Kulturë
Viron Kona: Shpirti dhe zemra e bukur e pilotit, avokatit dhe poetit Delo Isufi
E diele, 14.07.2024, 07:53 PM
Shpirti
dhe zemra e bukur e pilotit, avokatit dhe poetit Delo Isufi
Miqësia
e ish-pilotëve shqiptarë ngjason me floririn, ajo nuk ndryshket asnjëherë
Shkruan
Viron KONA
Delo Isufi mbushi 80 vjeç. Lindi më
15 korrik të vitit 1944 në fshatin Brataj të Vlorës. Atje mori mësimet e para,
kurse në vitin 1962 filloi studimet e larta në Akademinë e Forcave Ushtarake
Ajrore, Vlorë, ku u diplomua pilot gjuajtës – bombardues.
Deloja shkëlqeu duke pilotuar për rreth 30 vjet aeroplanët luftarakë
reaktivë mbizanorë, duke përshkuar qiejt e Shqipërisë dhe duke
merituar gradën e lartë ushtarake “Kolonel”. Punoi edhe si instruktor, e
në vijim u emërua pedagog i Akademisë
për fluturimin, ku me pasionin dhe aftësitë e tij të veçanta përgatiti
dhjetëra pilotë të rinj. Gjatë kohës si pilot, si instruktor dhe si pedagog,
Deloja u shqua edhe për pasionin e tij për zotërimin e gjuhëve të huaja, duke përkthyer
literaturë shkencore për aftësimin e mëtejshëm të pilotëve me aeroplanët modernë
supersonikë. Një periudhë kohe ai u kualifikua edhe në Kinë.
Delo Isufi
Delo Isufi, Avokat i Shtetit Shqiptar
I etur për dije, Deloja vijoi studimet e larta edhe për Jurisprudencë dhe
në vitin 1972 u diplomua jurist, duke qenë kështu shembull i oficerit të
aviacionit luftarak shqiptar dhe një intelektual i pajisur me cilësi të larta
kulturore e profesionale. Si gjithnjë kërkues ndaj vetes, ai ka treguar se
energjitë e njeriut janë të jashtëzakonshme, kur ai i përkushtohet jetës,
zhvillimeve dhe dinamikave të kohës, ndaj me këtë përkushtim si avokat, ai
arriti deri Avokat i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit dhe Avokat i Shtetit
Shqiptar. Prej vitit 1992 e në vazhdim, Delo
Isufi punon me profesionin avokat.
Poezi që përmbajnë mall, ndjenja të bukura dhe përvojë
Ndërkaq, Delo Isufi zhvilloi prirjet dhe talentin e tij poetik, duke ndezur aftësitë e tij
krijuese, fillimisht duke botuar poezi të veçanta dhe më pas botoi disa vëllime
poetike të bukura e mbresëlënëse, të dalluara për thellësinë e mendimit, bukurinë
e ndjenjave dhe të vargut, për sinqeritetin,
figuracionin artistik dhe për mesazhet mbresëlënëse.
Deloja mes miqve të tij krijues
1. Me botuesin e Fjalës së lirë, Londër, z.
Fatmir Terziu
Poezitë e Delos janë realiste, të begatuara artistikisht me imagjinatën e
tij krijuese, kurdoherë të lidhura ngushtësisht me atdheun dhe me njerëzit e
punës e sakrificave, poezi të spërkatura me nektarin e jetës. Burimi i poezive
të Delos rrjedh i pastër nga përjetimet e tij të fëmijërisë në fshatin Brataj, nga krahina e Labërisë, nga qyteti i Vlorës,
nga shkolla emblemë e aviacionit shqiptar,
nga repartet ushtarake të aviacionit në Kuçovë e Rinas, ku ai kreu detyra të rëndësishme
ushtarake, por dhe formoi karakterin dhe personalitetin e tij si poet i
ndjenjave të bukura dhe të ngrohta, si një poet i lirisë dhe i atdhetarizmit. Vëllimet
e tij poetike vijuan varg njëri pas tjetrit, plot bukuri, freski dhe ngjyrime artistike: “Magjia e syve”(1998),
”Lulet e zemrës”(UEGEN,2003), ”Kur lahet hëna”(UEGEN,2006), ”Ëndërr e grisur”(UEGEN
2012), ”Tavolinë e rezervuar”(ADA 2016), ”Vajza e manaferrave”(ADA 2019), ”Eh,
kjo muza!”(ADA 2023), “Ndiej tek ikën”
(Novelë UEGEN 2008), “Mjegulla e bardh”-Poezi indiane, shqipërime, (ADA 2021), ”Hëna
loz me mua”, ADA 2023, “Katër poema”, (ADA 2023)....
