Editorial
Fran Gjoka: Dhuna ndaj fëmijëve shpreh edhe dobësi në punën e shkollës
E marte, 14.05.2024, 09:04 PM
DHUNA NDAJ FËMIJËVE SHPREH EDHE DOBËSI NË PUNËN E SHKOLLËS
-Ndëshkim për çdo mësues qe ushtron dhunë
psikologjike dhe fizike ndaj nxënësve-
NGA
FRAN GJOKA
Realisht ka përmirësime
në sistemin e punës së shkollës dhe aktorëve të tjerë, që kanë për mision
kultivimin e vlerave pozitive në grupmoshat shkollore. Ato shfaqen dukshëm edhe
në përmirësimin e raporteve njerëzore mes palëve mësues- nxënës, nxënës –
prind, nxënës - nxënës, në uljen e shkallës së agresivitetit në raportet e ndërsjellta,
në një klimë më të butë në marrëdhëniet mes grupeve të interesit për arsimimin
dhe edukimin e brezit të ri me normat morale të një shoqërie demokratike dhe të
hapur, në një mënyrë sjellje më civile për zgjidhjen e konflikteve në shkollë e jashtë saj, në zbritjen e
rasteve të përdorimit të dhunës fizike e
emocionale në institucionet e edukimit etj. Siç duket, këtu ka ndikuar
edhe përpjekja e shoqërisë për emancipim e qytetari si dhe masat e marra kohët
e fundit nga MAS-i për vlerësimin e situatës dhe ndjekjen hap pas hapi të problemit nga strukturat drejtuese të saj.
Gjithësesi, në shkolla dhe mjedise familjare, ka ende dhunë, mungesë kompromisi
në zgjidhejn e konflikteve dhe të mosmarrëveshjeve, shfaqje të theksuar të
intolerancës në komunikim, agresivitet etj.Shoqëria shqiptare vazhdon të mbetet
ende minimal të jetesës e të sigurisë.E bashkë me prindërit mbetën edhe fëmijët
shqiptarë, të cilët ndihen të dhunuar si në familje ashtu edhe në shkolla.Një
studim i fundit UNICEF raporton aktualisht nivele të larta të dhunës fizike e
verbale,kryesisht tek nxënësit e arsimit 9-vjeçar . Në pamundësi për të parë problemin në një plan
të gjerë, pasi të tilla janë hapësirat e një shkrimi, në po i referohemi problemit
vetëm në shkolla e në mjediset ku jetojnë e kalojnë kohën nxënësit dhe
adoleshentët.
Kur mësuesi mund të dhunojë nxënësin, në
çfarë situatash?
Në anketat e
hapura dhe ato tëe mbyllura, të bëra në disa shkolla të vendit ,
rezulton se numrin më të madh të nxënësve të dhunuar e përbëjnë ata që
viktimitizohen psikologjikisht. Siç duket,
rënia e numrit të ushtrimit të dhunës fizike ndaj kësaj kategorie nxënësish,
lidhet edhe me intensitetin e punës dhe masat qe po merr kohët e fundit MAS –i për sensibilizimin e opinionit dhe
parandalimin e fenomenit, puna e specializuar e psikologëve në shkolla, një përpjekje
që duhet vazhduar e thelluar edhe në të ardhmen dhe jo të veprohet me fushata ,
siç kemi vepuar ne shqiptarët në tërësi dhe drejtuesit e shkollave e mësuesit në
veçanti.
Ajo që shfaqet
dukshëm në mësim mbetet dhuna psikologjike. Së paku, kështu shprehen nxënësit
dhe ky është edhe konkluzioni ynë. Ushtruesit janë mësuesit ndaj nxënësit. Ndërsa
jashtë shkollës, në kohën e lirë ose në veprimtari vetorganizuese të nxënësve,
ata që ushtrojnë dhunë psikologjike (jo vetëm psikologjike), janë nxënësit kundër
nxënësve. Fatkeqësisht ushtruesit e dhunës, mësuesit, grupet e nxënësve dhe
individët, siç tregojne të dhënat, i referohen prejardhjes së “viktimës”,
origjinës së tij, shkallës së intelektit, dobësive që mbart në përvetësimin e
programit mësimor, që më së shumti lidhen me nivelin e punës së dobët të shkollës
nga ata kanë ardhur se sa nga miveli intelektual i tyre, nga paraqitja e
jashtme etj. Shikojmë edhe anën tjetër të medaljes: mësuesit që po ndjehen të
shqetësuar në shpjegimin e mësimit, ku nxënësit, pavarësisht paralajmërimeve që
mësuesi u bën, vazhdon të prishë qetësinë e orës së mësimit. Ndodh që mësuesi
humbet durimin dhe në një moment nervozizmi reagon, duke u sjellë dhunshëm ndaj
fëmijëve dhe të rinjve. Anketimi në fjalë u shtri 550 shkolla të vendit,ku fëmijët
janë pyetur me metodën ballë për ballë duke ruajtur autonimatin e secilit prej
tyre. Studimi tregon më në detaj se niveli më i lartë i dhunës është në zona
urbane .Më konkretisht 55.6% e fëmijëve e pranojnë se janë dhunuar nga mësuesit
e tyre .
Nxënësit e
anketuar pranojnë se fyhen dhe ndjehen
keq nga fjala që ju drejtojnë atyre mësuesit ose shokët e shoqet e tyre, që e
kanë burimin tek origjina si: katundarë, malok, etj. Fëmijët nëpërkëmben
emocionalisht nga shokët e mësuesit me fjalë të tilla, që lidhen me moshën
psikologjike të tyre, si: gojëkyçur, i/e trashë etj., dhe një pjesë e konsiderueshme e nxënësve
dhunohen emocianalisht me fjalët e shprehjet që lidhen me të metat fizike, një
fatkeqësi e lindur ose e fituar, që askush nuk do ta dëshironte, si: veshëllapush,
i/e shpifur, qurravec, trashaluq etj. Po të shihet me kujdes dukuria, dalim në
përfundimin se shumë evidente është dhuna psikologjike, disi e fshehtë, që
ushtrohet nga shkolla ndaj nxënësve të ardhur nga zona rurale dhe që janë
ngulur përgjithmonë për të banuar në zonat ku vepron institucioni. Mendimi ynë,
i shprehur edhe nga nxënësit, është se ajo, tek kjo kategori fëmijësh, shfaqet
me frekuencë më të lartë në këto dy raste: me formën e përjashtimit dhe vetëpërjashtimit
nga jeta e shkollës e këtyre nxënësve. Një veprim I tilllë fatkeqësisht nxitet
edhe nga mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tyre, ndersa drejtoritë e shkollave
dhe strukturat drejtuese të nxënësve, që duhet të mbrojnë liritë dhe të drejtat
e shokëve dhe shoqeve heshtin. Në situata të tilla përjashtuese dhe vetëpërjashtuese,
kjo kategori nxënësish nuk vetpëlqehet, nuk vetëvlerësohet, nuk shihet e sigurtë.
Rrjedhimisht stresohet dhe nuk fiton aftësinë e integrimit në mjedisin e ri,
çka do të thotë se dhuna emocionale do të vazhdohet të thellohet mbi ta. Në
formën e paragjykimit dhe të një qëndrimi disi indiferent dhe pse kjo edhe përbuzës
ndaj këtyre nxënësve që kanë edhe probleme ekonomike dhe të formimit kulturor.
Për këto dy probleme unikale të formimit dhe të bashkëjetesës qytetare, i takon
shkollës që të krijojë mjedise e frymë bashkëpunimi e bashkëveprimi me te
gjitha grupet sociale, që formojnë kolektivin, në të kundërtën rezultatet e
pritshme nuk arrihen, objektivat nuk përmbushen dhe reformimi i shkollës
kompromentohet.
-Cilët mësues ushtrojnë më shumë dhunë
dhe pse?
