E marte, 23.07.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Muzikaliteti i poezisë

E hene, 08.07.2024, 07:55 PM


MUZIKALITETI I POEZISË

Nga Timo Mërkuri

Folëm për melodicitetin e poezisë “Letër kontinentale” të Natasha Lakos te shkrimi i mëparshëm, por ndërkohë na duhet flasim për muzikalitetin e saj, duke sqaruar paraprakisht se: Melodiciteti dhe muzikaliteti janë dy koncepte të lidhura ngushtë në poezi, por ato kanë nuanca të veçanta që i dallojnë nga njëri-tjetri.

I-Melodiciteti i referohet cilësisë së një poezie që krijon ndjenjë të qartë melodie përmes tingujve dhe ritmit të fjalëve, pasi melodiciteti është e lidhur me ritmin, rrjedhshmërinë dhe harmoninë e tingujve në vargjet e poezisë. Elementet kryesore të melodicitetit përfshijnë ritmin dhe kadencën, strukturën e rregullt të vargjeve dhe modelin ritmik që krijon një ndjenjë të harmonishme; përsëritjen, përdorimin e përsëritjes së tingujve, fjalëve, ose frazave për të krijuar një efekt vazhdimësie dhe uniteti; enjambmentin, vazhdimësinë e një mendimi nga një varg në tjetrin pa ndalesë gramatikore që krijon një rrjedhshmëri të natyrshme; dhe asonancën dhe aliteracionin, përsëritjen e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve të ngjashme për të krijuar harmoni të brendshme. Për shembull, në vargjet "Më vinte të këndoja, për aromat e dallgëve të mbetura larg, për pemët që nuk do ta shohin kurrë detin, prandaj janë të verbra", përdorimi i tingujve të përsëritur dhe struktura ritmike krijojnë një ndjenjë melodike.

Në anën tjetër, muzikaliteti është një koncept më i gjerë që përfshin cilësinë muzikore të një poezie në tërësi. Si i tillë,ai përfshin jo vetëm melodicitetin, por edhe elemente të tjera që kontribuojnë në efektin e përgjithshëm muzikor të poezisë, si:a)-tingujt onomatopeikë, përdorimin e fjalëve që imitojnë tingujt e natyrës ose objekteve; b)-intensitetin dhe dinamikën , ndryshimet në intensitetin dhe volumin e zërit që krijojnë një ndjenjë  drame dhe energjie; c)- ritmin dhe metrikën, strukturën ritmike të vargjeve dhe përsëritjen e tingujve në fund të vargjeve për të krijuar harmoni; ç)- pauzat dhe heshtjet, përdorimin e pauzave dhe heshtjeve për të krijuar tension, d)-gjuhën figurative, përdorimin e metaforave, simileve dhe figurave të tjera stilistike , dhe e)- toni emocional dhe intim i poezisë që shtojnë një dimension të ri në muzikali-tetin e poezisë. Për shembull, në vargun "për kambanën e rëndë qiellore që i binte vetë Madona, për shurdhërimin që kërkon shurdhërimin", përdorimi i tingujve dhe strukturës poetike krijon një efekt të fuqishëm muzikor që ndikon në ndjenjat dhe përvojën estetike të lexuesit.

Pra, ndërsa melodiciteti është një komponent i muzikalitetit që fokusohet në cilësinë melodike të tingujve dhe ritmit, muzikaliteti përfshin një sërë aspektesh që kontribuojnë në efektin muzikor të poezisë.

II-Le ti analizojmë këto elemente të muzikalitetit në poezinë "Letër Kontinentale" të Lakos, duke e shoqëruar me pasazhe vargjesh nga poezia:

1-Për të parë elementin e tingujve onomatopeikë, vrojtojmë vargun "për fëshfërimat e tyre mbretërore," ku fjala "fëshfërimat" imiton tingullin e gjetheve që lëvizin nën erën, duke sjellë ndjesi të gjallë të natyrës dhe krijuar efekt onomatopeik që pasuron muzikalitetin e poezisë.

