Kulturë
Meti Rexhepi: Konceptimi i çiltërsisë
E merkure, 17.07.2024, 07:51 PM
KONCEPTIMI I ÇILTËRSISË
Emire
Blalli - Dërmaku: URTËSI NGA FILOZOFIA E JETËS; LENA, Prishtinë, 2024
Nga
Mehmetali REXHEPI
FUNKSIONI FRENUES I URTISË
Parimi i jetëgjatësisë për të mirën
mes njerëzve, që të jetë ajo sa më jetëgjatë varet nga kultivimi i së mirës mes
dy apo më shumë palësh. Pra kushtëzohet nga ushqimi i baraspeshuar i subjekteve,
ndryshe kësaj hapësire vepron përthithja e pakëndshmes. Pa- shmangshëm
kushtëzimi është drejtim i dyanshëm. Në përvojat njerëzore kjo është e dëshmuar
sa e sa herë. Përse ndodh çartja ndërmjet njerëzve? Çartja ndodh sepse te njëri
ose tjetri subjekt njerëzor del në pah egoja për mbizotërim; vullneti i egos së
tjetrit mbi vullnetin e subjektit tjetër. Kështu ndodh, ngase mungon perceptimi
i ndërsjellë i vlerës. E ndërsjella në marrëdhëniet e superstrukturës së
qëndrueshme njerëzore gjithnjë është ngritur në vlerat përbashkuese. Ky parim
njerëzor që të mbahet në lartësinë e duhur lyp tumiren e lëshimeve të dy
palëve. Tumirja e mbanë të gjallë marrëdhënien duke e ekuilibruar kundruall tekeve të egoizmit
ndërmjet subjektesh. Të shumtën fijet e marrëdhënieve stërkeqen, kur te asnjëri
karakter nuk ka gatishmëri mirëkuptimi.
Çka mungoi në këtë diskurs? Këtu
mungoi sinqeriteti i mirëfilltë. Në këso marrëdhëniesh mungoi urtësia, andaj
dalin në s’përshfaqje s`përputhjet e idealeve ose mangësia e tyre në drejtimin
marrje-dhënie reciproke. Kjo rrethanë sociale, psikologjike, etike, qytetëruese
shpërfaq reflekse vetëdijesimi apo zvetënimi te njëri ose karakteri tjetër.
Madje, po u thelluam më shumë në këtë diskurs, dalin një mori shkak-pasojash të
pleksura të karakterit logjik, shpirtëror, etik dhe kulturor.
Pa dyshim autorja Emire
Bilalli-Dërmaku në qëmtimet e saj të urtësive, në vëllimin URTËSI NGA FILOZOFIA
E JETËS, që sapo doli me këtë trajtë libri, mëtoi t`i vijëzojë disa nga
karakteristikat frenuese të urtësisë njerëzore, sipas parimit të ajsbergut,
duke spikatur vetëm dukjen e syprinave të tyre, por me qëllime të ndikimit të
drejtpërdrejt për lexuesin. Thëniet e urta të autores Bilalli-Dërmaku janë urti
të përvojës, që nxisin përjetime shijesh të ndryshme, nga këndi i sprovimit e i
këndvështrimit të tyre në jetë. Shprehja pohuese e qasjes sonë qoftë në shumës
apo në njëjës, lë të kuptohet si shtytje dinamike e anë-pamjeve pozitive të
vlerave njerëzore. Pikërisht këso pamje të përvojës vë në spikamë autorja
Emire. Këto urti për t`i përimtuar veç e veç shkrimi ynë do të merrte shtrirje
të gjerë shqyrtuese, andaj do t`ua prekim vetëm disa anë të tipologjisë
përgjithësuese të tyre.
Gjithsesi, në tërë gamën e urtësive të
këtilla, për perceptimin e ngjyrave e të përmbajtjeve të karaktereve që
ngërthejnë urtësitë njerëzore për akëcilin gjësend dhe për akëcilën dukuri, të
gjitha dalin të gdhendura si rrjedhojë e një kulture të akumuluar nga përvoja
njerëzore e mjedisit të autores dhe, leximit të vëmendshëm të përvojës
jetëgjatë.
