Kulturë
Anton Marku: Figura shumëdimensionale e Akademik Gazmend Zajmit
E premte, 05.07.2024, 07:53 PM
Figura shumëdimensionale e Akademik Gazmend Zajmit
Vështrim
për monografinë për Gazmend Zajmin
Nga
Anton Marku, Vjenë
Monografia
‘‘Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën’’ me autor gazetarin dhe publicistin e
shquar Nuhi Bytyqi është vazhdimësi e kujtimit të figurave të mëdha të kombit,
të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në etapat më intensive të zhvillimit të
tij. Është ky një botim voluminoz dhe serioz, i cili dëshmon për përkushtimin e
autorit për të pasqyruar me sa më shumë besnikëri të gjitha fazat e jetës dhe
veprimtarisë së Rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe Kryetarit të
Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, tashmë të ndjerit profesor dhe
Akademik Gazmend Zajmit.
Në
aspektin kombëtar jeta e tij si studentë e më pas edhe profesor dhe Akademik do
të brumoset me atdhedashurinë dhe patriotizmin e axhës së tij, ushtarakut Tahir
Zajmi, njeri nder themeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe nacionalizmin
dhe antifashizmin e dajës së tij, ish funksionarit të lartë të Kosovës, Xhavit
Nimanit.
Për
të kuptuar më mirë rezistencën e shqiptarëve të Kosovës, sidomos atë lëvizje
progresiste, të udhëhequr nga një grup intelektualësh më në zë të kombit,
sidomos asaj bërthame të angazhuar në Universitetin e Prishtinës dhe atë që nga
themelimi i tij, duhet kthyer në retrospektivë dhe njohur me konfliktin
njëqindvjeçar shqiptaro-serb e sidomos me zhvillimet politike, shoqërore dhe
ekonomike në çerekun e fundit të shekullit të kaluar, e të cilat i kanë
paraprirë kësaj rezistence, e cila që në thelb ishte sa mbarëpopullore po aq
edhe qytetare dhe shumëdimensionale. Ajo bazohej në veprime ilegale, protestë
jo të zëshme dhe të hapur, padëgjueshmërinë individuale dhe kolektive si dhe
fuqizim të institucioneve dhe strukturave ekzistuese në raport me regjimin
shtetëror serbo-jugosllav.
Në
vitet e 60ta dhe të 70ta të shekullit 20. Kosova përjetoi një emancipim të
hovshëm, sidomos shoqëror dhe kulturor edhe pse ekonomikisht vazhdonte të
mbeste prapa rajoneve të tjera në ish-federatën jugosllave. Në këtë periudhë
nisën të intensifikohen komunikimi dhe bashkëpunimi me Shqipërinë, të cilat
deri atëherë kishin qenë shumë të kufizuara. Kjo hapje ngriti vetëdijen
kombëtare të shqiptarëve të Kosovës duke i bërë ata që të mendojnë se si të
ngritin statusin e tyre juridik në shtetin e përbashkët fillimisht nga niveli i
krahinës në atë të republikës. Këto kërkesa u bënë publike në demonstratat e
studentëve të marsit dhe prillit të vitit 1981, një vit pas vdekjes së Titos.
Këtyre protestave ju bashkëngjitën edhe shtresat tjera të shoqërisë, ndërsa u
mbështetën edhe nga një pjesë e funksionarëve të lartë të Kosovës së asaj kohe.
Edhe pse këto protesta u shtypën me dhunë ato ishin sinjali i parë i rënies dhe
shpërbërjes së shtetit artificial e shumëkombësh të quajtur Jugosllavi.
Para
viteve te 90-ta çështja apo problemi e Kosovës ishte shumë pak i njohur në
botë. Me themelimin e partive te para politike nisi internacionalizimi i
çështjes së Kosovës. Në fazën e parë bota filloi t’i dëgjonte kërkesat e
shqiptarëve të Kosovës, në fazën e dytë t’i kuptonte ato dhe fazën e tretë të
kishte mirëkuptim për to dhe t’i mbështeste.
Në
fillim të viteve të 90-ta shpërthen lufta në Slloveni, Kroaci dhe më pas në
Bosnjë e Hercegovinë. Organizohen shume konferenca ndërkombëtare në tentativë
që të arrihet një zgjidhje paqësore por nuk arrihet te shmanget konflikti i
përgjakshëm i cili me pas do te prek edhe Kosovën.
Orientimi
politik i Akademik Gazmend Zajmit ishte ishte perëndimi dhe qytetërimi
perëndimor. Ai ishte i njohur me vlerat e tij qëkur ishte student. Lëvizja
progresiste e Kosovës, sidomos ajo e viteve të 70-ta deri në vitet e 90-ta
është e lidhur ngushtë me emrin e Akademik Gazmend Zajmit. Ai shënoi një epokë
të tërë. Historia më e re e Kosovës nuk mund të shkruhet pa të. Ai do të mbahet
mend gjatë, sidomos për modelin autentik intelektual që krijoi.
Edhe
pse Akademik Gazmend Zajmi ishte orator i shkëlqyer, ai më shumë preferonte të
shkruante sesa të fliste. Argumentimet dhe analizat në nivel akademik,
jurisprudenca dhe Filozofia ishin dashuria dhe pasioni i tij më i madh. Dhe ai
i bëri këto në mënyrë shumë të mirë. Si askush tjetër më parë. Në dashuritë tjera
të tij bëjnë pjesë edhe letërsia dhe muzika të cilat ai i kultivoi me pasion të
pashoq, duke qenë, ndër të tjera, edhe autor i tekstit të këngës së dashur nga
të gjitha gjeneratat, asaj me titull ‘‘Martesa’’ të interpretuar bukur sidomos
nga Ismet Bogujevci.
Në
fund, duhet falënderuar dhe shprehur mirënjohje autorit të kësaj monografie
Nuhi Bytyqit për përkushtimin dhe punën kolosale që ka bërë në ndriçimin e
figurës sa të thjeshtë e po aq komplekse të njërit ndër emrat më të mëdhenj të
kombit, Akademik Gazmend Zajmit.
Autori është kryetar i
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’