Nga të dhënat del
që mësuesit që ushtrojnë më shumë dhunë janë ata me eksperiencë të vogël në punë,
që kanë mungesë përvoje, që nuk i zotërojnë emocionet, që nuk i njohin format e
komunikimit dhe psikologjinë e grupit, sidomos raportin mes moshës kronologjike
me atë psikologjike dhe që në një farë mënyre nuk janë të formuar ende si
edukatorë. Për këtë kanë përgjegjësi edhe fakultetet përkatëse, që përgadisin
punonjës pedagogjik, të cilët nuk e vlerësojnë formimin e mësuesve të ardhshëm
si edukator ë. Fatkeqësisht strukturat përkatëse te emërimit të tyre nuk
mendojnë shumë për përgaditjen e tyre tek i emërojnë në shkolla pa përvojë dhe
me kolektiva aspak të njohura për tregues në përgaditjen e nxënësve, ndaj nxënësit
ankohen për mësuesit e rinj. Mësuesit e kësaj kategorie duhet të fillojnë punë
në shkollat më me emër në qytet dhe në fshat dhe të jenë nën kujdesin e përhershëm
për ndihmë e trajnim të kualifikuar për disa vite nga drejtuesit mësuesit dhe
metodistët më të mirë që posedojnë DAR-i dhe ZA-të në rrethe.
Në grupin e mësuesve
që i dhunojnë më shumë nxënësit fizikisht dhe psikologjikisht janë dhe ata që
kanë disa vite pune në arsim, por që kulturalisht dhe profesionalisht janë ende
larg ritmit të zhvillimit të arsimit, teknikës, shkencës dhe zhvillimit të shoqërisë
në tërësi. Boshllëqet në formimin e tyre shkencor e metodik, psikopedagogjik e
social të tillë mësues përpiqen t’i mbulojnë me sharje e britma, duke iu hedhur
fajin padrejtësisht nxënësve pas çdo kontrolli që u bëhet. Ata ose duhen
trajnuar, ose një ditë duhen larguar, pasi breza nxënësish do të dalin pa
bagazhin e domosdoshëm të njohurive për përballimin e kërkesave të tregut. Është
edhe një kategori tjetër mësuesish që
ushtrojnë dhunë për hir të një tradite të mbartur nga shkolla e sistemit
komunist diktatorial dhe që shprehet hapur nga ata që mendojnë se dhunë ka edhe
në parajsë, se sipas filozofisë popullore, druri ka dalë nga xheneti. Mësues të
tillë nuk njohin modele alternative të sjelljes për disiplinimin e fëmijëve. Një
pjesë e mësuesve janë shumë të ngarkuar fizikisht e psikologjikisht, kanë
kaluar me ngarkesë dhe plot halle një jetë të tërë në arsim, tek kanë punuar me
devotshmëri dhe kurrë s’janë shpërblyer nga shteti dhe shoqëria, komuniteti dhe
instiucionet e tjera të edukimit të asaj kohe, të gjitha këto kanë rrritur tek
ata nivelin e stresit dhe i ka çuar në shkarkimin padrejtësisht të tyre tek nxënësit.
M.A.S për të zbatuar këtë fenomen që po ndikon negativisht në shkollat tona ,
ka nisur zbatimin e strategjisë së komunikimit .Fëmijët që keqtrajtohen nga
mësuesit,ka plot raste të tilla në shkollat shqiptare, por mbrenda shoqërisë
sonë gjejmë edhe raste të nxënëve që ushtrojnë dhunë për gabime të vogla të fëmijëve
të tyre.”Përballë kësaj situate jemi të vendosur për të ndëshkuar kedo që në ambjentët e
shkollës ushtrohet dhunë. Dhunë pa
dyshim psikologjike apo verbale,pa folur pastaj edhe për raste absolutisht të
patolerueshme që është dhuna fizike. Të njëjtin mesazh ka përcjellë edhe përfaqësuesi
UNICEF në vendin tonë,i cili tha se shoqëria shqiptare njëherë e mirë duhet të
njohë dhe të dijë të dallojë format e ndryshme , dhe të denancojë me reptësi
ato.Për të reduktuar në maksimum nivelin e dhunës në shkolla kërkohet rritja e
ndëgjegjësimit publik,nëpërmjet fushatave snsibilizuese ,por edhe të trajnimit
të mësuesve për çështje psikologjike që lidhen me pasojat e dhunës tek fëmijët
e të rinjtë.Kjo kërkohet të shoqërohet herëpashere me monitorime të vazhdueshme të nivelit të dhunës në
institucionet arsimore edukative në të gjithë vendin. Vetëm kështu bëhemi pjesë
integrale e komunitetit prinderor dhe atij vendor në shkallë kombëtare.
Në përfundim,
duhet theksuar se nxënësit janë më të predispozuar për të denancuar dhunën që
ushtrojnë moshatarët dhe të rriturit ndaj tyre dhe pothuajse mungon dëshira për
denancim ndaj mësuesve dhunëushtrues. Siç duket, kjo lidhet me frikën ndaj
hakmarrjes dhe flet për atë që shoqëria e shkolla nuk janë ende demokratizuar e
emancipuar dhe se tërë vëmendja e atyre që merren me arsimin dhe edukimin duhet
përqëndruar në gjetjen e mekanizmave të reja që prodhojnë për shoqërinë e
edukimin më shumë tolerancë e qytetari, emancipim e kompromis e që përjashtojnë
hakmarrjen e frikën, dyfytyrësinë dhe cinizmin. Çdo politikë arsimore duhet të
orientohet nga qëllime të tilla.
Prindërit kërkohet të njohin më mirë fëmijët
e tyre
Ky është përfundimi
i pyetësorit, i cili ka brenda diçka të vërtetë. Një pjesë e prindërve nuk i
njohin tipet, të tjerët nuk ja kanë idenë e krizave që përjetojnë fëmijët e
tyre në kufinjtë e një moshe. Ka edhe prej atyre që s’duan t’ja dinë për interesat
që fëmijët kanë për jetën, shkollën, shoqërinë dhe kulturën në tërësi. Jo pak
prindër i konsiderojnë të mbaruar detyrimet ndaj fëmijëve me plotësimin e
kushteve për veshmbathje, ushqim e shkollim, kur ata kanë nevojë edhe për mësim
dhe argëtim plotësues. Disa prej nënave dhe baballarëve nuk e dinë se kjo moshë
është në kërkim të identitetit dhe ideales, çka nuk është e lehtë të arrihet.
Një moshë e tillë e ka veçorinë psikologjike për të shijuar në këtë botë vetëm lumturi e gëzim, për të siguruar vetëm
suksese dhe për të bërë qejf. Mirëpo jeta nuk mund të mendohet kurrë fushë me
lule, pa kthesa e të papritura. E konceptuar ndryshe, ajo s’të jep kënaqësi,
nuk të kalit vullnetin, këtë veti të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për
jetën e njeriut. Kishte të drejtë dramaturgu i njohur B. Shou kur i këshillonte
të rinjtë se në se rruga nga kalon nuk përbëhet nga kthesa e vështirësi, dijeni
se ajo nuk ju shpie gjëkundi. Rrjedhimisht përceptimi i tyre për jetën e shoqërinë,
dëshirë dhe të ardhme, shpesh herë është iluziv dhe mund të nxisë ata në
kryerjen e veprimeve të nxituara e pse jo edhe në shkarje drejt aventurës. Ka të
rinj që e kanë të zhvilluar rebelizmin, prandaj
mësuesit, prindërit duhet t’’ua shpjegojnë këtyre nevojën për një jetë intensive
sociale, për pjesëmarrje në vendimmarrje, për bashkëpunim e ndërveprim me të
rriturit, për vlerësim të mundësive e kapaciteteve të tyre në kryerjen e
detyrave të ngarkuara.
Mosvlerësimi i
mendimeve dhe ideve të të rinjve, siç ndodh ende në disa familje, i hedh ata në
pasivitet, duke bërë një jetë të varfër emocionale e shpirtërore, i fut ata në
burgun e vetmisë. Pra, mungesa e aftësisë së tyre për të dalë nga kjo situatë,
i hedh të rinjtë në një jetë boshe. Kultivimi i tolerancës me këta të rinj, si
vlerë, i takon shkollës dhe përbën domodoshmëri pasi ajo krijon klimë të butë
dhe të përshtatshme për punë në mjediset e shkollës, motivon të rinjtë, duke pasqyruar
botën e tyre emocionale dhe krijon kushte optimale për bashkëpunim në dobi të
modernizimit të procesit mësimor-edukativ, me të cilët përballen shkollat tona.