Në librin URTËSI NGA FILOZOFIA E JETËS
prej (72) shtatëdhjetë e dy urtësish, kryesisht të shkurta, për zbërthimin
vlerësues të tyre mund të shkruanim faqe të tëra. Autorja Bilalli-Dërmaku ka
qëmtuar fjalë të urta që prekin sfera të ndryshme të realitetit njerëzor, që
nga këndvështrimet intime deri te dukuritë paradoksale, të cilat i hasim në
jetën e gjallë të popullit. Në disa nga qëmtimet urtuake të kësaj autoreje,
vërejmë kapje të holla të kontrasteve mendore kundruall sprovimeve të përvojës
së njeriut. Ca nga urtitë mund të përdoreshin si formula në situata të
mjegulluara të gjendjes shpirtërore, për gjetjen e emëruesit të përbashkët të
së mirës apo syçeltësi për shmangie grackash, që mund të na i bëjnë ose ia
bëjmë vetvetes! Prej reflektimesh të urtive të qëmtuara nga autorja, sheshohen udhë
të mjaftueshme për të mos rënë në gracka të ndryshme. Por, situatat e jetës, të
cilat janë të vazhdueshme, të ballafaqueshme fare lehtë mund ta nënshtrojnë
njeriun e pakonceptuar për ngadhënjimin mbi kotësitë, mashtrimet, lakminë dhe
hilen.
VETËDIJA E VLERËSIMIT TË FAKTORIT KOHË
Nga diskursi i urtësisë të autores
Emire Bilalli-Dërmaku është për t`ia nënvizuar vetëdijen e theksuar për kohën si
faktor kushtëzues dhe ekzistencial. Koha si kategori absolute për universin dhe
për qenien e frymorëve njerëzorë është, veçse një episod kalimtar dhe, po qe se
ajo gjatësi lidhjesh episodike nuk kapet për t`i shijuar dhuntitë ajo ikën,
fluturon dhe të merr e të hedh në humbëtirat e saj të pakthyeshme... Andaj, vlerësimi
i përkushtimit “qoftë edhe një sekondë për ty...”[1]
Ka peshë e ndjeshmëri të hollë të arsyes për kategorinë e çmuar të përmbushjes
së faktorit kohë, mbase edhe në disa sekonda dashurie. Kësisoj, autorja e
shpërfaq çmimin e vlerës për kohën, që mund të mos dish ta çmosh, por koha është
kategori e kushtueshme.
Vetëdija për kohën që i jepet njeriut
për ta eksploruar jetën brenda saj, mandej natyrën për t`ia zbërthyer asaj begatitë,
të panjohurat, të ëmblat në funksion të së bukurës e të lumturisë për individin
dhe bashkësinë njerëzore; tekstet e urtësive të tilla marrin tipare të dukshme
të sinqeritetit. Kështu, del në pah natyra e çiltër e kësaj autoreje. Në këtë mënyrë,
përsiatjet e autores për kërkimin e së mirës, e shpijnë andej kahes së thellimit
dhe të pasurimit për intuitën e saj krijuese. Kjo intuitë mëton t`i përtrollisë
të arsyeshmen dhe të domosdoshmen, të drejtën dhe zgjuarsinë, durimin dhe
sakrificën për dashurinë, të cilat, shpesh egoja ose egot e njerëzve mëtojnë
t`i ngufasin apo t`iu japin kahe të dëshirueshme vetëm e vetëm për ta.
FORMULAT E URTËSISË
Fjalët formula të shumtën i shërbejnë
njeriut si modele për t`i përvetësuar si zgjidhje në situata të tendosura e të
ndërlikuara, me përdorimin e këshillave gjakftohta, pa nguti dhe eufori
shpërthyese. Ndonjë herë të shtrohën krejtësisht miqësore dhe, të shtrijnë
dorën për dalje tej vorbullash të euforisë; mund t`i përdorësh si busull për
orientimin e detarëve dhe, për orientime vetjake në detin e gjerë me dallgët e
shumta të jetës. Jeta bashkëkohore nuk është e qetë, as pa shtrëngata shoqërore...
Në univers gjithçka lëviz e ndryshon trajtën, porse esenca e materies nuk
zhbëhet, ajo qarkullon...
Në gjithë varganin e këtyre urtësive,
në (72) shtatëdhjetë e dy s`osh, autorja mëtoi të ngre lart karakterin ndërtues
te njeriu. Në këtë karakter gatuhet njerëzorja ndërtuese, andaj pohon:
“Sigurohu të rregullosh përpara se të rrënosh.
Nëse me një fjalë e rrënon, një mijë të tjera nuk mund ta rregullojnë të
rrënuarën...”[2]
Prore këshillat njerëzore e
qytetëruese të urtarëve, i kanë paraprirë shqetësimit dhe kujdesit për ndërtim
marrëdhëniesh, para se të përfshihen ato nga zgjimet e furive egoiste
rrënimtare... Andaj, mospërfillja e filozofisë së urtësisë së atyre me pamje
largvajtëse dhe, shtresime urtarësh, popujve ua kanë shkaktuar katrahurat e
pasojave rrënimtare! Shoqëria njerëzore përgjatë historisë u karakterizua nga
logjika e sëmurë e vendnumërimit për periudha pasojash afatgjata! Historia është
dëshmitare e përsëritjes së absurdit njerëzor në gjithë jetëgjatësinë e saj!
KONCEPTIMI I ÇILTËRSISË
Në marrëdhëniet e sferës së
përkatësisë së botës intime, autorja ka arritur të ngre diskursin urtarë të
ndjeshmërisë emocionale pohimesh në masën e duhur, madje duke dhënë shembuj
vetjak frenimesh të qëllimeve të njëanshme, si një model etik i maturisë për
mosprishje të harmonisë. Mirëpo, natyra e mirëfilltë e sublimes së urtisë, nuk
ngrohet nga duaj të djegur kashte në janar...
“Kur jam me ty, nuk ka rëndësi a është
moti me diell apo me shi, sepse unë e di, që ti mua më mbron nga çdo stuhi!”[3]
Duket se urtia e këtillë përshkohet
nga ndjeshmëria e një romantike të idealizuar. Kështu flet ndjenja dhe jo
urtësia për ndjenjën e dashurisë. Tashmë është dëshmuar nga shtytjet e lakmisë
së pashërueshme, se këso përkushtimesh kanë rrëshqitur në pakënaqësi. Sidoqoftë
Emira si autore urtish, ndjek edhe diskursin për rimëkëmbjen e besimit aty ku
të kanë harruar: “dije se ekziston dikush, që do ta hapte çdo derë për ty!”[4]
Nëpërmjet këtyre urtësive, Emirën si
autore, e fisnikërojnë përpjekjet për kultivimin e marrëdhënieve të çiltra në
gjininë njerëzore. Meqë në këto shkrime nuk kemi dialog dramatik, ndjejmë vetëm
monologun e rrudhur autorial, që ngre konceptime për sinqeritetin, për disa
trajta të egoizmit, si dhe ngrehje për veshi gjithsecilin subjekt të përgjumur,
që shikon, por nuk sheh, që dëgjon, por nuk ndjenë se jeta kërkon syçeltësi, durim,
gëzime dhe lumturi të përbashkëta...
AKT I PËRMBYLLJES
Mendoj se Emire Bilalli-Dërmaku si
autore e shkrimeve të tilla, ka ndjeshmëri për t`i piketuar e spikatur dukuritë
e kamufluara në jetën tonë urbane.
Shëndet e të mbara për autoren!
Gjilan, më 28 qershor 2024