Kulturë
Ndue Dedaj: Burri me veshë
E diele, 30.06.2024, 07:52 PM
BURRI
ME VESHË
Tregim
NGA
NDUE DEDAJ
Ai
njeri i vetmuar ngjante si një statujë në parkun qendror të qytetit. Rrallë e
lëvizte kokën, si t’i peshonte mbi supe trefishin e asaj që ishte. Thinjat i
kishin mbuluar veshët, por nuk ishte aq i moshuar sa dukej. Njerëzit që kalonin
atypari ndaleshin një çast dhe nuk ia ndanin sytë, a thua se në portrertin e tij
kishte diçka enigmatike. Por jo, sytë e tij nuk thoshin asgjë. E çfarë mund t’i
shohësh një njeriu, nëse nuk i sheh sytë! Vetullat? Hundën? Mjekrën? Të ishte
ndonjë mis, mbase do t’i shiheshin linjat. Të ishte ndonjë mundës, do t’i
shiheshin muskujt. Kurse ai qe si një qenie e ngurtësuar mes gjelbërimit.
Mbante një libër të bëshëm në duar, që e rrotullonte ashtu kot, si duket zakoni
i tespieve paradokohe. Nuk është se nuk i kishin bërë përshtypje ato shikimet
ngultas të njerëzve, sa erdhi një çast e nuk iu durua më, por nisi t’iu
hakërrehej:
“Ore,
mos jeni çmendur gjë, që shihni ashtu?”
“Çmendur,
ne?”
“Ju,
e kush tjetër?”
Ata
e këqyrnin dhe më me ngulm, pikëzuar në dy anët e fytyrës. Nuk kishte dyshim që
e shihnin nga veshët. Po çfarë mund të kishin veshët për t’u parë! Nëse kishte
një si atavizëm në kokën e njeriut, ata ishin veshët, me ato llapat si
kërpurdha. Nëse për sytë kishte qindra vargje dashurie, për veshët kishte veçse
batuda gazmore, si veshgjatë për gomarin, i curron veshët si lepuri, ndërsa mua
më pëlqente fort fjala veshtak. Nejse, nuk ishte punë gjuhe kjo. Burri i botës
ishte fantaksur.
Kaloi
një doktor dhe njëri nga ata soditësit, iu drejtua:
“Këqyre,
doktor, këtij njeriu i janë rritur veshët! A mund t’i bëni derman?”
Doktori
pa me vërejtje, por nuk dalloi ndonjë gjë. Tjetri këmbënguli:
“Ta
them unë, veshët e tij janë rritur dy gisht vetëm javën e fundit, deri në darkë
bëhen tre gisht!...”
Kjo
tërhoqi një turmë kureshtarësh, që gjer atë çast kishin qenë indiferentë.
Njeriut i dukeshin veshët dhe pa u rritur aspak, jo më po të rriteshin, jo me
milimetra, por me gisht!?...
Burri
veshërritur nuk po kuptonte asgjë. Ç’ishin ata njerëz? Ç’donin aty, rreth tij?
Ai tashmë i kishte tejkaluar ata! Ai këndej vahut, ata matanë duke pritur
kohën. Kështu mendonte. Doktori u largua duke thënë se ai njeri nuk ishte
ndonjë i sëmurë, rritja e vëshëve, nëse ndodhte, nuk ishte diçka patologjike.
Nuk e përmbante asnjë literaturë. Nuk ishte as në Gines... Më kureshtarët
vendosën të rrinin aty nëpër stolat dhe gëmushat e parkut deri në darkë, të
shihnin nëse më të vërtetë veshët e atij burrit do të rriteshin dhe një gisht
atë pasdite? Se vajmedet, ashtu nuk do të ndaleshin pa u bërë tri pëllëmbë, në
pak kohë! Po a duroheshin tri pëllëmbë vesh në të majtë e tri në të djathtë?
Nuk ta rrokte mendja, sado vesh-llapush të ishte njeriu!...
“Mos
jeni gjë dijës? Nga e dini ju se veshët e tij do të rriten në progresion
gjeometrik?...”
“Ah,
jo, jam thjeshtë një so-ditës si ju, por ju ende nuk jeni përqendruar te veshët
e tij. Po të përqendroheni sadopak, do të vëreni se dy llapat e veshëve, që ia
kanë mbuluar pjesërisht flokët, era i lëviz si gjethe fiku.
Njerëzit
në park zunë të shtoheshin, sikur do të ndodhte ndonjë mrekulli. Me siguri që
lajmëronin njëri-tjetrin. Nisen të viheshin edhe kamera, në pritje të
sensasionit. Një njeri me tre gisht veshë më shumë se të tjerët, në një kohë aq
të shkurtër, ishte ta shkundje tik-tok-un nga Tirana në Tokio.
