Editorial
Jusuf Buxhovi: Pavarësia e Shqipërisë - Shqiptarët i riktheu në familjen Europiane
E marte, 28.11.2023, 07:59 PM
PAVARËSIA E SHQIPËRISË – SHQIPTARËT I RIKTHEU NË FAMILJEN EUROPIANE
- Hasan Prishtina: “Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo
Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.
Nga
Jusuf BUXHOVI
Në
Kuvendin e Vlorës, para delegatëve të mbledhur, Ismail Qemali tha:
“Shqipëria
me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.
Para
pesëqind e sa vitesh, thuajse të njëjtat fjalë, që ishin thënë në Vlorë, në
vendin që njihej Arbëri, do t’i thotë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu pasi që
të ketë mbajtur Kuvendin e besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444.
Atëbotë,
ajo e “lirë dhe e mosvarme” do të thoshte t’i takojë krishterimit perëndimor.
Pra një bote ku ata, si pellazgo-ilirë qëndronin në themelet e qytetërimit të
tij që nga antika, ndërkohë që pjesa tjetër ishte një botë tjetër, një
qytetërim tjetër, që vinte nga lindja me flamurin e islamit.
Ndonëse
mbas një çereku shekulli, Arbëria serish do të pushtohet nga bota së cilës ndër
të parët dhe e vetmja ia kishte kthyer armën, kur të tjerët luteshin që Arbrit
të vazhdonin të vdisnin në mbrojte të Perëndimit, pra që Osmanët të mbeteshin
sa më shumë kohë të ngujuar rreth Krujës dhe kështjellave të tjera të Arbrit,
ata megjithatë, qenë të fundit që u liruan nga pushtimi pesëshekullor osman.
Ndodhi
kjo kur Perandoria Osmane tashmë ishte në grahmën e fundit dhe fqinjët e
Shqiptarëve (Serbët, Malazezët, Grekët dhe Bullgarët) tashmë kishin pushtuar
tokat shqiptare dhe ishin në rrugë e sipër që ta zhbënin njëherë e përgjithmonë
atë që ditë më parë, në marrëveshje e Hasan Prishtinës me Osmanët në Shkup,
paraqiste bërthamën për një autonomi shqiptare në përbërje të Perandorisë
Osmane, që nuk ishte tjetër pos bërthamë e një shteti të ardhshëm shqiptar në
përmasat e tij të natyrshme etnike.
Megjithatë,
që të krijojnë shtetin e tyre, Shqiptarët e patën më se vështir. Jo pse atë nuk
e donin. As pse pranimi në masë të madhe i islamit dhe akomodimi në strukturat
shoqërore dhe udhëheqëse perandorake deri në nivelet më të larta të hierarkisë
i kishte bërë të tjerë sa të ndjeheshin pjesë e Perandorisë, amallgam i
miletit-osman. Por, pse ata edhe në rrethanat osmane, përkundër këtyre
realiteteve, kishin ruajtur etninë, gjuhën dhe kujtesën historike, që i lidhte
me përkatësinë e botës perëndimore dhe të qytetërimit të saj.
Kjo,
pra u pengonte, Osmanëve, që mendonin se me Shqiptarët si myslimanë kishin
krijuar “alibi” për mbetje të përhershme në pjesën europiane. Dhe, kjo u
pengonte edhe fqinjëve sllavo-ortodoks, të cilët kishin luftuar aq shumë kundër
Arbërve edhe gjatë kohës së Bizantit pse ata ishin themelues të ngrehinës dhe të qytetërimit të saj.
Natyrisht,
se kur në shekullin XIX Reformat e
Tanzimatit dhe më vonë Kriza Lindore, kishin nxjerrë nga shishja frymën e
nacionalizmit pansllav, që nuk kishte kthim prapa, e do të pasqyrohet me
shfaqjen e shteteve të para sllavo-orotodokse në pjesën europiane të Perandorisë
Osmane, edhe Shqiptarët, ndonëse me vonesë, detyrimisht do t’i kthehen
identitetit kombëtar për ta siguruar të ardhmen e tyre midis popujve europianë,
që për kusht kishte shtetin e pavarur nacional.
Kjo
paraqiste sfidë të dyfishtë për Shqiptarët: në njërën anë pse rrënonte
konceptin osman që me Shqiptarët si mileti-osman të mbeteshin në pjesën
evropiane, dhe në tjetrën anë pse fqinjëve të tyre (Serbëve, Malaziasve,
Grekëve dhe Bullgarëve) ua pengonte planet hegjemoniste për t’i grabitur tokat
shqiptare.
Në
këto rrethana vendimtare, do të jetë mendësia intelektuale e tyre, e cila do ta
kuptojë drejt çastin historik për lëvizje, ku gjuha, kultura dhe emancipimi
kombëtar ishin të vetmet atu me anën e të cilave mund të gjendej rruga e duhur,
ta mbijetonin shembjen e Perandorisë Osmane si etni e pavarur, por edhe të
mbrohen nga gllabërimi i fqinjëve, që e luftonte këtë realitet.
Rilindja
Kombëtare Shqiptare thuajse gjeti formulën magjike kur shpalli gjuhën dhe
kulturën identitet kombëtar, ndërsa religjionin e vlerësoi një “pluralizëm të
përbashkët shpirtëror”, një pasuri, që ndihmon identitetin kombëtar dhe assesi
që e mohon.
Kështu,
motoja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë formula më domethënëse dhe e
vetmja e botës shqiptare, që mund t’ua siguronte ardhmërinë, ndonëse me
vështirësi tepër të mëdha.
Mbi
këtë formulë, do të konceptohet edhe programi politik i Rilindjes Kombëtare
Shqiptare, i cili do të promovohet për herë të parë gjatë Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, ku u manifestua përcaktimi shqiptar për ta mbrojtur etninë dhe mbi
të për ta ndërtuar shkallë-shkallë identitetin autonom shtetëror gjithnjë në
përputhje me rrethanat dhe zhvillimet, të cilat kërkonin balancim të
jashtëzakonshëm raportesh me Perandorinë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha Europiane,
veçmas, kur bëhej gjithnjë e më e qartë, se faktori shqiptar me identitet
shtetëror, ishte i vetmi që mund të shfrytëzohej si digë kundër pansllavizmit
dhe të zgjerimit të ndikimit rus në Ballkan.
Por,
ardhja e Shqiptarëve deri te pika që të kthehen në një digë të vetme kundër
pansllavizmit, paraqet një zhvillim historik thuajse ndër më kundërthënësit
nëpër të cilin do të kalojë Perandoria Osmane, nga Reformat e Tanzimatit e
këndej, kur nga Fuqitë e Mëdha, asaj do "t’i garantohet" mbrojtja nga
copëtimet e jashtme, ndërsa në të njëjtën kohë, nga lëvizjet nacionale të
popujve sllavo-ortodoksë, nxiteshin shthurjet e brendshme, me të cilat asaj
gjithnjë e më shumë i ngushtohej hapësira në kontinentin e vjetër, me çka fillon edhe koha e largimit të pashmangshëm
prej tij,si fundin i saj.
Shfaqja
e lëvizjeve nacionale te fqinjët sllavo-ortodoksë si dhe programet e tyre për
shtete nacionale, të cilat do të përkrahen nga Rusia dhe, nga fillimet e
shekullit nëntëmbëdhjetë e tutje, një nga një do të shkëputën (fillimisht me
anën e autonomive, siç ishte rasti i Serbisë, Malit të Zi dhe më vonë
Bullgarisë, apo i njohjes së Greqisë
shtet i pavarur) si dhe pretendimet e tyre të hapura që të zgjerohen
edhe më tutje me anën e tokave shqiptare, do t’i detyrojnë Shqiptarët që në
njërën anë të pranojnë sfidën e nacionalizmit për të dëshmuar se janë popull i
vjetër europian dhe si të tillë zotë të asaj që as gjatë sundimit
shumëshekullor osman është ruajtur dhe nuk u është mohuar (identitetit etnik që
është pasqyruar me shtrirjen në katër vilajete: të Kosovës, të Shkodrës, të
Manastirit dhe të Janinës), dhe në tjetrën anë, të paraqesin edhe programet
politike rreth ardhmërisë së tyre, me të cilat duhej të ruhej baraspesha midis
interesave të tyre me Perandorisë Osmane
dhe me Fuqitë e Mëdha.
