Editorial
Gjekë Gjonaj: O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë
E enjte, 14.12.2023, 07:58 PM
O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë
Nga
Gjekë Gjonaj 
Në
klasën e parë   mësuesi dhe prindi  na kanë mësuar se shkolla është  shtëpia jonë e dytë,  një vend edukimi, çerdhe e diturisë,   një vend ku krijohet një person. 
Kështu na ishte dikur 
Në
shkollë, në kohën   e brezit tonë,  theksi vihej në njohuritë  dhe edukatën e  fituar Mësuesi respektohej  njësoj si prindi, ndoshta edhe më  shumë. 
Prindërit  na mësonin  t’i respektojmë mësuesit tanë , sepse janë
ata që  na edukojnë dhe na japin dituri,
na arsimojnë. Për mësuesit e asaj kohe 
nuk ishte e rëndësishme se cilët ishin prindërit tanë, çfarë   bënin për të jetuar, kush janë dajat ,
hallat,   tezet, cilës parti i takon...
Nxënësit  i kërkohej  të mësonte. 
I vetmi fakt vendimtar ishte njohuria e nxënësve. Si produkt i saj që
kishin  mësuar merrnin një notë  realiste ( të merituar) sipas kritereve të
notimit. “ As sipas gjyshes, as sipas dajave”. 
Në shkollë kishte rregull, punë, 
disiplinë.  Prindërit tanë nuk
paguanin mësimet private. Ne  ia
dilnim  me punën tonë. Merrnim
rregullisht  ndëshkime nga prindërit për
sjellje të papërshtatshme  ndaj mësuesit.
Prindërit tanë i respektonin  mësuesit.
Ata nuk ishin të drejtë dhe gjithmonë në krah të autoritetit të mësuesit.
Edukatori ishte një institucion për t'u respektuar.  Kështu na ishte dikur. 
Politika e shkatërroi
sistemin arsimor 
Sot,
asgjë nuk është ashtu siç ishte dikur. Të gjithë jemi dëshmitarë se  kriteret kanë ndryshuar  si do të thoshin  të moshuarit “Gjithçka ka marrë
teposhtën”.  Partitokracia e ka bërë
punën e saj. Politika e shkatërroi sistemin arsimor në Mal të Zi . Institutet
tona drejtohen nga  persona të paaftë, të
papërvojë në atë fushë dhe të kualifikuar politikisht. Fëmijët tanë edukohen
nga njerëz me diploma të dyshimta.
Sado
që mësuesi (mësimdhënësi)   
këmbëngul  se dija është në  vendin e parë në sistemin arsimor,  në të shumtën e rasteve hasin në pengesa e
dilema: A duhet t’i jepet  notë reale
njohurive reale apo të respektohet 
dëshira e statusi i  prindërve
?   Pothuaj çdo prind ( me përjashtime të
vogla) mendon se fëmija  e tyre është më
i miri, më i zgjuari, më i afti, më i sjellshmi, më i kulturuari, por harrojnë
se  çfarë të mire i bëjnë vetes ose
fëmijës së tyre, kur  mësuesin e
vendosin  në një pozicion të tillë që të
japë  notat  me grusht dhe kapele. Për këta prindër  mësuesi 
korrekt është i paaftë. Nuk u besojnë as njerëzve që janë shkolluar  për të qenë mësues.  E vetmja gjë që u intereson atyre  është që  
engjëlli  i tyre të mos
arrijë  rezultat tjetër    përveçse 
sukses të shkëlqyer, madje edhe 
të marrë Çmimin “ Pishtari”. Tash disa vite , nëse jep një notë  që nuk është 
sipas kritereve të  prindërve  të pasur ose të  njohur, 
drejtorët partiakë 
shqiptojnë  fjalinë e famshme: “ A
e dini se është nxënës i një politikani, deputeti,  ministri, drejtori, avokati, doktori,
gjyqtari të njohur... Nëse nuk i bindeni   
dëshirës  së drejtorit, do të vijë,
apo do t’ju marrë në telefon,  një
politikan i famshëm, një prindër i pasur, duke 
bërë  vazhdimisht presione e  kërcënime ndaj mësimdhënësve, të cilët jo
rrallë   po   sulmohen 
edhe nga vetë nxënësit.  Në vend
se nxënësi të frikësohet nga mësuesi, sot mësuesi ka frikë nga nxënësi.  Atëherë, 
çfarë i mbetet mësuesit? Të luftojë çdo ditë me presione të tilla? Pse? Për
çka ? Për shkak të kujt?  E vetmja gjë që
i  ka mbetur    është që të “gjunjëzohet” dhe  t’i japë 
fëmijëve pesa.  Në këtë
mënyrë  mësuesi ruan shëndetin e
tij,   kënaq prindërit  dhe nxënësit. 
Nga ana tjetër shtrohet pyetja:  “
Çfarë  mund të mësojnë sot nxënësit tanë
nga mësues gjysmë të ditur  me diploma të
dyshimta, të rreme , apo të blera”? Asgjë të dobishme! Kurrë më shumë shkolla e
diploma   dhe kurrë më pak njohuri.
Situata alarmante në
fushën arsimit 
Rezultatet   shqetësuese 
të publikuara  nga OECD (
Organizata  për bashkëpunim dhe
zhvillim  ekonomik)  javën e kaluar në testin PISA  2022, nga të cilat  askush nuk mund të ndihet mirë, veçmas ata që
janë të ndërlidhur drejtpërdrejt me sistemin arsimor në Mal të Zi,  janë pasqyra e vërtetë e  këtij 
sistemi.  Sipas këtij testimi  Mali i Zi 
ka arritur rezultatet  më të
këqija që nga viti 2012.  Nxënësit
pesëmbëdhjetë vjeçar  në Mal të Zi kishin
406 pikë  në matematikë, në lexim 405
pikë dhe 403 pikë  në shkencë, dukshëm
nën mesataren   e OECD. Kështu, Mali i Zi
është i 54-ti nga 80 vende në matematikë, i 56-ti në lexim dhe i 62-ti në
shkencë. O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë?  
Për
situatën alarmante  në këtë fushë,   kërkuam përgjigje nga njohësit e mirë të
këtij procesi  dhe punonjës shqiptarë e
përgjegjës  në institucione përkatëse
shtetërore, mirëpo u deklaruan se nuk dëshirojnë ta komentojnë. Po ashtu  nuk pranuan të  deklarohen edhe disa veteranë të arsimit
shqip në Ulqin dhe Malësi. 
Provime  vetëm për të kaluar,  e jo për të mësuar
Drejtori
i Shkollës së Mesme “ 25 Maji”- Tuz, Sehad Lulanaj, njëheri profesor
shumëvjeçar i Gjuhës dhe Letërsisë 
Shqipe  pohon se  ky është vetëm fillimi i alarmit të kuq që po
ndodhë në sistemin arsimor në Mal të Zi, që po mësohet mekanikisht të kesh notë
e jo dije. Planprogramet, librat, plotësimi i dokumentacionit nga ana e një
mësimdhënësit që ia vështirëson  punën, mos interesimi i nxënësit, kushtet
me të cilat punon një mësimdhënës çdo ditë, roli i prindërit, mungesa e kuadrit
adekuat.  Të gjitha këto  janë faktorë që kanë ndikuar negativisht në
rezultatet e Pisa test”, shprehet Lulanaj.
Drejtori
i SHF “ Bedri Elezaga”në  Katërkollë (
Anë të Malit), Mustafë Bardhi,  mendon
se  sistemi arsimor në Mal të Zi ka
ndryshuar për keq  me aplikimin e  sistemit të Bolonjës. ” Personalisht mendoj
që të dalim nga kjo situatë dhe të kemi sukses pikërisht në matematikë, shkrim
- lexim dhe shkencë duhet patjetër të kthehet sistemi i mëparshëm. Sikur të
kthehet abetarja ,lapsi,goma,fletorja dhe libri, jam më se i bindur që do të
kemi sukses si individ,shkollë dhe shtet”, nënvizon Bardhi.
Rrok
Dushaj , profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në SHF “ Mahmut Lekiq “ në Tuz,
pranon se  rezultatet e Pisa test nuk
kënaqin as   mësimdhënësit , as
prindërit,  as nxënësit dhe se fajin
e  kanë te gjithë së bashku.  Sipas tij në këtë kohë është shumë e
vështirë  të punohet me nxënës. “ Me
keqardhje duhet te them se para librit nxënësit tanë më parë kanë telefonin.
Atyre u duhet afruar libri , sepse ai e ndriçon mendjen. Po ashtu më duhet të
them se nxënësit e këtij shekullit mësojnë vetëm kur janë testet, vetëm për
nota. Në suksesin e nxënësve, me përjashtimin e disave, angazhohen edhe
prindërit, të cilët   kërkojnë  me çdo kusht që fëmijët e tyre të dalin me të
gjitha pesa. Mësimdhënësit sot janë nën presione  deri edhe në kërcënime. Për fat të keq
sot  kemi edhe nxënës  që ende nuk dinë të   lexojnë, apo të shkruajnë, e të mos
flasim  për leximin artistik”, thekson
Dushaj.
Për
t`i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor në Mal të Zi
,  Ministria e Arsimit në Mal të Zi   duhet të 
shërojë këtë sistem sa më parë. Çdo ditë e vonuar  i kushton shumë shoqërisë sonë.









