Kulturë
Avni Leka: Talenti dhe mjeshtëria e valltares Xhume Gjoka (Barhani)
E hene, 15.07.2024, 06:54 PM
Talenti dhe mjeshtëria e valltares Xhume Gjoka (Barhani)
Nga
Avni Leka*
Treva
e Komsisë, njësi administrative e Bashkisë Mat, i ngjan një sofre bujare,
mbushur me shumë ngjarje në histori, sofër me këngë e me valle, me kostume
popullore shumëngjyrëshe, me instrument popullorë, të cilët jetojnë bashkë në
një shtrat të vetëm folklorik të një zone etnokulturore tradicionale, me tipare
të veçanta në tërësinë etnografike kombëtare. Këtij realiteti etnokulturor t’i
bashkojmë romantizmin, bukurinë, lëvizjet, gjallërinë e grupit të vajzave
valltare të Komsisë, ngjajnë si të katër stinët e vitit.
Kërkoj
ndjesë për hiperbolizimin, por kur kthehem prapa në kohë dhe kujtoj gjithë
pasurinë kulturore folklorike të rrethit të Matit, në atë pjesë të trevës të
etnosit, ku është zemra e principatës së Arbërit, jo vetëm nuk është hiperbolë,
por përpara saj kanë zilì e përulen të shtatë ngjyrat e ylberit. Nuk më takon
të futem në fushën e hulumtimit të valleve të vjetra apo të reja, sipas trevave
etnografike. Por parashtroj dhe pasqyroj atë realitet koreografi folklorik, atë
mund e djersë të derdhur, atë punë të shquar të grupit tepër kompakt të vajzave
valltare të Komsisë, drejtuar me kompetencë për vite e dekada nga koerografja
Xhume Gjoka (Barhani). Grupi i vajzave ishte kompakt dhe përbëhej nga Hanke
Dakoli, Xhemile Laçi, Vera Ruspi, Rrahime Tusha, Vera Dedja. Kjo soliste,
valltare e Matit, është përballur me sukses, sipas sfidave në jetë, se domosdo
jeta nuk është livadh me lule e trëndafila. E pyesim solisten për fillimet e
para të jetës artistike folklorike dhe na u përgjigj me krenari.
-Isha
shumë e vogël, në klasën e gjashtë, në vendlindjen time Komsi. Një natë vonë,
në darkë, kur ne fëmijët grumbulloheshim pranë oxhakut për t’u ngrohur, i
drejtohem babës: “Jam e vogël, por sonte e kam një hall të madh”.
Babai
e nëna, si çdo prind, në fillim shtangën. “Fol, bija ime, cili është halli yt i
madh!?” Vajza, Xhumja, e klasës së gjashtë, vazhdoi bisedën:
-Nesër
në qytetin e Burrelit organizohet një aktivitet i madh artistik. Marrin pjesë
shumë shkolla të rrethit. Pallati i Kulturës dhe shkolla e Komsisë më kanë
zgjedhur mua të jem në krye të valles së vajzave të Komsisë. A do të më japësh
leje, babë?
Xhumja
i pëshpëriti fjalët ngadalë, sikur të kishte frikë, se mos e dëgjonin trarët e
kullës. Siç e kanë natyrën burrat e mençur e të matur, baba iu përgjigj:
-Po,
bija ime! Derën e ke të hapur, rrugën të çelur, veçse dua që gjithë jetën të
jesh vajzë me faqe të bardhë e dinjitet njerëzor.
Solistja
e valleve sot kujton: “Kur dëgjoja këto porosi të ngrohta të babës, ishte
mesnatë, por kur flet baba im kështu, m’u duk mesditë. Fjala e prindërve të mi,
Ramë Hetë Gjoka e Fatime Gjoka, vëllai Selimi, për rrugën time të artit, ka
qënë një magji e vërtetë. Prindërit i kam patur gjithë jetën në krahun tim, që
unë të ecja përpara në profesionin e artit që zgjodha për jetën”.
Në
Pallatin e Kulturës për të ndjekur aktivitetin artistik kulturor kishte ardhur
ish-Ministri i Arsimit e Kulturës, Thoma Deliana. E kam të freskët takimin me
ministrin. Më përqafoi, më foli më kënaqësi dhe iu drejtua mësuesve të
shkollës: “Ju mësuesit jeni të aftë të përcaktoni se sa i aftë është një
fëmijë, se sa i ditur do të bëhet në jetë.” Pastaj menjëherë iu drejtua
punonjësve të arsimit e të kulturës: “Shënoni në fletoren e punës! Kjo valltare
e vogël duhet të ndjekë shkollën e muzikës në Tiranë”!
Mësimet
e para Xhume Gjoka i kreu në vendlindjen Komsi. Aty mbaroi shkollën 7-vjeçare.
Në Tiranë vijoi për katër vjet shkollën e mesme të muzikës, të cilën e mbaroi
në vitin 1972 me rezultate shumë të mira dhe u diplomua mësuese muzike. Dhe
menjëherë e emërojnë mësuese në shkollën 7-vjeçare Klos.
Xhume
Gjoka (Barhani) ka punuar në disa shkolla të Matit. Me shumë dashuri ka punuar
në vendlindjen Komsi, në disa shkolla të qytetit Burrel. Gjatë kësaj kohe, si
mësimdhënëse e soliste, e dalluar shumë pas punës me fëmijët, në shumë shkolla
ka dhënë kontribut të çmuar për organizimin e aktiviteteve artistike dhe
kulturore. Në çdo kohë organizonte aktivitete jashtë klase, jashtë shkolle, në
Bibliotekën “Pjetër Budi”, me qendrën Kulturore të Fëmijëve “Ymër Neli” me tema
për librin, për vallen, për këngën, për instrumentat popullorë...
Të
parët e origjinës së Xhume Gjokës (Barhanit) janë lindur në kullën e Gjokajve
në German, e cila sjell vlerat kulturore deri në ditët tona, sjell imazhin e
ngjarjeve etnofolklorike, ku të parët e fisit të tyre ishin njohës të gjithë
instrumentëve popullorë të krahinës së Matit. Sipas të dhënave, Met Gjoka i
parë, krahas instrumentave popullorë të krahinës, ishte i njohur, ishte
instrumentisti më virtuoz në lahutën me një tel, vegël muzikore jo
karakteristike e zonës tonë etnografike, se instrument të veçantë kemi laurinë.
Deri në ditët tona ky instrument i vjetër epik (lahuta), i tashëguar në shekuj
nga shumë breza i fisit Gjokaj, varej në odën e miqve si relike e çmuar e të
parëve të fisit. Spjegimin për këtë dukuri të veçantë në këtë instrument e
lidhim me origjinën e largët të fisit Gjokaj nga Mirdita. Në këtë hulli të
kultutës dhe artit popullor eci me kompetencë dhe Xhume Gjoka (Barhani), Isuf
Gjoka etj. Këto të dy artistë, si dy gjymtyrë, solistë të një gjaku, ishin ndër
aktivistët më të spikatur të Ansamblit Folklorik “Mati”.
Rrethi
i Matit ka shumë artistë, ka këngëtarë, valltarë, instrumentistë popullorë,
njerëz të skenës e të arteve të bukura, ka teksteshkrues të mirënjohur, ka
studiues të ditur të trashëgimisë kulturore. Isuf Gjoka është instrumentist i
veçantë, artist me dhunti, mjeshtër i talentuar, virtuoz në instrumentin e
dajres.
Për
një periudhë kohe të caktuar Xhume Gjoka (Barhani) u emërua koreografe pranë
sektorit të muzikës në Pallatin e Kulturës Mat. Në këto kushte të reja pune iu
desh të mbarojë në Tiranë kurse kualifikimi për sektorin e koreografisë, ku
shënoi rezultate shumë të mira. Kurset e kualifikimit nga Instituti i Kulturës
Popullore i dhanë mundësi solistes së valles që të njihej me studiues të
Institutit dhe me koreografë e valltarë të Ansamblit Shtetror të Këngëve e
Valleve Popullore, duke marrë prej tyre përvojë, por dhe t’i njohë nga afër e
t’i ushqejë me vallet dhe motivet folklorike të Matit. Ndonëse e re, pa
përvojë, në fillimet e saj njihte mirë dhe interpretonte me virtuozitet jo
vetëm vallet karakteristike të Komsisë, por ishte njohëse dhe interpretuese e
të gjitha valleve të trevës unike etnokulturore të Matit.
Vallen,
që dikur nisej në kërcim e kërrusur nga gratë kërcimtar, jo vetëm në Komsi, por
në të gjithë zonën etnografike, solistja Xhume Gjoka (Barhani) e demonstronte
para studiuesve të Kulturës Popullore dhe e futi në hullinë e jetës, i dha
gjallëri, shpirt e lëvizje, se e lashta, antikja, kur e trajton me seriozitetin
e origjinës, është modernia.
Mati
kishte shumë pika kulmore në valle. Njera prej tyre ishte vallja e vajzave dhe
nuseve të reja të fshatit Macukull. Ato vajza e nuse macukllane: Selvije
Milloshi, B. Bukaçi, Bukurie Leka, Fitnete Meta, Behixhe Milloshi, Mihane Porja
etj, në fund të viteve ’60 e fillimin e viteve ’70 krahasohen me luftëtaret e
së resë, shënuan revolucion në emancipimin e gruas dhe atë njerëzor. Të bukura
ishin vallet e Martaneshit, të Laç-Bruçit, të Bazit etj. Të gjitha këto valle
kartkeristike përbëjnë atë pasuri të çmuar të kulturës e të folklorit të Matit.
Në të gjitha festivalet folklorike kombëtare: në Tiranë, Elbasan, Lezhë,
Durrës, Berat e Gjirokastë, grupi i valltareve të Matit ka tërhequr vemendjen e
studiuesve të kulturës popullore e të spektatorëve të ndryshëm. Në një nga
festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës, grupi i valleve të Matit me
soliste Xhume Gjoka (Barhani) është vlerësuar me çmimin më të lartë të trevave
të Veriut. Lili Cingu, valltare e Ansamblit Shteëror të Këngëve e Valleve
Popullore, e cilësoi vallen e vajzave të Matit si një lum i madh, që rrjedh e
nuk dihet se cili det e pret, kurse solisten e grupit e quajti “shqipe e
Matit”. Ndërsa Mati bijën e vet e ka krahasuar në vite e dekada me solisten
Lili Cingu. Shtypi i ditës, revistat e kohës në vitet e socializmit: “Nëntori”,
“Ylli”, “Shqiptarja e Re” etj, në faqet e para botonin fotot e valltares
soliste të Matit, Xhume Gjoka (Barhani). E theksoj, ishin këto vajza e nuse të
reja valltare, ndër pionieret e para të artit e të kulturës, që u ngritën mbi
vetveten, mbi paragjykimet e thashethemet, mbi obskurantizmin fetar, mbi
përgojimet që vinin nga njerëzit me paragjykime të mykura, duke triumfuar drejt
së resë, në trasenë e progresit dhe të emancipimit të shoqërisë. Xhume Gjoka
(Barhani), duke qenë në Pallatin e Kulturës në cilësinë e koreografes, bashkë
me specialistë të muzikës, pati mundësinë të shkelë në disa treva të Matit në
përbërje të grupit të studiuesve të Institutit të Kukturës Popullore, të
koreografëve e valltarëve të Ansamblit Shtetror të Këngëve e Valleve Popullore:
Çesk Zadeja, Fehmi Shaqiri, Besim Zekthi, Lili Cingu etj. Një episod që vlen
për t’u përmendur është kur studiuesit e folklorit u shtrinë në fshatin Komsi.
Sipas zakonit, një kafe në kullën e Dikë Gjokës. Studiuesit e Tiranës ishin të
interesuar në tërësi për trevën etnokulturore, për vallet, muzikën, zakonet,
tradita për historinë. Ia dhanë fjalën zotit të shtëpisë, Dikë Gjokës, që të
flasë para miqve (studiues të etnokulturës). Njihte mirë gjithë trevën. Për
shumë ngjarje e tema kalonte sa në një krahinë, në tjetrën. Fliste qartë, urtë.
Ishte burrë që e shoqëronte mençuria popullore. Vetëm një ose dy orë të dëgjoje
në bisedë Dikë Gjokën, ishte baraz sikur të lexoje të plotë librin “Poemë
pedagogjike” të Makarenkos. Pastaj tema kaloi te solitja, bijë e Gjokajve. Ajo
iu drejtua artistëve të Tiranës, rrinte pranë Lili Cingut. Foli shkurt dhe
qartë:
-Isha
shumë e re kur i hyra rrugës së artit e të kulturës. Ëndrra ime që më ka
pushtuar gjithë jetën e më ka ndjekur dhe në gjumin e natës, ishin krahët e
shqiponjës në valle.
Pasi
mbaroi biseda me miqtë, iu dha lamtumira konakut. Solistja Xhume Gjoka
(Barhani) e merr për krahu Lili Cingun, ikonën e valleve shqiptare dhe e
shoqëron për te livadhi i vogël, aty pranë shtëpisë. Xhumja hapi bisedën. Ajo
ishte e interesuar për gjithçka. “Shoqja Lili, -iu drejtua, -të nxorra te ky
livadh i vogël për të të treguar se kam shumë nostalgji”. Ajo e dëgjoi me
vemendje: “Unë bashkë me shoqet e mia ishim vajza të vogla, mblidheshim shpesh,
kërcenim e hidhnim valle. Nganjëherë kërcenim dhe fshehurazi nga prindët. Nuk
kishim muzikë, bënim muzikë me dy gurë të vegjël”. Lili dëgjonte me shumë vemendje.
Xhumja vazhdoi: “Ky livadh është klasa e parë e muzikës, e valles. Për mua,
shoqja Lili, është akademi, se këtu e ka fillesën jeta ime artistike, që u
ngrit deri në kalanë e gurtë të Argjirosë në Gjirokastër”.
Ka
patur raste që solistja Xhume Gjoka (Barhani) rrinte shumë e heshtur, pa bujë,
se e kishin etiketuar me “njollë” në biografi, ngaqë ishte mbesë në një derë
kulaku. Ndodhte shpesh dhe kështu. Ja një rast: Kur përgatiteshin për në
Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, vetëm 5-6 ditë na ndanin nga
konkurimi kombëtar, por çudi, në mjediset Pallatit të Kulturës vjen një
aparatçi i kohës me një letër në dorë. Më dha urdhër: Lexoje letrën! E lexova.
Pa pikën e drojës në letër shkruhej: Të nxirren nga Anasmbli Folklorik i Matit
këto emra me “njollë” në biografi! Bëmë debat të shkurtër, siç ishim në këmbë.
I them apartaçikut: “Nuk janë lisa të pyllit të Branicës, janë artistë o miku
im! Këto përbëjnë bërthmën e Ansamblit Folklorik të Matit. Pesë-gjashtë
artistët dalin jashtë. Ansamblin e pushtoi mali i dhimbjes, kuse mua sikur më
ra në kokë një dimër i madh. Nisem për në zyrën e aparatçikut. Pas shumë
debatesh e ndërhyrjesh, në përfundim fitoi krahu i ansamblit “Mati”.
Dal
nga zyra e aparatçikut, mora drejtim për nga Pallati i Kulturës. Për çudi, 5-6
artistët kishin dalë jashtë dhe kishin zënë vend te shkallët, ku ishte vendosur
busti i Baba Faja Martaneshit. I vështroja nga larg, Në shikimin tim, e them me
gjithë shpirt, këto 5-6 artistë që ishin ulur rreth bustit, m’u dukën si Pesë
Heronjë e Vigut “Çohuni! -u thashë”.
Të
gjithë të gëzuar vazhduam provat për në kalanë e Gjirokastrës. Kullat e Matit
janë si malet e larta, e shohin njera-tjetrën në sy nga larg. Kullat nuk kanë
gojë, por flasin. Odat e burrave në kullat e lashta, sot të heshtura, janë arkiv
i historisë, ku ruhen legjendat, dramat e jetës, personazhet, konfliktet e
paqja, ruhet bujaria, mikpritja, gëzimet familjare, dasmat, ruhet historia.
Ka
një proverb të vjetër, që ruhet në gojën e popullit: “Miku i ngjan mikut dyzet
vjet!” Por është dhe një tjetër proverb më historik: “Kulla i ngjan kullës
katërqind vjet”. Kulla e Barhanit, vatër e flaktë liridashëse, shtëpi
patriotike ndër breza, fis me histori bese e kulture, bujare dhe atdhetarie.
Abaz Barhani e Xhume Gjoka, si dy kulme të një ngrehine të re, vazhduan jetën
në atë hulli të të parëve, me bij e bija, nipër e e mbesa që kanë shkëlqyer si
drita e diellit, kudo kanë punuar e jetuar brenda e jashtë vendit.
Për
Xhume Gjokën (Barhanin) sfidat s’kanë të sosur. Njeri kulm ra, ndërroi jetë Abaz
Barhani në moshë të re. La në pikëllim të thellë familjen, motër e vëllezër,
nipër e mbesa, la miq, shokë e dashamirë, të afërm. Qoftë i paqës dhe i
qiellit! Por jeta vazhdoi.
Gruan
e fortë zoti nganjëherë dhe e provon, se sa mund të përballojë hallet dhe
vuajtjet që i bien gjatë jetës. Nga vetë natyra që ka, gruaja nuk është dimër.
Duke ecur me këmbët dhe hapin e kullës vazhdon të nderojë e respektojë me
përkushtim, bashkë me fëmijët e saj të mrekullueshëm, edhe tokën, edhe qiellin.
Edhe
njëherë po udhëtoj prapa në kohë e të lexoj mirë mbi dyzet vitet e punës së
Xhume Gjokës si mësimdhënëse, artiste e shquar në valle. Kujtoj shkollat ku ka
punuar, festivalet folklorike kombëtare, lëvizjet nga krahina në krahinë, në
ditët e ftohta të dimrit, verën e nxehtë, kujtoj hallet dhe vështirësitë që
Xhume Gjoka (Barhani) i kaloi me shumë sukses. Nuk mund të rri pa e përmendur
një rast unikal, ku solistja me fëmijën e vogël në djep, nuk mungoi në
Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Për kontributin që ka dhënë në
fushën e arsimit dhe të kulturës, i është dhënë Certifikatë Mirënjohjeje nga
Ministtia e Arsimit dhe Kulturës.
Kam
plotësisht të drejtë t’i mbyll këto radhë me një fjalë të urtë profetike të
njohur nga të gjithë: “Perandorit jepi atë që i takon perandorit, Çezarit jepi
atë që i takon Çezarit.”
*Ish-drejtor i Drejtorisë Kulturore Mat