Disa nga librat e botuar të Delo Isufit
Me poezitë dhe krijimet e tij më të
bukura, Delo Isufi është bërë pjesë e festivaleve poetike botërore, të
zhvilluara vitet e fundit në Indi, sikurse disa nga poezitë e tij janë
përfshirë në antologjitë poetike periodike, që botohen në Andha Pradesh të
Indisë dhe në qytetin Boras të Suedisë.
Deloja i thur himne poetike çasteve më pikante të jetës, portretizon në mënyrë
poetike tipa dhe karaktere origjinalë, që nga bariu dhe baresha, që nga heronjtë,
krijuesit dhe bijtë e shquar të popullit e deri tek akademikët e politikanët, ndërkohë që në këto poezi
rrezaton dukshëm kolori popullor, humori i shëndetshëm lab, toleranca dhe ëmbëlsia e vargut.
Ai shprehet se ndjenjat e sinqerta dashurore nuk shuhen asnjëherë, madje ato edhe në
moshë të tretë e ruajnë të zjarrtë prushin, edhe aty ai është ende i ndezur,
mjaft që të trazohet pakëz hiri dhe thëngjijtë flakërijnë.
Emira dhe Deloja Deloja me dy vajzat
e dhëndurët
Deloja i ka kushtuar disa poezi ish-bashkëshortes së tij, Emirës, e cila
fatkeqësisht u nda shpejt nga jeta, duke i krijuar atij një boshllëk të
pazëvendësueshëm, teksa i ka lënë dy vajza të dashura, që, me familjet e tyre,
i qëndrojnë pranë babait të tyre të mirë, të ditur, të guximshëm dhe të
talentuar. Ne që e njohin më nga afër pilotin, avokatin dhe poetin Delo Isufi
ndiejmë se poezitë e tij dashurore e marrin frymëzimin sidomos nga kujtimet e
çmuara dhe të paharruara për Emirën e tij të vyer, shpirti i bukur i së cilës
është i shkrirë në dashurinë e pashuar të poetit.
Bashkëpunimi i poetit Delo Isufi me poetë dhe poetesha
indiane
Krahas vlerave si poet, Delo Isufi njihet edhe si përkthyes letrar në disa
gjuhë të botës: anglisht, frëngjisht, rusisht… Një kulm i tij është përkthimi
në gjuhën angleze dhe shqipe i rreth 50 poeteshave dhe poetëve indianë, të
realizuar në librin e tij ”Mjegulla e
bardhë” (Botime ADA, Tiranë 2021), ku ai sjellë këtu në Shqipëri vlerat dhe
mesazhet poetike të krijuesve indianë, të këtij vendi të madh të botës, me
histori dhe pasuri ta jashtëzakonshme kulturore e shpirtërore.
Poeti Delo Isufi në një takim me poetë indianë, Indi 2017
Deloja ka qenë dy herë i ftuar në festivale poetike në Indi dhe të dy herët
prezantimi i tij ka qenë dinjitoz. Tashmë, ai ka krijuar një urë lidhëse dhe
bashkëpunimi mes krijuesve indianë dhe shqiptarë. Janë dhjetëra poetë dhe
poetesha indiane, që këmbejnë krijimtarinë e tyre poetike me poetin tonë,
bashkëbisedojnë dhe përcjellin mesazhe të ndërsjella mes tyre, sa letrare dhe
kulturore, aq edhe humane. Duket
se krijuesit indianë kanë dëshira të dukshme bashkëpunimi me krijues nga atdheu
i Shqiptares së Madhe me famë botërore, nobelistes së Paqes, Nënë (Shën)
Terezës, që prej tyre njihet zakonisht si Nënë Tereza e Kalkutës. Në Indi ajo
jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj..
Sakrificat dhe
vështirësitë i afrojnë më shumë njerëzit me njëri-tjetrin!
