E diele, 10.11.2024, 05:56 PM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Jorgo Papingji do kujtohet si Poezia fjala më e bukur e zotit

E diele, 24.03.2024, 07:57 PM


Jorgo Papingji do kujtohet si Poezia fjala më e bukur e zotit

Nga Albert Z. ZHOLI

Jorgo Papingji është një nga poetët më elegant shqiptar si dhe një intelektual me vlera të rralla. I qetë, i qeshur, i dashur e sheh gjithmonë me laps dhe letër në dorë. Me të kam bërë shumë intervista, por edhe biseda miqësore dhe kam ngelur i befasur nga dijet e tij. I madhi Papingji, është një autor dhe poet shqiptar, i njohur për këngët e tij të shumta që morën pjesë në "Festivali i Këngës në RTSH". Ai ka shkruar 5 këngë fituese në "Festivali i Këngës", njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian në vitin 2014. Mban titullin "Mjeshtri i Madh". Jorgo Papingji ka shkruar mbi 4000 këngë që ruhen në arkivin e tij. Në biseda ai gjithmonë patjetër do ta përcillte emrin e Vlorës disa herë. Ja si shprehet ai në një bisedë telefonike para 1 viti:

“Kam disa muaj që jam në vendlindje, në Vlorën heroike. Jam në Vlorën e Ismail Qemalit aty ku hodha hapat e parë dhe mora aromën e detit që më nxiti për krijimtarinë. Ishte ky qytet fisnik që m’i fali të tëra që unë të merrja penën dhe të krijoja. Vlora është një magji, është diell, hënë, është det, hapësirë, mbushur me stoli dhe vende piktoreske. Vlora më çlodh, më emocionon, më jep krahë dhe më lehtëson nga çdo dhimbje. Ka burra të mençur dhe natyrë përrallore. Nuk do isha ky që jam besoj nëse nuk do të kisha lindur në këtë qytet historik, ku çdo gur ka një ngjarje, ku çdo ditë ka një histori”. Një situatë të vështirë Papingji kaloi në vitin e Covid-19. Nuk e kishte parë kurrë veten të izoluar. Kjo situatë ka qenë tepër e vështirë, tepër e dhimbshme më thoshte shpesh në telefon. Kjo situatë as që ishte menduar pasi e ndau nga shokët, nga miqtë nga aktivitetet, nga krijimtaria e mirëfilltë, nga dasmat, fejesat, nga lëvizjet jashtë atdheut. Ju larguan në përjetësi shumë shokë pa u dhënë lamtumirën si duhet. Çdo ditë e atij viti dëgjoheshin lajme nga më të trishtat, vrasje, zjarre, vdekje, vjedhje, grabitje, largim të rinisë. Shqipëria po varfërohet dhe po plaket më thoshte kur takoheshim. Në disa momente nuk dimë as si të veprojmë. Si duket i kishte ikur ajo iniciativa e dikurshme për të bërë vepra të bukura. Por megjithatë në çdo ditë ka pak diell, ka momente të bukura, kishte situata që e gëzonin. Krijimtaria e largonte nga ky terr që e ka çuar vendin politika. Sa herë dëgjonte në televizione lajme të pabesueshme  merrte lapsin. Aty gjente ngushëllim. Aty sikur largonte hallet. Politika jo vetëm si koncept, por edhe si profesion ishte dhe mbetet jashtë shijeve të tija. Kjo s’do të thotë që s’e ndiqte politikën që nuk njihte politikanë. Jo! Përkundrazi, çdo poet është një ndjekës i rregullt i politikës, pasi me krijimet e tij jep një nxitje ndaj popullit, ndryshe nga ajo që bën politika. Por tjetër të miresh dhe tjetër ta ndjekësh. Çdo intelektual duhet ta ndjekë me vëmëndje politikën e vendit të vet. Aq më tepër poetët. Në shumë vende të botës poetët e mëdhenj edhe me tre vargje kanë qenë burim frymëzimi për masat popullore, për të drejtat e tyre dhe për t’i nxitur ata kundër shfrytëzimit. Por ai nuk është marrë direkt me politikë, pasi politika më e mirë për vendin e tij, për kombin e tij është poezia, arti. Një poezi e bukur me frymë atdhetare për të janë sa qindra ligjërata të politikanëve në parlament. Një poezi për Atdheun është sa mijëra fjalë boshe të politikanëve. Sot më tepër se kurrë politika shqiptare duhet t’i thërrasë mendjes për të qenë e qetë, gjakftohtë, korrekte me ligjin dhe Kushtetutën që t’i shërbejë sa më mirë vendit të saj. Politikanët bëjnë ligjet, ata tensionojnë situatën, pasojat i vuan populli, reagon Papingji në biseda. Me ç’të drejtë kjo klasë politike luan me fatin e popullit tonë të shumëvuajtur? Me ç’të drejtë kjo klasë politike acaron situatën që mund të degjenerojë dhe përkeqësohet më tej? Kush jua jep këtë të drejtë të luajnë me jetën e një populli, që iu ka besuar me dëshirë fatet e tij? Jorgo shprehej se “Për mendimin tim kjo klasë politike duhet të largohet pasi janë të njëjtat fytyra për shumë e shumë vjet. Ju lutem, kujdes. Jemi në zgripin e acarimit dhe të humbjes së orientimit. Kujdes, kujdes. Larg zjarrit dhe kokëfortësisë. Larg mendjemadhësisë dhe arrogancës. Larg molotovëve dhe provokimeve. Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi, piktura, pak politikë”. Meraku i tij mbetej cilësia e poezisë. Dhe realisht tregu i lirë i ka prishur shumë punë poezisë. Sot shikon më shumë poetë se kuzhinjerë. Sot kushdo që ka dëshirë boton se nuk ka filtra. Pra, ndaj sot nuk ka tekste. Sot ka fjalë. Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë që të mbërthen. Poezi apo tekst kënge do të thotë: Fjalë magjie. Sot në një tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?! Poezia ka ngritur në këmbë perandorë, presidentë, kryeministra, një popull. Poezia është fjala më e bukur e zotit. Por sot thoshte Papingji ka më shumë poetë se punëtorë.

