Kulturë
Sherafedin Kadriu: Kritikë e mbindërtuar poetikisht
E shtune, 13.07.2024, 07:50 PM
KRITIKË E MBINDËRTUAR POETIKISHT
(Nëpër
veprën “Rreth poezisë së Sabit Rrustemit” të kritikut letrar Timo Merkuri nga
kaltërsia e Jonit të Sarandës)
Nga
Sherafedin KADRIU
Vepra
“Rreth poezisë së Sabit Rrustemit” e kritikut të njohur letrar Timo Mërkuri, ka
vlerësuar hollësisht nga ana ideore dhe artistike poezinë e poetit Rrustemi,
duke zbuluar bukuritë që fshihen në të. Janë ato bukuri simbolike që Timo
Mërkuri i vështron nga Joni i tij i magjishëm, dhe atje mbi një valë deti,
parafytyron një majë mali Kosove me emrin Çepur. Sa e çuditshme simbolika e
atij mali që paska heshtur me mijëra vjet, në mos paska folur pa e dëgjuar,
edhe pse është këtu, pranë nesh.
Timo
Mërkuri është specialist i kritikës letrare, i formësuar me dashuri vëllazërore
përtej kufirit gjembor të asaj kohe të pa kohë. Prandaj, poezia e Kosovës është
në “kufirin e zemrës”së tij.
Dhe,
më e mira e shkrimeve të tija është vlerësimi estetik i akëcilës vepër, asnjëherë
pa parë ndarje të poezisë që lëvrohet në Kosovë nga poezia që krijohet në
Shqipëri. Për Timo Mërkurin poezia është një, siç është një dashuria për
atdheun e bashkuar.
Vepra
nuk është shpërfaqje e shijes, përkundrazi është një gjykim i sistemuar, shpeshherë
i nisur vakët, i pajisur me njohuri teorike që mundësojnë kapje të gjithanshme
të poezisë së Sabit Rrustemit.
Pa
pretenduar se them diçka të jashtëzakonshme për këtë vepër me vështrime
kritike, jam i obliguar të konstatoj se mënyra e trajtimit të poezisë së Sabit
Rrustemit është shumë komunikuese me lexuesin dhe e shpirtëzon poezinë e këtij
autori në raport të drejtë me objektiven.
Duke
vështruar dhe lexuar e analizuar përgjithësisht kritikën e sotme letrare shqipe
(për aq sa kemi mundësi), në përballje me të, kritika e Timo Merkurit meriton
shpërfaqje institucionale sepse, thjesht, është ushqim i domosdoshëm shpirtëror
pas një vepre të lexuar.
Interesimi
për poetiken e Sabitit është i madh dhe i shpërfaqur edhe nga kritikët letrarë
në Kosovë, por konstatimi i Timo Merkurit del të jetë i mbështetur me fakte
poetike, kur konstaton se Sabit Rrustemi është poet që i përket rrafshit të
epërm të letërsisë shqipe. Pajtohem plotësisht. Një ditë kur të çmohen vlerat,
poezia e Sabitit do të marrë vendin meritor, do të interpretohet si poezi pa të
cilën nuk do të njihej poezia shqipe në Kosovë, kur të jetë trajtuar si një
poezi, si poezia shqipe. Se, ka mjaft poetë e poezi që edhe po nuk i lexove nuk
mbetesh mangut fare në aspektin e përmbushjes poetike si lexues, e aq më pak si
kritik.
Sipas
Timo Mërkurit, Sabit Rrustemi arrin të ngrihet në piedestalin e letrave shqipe
me “një stil të vetin të të shkruarit, me vargje të shkurtra, shpesh me
gjysëmvargje por me një dendësi revolte të mbrujtur brenda tyre sa që dhe gjatë
leximit, brenda vargjeve dëgjohet ritmika si një vrap ushtarësh mbi urë”.
Duket
qartë mënyra e vështrimit që merr tone poetike, - një tip rikrijimi me interes
ky, i Timo Merkurit.
Si
duket një stil i tillë i poetit Rrustemi, e ka cytur sarandjotin ta përcjellë
kronologjikisht veprimtarinë poetike të autorit gjilanas duke mos lënë pa
përmendur historikun e prezantimeve të tilla. Ai fillon me librin “Ku i la
lisat era”, por me një interesim interpretimi të ciklit më të guximshëm politik
për kohën dhe patjetër poetikisht në nivel të lartë gjithsesi, me atë titullin
domethënë “Mplakja e Zeusit”. Dhe, teksa ka përshkruar ditën e urdhrit të
bërjes së një shkrimi për gazetën studentore të vitit 1980 “Bota e Re”, atë
ditën e vdekjes së Titos, dhe teksa nuk po i ndezte fare ideja duke shëtitur
atyre rrugëve boshe të Prishtinës, Sabiti gjen nismën. Po mendonte për vdekjen
e Enver Hoxhës. Dhe shkrimi prej katër faqesh ishte për të, por pa i përmendur
emrin. Fliste vetëm përemri i vetës së tretë njëjës Ai, jo Ay, siç e shqiptonte
vetë Enveri. E, Ai mund të ishte edhe Titoja, po mund të mos ishte... Dhe, Timo
Mërkuri vëllazërisht, përtej poetikës letrare dhe kritikës, shprehet me ton të
butë dhe krejtësisht poetik e njëkohësisht shpotitës për vdekjen e Enverit: Nejse,
ne e morëm vesh më në fund se kush ja ndolli vdekjen Enverit, ndaj mos pyesni
të tjerë.
Asgjë
nuk ka të keqe pse ka pak histori sociologjike në raport me poetikën e
trajtuar. Kjo mënyrë shkrimi e Timo Mërkurit po pritet me interes nga lexuesit.
Pse të mos dijë lexuesi për pozicionin politik e social të poetit të tij?
Informatat
e tilla, jo thjeshtë si biografi, po si poetikë e përzier me kritikën ndodhen
në librin e Timo Merkurit “Rreth poezisë së Sabit Rrustemit”, botuar në
pranverën e këtij viti (2024).
Një
vlerësim tej poetikës, e për poetikën e Sabitit nga Timo Merkuri duhet të
merret parasysh nga cilido që do të interpretojë nesër veprën artistike të
Sabit Rrustemit, se “Rrustemi nuk i përkiste asnjë formacioni politik, por
ishte rreshtuar shumë drejtë në formacionit letrar që (jo rastësisht) ecte në
hap me kërkesat e shqiptarëve të Kosovës”.
Në
kritikën e sotme, me vështirësi gjen përballje veprash, si në kuptimin
krahasimtar, si në kuptimin analogjik. Te Timo Merkuri është e pamundur që të
tejkalohet ana krahasimtare me vepra tjera, prandaj shkrimet e Timos dalin
serioze, të arrira dhe të dëshmuara për njohje teorike dhe praktike të kritikës
së mirëfilltë dhe veprave krijuese artistike. E në vazhdimësi të këtij
formësimi, le të më lejohet të them atë që është boshti i krahasimit në
kritikën e Timo Merkurit, - krahasimi me poezinë popullore, të cilën duket se
Timoja e njeh jashtëzakonisht mirë, dhe shpeshherë edhe krahasimi me simbolikën
mitologjike.
Është
e vërtetë që ndonjë poezi të librit të marrë në shqyrtim, Timo Merkuri e
trajton më gjerësisht, sepse vetvetiu nuk mund t’i ikën ndeshjes me të bukurën.
Poezitë e tilla, zakonisht janë figurative, me plot metafora, kryesisht të
shtrira, simbolika përtej mitologjisë, kontraste dhe elemente të imazhit.
Kështu mund të thuhet për ciklin poetik “Mplakja e Zeusit” të vëllimit letrar
“Ku i la lisat era”, poezinë “Reliev me plagë” të përmbledhjes poetike
“Variacione për lirinë”, Poezia “Hiri i bardhë” që sipas Timos është porta
hyrëse në vëllimin poetik “Ëndrra që puthet”, poezia “Motër prej lotësh”, e
përfshirë në librin poetik, “Ëndrra që puthet”, poezia tjetër “Ajo hënë me
fytyrën tënde”, e cila përfshihet brenda vëllimit të katërt të opusit poetik,
“Hyjnorja ime je ti” etj. etj.
Dhe,
pasi ka përimtuar të thuash secilën vepër veç e veç dhe të gjitha së bashku, në
fund të librit, Timo i ka shkruar një letër të hapur mikut të tij poet, Sabit
Rrustemit. Duke qenë se di për problemet e Sabitit në aspektin e mos
përsëritjes së kontratës së punës, për çfarë Sabiti u tradhtua pak pa mbërri në
pension. Timoja i shpreh ngushëllimin më domethënës, aso ngushëllimi që mbahet
në mend: Mos u mërzit miku im, poetët dhe profetët vetëm në vendlindjen e tyre
nuk i respektojnë.
S’ka
si thuhet ndryshe.
Ende
pa e përmbyllur letrën dërguar poetit, edhe njëherë ka vlerësuar lart poezinë e
Sabit Rrustemit: Opusi yt krijues, ku ndrin veçanërisht “Hyjnorja ime je ti”
katërvëllimëshe me poezi dashurie, unike në Ballkan, ndrin si harku yt i
triumfit në letërsinë shqipe”. Ky vlerësim është lartësia më e shëndetshme e
pozitives.
Krejt
në fund, do të thosha se shkrimi im s’ka si përfundon ndryshe, pos si mendim
kritik bazuar në taksonominë e Blumit: Interpretimi i poezisë së poetit Sabit
Rrustemit nga kritku letrar Timo Merkuri, pa pasur nevojë për ta shtrënguar
tekstin, i kapërcen kufijtë e të zakonshmes.
(Gjilan, korrik me vapë, 2024)