Më 6 korrik 2024, nën kujdesin e njërës prej bijave të Delo Isufit, Majlinda
Isufi Koçiaj, u mblodhën në një lokal në Tiranë, kolegë e miq të Delos, ish -
pilotë të aviacionit luftarakë dhe civilë, për të nderuar kolegun dhe shokun e
tyre të armës së aviacionit dhe të sakrificave me një certifikatë, ku vlerësohet
në 80-vjetorin e lindjes së tij puna dhe përkushtimi në forcat ajrore
shqiptare. Mes tyre ishte dhe kryetari i shoqatës së aviatorëve shqiptarë, gjeneral
Astrit Jaupi, si dhe mjaft nga ish-aviatorët me emra dhe vepra të shquara në
armën e aviacionit: Sybi Koçi, Bilal Sina, Nexhip Shena, Agim Matraku, Sokrat
Shore, Myzafer Zaho, Petrit Liçaj, Refail Bulgareci, Ramadan Anija, Kristaq
Burda; shokë të Delos: Xhelal Martini, Agim Haxhiaj, Ilir Goxheri, Viron Kona;
nipi i Delos, Astrit Koçaj etj.
Delo Isufi mes shokëve dhe miqve të tij
Fjala e bukur dhe plot mendim e mbajtur nga gjeneral Astriti, për arritjet
dhe vlerat profesionale, intelektuale dhe humane të Delos, ishte çelja e atij takimi-kokteji.
Gjithçka që u tha nga gjenerali, u pasua nga vlerësimet e sinqerta që bënë
thuajse të gjithë ish-aviatorët e pranishëm, me kujtimet, rrëfimet, batutat dhe
humorin e këndshëm. Ishte një takim mbresëlënës
që na çonte natyrshëm në kohën kur ata ish-pilotë,
atëherë të rinj, me uniformat e bukura ushtarake të aviatorit, nisnin fluturimet
e tyre nga aerodromet e Akërnisë,
të Pishë Poros, e më pas nga aerodromet
e Kuçovës, të Rinasit dhe të Gjadrit.
I përfytyroja ata ish-pilotë, kur ishin djem të rinj, energjikë dhe
atdhetarë, të shkolluar, të përgatitur, të kualifikuar dhe me shpirt sakrifice
dhe heroizmi. Sa shumë kujtime, episode,
ankthe, emocione dhe ja, tashmë të ulur
pranë e pranë, herë-herë të përhumbur në mendime, ata kujtojnë dhe përcjellin
mbresat e tyre tek më të rinjtë... Teksa i shoh sot në moshë të thyer, të
thinjur dhe aq miqësorë mes tyre, më shkon
mendja se janë punët e vështira dhe sakrificat që ata kanë kaluar e
përballuar së bashku, të cilat u kanë
dhënë më shumë besim mes tyre, i kanë lidhur ata edhe më ngushtësisht me njërit
– tjetrin. Miqësia e tyre ngjason me floririn, që asnjëherë nuk ndryshket. Ata
kryen detyrat e kohës në shërbim të atdheut, teksa disa prej tyre dhanë edhe
jetën në kryerjen e atyre detyrave, duke mbetur të pavdekshëm dhe të ndritshëm
në panteonin e nderit.
Buqetë vlerash dhe urimesh
Sot 80 vjeç, kolonel Delo Isufi, përfaqëson vlera të rralla ushtarake dhe të
avokatisë, sikurse dhe vlera të krijimtarisë së tij poetike, të dashur dhe të
kërkuar nga lexuesit. Jeta e Delos si pilot ka qenë përherë e ngjyer dhe e ndriçuar
nga drita e yjeve dhe e hënës gjatë fluturimeve natën, e ndriçuar nga rrezet e
diellit dhe ngjyrimet qiellore gjatë fluturimeve ditën, e mbrujtur kurdoherë me
dashurinë për familjen e tij të shenjtë. Deloja është vazhdimisht i ledhatuar e
i lumturuar nga vajzat, mbesat e nipërit, i përqafuar ngrohtësisht nga të
gjithë njerëzit e dashur, kolegët dhe miqtë e tij të shumtë anë e mbanë vendit
dhe globit.
Jetë sa më të gjatë, plot shëndet dhe begati, miku dhe poeti ynë Delo
Isufi!
Poezia jote, qoftë gjithnjë plotë dritë e nektar, plotë vlerë dhe bukuri,
siç është zemra dhe shpirti yt i bukur!