2-Për të parë intensitetin dhe dinamikën vrojtojmë pasazhin poetik:

“Për hijet e poetëve, që qarkullojnë pika shiu, më vinte të këndoja,

për kambanën e rëndë qiellore që i binte vetë Madona,

për shurdhërimin që kërkon shurdhërimin.”

ku poetja përdor ndryshime në intensitetin dhe volumin e zërit për të krijuar një ndjesi drame dhe energjie, e cila ndihmon në përqendrimin e vëmendjes së lexue-sit dhe në forcimin e emocioneve të transmetuara nga poezia.

3)-Ritmi dhe kadenca është një element i muzikalitetit të poezisë dhe këtë e vërejme te pasazhi: “Atje ku ndieja si mbylleshin kapakët e tokës ngadalë, ngadalë,/më vinte të këndoja” ku shohim se poezia ka një ritëm të qetë dhe një kadenca të ngadalshme, që reflektohet në përdorimin e fjalëve dhe ndarjes së vargjeve në një mënyrë që lehtëson leximin dhe përforcon ndjenjën e harmonisë.

4)- Pauzat dhe heshtjet, si element të muzikalitetit i gjejmë te pasazhi: “Atje ku ndieja si mbylleshin kapakët e tokës ngadalë, ngadalë,/më vinte të këndoja” ku shohim se përdorimi i tyre ndihmon në krijimin e tensionit dhe thellësisë emocionale. Kjo stilistikë e përdorur në vargjet e fundit të poezisë rrit impaktin emocional dhe përmirëson muzikalitetin e përgjithshëm të poezisë.

5)- Gjuha figurative dhe imazhet poetike evokojnë ndjenja të thella emocionale, duke përforcuar melodicitetin e poezisë dhe e bën atë më të larmishme. Këtë e shohim te pasazhi:

Më vinte të këndoja për ca gra me një komçë në shaminë e tyre pa qafë

dhe qiellin e mbushur me copëra mermeri, alabastër, lajthi të vogla që pëshpëritin

acar”.

6)- Toni emocional dhe intim që përdor poetja nëpërmjet zërit të saj poetik ndihmon në përcjelljen e një melodie të brendshme dhe në forcimin e lidhjes emocionale me lexuesin. Kjo është e dikëshme te pasazhi:

Miq, kemi qenë shokë dhe pastaj kemi ikur në njerëz

dhe nuk flasim për ato që thuhen në shtëpinë tonë pa dhé,

më vinte të këndoja.

7)- Elementi tipik i përsëritjes që përdor veçanërisht te kjo poezi Lako me vargun: “Më vinte të këndoja” luan më së shumti dhe rolin e refrenit, pavarësisht se shpesh përdoret në nisje të strofave. Arti oral na ka dëshmuar se edhe vargu i parë i strofës e kryen funksionin e një refreni, veçse kërkon një mjeshtëri të epërme.

Këto elemente të muzikalitetit të poezisë (jo vetëm) "Letër Kontinentale" të Lako-s shtojnë një dimension të pasur në perceptimin e saj dhe në ndërthurje mes tyre e bëjnë këtë poezi një përvojë e paharrueshme, që shpalos nëpërmjet një melodie të ndjeshme bukurinë poetike..

III- Elementet e muzikalitetit në poezinë "Letër Kontinentale" të Natasha Lakos, të analizuara më sipër kanë një ndikim të dukshëm në një kompozim muzikor të bazuar në poezinë e saj, të cilët mund të gjejnë frymëzim në këto elemente poetikë për të krijuar një muzikë që reflekton dhe përcjell emocionet e poezisë, psh.: Ritmi dhe struktura ritmike e poezisë mund të përdoren si baza për të vendosur tempo dhe stilin e një kompozimi muzikor. Melodia e vargjeve dhe përsëritja e frazave, siç është rasti me frazën "më vinte të këndoja", mund të konceptualizohen si refrene që ndërtojnë një strukturë muzikore me tematikë të përbashkët melodike. Gjuha figurative dhe imazhet poetike si "qielli i mbushur me copëra mermeri, alabastër, lajthi të vogla" ofrojnë inspirim për të përcjellur përmes muzikës pamjet dhe emocionet që poetja shfaq. Po ashtu kompozitorët mund të përdorin këto imazhe për të zgjedhur instrumentin e duhur, akordet dhe harmonitë që shpalosin thellësinë dhe ngjyrat e krijuara nga poezia. Toni emocional dhe intimiteti i transmetuar nga poezia ndihmojnë në krijimin e atmosferës dhe ndjesisë së muzikës. Për kompozi-torët, kjo mund të përfshijë zgjedhjen e strukturave harmonike, modulacioneve dhe dinamikës që përcjellin thellësinë emocionale të poezisë etj, që ata i shohim dhe i njohin më qartë e më mirë se ne. Për ne ka rëndësi fakti që poezia e Natasha Lakos veç melodicitetit  ka dhe një muzikalitet  që ofronë një bazë të pasur dhe të frytshme për kompozitorët që duan të shfrytëzojnë poezinë në një përvojë auditive të muzikës. Ky proces mund të sjellë një lidhje mes fjalës dhe tingullit, duke përcjellë dhe përforcuar ndjenjat dhe mesazhet që autori ka për të shprehur. Por sigurisht që në këtë drejtim ne vetëm mund të vemë në dukje elementët muzikorë të tekstit poetik, të cilën nuk ka munguar ta vejë në dukje dhe kritika angleze kohët e fundit, duke tërhequr vëmëndjen e  mjeshtrave të kompozimit drejt poezisë së saj.

IV-Fragmentimi i vargjeve në poezinë e Natasha Lakos sigurisht që ndikon edhe në muzikalitetin e poezisë në mënyra të ndryshme. Le të shqyrtojmë konkretisht këtë dukuri të kontributimit të fragmentimit në muzikalitetin e poezisë duke u përqëndruar në pasazhet konkrete dhe në elementet që e përcaktojnë atë:

-Kështu, fragmentimi krijon një ritëm dhe një fluks të veçantë në poezi. Ndërprerjet dhe ndarjet midis frazave dhe segmenteve të ndryshme sjellin një lloj pulsacioni që ndihmon lexuesin të ndjehet pjesë e një rrjete të shkallëzuar kuptimore. Fjala "pulsacioni" nënkupton një ritëm të përsëritur apo lëvizje të rregullt, të ngjashme me rrahjet e zemrës. Për shembull, në vargun "Më vinte të këndoja, për aromat e dallgëve të mbetura larg", fragmentimi krijon një ndarje të qartë midis kujtimit të aromave dhe dallgëve, duke i dhënë lexuesit një ndjesi të lëvizjes së butë dhe të ndarjes së ngjarjeve.

-Fragmentimi përdor pauza dhe heshtje për të theksuar disa pjesë të poezisë, duke krijuar tension dhe thellësi emocionale. Për shembull te vargjet:

"Më vinte të këndoja, këtu shitet kripë, jo oqean,"

"le t’i shpallim algat përmendore."

pauzat ndërmjet frazave krijojnë një ndjenjë pritjeje dhe reflektimi, duke i dhënë një efekt të veçantë muzikor poezisë.

-Është i dukshëm fakti që fragmentimi i vargjeve shoqërohet me përdorimin e gjuhës figurative, si metaforat dhe similet, që shtojnë një dimension të ri në muzikalitetin e poezisë. Psh. te vargjet:"për shurdhërimin që kërkon shurdhërimin." përdorimi i kësaj metafore të dyfishtë krijon një përsëritje ritmike dhe një ndjenjë izolimi, duke shtuar në kompleksitetin muzikor të poezisë.

-Edhe pse nuk është shumë e theksuar, fragmentimi mund të përdorë tingujt onomatopeikë për të shtuar një efekt muzikor në poezi. Psh. te vargu:"Më vinte të këndoja, për aromat e dallgëve të mbetura larg," këtu, fjala "dallgëve" evokon një tingull të butë dhe lëvizës që kontribuon në muzikalitetin e përgjithshëm të poezisë.

Në vargun "Për pemët që nuk do ta shohin kurrë detin, prandaj janë të verbra,", kemi një ndarje midis dy pjesëve të vargut që krijon një kontrast të fuqishëm, ku:

Pjesa e vargut:"Për pemët që nuk do ta shohin kurrë detin,": na jep një imazh të pemëve që janë të kufizuara në mundësinë e tyre për të parë detin, duke krijuar një ndjenjë mbylljeje (të hapësirave) dhe kufizimi (të shikimit).

Ndërsa pjesa e vargut:"prandaj janë të verbra," thekson pasojën e këtij kufizimi, ku përdorimi i fjalës "të verbra" e bën kontrastin më të qartë dhe më dramatik.

Pra,fragmentimi krijon një pauzë mes këtyre dy pjesëve, duke theksuar dallimin midis tyre dhe duke shtuar një ritëm të copëtuar që thellon kontrastin. Kjo pauzë i jep lexuesit kohë për të reflektuar mbi kuptimin e secilës pjesë dhe për të ndjerë emocionet e krijuara nga kontrasti.

-Fragmentimi krijon një kontrast akustik duke ndryshuar ritmin dhe intonacionin e vargut. Pauzat dhe ndërprerjet krijojnë një efekt ndryshimi në mënyrën se si lexuesi e përjeton poezinë akustikisht. Për shembull, pauza mes pjesëve të vargut "Për pemët që nuk do ta shohin kurrë detin, prandaj janë të verbra," krijon një efekt të qartë të ndarjes dhe thellimit të kontrastit. Në këtë varg fragmentimi krijon një pauzë midis dy pjesëve të vargut, duke theksuar kontrastin midis pemëve dhe detit dhe pikërisht  kjo pauzë krijon një ndryshim ritmik dhe akustik që ndikon në muzikalitetin e poezisë duke e bërë atë më dramatike dhe emocionale.

-Në vargun "Për hijet e poetëve, që qarkullojnë pika shiu"fragmentimi ndan metaforën në dy pjesë, duke theksuar si "hijet e poetëve" dhe "qarkullojnë pika shiu", ndarje që ndikon në muzikalitetin e poezisë duke krijuar efekte auditive të veçanta dhe përforcuar lidhjet metaforike. Kjo bën që poezia të përjetohet në mënyrë më të pasur dhe më të thellë muzikalisht dhe emocionalisht.

Mund të analizojmë të gjitha vargjet në këtë aspekt dhe të shohim se si fragmenti-mi ndikon në muzikalitetin e poezisë duke ndryshuar ritmin dhe intonacionin, duke krijuar efekte auditive të veçanta dhe përforcuar lidhjet metaforike në thelb duke bërë që poezia të përjetohet në mënyrë më të pasur dhe më të thellë muzikalisht dhe emocionalisht. Ky ndikim i fragmentimit është i dukshëm te poezia e Lako-s me përjashtim të atyre rasteve ku fragmentimi i dukshëm ndjek parimin e ajsbergut, pra nuk kemi fragmentim me ndryshim kuptimshmërie dhe figuracioni por kemi dy maja të një ajsbergu që duken mbi sipërfaqen e ujit në një kohë që kanë bazë të përbashkët pjesën e ajsbergut nën ujë.Kjo është një dukuri për të cilën do flasim herë tjetër.

Sarandë, qershor 2024



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora