E enjte, 08.05.2025, 06:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: 'Shqipëria e Re' - Tribunë e zjarrtë e atdhedashurisë Shqiptare (1919-1935)

E diele, 23.06.2024, 05:56 PM


"SHQIPËRIA E RE" – TRIBUNË E ZJARRTË E ATDHEDASHURISË SHQIPTARE (1919-1935)

Nga Baki Ymeri

Më 28 gusht 1919, në rrugën Calea Calarasilor nr. 115 bis, nisi të dalë në Bukuresht fletorja Shqipëria e Re, "Organ i Shqipëtarëvet të Rumanisë". Del tri herë në muaj, "Ndenë drejtimin e një Komiteti", duke patur për redaktor Ilo Mitkë Qafëzezin. Është një nga nga të gjitha 30 gazetat dhe revistat shqiptare që delnin në Rumani, që pati jetën më të gjatë (1919-1935), inekzistente në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të akademikëve të trembur të Tiranës (1985). Gazeta del në gjuhën shqipe, herëpasherë me artikuj edhe në gjuhën rumune. Në nurmin e parë i jepet prioritet Viktor Eftimiut me artikullin Soarta Albaniei (Fati i Shqipërisë), të cilin e gjejmë edhe në nr. 2 me artikullin Italia dhe Shqipëria (rumanisht), kurse në nr. 3 shqip. "Një Shqipëri e plotë dhe e ndihmuar prej Italisë që në hapat e parë të zhvillimit do të ishte zgjidhja më e natyrshme e kësaj çështje". Vargje dhe shkrime tjera të Naimit, Asdrenit, Lasgushit, Kutelit, Milo Duçit, Kristo Floqit, Llukë Karafilit, M. Ciko, Ef. Kovaçi, F. Miçaço, artikuj dhe drama të Viktor Eftimiut defilojnë në faqet e gazetës, që nga numrat e parë. Disa autorë nënshkruajnë me pseudonim letrar si Toska, Shtegu, Malësori, Veriu, Guri Malësori etj.

Që nga numri i parë i vitit të dytë (10 korrik 1920), Shqipëria e Re filloi të botohet në Konstancë, në shtypshkronjën Albania, duke patur për redaktor Guri Malësorin (Gjergj Bubani). Meqë I. Qafëzezi qe kthyer në Shqipëri si pasojë e moshës dhe shëndetit të brishtë, redaktimin dhe botimin e saj e marrin përsipër Mihal Xoxe dhe Guri Malësori, të cilët një vit më vonë do të theksojnë: "Gazeta jonë afron të mbushnjë dhe motin e tretë. Që kur se hyri në motin e dytë, dyke shkuar nënë-kujdesjen tonë, mundet të mburemi se është e vetëm(j)a gazetë që ka dalë në rregull, pa fjalë veç gazetës Dielli e cila ka prapa krahëvet Federatën e madhe Vatra e cila më çdo nevojë i hap qesen. Pra kur ne bëjmë këto therorësi, këndonjësit të kësaj gazete kanë për detyrë të paguajnë 100 lei, 10 fr. ar ose 2 dollarë në mot. Nuku kemi qëllim të fitojmë, sigurojmë këndonjësit, se, posa që të gjithë sa që marin këtë gazetë do të paguajnë pajtimin e tyre, gazetën do ta nxjerrim dy ose tre herë në javë dyke patur dhe lajme telegrafike nga Shqipëria. Shumë gazeta shqip kanë dalë në dritë, po të pakë janë ato që kanë dalë në rregul ose që nuku kanë vdekur. Suma që mbledhim nuku arin as gjysmat e këtyre arxheve. A është e mundur pra të vazhdojmë punën që kemi nisur? Kjo varet prej këndonjësit."

Për Shqipërinë e Re kanë shkruar me admirim Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Vehbi Bala, Ismet Dërmaku, Xhelku Maksuti, Elida Petoshati etj. Po japim me këtë rast, për herë të parë, një prezantim të mbarë të lëndës së kësaj tribune të zjarrtë të atdhedashurisë shqiptare. Gazeta nisi të dalë pas ndërprerjes së botimit të Flamurit të Shqipërisë: "Kur u refugjatmë në Rumani më 1914, nga shkaku i trazimeve të brëndshme, edhe atëherë nuku ndenjmë reat. Formuam një komitet dhe me konkursin e zt. Hristo Kosta, Akile Eftimiu, Avram Marko, Sotir Vasili dhe Hristaq Xoxa, ngritmë shtypëshkronjën Albania (Rruga Traian, nr. 20) dhe nismë të nxjerim gazetën Flamuri i Shqipërisë, të cilën gazetë e drejtonte i ndyeri Thoma Grigori, student i Robert Kollegjit të Stambollit. Kjo gazetë dolli me rregull gjer atë kohë që ryri në luftë Rumania dhe e cila ndaloj botimin e gjithë gazetave të huaja". (M. S. Xoxe, Shqipëri e Re, nr. 86/1922). Për Tipografinë Albania të Konstancës, fare pak gjëra dinë shqiptarët, sidomos si pasojë e dembelizmit diplomatik dhe indiferencës së pseudodeputetes "shqiptare" në Parlamentin rumun. I kanë qitur në harresë, madje, edhe pasardhësit e pronarëve të kësaj shtypshkronje të famshme në kohën e Mbretërisë. Sot e kësaj dite jeton në Bukuresht e bija e Anastas Xoxes (Maria Dreosi), si dhe nipërit e kushërinjve Xoxi që drejtonin shtypshkronjën Albania, ku e panë dritën e botimit librat e Lasgushit, Asdrenit, Kutelit, Visar Dodanit, atje ku shtypej Shqipëria e re, libra e broshura, kalendarë, atje ku kishte repart për lidhje librash, stereotipi dhe papiteri.

Kostumi kombëtar shqiptar është më i bukuri në botë

Në nr. 15, në kuadrin e artikullit Literatura albaneza (rumanisht), I. Tudor përshkruan karakteristikat shqiptare të kavalerizmit më të pastër poetik për të bukurën, "kur etnografët na thonë se kostumi kombëtar shqiptar është më i bukuri në botë. Si mund të pranojmë se populli shqiptar qenka primitiv që nuk mund të kuptojë dhe ndjejë të bukurën, kur poezia dhe literatura e tyre popullore është një thesar i paçmuar nga i cili janë ushqyer popujt fqinj apo bashkëkombasit e mi të përfytyrimeve, tabllove dhe ndjenjës poetike. (...) Vetë letërsia jonë, rumune, mund të mburet me disa figura të shkëlqyera që kanë tërhequr hullinj të thellë dhe frytëdhënës mbi ogarin e kulturës rumune. Ion Ghica, ekonomist në ballë, autori i asaj ndjeshmërie dhe bukurie të rrallë që janë letrat e tij, është shqiptar nga origjina. Dora d'Istria, rumunja e famshme, që mban emrin e lindjes, Gjika, edhe kjo shqiptare. Sot, madje edhe poeti i brishtë dhe i ndjeshëm, Viktor Eftimiu, autor i dramës së famshme Vargëzohuni margaritarë, është shqiptar".

Respekti ndaj Rumanisë dhe popullit rumun

Lasgush Poradeci thekson në një studim të tij se "Shqiptarët duhet të këthehen me mirënjohje kundrejt popullit rumun dhe qeverisë rumune, për ndihmën e gjithënjëshme që kanë patur lëvizjet e tyre kombëtare. Pa këtë ndihmë, e cila ka qënë njëkohësisht morale dhe lëndore, çështja shqiptare në Rumani dhe Shqipëri nuk do kish marë sulm të fortë, themeltar, aq të nevojitur asisoj për kohët e robërisë. Nuk do kish qënë e mundur pa mbështetjen fisnike të Shtetit rumun ngritja e Shoqërive zë-mëdhaja të Bukureshtit – Drita, Diturija, Shpresa, Bashkimi – dhe të qytetve të tjera të Rumanisë, të mirëmerituara plotërisht me veprat e tyre ndaj Atdheut. Kësaj mbështetjeje i ka hije mirënjohja më e fellë e gjithë Shqiptarëve. Sepse një përkrahje e këtillë nuk i-u dha atyre as në Greqi, as në Turqi, as në Serbi dhe as në Bullgari" (Vepërimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë me Kryqendër Kolloninë e Bukureshtit, vepra 2, Onufri, Tiranë, 1999, f.144).

Në kuadrin e artikullit "Ç'detyrojmë Rumanisë" (Nr. 119/1923), Gjergj Bubani thekson: "Të rahur dhe të shtyrë nga tërë anët, me sy të prera prej dhembjes, vojtje dhe urije, të hikur natën me drojtje prej vatrave tyre, ose, prej burgjeve të sulltanit kuq, të parët "nacionalistë" Shqipëtarë gjetnë në Rumani një vënt prehje dhe një popull mik, vëlla që ua kuptonte dhembjen. Bukureshti, kryeqyteti i bukur i këtij shteti, në historinë e lëvizjes kombëtare të Rilindjes Shqiptare, është një emër i shentë dhe i shtrenjtë, se aty u ndes flaga e parë e Shqipëtarismës, e përmbajtur deri sot dhe e përhapur në të katër çipet e botës. Dhe gjith ay, Bukureshti, është qyteti që ngaj i ndyeri Plak Ismail Kemali, me një tufë enthisuasmante nacionalistësh shkoj për në Vlorë, për të ngritur flamurin e Lirisë dhe për të prokllamuar vetqeverimin e Shqipërisë" (...). Në nr. 447 del artikulli Rumania dhe Shqipëria, ndërsa në nr. 461 bëhet fjalë për miqësinë rumuno/shqiptare. Gazeta hap shtyllat edhe për letërsinë rumune. Kështu, përveç shkrimeve të Mihai Eminescut (nr.345), apo ato të Ion Dragut mbi Shqipërinë (nr.484), hasim edhe krijime të Artur Enasheskut (Balada e kryqit prej lisi), Joana d'Ark prej Al. Odobescut, Balada Shqiptare e poetit të famshëm George Cosbuc (nr. 387), shkrime të Iulia Hasdeut, Ion Creanges, V. Eftimiut, M. Sadoveanut, Caragiales, Emil Garleanut, etj. Me rëndësi është artikulli i C. Mureshanut, Sufletul albanez (Shpirti shqiptar), botuar në nr. 572, ato të Nicolae Iorges (nr. 481) etj.

Nga nr. 398/1929 (8 dhjetor), kuptojmë se një tufë intelektualësh rumunë krijuan në Bukuresht shoqërinë "Miqt' e Shqipërisë". Kryetar u zgjodh z. Cezar Pascu, deputet, kurse sekretar z. Hristo Daka. Më 28 Nëntor përmbi 40 intelektualë rumunë i dërgojnë telegramë Komunitetit Orthodoks Shqiptar në Bukuresht, me qëllim që ta afirmojnë sa më tepër solidaritetin ndërmjet popullit rumun dhe popullit shqiptar "që kanë patur aq rojtje të përbashkëta si edhe për të shtrënguar lidhjet miqësie dhe vëllazërimi midis tyre". Në nr. 399 (15/12/1929) Komuniteti Orthodoks Shqiptar i Bukureshtit përgjigjet me telegramë shoqërisë Miqt' e Shqipërisë, duke e dinamizuar tekstin e telegramës me urimet "Rroftë Mbreti Mihai I! Rroftë vëllazërimi rumuno-shqipëtar!", duke botuar në fq. 2 artikullin Rumunët e Shqipërisë. Një nga miqtë e mëdhenj të popullit shqiptar ishte edhe historiani i famshëm Nicolae Iorga (shq. Nikolla Jorga), autor i mbi njëmijë librave të botuar, kryeministër i Rumanisë, i likuiduar në prag të Luftës së dytë botërore nga legjionarët rumunë. Sipas tij "Në rëmbat e një pjese të madhe të popullit rumun rrjedh gjaku ilir, ay gjak i bekuar i cili ju bën rezistentë, kuximtarë, trima dhe inteligjentë" (N. Iorga, Shqipëri e Re, nr. 481).

Një mik tjetër i Shqipërisë ishte Prof. Dr. Camil Mureshan, i cili nxori në dritë, në kuadrin e bibliotekës rumune Cartea sub Icoana (Libri nën Ikonë), një vëllim me fjalë të urta shqipe të përkthyer prej Dhimitër Paskos (Mitrush Kuteli) në gjuhën rumune. Është vepra e parë me aforizma shqipe në gjuhën rumune. Libri u prit me "lëvdim nga ana e shtypit rumun". C. Muresan i qëndis një parafjalë të bukur në të cilën nxjerr në dritë rëndësinë e fjalëve të urta për të përhapur diturinë midis popullit. "Fillimi për të bërë propagandë shqiptare midis të huajve me anën e përkthimeve është shumë i mirë dhe dëshirojmë të vazhdohet", thekson gazetari anonim në faqet e Shqipërisë së Re duke theksuar se libri në fjalë u shtyp në tipografinë Albania me shpenzimet e drejtorit Mihal S. Xoxe dhe vëllaut të tij, Anastas Xoxe. Në nr. 559 të gazetës gjejmë një mik të madh të komunitetit: Konstanti Naumescu, "të cilin e nderojnë tërë shqiptarët e Bukureshtit se është treguar ngahera patriot i nderçmë që është përpjekur për të liruar të burgosurit politikë të Shqipërisë".

Nga nr. 51 kuptojmë se gazeta e përditshme rumune, Dimineata, që del në Bukuresht shkruan: "me shumë mundime ariu edhe ky trim dhe kryelartë popull, ne i cili gjenden edhe shenjat e vjetra e qytetërimit të kohës së Homerit, të bashkohet në një shtet indipendent në tokën e tij...I ndarë në fe dhe i përçarë, viktima e administratës dhe politikës të regjimit Turk, prapë mundi të mbrojë zakonet dhe nderin me gjithë propagandat e fqinjëvet. Rumania e ka dashur dhe e ka ndihur kurdoherë. Që nga tokat tona nisnë shumë luftëtarë patriotë për lirimin e popullit Shqipëtar, dhe shumë propagandistë të Rilindjes Kombëtare, dyke nisur me atë Dora d'Istria, emër në e cila fsheheshe emëri i vërtetë Elena Gjika (..), një shkëndi drite që ndriçoi Shqipërinë". Një tjetër gazetë e përditshme bukureshtare është Dacia, e cila "ngahera jep lajme dhe artikulla për Shqipërinë". Dacia ishte një gazetë rumune që mbronte edhe të drejtat tona kombëtare. Pokështu, i kanë hapur shtyllat për kauzën shqiptare edhe gazeta tjera rumune si Farul e Konstancës, Curentul e Bukureshtit etj. Një tjetër autor rumun, Ion Dragu, shkruan mbi Shqiprinë në nr. 483.

Goxhamani - memeci i Zyrës së Shtypi në Bukuresht

Me komunitetin shqiptar të Rumanisë jemi ndërlidhur qysh në moshë të studentërisë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, dhe atë falë profesorit tonë të ndjerë, Dr. Latif Berishës, i cili na rekomandoi të hartojmë një seminar me titullin Bukureshti si qendër e kulturës dhe letërsisë shqipe. Ishte janar i vitit 1971 kur erdhëm për herë të parë në këtë metropolë të bijve dhe bijave të rilindësve tanë. Falë prof. Xhelku Maksutit kemi patur nderin të njohim konzullin e Shqipërisë në Bukuresht, Nik Pema. Nik Pema ishte korçari bukureshtar që e mbante mend tribunin e atdhedashuris shqiptare, Nikolla Naçon. Ishte 80 vjeçar dhe jetonte me Elenën e tij në zemër të kryeqendrës, në Strada Mihai Voda nr. 9, në të njëjtën godinë të vjetër ku kishte banuar edhe Asdreni disa vjet. Funksionar i konzullatës shqiptare kishte qenë në kohën e Zogut. Në nr. 87 të Shqipërisë së Re gjejmë burime për të si "gazetar përparimtar që mbron të gjitha përpjekjet e Nolit ndaj atdheut". Elena e tij mbante mend Goxhamanin dhe tregonte se Jorga kur e kishte parë, duke analizuar tiparet e fytyrës së tij, kishte thënë: "Ky mund të jetë spiun".

Në faqet e Shqipërisë së Re, Goxhamani del si një njeri i cili s'ka punuar në jetën e tij, i cili s'është tjetër gjë në Bukuresht veçse një parazit që ushqehet nga buxheti anemik i Shqipërisë, "dyke shkuar një pjesë të kohës nëpër kafanat dhe një tjatër pjesë në Konsullatën e Bukureshtit ku bëhet muhabet gjith një soj si në kafeane. Një njeri që të jetë i zoti të bënjë punën që i kërkohet një attache de presse duhet të jetë e para punës inteligjent dhe me kulturë të zgjedhur, me karakter, moral dhe seriozitet, cilësira këto që e bëjnë të zotin të mbajë marrëdhënie të afërm  e me gazetat dhe gazetarët. Goxhamani s'ka kulturë dhe me cilësitë e naltëpërmenduna është i zemëruar keq." Në nr. 560 (18/06/1934), Goxhamani fshikullohet edhe në gjuhën rumune (Suflet de carpa murdara/ Shpirt i leckës së fëlliqur): "Ekziston në Bukuresht një qelbësirë me pamje miu që vetëtitullohet Atashe i shtypit të Shqipërisë (...)".

Subjekte të ndryshme

Shqipëria e re është një tribunë publike ku defilojnë një serë subjektesh të ndryshme shqiptare: artikuj, portete, poezi, prozë, epigrame etj. Në nr. 19/1920 botohet në gjuhën rumune artikulli Një koloni shqiptare në Basarabi. Përmendet Karakurti me 118 familje shqiptare të ardhur nga Gadishulli Ballkanik. Në nr. 21/1920, jepet një artikull i gjerë mbi Shqiptarët e Odesës, ndërsa në kuadrin e artikullit Pashk' e Madhe në Bukuresht, Ilo Mitkë Qafëzezi përshkruan përpjekjet multisekulare të Rumanisë për dëbimin e pushtuesit osman dhe të fanariotëve grekë. "Zoti Kuza i mblodhi kallogjerët grekë dhe i flaku përtej Tunës (Danubit)...Vlerëso dhe Shqipërinë, ti o Zot i Gjithësisë, të pastrohet nga armikët, fali dritën e Lirisë!" Nga një Letër nga Jashi, kuptojmë se në Jash të Moldovës ekzistoka një koloni shqiptarësh, të cilët në emër të D. Verussit (Kryetar) dhe Hristo Verussi (Nënkryetar), "me një dashuri ndaj të shenjtit atdhe, urojnë dhe kremtësojnë ditën e lirisë" (Nr.64). Në nr. 51 (1 janar 1922), reporteri shkruan për ardhjen e Aleksandër Mojsiut në Bukuresht, për banqetin e dhënë prej Kolonisë Shqiptare për nderë të tij. Banqeti qe organizuar në sallën e mermertë të hotelit Bulevard. Shqiptarët e Bukureshtit janë fatbardhë se në gjirin e tyre gjendet ylli më i shkëlqyer i teatrit të prëbotshëm, tragjediani i madh shqiptar Aleksandër Mojsiu.

Në këtë kremtim mori pjesë edhe shkrimtari i famshëm Viktor Eftimiu me zonjën e tij, Axhepsina Makri, konzulli i Shqipërisë Vasil Dogani, drejtorët e Ministrisë së Punës, Stavri Kuneshka dhe Emanoil Bukuca, filoshqiptarja e madhe, Zonja Smara etj. Kryetari i Kolonisë, dr. Spiro Maçuka dhe pas tij Vasil Dogani, "mbajtnë nga një fjalim të bukur dhe ngritnë kupat për të madhin Shqipëtar. Pastaj folnë Zonja Smara, Z. B. Branisteanu dhe sekretari i Kolonisë, poeti Asdren. Banqeti u mbarua në orën 3 e gjysmë të natës". Nga nr. 62 kuptojmë se "të enjten pritet Peshkopi Fan Noli këtu dhe për pritjen e tij pregatitet qyteti i tërë. Mitropolia veçan(ërisht) ka marë masat e duhura". Në nr. 65 bëhet fjalë për për Festivalin Shqipëtar të Konstancës, që do të mbahet në sallonin Isvor, me pjesën Shqiptarët, me komedinë Në telefon, me recitime poezishë, me aria dhe këngë kombëtare shqiptare, programi i të cilit do të vazhdojë pas mesnate me valle shqiptare si dhe me shumë surpriza.

Që nga korriku i vitit 1921, gazeta do të dalë një herë në javë. Në nr. 56 botohet një letër e hapur kundër Asdrenit gjoja se "punon kundër gazetës dyke thënë se nuku është serioze", edhepse më vonë Asdrenit do ti jepet hapsirë tipografike në faqe të panumërta të Shqipërisë së re. Nga një epigramë botuar në nr. 72 (Tepelenasve dhe Elbasanasve), fshikullohet T. Zurani, Ministri i Financave, i cili i gëlltiti 5.000 dollarë që i dërgoi "Vatra" e Amerikës për viktimat e tërmetit të Tepelenës dhe Elbasanit. Në nr. 86 ballafaqohemi me prozë të bukur për Besnikërinë shqiptare, me artikuj pë Spiro Bellkamenin, për Shoqërinë "Drenovarët" e Bukureshtit dhe kremtimin kombëtar. Bëhet fjalë për krijimin e Shoqërisë mirëbërëse "Bashkimi" i dardharëve në Bukuresht. Sipas Ilo Gajos, "Më 1905 dardharët filluan një shoqëri (nën kryesinë e tij, po e cila nga arësye të ndryshme mbeti e shkretë. Më 1922 pason riorganizimi i saj, me qëllim të ndihmojnë të varfërit dhe jetimët e fshatit, të ndihmojnë moralisht dhe materialisht skolitë shqipe të fashtit". Fjala është për Drenovën. Më tej, artikullshkruesi vazhdon: "hapet fushata për të formuarë të parin fond dhe suma që u nënshkrua prej atyre që gjëndeshin kapërxeu të 30.000 lei. Vendoset që Kanunore e Shoqërisë të bëhen në gjuhën shqipe. Pasi u nënshkrojtën një proces verbal, mbledhja u përhap në një atmosferë enthusiasmi, (h)armonie dhe dashurie të plotë". Sekretar i Shoqërisë ishte Ndreko Ktona.

Në nr. 87 defilojnë shkrime të A. Vançit, M. Piros, Vlonjatit, Voskopojarit. Në nr. 98 bëhet fjalë për pasurinë e Esat Pashë Tradhëtarit. Nik Pema e konsideron Rumaninë si "vend mikpritës". Në nr. 104 gjejmë një fotografi të bukur të Nolit dhe një shkrim mbi Shoqërinë "Bashkimi i Dardharëve" me adimirimet që gëzon kjo në rradhën e komunitetit. Në nr. 107 botohet Hymni Patriotik Betimi m(b)i Flamur, vargje të Asdrenit, Lasgush Poradecit etj., ndërsa në nr. 83 dhe 99, në rubrikënm "Goja e botës", dalin disa epigrame të sojit si: "Je poet fort i dëgjuar!/Të gjithë të këndojnë.? Po nga mosha si i shkuar/ Dhe s'shëkoj të të martojnë!" (Plaku), apo: "Priftërinjtë lozin nga belaja/ Po Xhuvan jashiku, At Xhuvan me halle,/ Nëpër tërë dasmat zu dhe na lot valle,/ Që kërcen përpjetë capi nga sevdaja! (Sfinksi). Epigrama e parë, sipas fjalëve të Dhimitër Kristeskut, e satirizonte Asdrenin që e shkriu tërë jetën për Shqipërinë, duke e sakrifikuar madje edhe jetën private, përkatësisht dashurinë: "Asdreni e kishte mëndjen te libri, e jo te gocat e këtij vëndi që ta lëvizin tepelekun e kokës.", na thoshte Nik Pema në kohën e tij (1975), korçari i Bukureshtit që e kishte zgjedhur për bashkëshorte Elenën rumune, që konsiderohej si missi i ballove shqiptare të Bukureshtit (1938).

Në faqet e Shqipërisë së re defilojnë artikuj si Zakonet e bukura shqiptare, Kolendrat, Mbi vrasjen e Hasan Prishtinës, Pandeli Vangjeli thërret Aman lëvdomëni, Vllahia e parë dhe Vllahia e sotme, Balli i boboshtarëve, Klika e besaxhive (Nr. 548/549), Pse u vra Hasan Prishtina, Hujt pa bisht dhe Kollonia e Bukureshtit, Komedia e Bukureshtit mori funt, Fishta, Lasgushi, Koliqi (në fotografi) (551-553), Hasan Prishtina, Vagabondi Faik Konica (vizatim karikaturë), Dhimitër Pasko - Doktor Magna cum laude i Akademisë së studimeve të nalta tregëtare dhe industriale të Bukureshtit (553), Riza Cerova (artikull i Dhimitër Kristeskut), Kristo Luarasi vdiq (Nr.554), Triumfi është yni (Dh. Kristesku), Hasan Prishtina (Kosova), Tajar Zavalani me rastin e një martese, Naim Frashëri në Stamboll, Tragjedia e Tajar Zavalanit, Buban bagabondi (Nr. 565), Lajmëtari Shqipëtar, Mbi Lasgushin (Dh. Pasko), një vjershë e Ahile Eftimiut, Shpirti Shqiptar (rumanisht), Dembel Konica, një artikull mbi Hasan Prishtinën, Lasgush Poradeci sipas Mitrush Kutelit (Nr.566/568), H. Prishtina, L. Poradeci. A. Eftimiu, Noli (559). Shqipëria e Re shkruan me admirim për Gazetën Shqiptare në Sofje, Lajmëtarin shqiptar dhe Diellin në Amerikë, Vatrën dhe Besën në Tiranë. Pasojnë artikuj për (apo prej) Themistokli Gërmenjin, Dr. Ibrahim Themon, Nikolla Jorgën, Festivalin e Studentëve Shqiptarë (572/574).

Në nr. 186 bëhet fjalë për darkën e e Shoqërisë Izvorul, shoqëri kooperative e përbërë prej akcionistësh shqiptarë. "Në këtë darkë foli zoti Asdren. Darka mbajti gjer afro në mëngjez". Në nr. 203 gjejmë burime mbi shqiptarët e Pjoeshtit. Në nr. 211 përkujtohet Themelimi i Shoqërisë Flaga, e përshkruar edhe në numra tjerë (218, 226 etj.). Në nr. 220 paraqitet Dr. Ibrahim Themo me një artikull mbi Aleksandrin e Madh. Mbi dhjatën e M. Tarpos që la pasurinë për kombin shqiptar bëhet fjalë në nr. 479. Në nr. 481 jepet një informatë mbi ardhjen e Zogut në Rumani. Një shkrim mbi shqiptarëe e Mexhidia e gjejmë në nr. 515, në nr. 531 figuron Adham Shkaba, "zemërzjarrti, ndërsa në nr. 537 jepet një artikull mbi shqiptarët e Mandricës në Bullgari. Deri tani e kemi prezantuar vetëm një pjesë të Shqipërisë së Re. Subjektet tjera pason ti bëjmë publike në njërin nga numrat e ardhshëm të revistës Albanica.

Shqipëria e Re dhe Kosova

Në kuadrin e artikullit Imperializmi serb, Ali Dvorani do të shkruajë qysh më 1922: "Ish nevojë të gjendej në botë një shtet sërb, që të hapet lufta e zezë e shekullit tonë, e cila solli prishjen, vdekjen dhe pocaqinë në të katër anët e horizontit. Atëherë fqinjët tanë, sërbët, lypnin përkrahjen e botës së qytetëruar, kundër imperializmit austroungar. Bota u dha përkrahje dhe i shpëtoi prej rrezikut të robërisë. Për hatrin e tyre u vranë dhjetra milionë veta, për hatrin e tyre si lumë rrodhi gjaku. Kush besonte se populli i cili pardje lypte përkrahjen e botës për të shpëtuar nga rreziku i imperializmit të huaj, do të aplikonte sot gjithë atë imperializëm? Kush besonte se hordhitë e Karagjorgjeviqëve, të cilët këtu e disa vjet më parë gjetën nëpër malet dhe nëpër pyjet tona refugjimet e ndjekura prej armikut, sot do të kërkojnë të tregojnë virtyte dhe trimëri kundër nesh?

Kush besonte se populli i pocaqisur i cili këtu dha disa vite gjeti tek ne mbrojtje dhe mbështetje, sot do të kërkojë të na paguajë mirësinë tonë duke na djegur katundet dhe duke terrorizuar bashkëkombëtarët tanë që patnë fatkeqësinë të mbeten nënë zgjedhën e tyre? Me ç'paturpësi politikanët e beligradit kërkojnë të kaptojnë viset thjesht shqiptare, vepër kjo thjesht imperialiste dhe egoiste kundër imperializmit dhe egoizmit të austriakëvet? "E drejta e të fuqishmit". Janë të fuqishëm sot. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe nëse kjo gjë është e drejtë, atëherë drejtësia është padrejtësi. Bota e qytetëruar kuptoi imperializmin beogradian. Këtë na e tregojnë intervenimet e shteteve evropiane për të përkrahur atdheun tonë nga thonjtë e tyre. Kjo gjë na gëzon. E drejta është me ne dhe e drejta do të triumfojë një ditë". (Shqipëri e Re, Konstancë, 29 Nëntor 1922). Në nr. 342 botohet një poezi e Asdrenit për Kosovën, në nr. 286 bëhet fjalë për Bajram Currin, në nr. 356 për kosovarët, ndërsa më 28 Nëntor 1922, në fq.2 del një protest në gjuhën rumune me titullin Un protest Albanez (Kundër Qeverisë së Beogradit): Kolonia shqiptare e Napolit, e bashkuar në mbledhjen gjenerale, i ka dërguar Konferencës së ambasadorëve një protestë kundër qeverisë së Beogradit, e cila ka shkelur të gjitha të drejtat dhe e ka invaduar Shqipërinë" (...).

Shqipëria e Re sipas Lasgush Poradecit

Në nr. 566 (9 shtator 1934), në kuadrin e artikullit Propaganda kombëtare jashtë Shqipërisë, gjejmë një studim rumanisht mbi Lasgush Poradecin. "revista kulturale Boabe de Grau që nxjerr në Bukuresht Drejtoria e Edukatës të Popullit, e redaktuar prej shkrimtarit të njohur Emanoil Bukuca përmban në numurin e saj të fundit (Nr. 3, 25/08/1934) një studim përmi L. Poradecin. Studimi në fjalë është nënshkruar prej Dhimitë Pasko (M. Kuteli) me një hyrje të shkurtër prej Z. Bukuca përmi marrëdhënjet kulturale shqipëtaro/rumune. Me qënë se ky studim na duket interesant shumë, për lëçitësit tanë po e shtypim në përkthim". Dhe fillon përkthimi: "Rethana istorike të veçanta dhe sgjatja gjer përpara pak kohë e zotërimit turk patnë vonuar rrisgjimin kombëtar dhe kultural të Shqipërisë. Prandaj edhe letratura shqipe kulte është tepër e re, mbase më e reja në Europë. Të parat vepra më të shënuara nuk filluan të dalin veç se në pjesën e dytë të shek. të kaluar. Gjeni më i kultivuar më shpesh prej të parëve shkrimtarë shqiptarë ka qenë poezia dhe talenti i tyre ku u pat vënë në shërbimin e idealit të indipendencës kombëtare. Tre poetë të mëdhenj si Girolamo de Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta që përfaqësojnë si cili nga një vend dhe një dialekt të ndryshme, i pari dialektin e folur prej shqiptarëve të Italisë, i dyti dialektin e Shqipërisë së Jugës dhe i treti dialektin e Shqipërisë së veriut, kanë shkrojtur vepra me një koncepcion dhe vleftë poetike të naltë dhe të cilëve iu detyrohet pjesërisht ndriçimi i ndërgjegjes kombëtare." (...).

Dita e paharruar për kombin shqiptar

Si çdo gazetë shqiptare, edhe kjo tribunë i kushton nga një numër special Ditës së Flamurit. Në kuadrin e artikullit "Festimi i Ditës 28 Nëntor në Bukuresht" (Nr.1009/1922), kuptojmë se "Të martën, më 28 Nëntor, u bë në Kishën Shqipëtare të Bukureshtit kremtimi i Ditës ës Rilindjes me një shkëlqim të veçantë". Ja një fragment nga fjala që mbajti në gjuhën rumune Dr. Maçuka, kryetar i Shoqërisë së Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit:

"Sot, Zotërinj, festojmë ditën në të cilën tani e 10 vjet më parë, për herë të parë, në brigjet ilirjane të Adriatikut u ngrit flamuri i lirisë shqiptare. Është e gjallë ende në memorjen e të gjithëve data e cila pas Luftës së parë ballkanike, kur fati i Shqipërisë varej nga patrioti Ismail Qemali, me përkushtimin që ta jep instinkti kombëtar dhe me vendimin që ta dikton rreziku i pashmangshëm, duke parandjerë se është vënë në rrezik fati i Shqipërisë, vjen në Bukuresht, konvokon mbledhjen e anëtarëve të Kolonisë, dhe të dytën ditë, së bashku me një plejadë atdhetarësh në ballë, nisen për në Shqipëri, dhe pas një udhëtimi të përmbushur me peripeci, arrijnë në Vlorë, ku në gjirin e popullit të entuziasmuar deri në delirium, në mëngjezin e ditës së 28 Nëntorit, ka lartësuar mbi shpatijet e e vendlindjes së tij simbolin e indipendencëls shqiptare, flamurin e Skënderbeut tonë të madh, flamurin me shqiponjën e zezë me dy krena në sfondin e kuq, dy ngjyra që, pa padashur, të sjellin ndërmend në ato çaste ato ditë kujtimin e ditëve të zeza të mbrujtura me trimëri dhe me luftëra të përgjakshme në epokën e lavdishme të Heroit të madh që ka shkruar faqe të bukura e të pazhdukshme të historisë kombëtare". Më tej, oratori përshkruan shkëlqimin e syve dhe fytyrën e qartë të Plakut të Vlorës, "të cilit ia kanë ngritur një përmendore në brigjet ku u morën vendimet historike për ta shpallur urbi et orbi të drejtën e popullit shqiptar për t'u bërë pronar i fateve të veta".

"Dita e sotme është dita e Lirisë. Sot Shqipëria është e lirë dhe e bashkuarë. Tani mbetet që ne të punojmë për të zbukuruar dhe për të madhëruar Atë" (28 nëntor 1931). Në faqen e parë defilojnë poezitë Dita e Lirisë së Shqipërisë (K. P.) dhe Flamuri i Shqipërisë (Shtegu), një fotografi e Hamid Shtaba Voshtinës, nxënës i shkollës Çamëria në Stamboll, i veshur në kostum kombëtar, dhe artikulli Dita e pa haruarë për kombin shqipëtar. Në nr. 572 (18/11/1934 lexojmë: "Dita e indipendencës 28 Nëntori do të jetë një ditë krejt e lumtur vetëm atëherë kur regjimi i sotmë uzurpator dhe rrëmbenjës i lirisë do të bjerë dhe do të lajë ghynahet që meriton" (Mihal S. Xoxe).

(Baki Ymeri, Bukuresht 1999)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx