Kulturë
Tahir Bezhani: Pendim i vonuar
E merkure, 10.07.2024, 07:47 PM
PENDIM
I VONUAR.....
-Tregim-
NGA
TAHIR BEZHANI
Ishte
dite e diel, ditë vikendi. Dielli e kishte
përqafuar hapësirën tokësore kudo me rrezet e veta pranverore. Gjelbërimi
i natyrës i kishte dhënë pamjen magjepsese gjithë atij qyteti. Bardh Shkreta, gjysmë
i përgjumur, hapi dritaren e dhomës së fjetjes dhe shikoi gjithandej bukuritë e atyre kodrave të gjelbëruara.
Nguli sytë në një katarakt uji, i cili shushurinte bukur gjatë rënies në
shtratin e atij lumi të qetë, buzë qytetit piktoresk.
Pastaj
u ndal në mendime rasti, ” kushedi se ku tretet ai lumë i qetë dhe çfarë bart në brendinë
e tij...!”
Ktheu
prapa, vështroi dhomën, ishte i vetëm.
Trupi i lodhur nga mundimet e përditshme, kërkonte prapë pushim në shtratin e
gjumit, ishte i dërmuar nga puna javore, mujore, e afër dyzet viteve...
Instinktivisht
u shtri sërish n ‘atë krevat të natës,
por nuk e zinte gjumi. Do kujtime iu mbështjellën kokës si një tym kur donte
t’i dilte flaka, kujtime të kamotshme që e përcillnin gjithë jetën.Dhe filluan
t’i lëvizin mendimet si ai uji i atij lumit ku derdhej shushurima e katarakteve
bjeshkore.
-Eh!
Sa shpejtë ikën vitet, shumë shpejtë, tok me jetën, mendoi Bardh Shkreta.Ishte
natë kur dola nga shtëpia dhe nuk iu lajmërova askujt, bile nuk përqafova babë as nanë. Mora edhe Shpresën, bashkëshorten, pa njoftuar askënd.
Një letër e lashë të shkruar si njoftim ,në kapakun e maxhës, nuk doja as t’i
bezdis, por as të dinë qëllimet e ikjes sime tek të tjerë familjarë. Nuk më
kishte mbetur vend të qëndroj më gjatë në vendlindjen time, në Gurbardh. Më
kërkonin vazhdimisht organet e sigurimit. Ose burg të gjatë ose marrje jete, do
më kushtonte zënia ime...
N ‘ato vite të tollovisë së madhe
politike në Kosovë, fillim viteve nëntëdhjeta, kur shovinizmi serb donte të gëlltiste çdo krijesë
të gjallë shqiptare në tokën tonë, ditët pasuroheshin vetëm me gjakosje, po rezistencë, jo jetë. Dhe, ikëm me Shpresën, natën pa hënë ! Ika si
munda e si dita, rrugëve më të zorshme të jetës sime, si nëpër rrathë ferri. Ç’ka
nuk të mëson zori!
Jemi
të mësuar nëpër shekuj nga goditjet e gurëve të kohëve. Popull i lindur e rritur në vuajtje gjithmonë.
Pas shumë peripecive, kalova në Zvicër.
U
vendosa në kantonin e Cyrrihit. Aty u vendosa dhe fillova punën e zakonshme si
gyrbetaqarë, plot përmallim për
vendlindjen e lënë mes flakëve të kohës. Fëmijët më linden në gyrbet, të tretë.
Këto
mendime sa vinin e ia ngushtonin frymëmarrjen Bardh Shkretës. Malli për
vendlindjen e digjte, por për prindërit akoma më tepër. Shpesh i shihte në
ëndërr, duke i përqafuar, e pastaj qante si fëmijë. Dëneste, duke u kthyer herë
në njërin e krah e herë në tjetrin, derisa e zinte gjumi, tejet të lodhur e të rraskapitur.Me
gjithë atë mërzi, të nesërmen duhej vazhduar puna, punë e rëndë në ndërtimtari.
Gjithnjë jetonte me shpresën se një ditë do bëhet mirë, do i realizohen ëndrrat
e shumëpritura për lirinë e Kosovës, për të cilën kishte dhënë shumë, bile,
kishte rrezikuar edhe jetën.
Pas
asaj agonie malli që e kishte kapluar, i kaloi nëpër kokë e trup duke lënë
gjurmë jete, perceptime të tmerrshme. U zgjua si i trembur nga një ëndërr e
keqe, hodhi supeve një bluzë të lehtë
dhe doli në kuzhinë, andej ku duhej të ishin e gjithë familja në një ditë
vikendi, bile, një ditë sa për ta pyetur njëri tjetrin për punë, për mësime e
shumë gjëra tjera të jetës familjare.
Pasi
u ul në karrige ku gjithnjë pinte kafenë e mëngjesit, bashkëshortja Shpresa, e vërejti se diç nuk
ishte në rregull me disponimin e Bardhit. Me një zë përulësie iu drejtua
bashkëshortit ,duke lutur për kafe apo diç tjetër, me që ishte zgjuar më vonë .
-Më
bëj një kafe dhe më thuaj se ku janë fëmijët?!
Shpresa
duke ia sjellë kafenë, i jep përgjigje edhe për fëmijët, duke i thënë se kanë
dalë sipas orareve të tyre. Festimi e Shkëlqimi për lojën e topit ndërsa
Erëmirën e thirrën shoqet për disa detyra
të shkollës, detyra shtëpie po u thonë.
-Shpresa,
foli Bardhi, dëgjo mirë çfarë të them! Jemi në një vend që mund të fitojmë
para, por mund të sharrojmë thellë për keq, në aspektin e moralit, karakterit, gjuhës,
traditës e shumë gjëra tjera ,që na personifikojnë ndryshe nga këta këtu, nga
ky popull ardhur nga e gjithë bota. Duhet të bëjmë çmos të ruajmë identitetin
tonë, nga i kemi rrënjët. Mbajmë përgjegjësi për fëmijët tanë, për ardhmërinë e
tyre. Mendohem gjithnjë e gjithmonë, të punojmë e fitojmë shumë, por t’i
kthejmë fëmijët në çerdhën e vet, në Kosovë.
-
E more njeri im! Sa zor e ke të realizosh atë dëshirë! A din se ku ke ardhë?!
Sado të përpiqesh për ato synime, është tepër e vështirë, ambienti “t’i thithë dëshirat”, të lëkund tërë trupin
me rrënjë e me çka ke, gjërat bëhen si të pandashme aty ku jeton...
Bardhit
sikur se iu rrëqeth lëkura e trupit. Nuk e ndjeu në shpirt përkrahjen e bashkëshortes.
Iu duk sikur edhe ajo po anonte kah ai “transformim “më logjikë perëndimore,
ndonëse ka edhe të mira, por nuk iu duk përkrahëse Shpresa në esencën e
karakterit edukativ të fëmijëve të tyre. Për herë të parë po e heton një ndasi
mes vetës e Shpresës në kuptimin e rritës së fëmijëve të tyre.
-Shpresa,
të kuptova por nuk po pajtohem thellësisht me juve. Ka gjëra që ruhen mirë me
qëndrim e qëllim të përbashkët. Pemës edhe nëse i bien gjethet, rrënjët duhet
të jenë të forta. Nga aty mbijnë pipat e rinj, nga i njëjti trung, Shpresa....
Përpiqu
mos të më rrënosh ardhmërinë time. Kosova është jeta ime. Nga atje kam ikur për
të shpëtuar ty e vetes kokën , për të rritur e shkolluar fëmijët tanë, jo për
t’i asimiluar. Kujdes Shpresa!
Pas
bisedës së përbashkët atë ditë vikendi mes bashkëshortëve, me qëllime të
përbashkëta për ardhmërinë familjare, sikur se u ngulit një guri që hamendëson
kahet e ecjes rrugëve të jetës. Shpresa nuk bëzani, uli kokën dhe u ngritë me
arsyetimin se ka shumë punë për të bërë. Ndërsa, Bardh Shkreta, ndërroi rrobat
dhe doli në qytet, i ngarkuar me shumë probleme jete. Në mbyllje të derës, para
se të dalë nga shtëpia, i la porosi Shpresës që të bisedoi me fëmijët kur të
kthehen, t’ua tregoi bisedën e qëllimin tonë, e posaçërisht e porositi për
bisedë me vajzën, Erëmirën.
Duke
shëtitur rrugëve të qytetit, atyre parqeve të bukura me lulishte
shumëngjyrëshe, aroma e të cilave të zinte frymën si parfum i kushtueshëm, u ul në një karrige dhe
nxori pakon e duhanit, çakmakun dhe ndezi një cigare ,duke menduar për natën pa
gjumë, dhe bisedën me bashkëshorten, për fëmijët dhe ardhmërinë, atë lumë jete
që shpesh nuk pyet për dëshirat e askujt.
Ai vazhdon rrjedhën e tij...
Nuk
kishte thithur tri herë në cigaren e duhanit, kur befas, i shkuan sytë në
anësoren tjetër të parkut, ku pa mikun e tij, bashkëvuajtësin e kohëve të
kaluara, Mërgim Mermerin nga fshati Rrahishtë e Dukagjinit. Me të parë njëri
tjetrin, fytyrat e tyre sikur u ndezën nga një dëshirë e shumëpritur, u
ngrykuan sikur të ishin vëllezër.
-Ku
ke humbë ore Mërgim Mermerin? Ka shumë
kohë pa të parë! Më ka marë malli me llafosë, nuk kam shumë miq këndej pari,
vetëm ty që më pushon zemra kur bisedoj.
Pasi
shkëmbyen shumë pyetje për punën, jetën e familjet, ranë n ‘ujdi që të shkojnë
në një bufe për të pirë nga një birrë e
të bisedojnë më gjatë, të çmallen me njëri tjetrin.
Pas
futjes në atë bufe komode, të qetë e të përshtatshme për biseda mes miqve të
respektuar e familjarë të përkushtuar, filluan bisedat e gjata, duke trajtuar
edhe situatën e pasluftës në Kosovë, duke ndërlidhur shumë situata e shembuj të
pakëndshëm të gjendjes jo të mirë,në shumë aspekte të shoqërisë kosovare.
Bisedat që trajtonin dy miqtë, faktet relevante që shtroheshin e nuk mund të tejkaloheshin,
bënin që të merrnin flakë bisedat nga lami të ndryshme të jetës.
-Luftën
që bëri populli ynë, nuk e meritoi këtë gjendje çfarë po e dëgjojmë, por edhe
po e shohim kur shkojmë n ‘ato pushime të zezueme. Po shkojmë plot malli e
kthehemi plot plagë në zemër. Nuk e kemi merituar këtë gjendje kështu Bardh
Shkreta-përfundoi bisedën Mërgim Mermeri, duke zgjatur dorën kah pakoja e
cigareve për ta ndezë tjetrën, megjithëse akoma tymonte në taketuke e
mëparshmja, shpuza e së cilës ishte zgjatur sa masa e cigares së ndezur. Dhe, pasoj një heshtje e
ndrydhur mes tyre...
-Mërgim,
të kuptoj fare mirë dhe ndaj mendimin me
juve sepse, pas një gjakderdhje të tmerrshme që na shkaktoi Serbia, me gjithë
atë arsenal armësh lufte ndaj një populli duarthatë, nuk është dashur të humbë
dashuria mes popullit, mes familjeve, mes miqve, nuk është dashur të jemi kaq
anemik ndaj njëri tjetrit. Jemi popull i vogël dhe historikisht, nder shekuj,
na ka mbajtë dashuria mes veti, bujaria, besa, karakteri i fortë njerëzor,
morali e atdhetaria që nuk jemi përulur kurrë deri në lirinë e fituar, për të cilën dhamë shumë
gjak...foli Bardh Shkreta, mjaft i brengosur për rrethanat e krijuara pa asnjë
arsye në mesin e popullit tonë. Dhe shtoi:
-Mërgim
Mermeri, kam dëgjuar se disa politikanë tonë po filozofojnë me jetën, janë bërë
si ciceronët në tubime, fjalëmëdhenj, duke përdorur fjalë të filozofëve të ndryshëm,
kinse jemi “shumë të aftë” me drejtue popullin. Ky lloj njerëzish ushqen
tiparet e demagogjisë, Mërgim. Neve nuk na nevojiten shume filozofime, na kemi
filozofinë e jetës sonë të traditës që me shekuj na e kanë vlerësuar. Pajtohem
fort se shkollimi hap perspektiva të reja drejtë përparimit evropian e jo
egoizmit personal e krahinor, i cili le prapa gjurmë të dogmatizmit,
primitivizmit që na detyron të vendnumërojmë.
Biseda
mes dy miqve vinte duke u ngritur si shkak i
vlerave denigruese. Të qenit jashtë vendit në disa shtetet të Evropës e
botës, janë krijuar mundësitë e përfitimit të disa
“kulturave” evropiane, të cilat, bien ndesh me traditat tona të mirëfillta,
andaj nuk janë të rastësishme edhe ngjarjet e ndodhura ne meset tona. Për fatin
tonë të keq, na u janë futur në çdo familje kosovare, si “arsye” e kohës . Kur
ke parasysh vendin e një burimi, nuk nënkupton se mund ta dish edhe vendin se
ku derdhet ai uji, lakimet dhe pasojat e tij. Të gjitha këto burime, zor se e
dimë se kah do na përplasin në aspektet e kulturës sonë.Vallë, a do të jemi në gjendje që edhe ne t’u japim të
tjerëve diçka nga vetja, apo gjithmonë, vetëm të marrim nga të huajt?!
-Gëzuar
Mërgim Mermeri!- Jeta është luftë dhe gjithmonë duhet luftuar të keqen.
Ndryshe, nëse nuk veprojmë, e keqja kurrë nuk lejon të hapet dera e së mirës,
foli zëshëm Bardh Shkreta.
-Vlerësim
të drejtë dhe largpamës, fole mirë Bardh. Guximi dhe trimëria janë gjithmonë
pranë njëra tjetrës, miku im. Këmbëngulësia për të luftuar të keqen është faqja
e ndritshme e njerëzve me vlera largpamëse. Ta tregoj tani një shembull që
dëgjova në Kosovën tonë, sa isha në pushime. E di, nuk të vjen mirë, por,
duroje-foli Mërgim Mermeri.
-Sa
isha në Kosovë, dy ditë rresht, njoftoi televizioni qendror, se në një banesë
në një qytet të Dukagjinit, është gjetur një person i vdekur ,të cilin ende nuk
e ka identifikuar policia.Të treten ditë, u identifikua dhe familjarët shpërndanë fjalën mortore, u hap e
pamja. I ndjeri kishte dy djem në tokën e Zvicrës, dytë të martuar e me fëmijë,
por babin nuk ua kishin pasë dëshiruar bashkëshortet e tyre, ndërsa fëmijët nuk
e kishin atë etjen e gjyshit, sepse ata ishin rritur në ato rrethana dashurie me vlera të zbrazëta. I ndjeri i
kishte rritur dy djemtë me shume sakrifica jete. Thuaja se ishte plakur, duke
punuar si argat fushe e mali për kafshatën e gojës. Viteve të fundit i kishte
sjellë djemtë jashtë shtetit, u kishin dalë letrare dhe i kishte martuar me dy nuse
të cilat u treguan të pasojshme në vijim jete. Shpejt e shpejtë ndërhyri Bardh Shkreta duke pyetur Mërgimin:
-Po
djemtë a i shkuan në varrim, a ia hapen të pamën, a dëgjove?!
-Po,
kishin pas hapur edhe të pame për babin, por rrinin kokulur, më thoshin njerëzit. Besa nuk ishin shkuan
shumë njerëz në të pame, sikur e kemi
traditë. Dukeshin të penduar djemtë e të ndjerit.
-
E tmerrshme, ja se çfarë po “fitojmë” në perëndim, i tha Bardhi Mërgimit. Ai pendim
është i vonuar, Granit. A të ka ra ta
dëgjosh atë këngën popullore “Fryni Era, u çel taraba” e cila përfundon me dy
fjalë shumë kuptimplote:
”
Bejta Syla shka fitove, faqen e zezë, një parë pishtole!....”
E
kur mbillet “faqja e zezë” brenda familjes, nuk të hiqet për njëqind vjet Mërgim.
E mira e tana të mirave është që të kthehemi gradualisht në vendin tonë, sa nuk
është bërë tepër vonë, përfundoi Bardhi bisedën.
Bardh,
iku dita e na të përmallshëm, mbetem pa drekë, pa pushim dite. Nesër, këta
zotërinjtë, kërkojnë punë nga ne. Shkojmë miku im. Takohemi prapë. Situatë me
shumë probleme në vendin tonë, Bardho. Lutim Zotin të bëhet mirë! Dëgjohemi me
telefon për takimin e radhës.
Gjatë
rrugës për në banesën e tij, në kokë i kumbonte e gjithë biseda që kishte
zhvilluar me Mërgim Mermerin. Fliste me veten duke thënë :
”
Zot mos më provo me gjëra të rënda”, si ato që dëgjova nga Mërgimi.
Në këtë diversitet mendimesh, akoma ka
shumë gjëra për t’i sqaruar brenda vetes dhe familjes. Jeta është mësonjëtorja
më e mirë me kusht q t’i mbash sytë të hapur gjithmonë. Jeta të jep, por edhe
jetës duhet dhënë pa kursim.....
Gjakovë, Qershor, 2024