Një poet ka thënë; “Ai që nuk i përket atdheut nuk i përket as njerëzimit”. Pra Papingji i përket në radhë të parë atdheut të tij. Ai është një ndjekës i rregullt i zhvillimeve të hapësirës mbarëshqiptare. Sot, shumë gjëra nuk duan shumë koment. Kosova ishte e lënë në harresë nga koha, vjen një ditë dhe fiton pavarësinë edhe pse nuk bashkohet me trungun mëmë. Çamëria është një krahinë po aq martire, po aq e dhimbshme, po aq e diskutueshme. Sot është koha e Çamërisë. Shoh shumë këngëtarë të njohur çamë si Enkeljda Alushi, Sajmir Braho, etj…që i janë përkushtuar kësaj çështjeje dhe ata me zërin e tyre po e bëjnë prezent këtë çështje dhe në organizmat ndërkombëtarë. Kërkimi i një të drejte nëpërmjet një kënge merr një këndvështrim tjetër, paqësor, artistik, që ndoshta sjell më shumë reagim. Kënga të çarmatos por dhe përhapet si vetëtima. Ajo është si zog shtegtar që kalon shumë shpejt kufijtë e vendit…Dhe për këto brenga ai merr penën. Ka shkruar poezi për të gjitha trevat shqiptare, për të gjitha tragjeditë shqiptare. Por ai ka pasur një jetë të vështirë. Ka ecur i vetëm mes halleve. Një poet jetim dhe nga dhimbja ka shkruar ato perla që nuk vdesin kurrë.

Jeta e tij ka një histori të rrallë, një histori të pabesueshme, një histori që përcjell dhimbje të patregueshme. Jorgo Papingji dhe Lefter Gjyli janë dy vlonjatë, baballarët e të cilëve u vranë nga bisha naziste në Mat’hauzen së bashku me 308 burra të tjerë vlonjatë. Arrestimi i tyre u bë në mesnatën e 15 mars 1943, u mbajtën një natë në burgun e Vlorës dhe të nesërmen u nisën për në Prishtinë dhe prej andej në Austri. Jorgo atëherë ishte vetëm 6 muajsh, ndërsa Lefteri vetëm 4 vjeç. Lajmi për vdekjen e baballarëve e morën vesh në qershor 1945 me anë të një liste të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ata u rritën pa baba, por nga ana tjetër dhe pse prindërit janë shpallur dëshmor, për të 308 të vrarët vlonjat në Mat’hauzen, nuk ka një lapidar ku fëmijët të vendosnin një lule (pasi ata janë pa varr) …Kur kujtonte fëmijërinë ai lotonte. Ai punonte, sepse artistin e mirë sado ta vlerësosh gjithmonë je i mangët në vlerësim pasi ecën më përpara se koha, i paraprin kohës. Arti ka vlera të pallogaritshme. Asnjë artist nuk mund të thotë në Shqipëri që merr hakun e punës që bën. Megjithatë artistët janë shpirtmëdhenj dhe me këtë gjendje vazhdojnë të shkruajnë dhe krijojnë. I japin njerëzve të thjeshtë gëzim dhe kënaqësi. I tillë ka qenë dhe do mbetet dhe poeti penë artë, Jorgo Papingji. Lamtumirë miku im i mirë! Do na mungosh shumë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora