënefëshe, me një sipërfaqe prej 83 m²: 10.7 m gjatësi
x 7.6 m gjerësi. Është e vendosur në aksin verilindje - jugperëndim, në
përshtatje të plotë me formën e terrenit të masivit shkëmbor mbi të cilin ajo
është ngritur. Është e pajisur me absidë dhe aty pranë saj, gjurmët e altarit
janë të ruajtura deri në ditët e sotme. Kisha ka dy hyrje, ku hyrja e saj
kryesore, e ndërtuar me patura dhe arkadë të gurtë, gjendet në anën jugore dhe
hyrja tjetër në anën jugperëndimore. Kjo kishë nuk është e pajisur me dritare
të mëdha, por vetëm me 4 dritare të ngushta (nga dy në çdo anë) të punuara në
formën e frëngjive, të cilat ndodhen në muret gjatësore pranë pjesës së
altarit. Materiali i ndërtimit përbëhet kryesisht nga guri gëlqeror dhe shumë
më pak nga guri i shtufit. E gjithë dyshemeja e kishës është e shtruar me
pllaka të mëdha prej guri gëlqeror. Në pjesën e sipërme të frontonit ruhet në
një gjendje fizike të shkëlqyer struktura e këmbanares dhe po ashtu, në anën e
majtë të hyrjes kryesore, ngjitur me murin e kishës, ruhet ende platforma e
përdorur për tërheqjen e litarit, që shërbente për t’i rënë këmbanës. Gjatë
ekzistencës së saj kisha është rrënuar tre herë: dy herë nga turqit osmanë,
respektivisht në vitin 1478 e në fillim të shek. XVII dhe për të tretën herë
gjatë Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967. Po ashtu, ajo është rindërtuar
pjesërisht tre herë: në vitin 1629, në fillim të shek. XX dhe së fundmi para
një viti, ku disa banorë të nderuar vendas me aprovimin e Dioqezës së Lezhës
kanë ringritur në këmbë pjesën më të madhe të murit perëndimor, duke realizuar
një ndërhyrje shumë cilësore. Tashmë kishës i mungon vetëm çatia dhe me këtë
rast i bëj thirrje të gjithë komunitetit të mrekullueshëm, që jeton në këtë
zonë piktoreske, që ta çojnë punën e tyre deri në fund. Duke u mbështetur te
pozicioni i saj topografik dhe koncepti i saj arkitektonik, G.Hoxha, L.Përzhita
dhe F.Cavallini janë të mendimit se faza më e hershme e ndërtimit të këtij
objekti religjioz shkon në Mesjetën e Mesme. Kjo periudhë historike, e cila
njihet edhe si Mesjeta Klasike, Mesjeta e Lartë ose Mesjeta e Zhvilluar ka
zgjatur nga viti 1.000 dhe deri në vitin 1.300, pra bëhet fjalë për shek.
XI-XIII. Po ashtu, rezulton se deri në gjysmën e parë të shek. XVII, kjo kishë
kishte si pajtorë të saj vëllezërit "Shën Kozmai dhe Shën Damiani",
të cilët adhurohen si nga Kisha Katolike Romane dhe nga Kisha Ortodokse
Lindore. Ky është një argument më tepër, i cili përforcon mendimin se kisha
është ndërtuar pikërisht në fillim të shek. XI, përpara se të shpërthente
"Skizma e Madhe e vitit 1054." Siç ka ndodhur shpesh në vendin tonë,
ku banorët e rinj të ardhur nga zona të tjera, kanë ndryshuar emrat e kishave,
e njëjta dukuri shpjegon edhe kalimin e emrit nga "Kisha e Shën Kozmait
dhe Shën Damianit" në emrin aktual, "Kisha e Shën Mëhillit." Me
këtë emër është "pagëzuar" nga banorët e ardhur në Grykë-Manati nga
Kashnjeti dhe Ungrej, ku “Shën Mëhilli Kryeëngjëll" ka qenë Shenjtori i
adhuruar prej tyre tradicionalisht. Kisha e Shën Mëhillit është një objekt të
cilin e kam promovuar në Media, duke nisur që nga viti 2014, por mjerisht,
pavarësisht lobimit ajo nuk është shpallur ende Monument Kulture. Megjithatë,
ajo çfarë ka më shumë rëndësi, krahas ndërtimit të çatisë, është po ashtu,
rehabilitimi i plotë i oborrit, në të cilin del edhe një burim me ujë të
bollshëm.
Grykë-Manati: 10.07.2024