Kulturë
Rexhep Shahu: Fragment nga libri ‘’Bisede e perfytyruar me Havzi Nelen’’
E premte, 19.07.2024, 07:53 PM
Fragment nga libri
Bisede
e perfytyruar me Havzi Nelen
Nga
Rexhep Shahu
Kemi
frikë nga pendesa. Nuk e krijuam dot institucionin e pendesës, nuk e mbajtëm në
kembë, ndonëse nuk kemi pak shembuj madhështorë pendese e fisnikërimi. Ne duket
jemi gjallë e mbijetojmë vetem mbi samarin e urrejtjes ndaj tjetrit. Kjo e
gjitha nga frika.
Nuk
di ta shtjelloj e nuk e marr përsipër, por më ka mbetë në mendje një fjalë e
Izetit një nga këto ditë, kur më tha se kisha në Vatikan është e Shën Pjetrit,
si institucioni madhështor i ndjesës e pendesës… Ndoshta kështu
ka qenë jetë
e mot, ndoshta
mos pranimi i tjetrit ka qenë mënyrë jetese, ndoshta pranimi i varfërisë,
pranimi i pamundësisë
për ta mundur, refuzuar, shmangur apo hequr e
zhdukur varfërinë, ka qenë mënyrë jetese, mënyrë të menduari, sjellje, ndoshta
pajtimi me varfërinë ka qenë arritja e paqes apo ka qenë gjë e vogël në raport
me humbjen e lirisë dhe kërcënimin për humbjen e lirisë.
Pushteti
i vrazhdë i varfërisë ka kondicionuar gjithë mënyrën e sjelljes e të jetesës,
ka prodhuar skllevër, të bindur, ka shtesuar në thellësi të njeriut mëri e
mllef të pafund, mëri e mllef që vdiste ngadalë sidomos në vitet e pushtetit të
frikës në komunizëm e diktaturë. Socializmi ndërtoi në ne dikënd tjetër, atë
njeriun e ri që nuk kemi dashur ta kuptojmë e ta shohin në ne, brenda nesh, në jetën
tonë, në sjelljen tonë, në mënyrën tonë të jetesës, ndërtoi në ne një individ
tjetër të panjohur, një individ të cilit i rridhte në vena jo gjak por urrjetje
për tjetrin, mos pranim të tjetrit.
Socializmi
u bë serë e mrekullueshme për gjithë veset tona, i kultivoi me dashuri veset më
të shëmtuara. Dhe të keqen më të shëmtuar që rrëzon çdo kala socializmi e
mbolli në familje, në fis, aty ku ka qenë dhe është synuar të mbahet nën fre.
Ne duke i mbajtur fshehur veset ata janë bërë vatra të pashërueshme tumorresh
që na asgjësojnë me shpejtësi nëse i prekim apo synojmë t’i shërojmë
pjesërisht…
Njeriu
i ri i socializmit i përfeksionoi të kqiat brenda rrethit familjar se brenda
rrethit familjar njerzit ia dinë njëri – tjetrit të mirat e të ligat dhe e
mbajnë peng njëri
–
tjetrin për tradhëtitë, hajnitë, ligësitë, vogëlsitë që pjellin mëri deri në
vrasje të njeriut të afërt.
Të
gjithë, kudo, gjithë kohës, nëpër mbledhje, në kafe, në familje, në shëtitje
flasim për të tjerët, për tjetrin, ankohemi për të tjerët për tjetrin, zbulojmë
e nëse nuk ka, shpikim të paqena e të pathëna për tjetrin, e bëjmë pis me çdo
kusht tjetrin, nuk lejojmë as pranojmë që dikush tjetër të jetë mbi ne, më i
mirë se ne, më i vitytshëm se ne.
Pothuaj
të gjithë, gjithë kohën, kudo në çdo dy fjalë që nxjerrim merremi me të
shkuarën, vetëm me të shkuarën dhe të bëhet se ne nuk kemi të sotme dhe as do
të kemi kurrë të ardhme. Ne nuk dimë të flasim për të ardhmen.
Më
krijohet përshtypja shpesh se edhe të dashuruarit, të fejuarit, më shumë merren
me të shkuarën e tyre se me të ardhmen, me krijimin e të ardhmes, me
projektimin e saj.