Po
sikur ai burri të luante nga vendi e të ikte? Doli garant lulishtari i parkut,
veshur me bluzë të blertë, se ai aty e ngryste çdo ditë.
Veç
kur u pa këshilltari i Presidentit me një dekoratë të lartë, që erdhi e ia
ngjiti në gjoks burrit, që, si duket nga emocioni, veshët iu bënë spec i kuq.
Aq shpejt ngjau ai dekorim, sa kamerat ishin krejt të pavëmendshme, si të
përgjumura dhe nuk filmuan asgjë. Por, gjithsesi, u bënë nja dy-tre shkrepje
amatore, kështu që çasti solemn u fiksua në celuloid.
Njeriu
gjysmë statujë befas u gjallërua. Duket se mezi e kishte pritur atë çast.
“More,
kemi kaq orë këtu, duke pritur... dhe nuk pyetëm se kush është ky njeri?” –
pyeti një djalosh esmer.
“Aha!
Me gjasë, Politikan i rënë nga vakti, kështu bëjnë me disa kokoroça si ky, i
dekorojnë që të mos iu përzihen nëpër këmbë”, foli si kompetent njëri nga të
pranishmit.
“Mundet
që është Deputet, duket që e kanë përjashtuar nga grupi parlamentar, duke e
lënë si peshkun pa ujë!” u hodh një tjetër.
“Jo,
ky është Shkrimtar që i ka rënë dielli në kokë dhe pikë!”
“Historian,
ndoshta? Nuk ia shihni se ç’çantë ka? E zë krejt Mesjetën aty!...”
“Për
zotin, asht Filozof! Apo si u thonë këtyre që flasin tash e parë në
televizion?…”
“Bëj
be që ky është Oligark, o i atyre “Gjirafave” të nalta të Tironës, o i plehra
-përpunuesve, o i HEC-eve grabitqarë në male...
“Ore,
që ky është një Gjësend nuk ka diskutim, po se çfarë është fiks nuk e dimë!” -
tha dikush andej nga cepi.
Kaloi
sërish doktori me bluzën e bardhë, njërën mëngë veshur, tjetrën zhveshur.
“A
ju thashë se ky tipi nuk është për doktor? Kurse ju ngulnit këmbë, a thua se po
i binte të fiktë nga veshët”.
Aty
në të errur u dha kryetari i Bashkisë me “çelësin e qytetit” në dorë sa një
drapër, që ia vari në qafë zotërisë gjithë përulësi dhe pasi e përqafoi ngrykaz
u largua. Së afërmi ishin votimet e babushi i parkut kishte farefis të gjërë
atje në katundishtën e tij nga e kishte origjinën…
Merrej
me mend që kishin të bënin me një njeri të rëndësishëm, por se cili na ishte ky
xhentelmen, askush nuk i jepte dum?
“Nuk
ju falet, a thua se ky është ndonjë jashtëtokësor?” - u dëgjua zëri i mprehtë i
një gruaje, që siç u mor vesh më pas, ishte kryetarja e shoqatës së VIP-ave për
atë rajon.
“Si
ta gjejmë, nuk e ka të shkruar në ballë emrin!” – iu përgjigjen asaj.
Dhe
gruaja u nis ta pyeste vetë drejpërdrejt. Ishte njeri dhe jo mumje, do të
fliste se s’bën. Nuk u besoi syve kur pa se libri që ai mbante në dorë kishte
në kopertinë fotografinë e atij vetë dhe mbi të shkruhej “Don Katrapuzi” -
libri i bëmave të jetës - vëllimi i dytë (çfarë ka thënë ai për veten dhe çfarë
kanë thënë të tjerët për të)”. Prandaj atë libër nuk e lëshonte nga dora. Si të
mbante shpirtin e tij mes gishash duke e përkëdhelur. Gruaja vuri re se në
stolin e drunjtë bri tij ishte një çantë meshini me grykën gjysmë hapur, ku
sytë i zunë një tjetër libër të vëllimshëm, që kishte të njëjtat gjëra në
kopërtinë, fotografinë e tij, titullin me germa kapitale që ishte emri, me të
vetmin ndryshim se aty shkruhej: vëllimi i parë (jeta dhe vepra). Deshi ta
shfletonte, të merrte sadopak vesh se cili ishte ai, por burri i vuri dorën
sipër dorës së saj, duke i thënë “Prit, ka punë puna!”
“A
je ti një VIP?” nuk iu ndejt asaj.
“Paske
shumë fjalë! Apo ju të shoqatave kështu jeni të gjithë? Ngaqë nuk keni gjë
tjetër në torbë, keni vetëm fjalë!” - i tha ai.
Gruaja,
si për të treguar se nuk kishte vetëm fjalë, por dhe sajdi, nxori nga çanta e
saj rozë një fletë të trashë kartoni me lulka ku shkruhej “Mirënjohje VIP” dhe
iu drejtua atij:
“Të
pyeta për emrin, që ta shkruaja këtu! Me siguri që jeni një VIP?” - tha ajo.
Ai
nuk foli, por vetëm nënqeshi, hajde e merre vesh pse - në. Ndërkohë që turma
nuk ua ndante sytë veshëve të tij, pasi po afronte koha t’ia masnin, nëse i
ishin rritur dhe një gisht…
Sakaq,
në anë të rrugës, u ndalua një veturë pa ngjyrë, prej së cilës doli një krijesë
gjithashtu pa ngjyrë, që mbante në dorë një qese celefoni. Nuk u kuptua ishte
femër apo mashkull ai që zbriti, shkoi pranë burrit me veshët ngritur dhe i
zgjati gjënë e rëndë që ishte brenda asaj mbështjellësje xixëlluese. VIP-i i
tha gruas së shoqatës që ta hapte. Ishte vëllimi i tretë i bëmave të tij (album
fotografik - pesëqind faqe).
Nga
ngazëllimi që ndjeu, VIP-it iu morën mendtë. Askush nuk e shihte më nga veshët,
përpos njërit që i ishte afruar në frymë e që ishte so-ditësi.
“E
sheh, doktor, që fole para kohë, kur the se ky nuk ka nevojë për doktor?”
“Të
vërtetën thashë, nuk e ka asnjë literaturë, as Gines-i, shihni kur t’i
kalojë!...”
Burri
provoi ta fuste librin e sapoardhur në çantë, bashkë me atë tjetrin që deri atë
çast s’e kishte hequr nga dora, por kur pa se çanta nuk i zinte tre librat, i
kërkoi lulishtarit një thes, që ai e mbante për të mledhur gjethet e vjeshtës
dhe i rrasi aty librat.
Me
biografinë e tij stivosur në thes u nis për në shtëpi, ku e prisnin djemtë e
vajzat, nipat dhe mbesat, që nuk ia kishin idenë se çfarë shkruhej në ato tri
libra të “shenjtë”. Këta të fundit, adoleshentë të shkujdesur me ajfona në
duar, gjyshin e tyre e kishin si të moskushit, yll bote, ç’e donin ata një gjysh
“tjetër”, mbërthyer ashtu nëpër fletë të trasha, si të kishte veshur një kostum
që i rrinte keq!...
“Ore,
si na iku ashtu, ne s’e morëm vesh se kush qe, vetëm një emër në tri kopertina
pamë, asgjë më shumë!”
“Ishte
ai, pra, politikani, që e dekoruan për me e nxjerrë në pension politik!…”
“O,
jo, deputeti i përjashtuar! Ju kujtohet ai kllouni me frak?”
“S’e
luan topi, është shkrimtar i vetëshpallur dhe pikë, shkruan gjithë ditën
bejte...”
“Nëse
është fjala për historian, dakord, me të dyja duart!”
“Që
është filozof, nuk ka medyshje, nuk e patë sa i menduar ishte gjatë gjithë
kohës!”
“Thoni
ç’të doni, ama nuk përjashtohet mundësia të jetë oligark!...
“E
sigurtë është një gjë, që ai ishte VIP”, deshi t’i vinte kapak gruaja e
shoqatës, me një frikë të brendshme se po binte në dashuri pas aq shumë
kohësh!...
Doktori
nuk foli, por u nis të merrte turnin e tretë, pa filluar ende shiu që po i
setullonte retë andej-këndej, që nëse e zinte zotërinë pa shkuar në shtëpi, do
t’ia bënte librat bersi në thes. I erdhi të qeshte: “Deri ku mund të shkonte
ashtu ai njeri, në qiellin e tij të shtatë, apo në vetminë e pashmangshme?”
Kurse
so-ditësi i ishte vënë nga mbrapa, jo për ta ndihmuar me thesin, por për ta
parë nga afër, nëse i ishin rritur veshët një gisht? Bastin tashmë nuk e kishte
vetëm me veten, por me të gjithë ata njerëz, që nuk do të lëviznin nga parku,
për gjithë natën, pa ardhur përgjigja e tij.
Por
nuk vonoi e rrebeshi sa nuk e përmbyti parkun, si një ëndërr të keqe.