Kulturë
Dorian Koçi: Për Petrit Rukën, bardin e vendlindjes
E diele, 07.07.2024, 07:49 PM
Për Petrit Rukën, bardin e vendlindjes
Nga
Dorian Koçi
Poeti
Petrit Ruka (21.08.1954 – 06.07.2024) mbush
sot 3 vjet që u nda nga ne. Nuk është një vit jubilar, por përvjetorët e ikjes
në amëshim të Petjes sonë të dashur janë përvjetore që përherë do. shënojnë jo vetëm kujtimin e
tij por edhe rrugëtimin e lirikës dhe
poezisë shqiptare, kontruktuimin e botës shpirtërore të shqitarëve.
Poeti
Petrit Ruka , si bard mitik përmes artit
të tij poetik përcolli smeraldet shpirtërore të metrikës së shpirtit shqiptar,
dilemat, mëdyshjet, dashuritë, dhimbjet, harresën, ikjen, mallin, të bukurën. I
lindur në një trevë ku poezia popullore baret dhe plazmon çdo ngjarje, ai
krijoi një panteon poetik ku ringjalli motivet e vjetra eoaliane( të erës),
luginës së Vjosës, hënës së vendlindjes të
gjithëvlefshëm dhe të denjë për çdo lloj antologjie botërore poetike.
Poezitë e tij "Letër Babait"
dhe "Varrimet e Naim Frashërit"
ngërthejnë çdo ndjenjë njerëzore duke përshkruar traditën dhe modernen,
mallin dhe dashurinë, atdhedashurinë dhe pikëllimin, një matricë njerëzore
ndjenjash që vetëm Petja jonë i dashur
mund ti bënte bashkë dhe ti përcillte në vargje. Njeri i qetë që
lundronte përherë në artin e tij poetik njohës i shkëlqyer i mentalitetit të
shqiptarit të zakonshëm intelektual i
angazhuar përherë ndaj së bukurës ai i përngjet përherë një Bardi modern që
qëmtonte të bukurën për ta kthyer në art. Alkimia e tij ishte shpirtërorja dhe
mirësia, virtute që i gjen shumë rallë në kohën e sotme.
Vepra
e tij poetike është qielli i paanë i Kashtës së Kumtrit ku të
gjithë ata që dëshirojnë të dehen poetikisht mund të gjejnë motive , metafora
dhe simbole, pa fund po aq sa dhe
lëvruesit e shqipes mund të gjejnë në të , forma dhe stil të pashoq vargëzimi
të gjuhës sonë. Për këtë arsye, botimi i
veprës së plotë poetike të tij do të ishte një monument i gjallë i gjuhës dhe
kulturës sonë. I Tepelenti ( mbiemër i krijuar nga vetë poeti sa herëi
drejtohej miqve të tij të dashur nga vendlindja) Petrit Ruka do të mbetet
përherë fenomen poetik që si heronjtë e
baladave shqiptare ringjallet çdo përvjetor për të mbajtur fjalën e vet:
Adhurimin ndaj së bukurës, vargëzimin e mrekullueshëm dhe mirësinë.