Sfida
e identitetit kombëtar dhe e përcaktimit politik mbi të, për Shqiptarët
shfaqeshin me vështirësi të shumëfishta, meqë ato binin ndesh me realitetet e brendshme perandorake
të natyrës shoqërore, kulturore dhe politike, ndër të cilat më papërballueshmja
lidhej me tretmanin e milletit-osman, ngaqë një pjesë e mirë e Shqiptarëve
kishin pranuar islamin. Ndërkohë që për këtë arsye, edhe Shqipëria (së paku nga
koha e Sulltan Hamiti e këndej) paraqitej si “kështjellë myslimane në Europë”, me të cilën lidhej edhe
fati dhe e ardhmja e Perandorisë Osmane.
Andaj,
nuk është e rastit, se nga fillimi i zbatimit të reformave të Tanzimatit,
Shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, kjo hipotekë do të kthehet në moto të
politikes hamitiane, me të cilën ai, për tridhjetë e dy vjet të qeverisjes
absolutiste, do të luftojë zgjimin kombëtar shqiptar dhe programet politike të
Shqiptarëve në përputhje me të, ku do të manifestohen kërkesën për autonomi
kulturore dhe politike, që do të përfshinte katër vilajetet shqiptare duke i
bashkuar në një.
Natyrisht
se për të arritur që Shqiptarët të luftojnë hamitizmin dhe politikën e tij të
trajtimit të tyre si “kala myslimane” në pjesën europiane, u duhej një
përpjekje e gjatë dhe e mundimshme. Së pari drejt emancipimit të brendshëm
kulturor, që fillonte me gjuhën dhe arsimimin shqip, për t’u kthyer pastaj në një zgjim kombëtar të përmasave të gjera, i cili bashkonte identitetet nga ai
fetar, krahinor, dhe shoqëror. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, kur dihej se ato
fillimisht binin ndesh me islamizmin si një amalgam që bashkonte fenë me
doktrinën perandorake të vatanit e pastaj edhe me osmanizmin si patriotizëm
shtetëror, i cili gjatë kohës së Xhonturqve, me centralizmin dhe unitarizmin
nacionalist, refuzonte çfarëdo autonomie administrative dhe politike.
Në
këtë rrugë të mundimshme rol të madh luante fryma e reformave të Tanzimatit, që
Perandoria Osmane i kishte pranuar dhe ato tashmë u shkonin për shtati popujve
të krishterë, fryma e të cilave nuk mund të anashkalonte edhe Shqiptarët, po qe
se ata do të jenë në gjendje që të dëshmonin se krahas identitetit etnik, me
ruajtjen e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kulturor, përkundër pranimit të
islamit nga një pjesë e mirë e popullatës,
kishin ruajtur substancën me të cilën ata duhej të trajtoheshin si komb i
barabartë me të tjerët që pranonte Perandoria
Osmane.
Dhe,
për ta dëshmuar këtë, elita politike dhe intelektuale shqiptare në Stamboll, që
nga fillimet e Krizës Lindore, e prirë nga vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu
dhe Naimi), si dhe sfidat që do të sjellë ajo, do të veprojnë në planin
kulturor, në atë shpirtëror dhe në atë politik, mbi të cilat pastaj do të
ngrihet doktrina e platformës së Rilindjes Kombëtare, që do t’i shërbejë si
udhërrëfyes që të gjitha zhvillimeve me të cilat do të shkohet deri te
pavarësia e shtetit shqiptar në nëntor të vitit 1912.
Këtij
veprimi gjithsesi se do t’i vijë në ndihmë konstitucionalizmi i vitit 1876, kur
do të fillojë koha e shkurtër e parlamentarizmit osman, me ç’rast deputet
Shqiptarë në Parlamentin Osman Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, në kuadër
të debateve për organizimin e ri administrativ në përputhje me reformat që kërkoheshin nga Perandoria
Osmane, hapën çështjen e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi
vetëqeverisëse autonome.
Dy
vjet më vonë, kjo kërkesë fitoi legjitimitet gjithëkombëtar kur u paraqit si
kërkesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe si e tillë, në forma të ndryshme,
gjithnjë duke u mbështetur mbi platformën e barazisë së Shqiptarëve me të
tjerët përbrenda Perandorisë Osmane, do të kthehet në moto të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare.
Por,
edhe pa ardhur deri te ky përcaktim historik ndër më të rëndësishmit,
intelektualët shqiptarë në Stamboll, të
cilët do të vihen në krye të këtyre zhvillimeve,
një shtysë të madhe do të marrin nga veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë në
diasporë (Itali, Rumuni, Egjipt dhe gjetiu) si dhe nga shoqatat dhe klubet
shqiptare në mërgim, ku tashmë fryma e nacionalizmit të popujve sllavo-ortodoks
të Ballkanit dhe kryengritjet e tyre për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane,
kishte vënë në lëvizje fillet e
nacionalizmit shqiptar.
Kështu,
në vitet e dyzeta, kur Italo-Arbëreshët në Itali me anën e shkrimeve letrare
dhe publicistike të Jeronim De Radës dhe të hulumtimeve shkencore të Dhimitër
Kamardës, kishin filluar të nxirrnin në pah lashtësinë antike të popullit
shqiptar, në mënyrë që ajo t’i shërbejë trajtimit të tyre si popull europian,
Naum Veqilharxhi, një migrant me prejardhje nga rrethi i Korçës, në Bukuresht
nxori një qarkore me të cilën do t’u drejtohet bashkëkombësve Shqiptarë të
besimit ortodoks, që t’i bashkohen një lëvizjeje kulturore për përhapjen e
gjuhës dhe të arsimit shqip, në mënyrë që me anën e arsimimit të pasqyrojnë
identitetin kombëtar.
I
ndikuar nga idetë e lëvizjes nacionale rumune për pavarësi, në të cilat do të
marrë pjesë bashkë me shumë Shqiptarë të
diasporës në Rumani, Veqilharxhi hartoi edhe një abetare (Evetar) me një
alfabet të pavarur që do ta sajojë, të cilën, pas botimit në Bukuresht, e
shpërndau në Shqipëri.
Qarkorja
e Veqilharxhit drejtuar Shqiptarëve dhe abetarja (Evetari) me të drejtë merren
si kohë e fillimit të Rilindjes Kombëtare, bërthamën e së cilës pastaj do ta
marrë përsipër Komiteti i Stambollit në krye me Sami Frashërin, e ku do të
gjenden edhe Vaso Pasha, Hoxha Tahsini dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë,
veprimtaria e të cilëve do të marrë hov me themelimin e “Shoqërisë së të
shtypurit të shkronjave shqip”, ku do të hartohen jo vetëm idetë për gjuhën dhe
arsimin shqip, por edhe shkrimet dhe tekstet e ndryshme nga ato letrare,
publicistike, e shkollore për të shkuar pastaj edhe te veprimtaria e gjerë
patriotike mbi të cilat do të mbështeten edhe projektet politike të Rilindjes
Kombëtare.
Në
këtë veprimtari të gjerë kulturore dhe politike, Shqiptarët do t’ia dalin që të
kenë qëndrim të përbashkët në saje të
unitetit që do ta ndërtojnë mbi gjuhën dhe arsimin si pjesë të identitetit të
përbashkët kombëtar, ndërkohë që besimin do trajtojnë si çështje shpirtërore, që nuk bie ndesh me
përcaktimin kombëtar. Sepse, siç thoshte Samiu, shqiptari edhe si mysliman edhe
si i krishterë, së pari është shqiptar dhe mbetët shqiptar, gjë që nga kjo
sentencë duhet kërkuar edhe metaforën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, që
me të drejtë do të kthehet në manifest të Rilindjes Kombëtare.
Kjo
formulë patriotike, bashkë me kërkesat politike për autonominë shqiptare brenda
Perandorisë Osmane, përfshiu thuajse të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, të
cilat gjithnjë e më shumë po vetëdijesoheshin për domosdonë e veprimit mbi baza
kombëtare. Sepse ashtu arriheshin dy
qëllime njëherësh: mbrojtja e etnisë nga gllabërimet e fqinjëve si dhe shkalla
e barazisë me të tjerët, që po ashtu, kthehej në një faktor mbrojtës.
Edhe
pse regjimi absolutist hamitian do ta kundërshtojë këtë përcaktim dhe në forma
të ndryshme do të mundohet që shtresat e caktuara shoqërore shqiptare nga
radhët e feudalëve dhe ato konservative të drejtuara nga fanatikët islamistë,
t’i mbajë në taborin e vet dhe t’i inkurajojë se ishte vetëm “mburoja islamiste
dhe ajo osmane”, që Shqiptarët mund t’i shpëtonte nga hegjemonizmi
sllavo-ortodoks, megjithatë, Rilindja Kombëtare Shqiptare, nga koha kur do të
mbyllën shkollat shqipe dhe do të ndalohet veprimtaria e “Shoqërisë së Shkronjave
shqipe” në Stamboll, do të përcaktohet që luftën për interesat kombëtare ta
ndërlidhë edhe me lëvizjet opozitare në vend kundër absolutizmit hamitian. Kjo
do të shihet më së miri me shfaqjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), kur në
bërthamën organizative si themelues do të gjenden edhe disa Shqiptarë (Ibrahim
Temo, të cilëve do t’u bashkë-ngjiten
edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini e të tjerë). Ata
ndikuanë që osmanizmi i Xhonturqve të shfaqet si një patriotizëm i ri
shtetëror, i cili do të mbështetej mbi bazën e unitetit dhe të barazisë së të
gjithë shtetasve osmanë pa dallim feje, gjuhe dhe etnie. Kjo platformë
Shqiptarët i nxirrte nga trajtimi shumë-shekullor i mileti-osman, me çka
doktrina islamiste zëvendësohej me atë osmane të qytetarëve të barabartë, me
çka realisht i hapej udha shprehjes së
identitetit kulturor dhe atij kombëtar mbi parimet e lirisë dhe të barazisë, që
në pjesën europiane ishin lansuar pas revolucionit francez e këndej.
Ndonëse,
si do të shihet, Shqiptarët do të bien ndesh edhe me Xhonturqit sapo ata të
vinë në pushtet, megjithatë, përcaktimi për ta dhe kundër absolutizmit të
Sulltan Hamtit, që më së miri do të pasqyrohet me vendimet e Tubimit të
Ferizajt të korrikut të vitit 1908, kur prej andej Shqiptarët do t’i dërgojnë
ultimatum Sulltan Hamitit që ta kthejë kushtetutën dhe ai do ta pranojë këtë,
historikisht ishte i drejtë ndërsa politikisht i dobishëm. Sepse, me të
mbyllej kapitulli i islamizmit, i cili
nga ana e Perandorisë Osmane gjatë qeverisjes despotike të Sulltan Hamitit, më
së shumti kishte manipuluar Shqiptarët dhe strukturat shoqërore feudale dhe
konservative brenda tyre, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës,
duke i trajtuar “si bastion” në pjesën europiane, ndërkohë që Porta e Lartë,
duke pranuar reformat e shumta dhe të ndryshme, të cilat shkonin në dobi të
popujve sllavo-ortodoks (pranimi i ekzarkatit bullgar, lejimi i kthimit të
administrimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë, pastaj hapja e shkollave
serbe dhe hapja e konsullatave serbe dhe
ruse në Kosovë dhe së fundi edhe pranimi i statusit të kombit serbëve të
Kosovës), kishte rrezikuar qenien etnike dhe kombëtare të Shqiptarëve, duke i
bërë pre të hapur të shteteve fqinje.
Kjo
do të pasqyrohet më së miri nga vitit 1903, kur pas kulmimit të krizës së
Maqedonisë, me marrëveshjen e Mynstergut, të lidhur midis Austro-Hungarisë dhe
Rusisë, praktikisht do të pranohet sovraniteti ndërkombëtar mbi pjesën
europiane, që do t’ia hapë rrugën krizës së ardhshme, që do të çojë te Luftërat
Ballkanike dhe shembja e Perandorisë Osmane.
Në
këto rrethana, pra të daljes në pah të krizës së Maqedonisë, e cila ishte e
kurdisur nga shtetet sllavo-ortodokse (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe
Bullgaria), që me anën përhapjes së kaosit në këto pjesë, veçmas në Vilajetin e
Kosovës dhe atë të Manastirit me futjen e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, të
pengohej çfarëdo autonomie shqiptare, Lëvizja Kombëtare Shqiptare apo një pjesë
e saj e pambikëqyrur, për pak do të shkasë nga binarët e përcaktimeve të saj,
siç ishte lufta për autonomi përbrenda Perandorisë Osmane, për t’iu bashkuar luftës “çlirimtare” nga Perandoria
Osmane me anën e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, e cila drejtohej nga
Beogradi, Cetina, Athina dhe Sofja dhe në përputhje me interesat e tyre që
lidheshin me copëtimin e trojeve shqiptare midis veti. Me këtë njëherë e
përgjithmonë duhej të pushonte së ekzistuari çështja shqiptare në Ballkan.
Uverturë
e këtij koncepti, ishte Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe pjesëmarrja e
një pjese të Shqiptarëve në të me ç’rast do të dalë në pah se Lëvizja Kombëtare
Shqiptare, sipas shembullit të Ilindenit, mund të shkapërderdhej tek çështjet e
tjera (ajo sllavo-maqedonase, bullgare, greke po edhe serbe madje) prej nga
mund të hiqet nga rendi i ditës tërësi e saj.
Këtë
zhvillim do ta pengojë Revolucioni Xhonturk dhe pjesëmarrja e Shqiptarëve në
të, kur me Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, ata do të luajnë rolin kryesor në
suksesin e tij. Kjo do të paraqesë një kthesë të rëndësishme për zhvillimet e
ardhshme, që si do të shihet, Kosova dhe
ngjarjet në të si promotor kryesor i tyre, do t’ua hapin rrugën proceseve që do
të çojnë te shpallja e pavarësisë kombëtare.
Revolucioni
Xhonturk i korrikut të vitit 1908, suksesi i të cilit lidhet ngushtë me
Shqiptarët dhe rolin e tyre në Lëvizjen Opozitare të Turqve të Rinj që nga
themelimi e deri te akti i fundit, siç ishte Kuvendi i Ferizajt, prej nga
Sulltanit do t’i drejtohej ultimatumi që të kthejë kushtetutën, përmbyll kapitullin
e gjatë tridhjetë e dy vjeçar të përputhjeve fillestare dhe të shpërputhjeve në
vazhdimësi me islamizmin, që do të zhvillohet nën ombrellën e absolutizmit të Sulltan Hamitit.
Nëse
fundi i hamitizmit, Shqiptarët do t’i lirojë nga ndeshja e mëtutjeshme me
islamizmin dhe kurthin e tij të njohur, megjithatë do t’i ngërthejë me sfidën e
osmanizmit, jo më, siç qe menduar, si një patriotizëm i ri shtetëror, që
shfaqej nën moton e barazisë, të lirisë dhe të vëllazërimit të të gjithë
shtetasve pa dallime besimi, gjuhe dhe etnie, por të centralizmit dhe të
nacionalizmit tejet fanatik osman, në emër të të cilit zuri të mohohej
pluralizmi kulturor dhe shumësia e identiteteve që ishin njohur deri më atëherë
dhe të refuzohet çfarëdo forme e vetëqeverisjes autonome, qoftë që do t’i
shkonte përshtati mbetjes së mëtutjeshme të Perandorisë Osmane në pjesën
europiane.
Siç
do të ndodhë dikur me islamizmin, kur shqiptarizmi do të përfitojë nga përputhjet fillestare me të, ndërsa në saje të asaj që merrej si “shumësi kulturore”
do të fillojë lëvrimi i gjuhës dhe
kultivimi i traditës pa u konfrontuar me islamin, ngjashëm do të ndodhë edhe me
osmanizmin. Me këtë rast, liritë e shpallura prej Xhonturqve rreth barazisë dhe
lirisë të të gjithë shtetas-ve osmanë të natyrës politike, shoqërore dhe
emancipuese do të mundësojnë që në zgjedhjet e lira parlamentare 26 deputetë
shqiptarë të futen në Parlamentin Osman. Ndërkohë që klima e përshtatshme
politike gjatë kohës së parlamentarizmit të dytë, do të shfrytëzohet për
thellimin e kulturës kombëtare (veçmas gjuhës dhe arsimit). Themelimi i klubeve
kulturore, shoqatave si dhe botimi i gazetave shqipe bashkë me botimin e
librave, që do t’i dedikohen shkollës shqipe, do t’i japë shtysë të rëndësishme
këtij zhvillimi historik.
Kështu
mund të thuhet se periudha nga ngadhënjimi i Revolucionit Xhonturk në korrik
të vitit
1908 e deri te mesi i viti të ardhshëm, kur do të shuhet përpjekja e
dështuar për rrëzimin e Xhonturqve nga
pushteti, që do të quhet “kundërrevolucion”, Shqiptarët kaluan nëpër një periudhë të lulëzimit nacional dhe
politik ndër më të fuqishmet dhe ndër më të frytshmet gjatë kohës së
Perandorisë Osmane.
Gjatë
kësaj kohë, përkundër rolit të rëndësishëm në jetën parlamentare, ku deputetet
Shqiptarë, krahas mbrojtjes së programit të njohur kombëtar do të marrin edhe
rolin e opozitës, në planin emancipues po ashtu, me hapjen e shkollave shqipe
dhe të futjes së gjuhës shqipe si lëndë e detyrueshme mësimi edhe në shkollat
shtetërore në gjuhën turke si dhe në ato kishtare në gjuhën greke, do të bëhen
hapa të mëdhenj të një rëndësie historike, që i shkuan përshtati zgjimit të përgjithshëm kombëtar.
Dhe,
padyshim se njëri ndër sukseset më të mëdha në këtë lulëzim nacional, do të
jetë mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit në Manastir, në nëntor të vitit 1908.
I organizuar nga Klubi i qytetit, mblodhi përfaqësuesit e të gjitha klubeve
shqiptare nga brenda dhe jashtë vendit, e ku ishin edhe ato të mërgatës nga
Bukureshti, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kongresi
i Drejtshkrimit në Manastir mbetet historik jo vetëm për vendimet që mori në
planin gjuhësor, duke u përcaktuar për një alfabet të gjuhës shqipe mbi bazat e
shkronjave latine, por edhe për unitetin kombëtar që aty u pasqyrua në një plan
të gjerë intelektual dhe shoqëror ndër më të fuqishmit, që bëri të ditur qartë
drejtimin historik të Shqiptarëve kah kultura dhe civilizimi perëndimor, duke i
dhënë njëherësh mbështetje programit politik të Rilindjes Kombëtare rreth
krijimit të një autonomie shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që nuk do të
ishte tjetër pos një shtet shqiptar i cili do të mëvetësohej çastin që ajo do
të largohej nga pjesa europiane.
Këtu
në të vërtetë do të fillojnë ato që do të quhen shpërputhje dhe kundërshtime të
papajtueshme midis Shqiptarëve dhe Xhonturqve, të cilat do të marrin aso
përmasash sa qeveria osmane e drejtuar nga Xhonturqit, kur do të humbë luftën
për alfabetin shqiptar me shkronja arabe, që do të zhvillohet me një ashpërsi
të madhe nga fanatikët e klerit islamist dhe shtresat konservative shqiptare,
do t’i kthehet represionit të gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar, me ç’rast,
me dekret shtetëror të majit të vitit 1910 nuk do të mbyllen vetëm gazetat
shqipe, klubet shqiptare, por do të mbyllen edhe shkollat shqipe dhe po ashtu
gjuha shqipe, si gjuhë mësimi do të nxirret nga
shkollat zyrtare turke dhe ato greke.
Në
planin politik dhe atë shoqëror, nën devizën e kthimit të rendit dhe të ligjit,
Xhonturqit do të fillojnë një fushatë të ashpër kundër vilajeteve shqiptare dhe
të drejtës së tyre për vetëqeverisje vendore, që e kishin gëzuar për shekuj.
Taksat e reja të rënda, ligji për luftimin e bandave dhe ai i rekrutimit pa
dallim feje si dhe çarmatosja e popullatës, do të hapin hendekun e madh të
Shqiptarëve me Turqit e Rinj, që do t’u japë shkas protestave dhe
kryengritjeve, të cilat do të marrin përmasa të mëdha.
Xhonturqit,
të cilët Shqiptarëve, si dhe të tjerëve, u kishin premtuar liri qytetare dhe
barazi dhe qytetërim, jo vetëm nuk do të tregojnë kurrfarë mirëkuptimi për
kërkesat e tyre të drejta, por do t’u kthehen ekspeditave ushtarake për “të vu
rregull”në vilajetet e tyre. Në këtë rrugë ata do të përkrahen nga forcat
nacionaliste dhe fanatike në vend, por njëherësh do të përkrahen edhe nga
Rusia, e cila do të trimërojë qeverinë osmane që “të çarmatosë Shqiptarët e
pabindur” dhe për këtë Petërburgu do të derdhë shuma të caktuara parash,
ndërkohë që shtete fqinje të Shqiptarëve (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe
Bullgaria,të cilat për pakicat e tyre në vilajetet shqiptare kishin siguruar
pozitën e kombeve dhe ato i instrumentalizonin që, vazhdimisht të ankoheshin
gjoja për “zullumin arnaut”) kërkonin nga Porta e Lartë masa të rrepta kundër
“Shqiptarëve të egjër”, që të çarmatoseshin me dhunë dhe kështu Serbëve dhe të
tjerëve t’u mundësohej liria.
Nga
ana tjetër, po këto vende, nga ardhja e Xhonturqve në pushtet, do të përpiqen
që t’i fusin në lojë disa nga feudalët shqiptarë në Kosovë dhe parinë fanatike,
që të luftojnë për kthimin e Sulltan Hamitit. Madje, janë të njohura edhe
lidhjet dhe marrëveshjet e Serbisë dhe të Malit të Zi me disa nga krerët
Shqiptarë të Kosovës dhe të Malësisë së veriut në Mbishkodër, që t’u fusin armë
dhe para për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë, si do të
shihet nga kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911, në masë të madhe do të
instrumentalizohet nga Beogradi dhe Cetina për qëllimet e veta.
Natyrisht,
se “fryma” luftarake e Shqiptarëve në Kosovë dhe Veri si dhe kryengritjet e
tyre lokale, që do të nxiten nga Serbia dhe Mali i Zi, do t’i konvenojë edhe
Kabinetit të ri Xhonturk, i cili pas shtypje së rebelimit ndaj forcave
konservative dhe shfronësimit përfundimtar të Sulltan Hamitit, nga pranvera e
vitit 1909 e këndej në Kosovë do të drejtojë repartet ushtarake të komanduara nga gjeneral Shefqet Turgut Pasha që “ta paqësojë” atë.
Konfliktet
e armatosura me Shqiptarët, që do të vazhdojnë edhe në vitin 1910 në mënyrë që
në vitin 1911 të përhapen edhe në Veri (në Malësinë e Mbishkodës dhe
Mirditë),pa marrë parasysh sa dhe si kishin qenë shprehje e kundërvënies masave
represive-ushtarake të Xhonturqve dhe sa
dhe si kishin qenë edhe shprehje e nxitjes nga Serbia dhe Mali i Zi për
qëllimet e tyre të njohura, që do të dalin në pah së shpejti, pas një viti
serish do të kthehen në Kosovë, kur edhe
do të fillojë kryengritja përfundimtare
kundër qeverisjes Xhonturke, por këtë herë ajo do të jetë fryt i
përcaktimit të krerëve të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, të cilët në Stamboll, në shkurt të vitit 1912, në Taksin
do të merren vesh për të, që me anën e saj të imponojnë arritjen e dy
qëllimeve: përmbysjen e regjimit centralist-nacionalist Xhonturk dhe pranimit
të autonomisë shqiptare.
Qëllimin
e parë Shqiptarët do ta arrijnë në fillim të gushtit, kur do të detyrojnë
rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe tri ditë më vonë edhe shpërndarjen e
parlamentit të sapozgjedhur të dominuar nga Turqit e Rinj. Ndërsa më 18 gusht,
me pranimin e Memorandumit prej 14
pikave, të quaj-tur Programi i Hasan Prishtinës, detyruan qeverinë e përkohshme
të Gazi Ahmet Myhtar Pashës të pranojë kërkesat e tyre, me anën e të cilave
ata fitonin statusin e kombit dhe
njëherësh ia hapnin rrugën qeverisjes autonome, apo të asaj që nga jashtë do të
shihet si Shqipëri Osmane.
Arritja
e madhe shqiptare në Kosovë e gushtit të vitit 1912 shënon ndërlidhjen e parë
të suksesshme të bashkëveprimit politik me atë të rezistencës së armatosur si
dhe të drejtimit të saj nga një qendër e caktuar kombëtare e udhëhequr nga
elita e patriotëve intelektualë, të përfshirë në kuadër të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Edhe pse nënshkruesit e Marrëveshjes së Taksimit të shkurtit të atij
viti, të drejtuar nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, kur do të merret
vendimi për kryengritjen e përgjithshme shqiptare - pos Hasan Prishtinës - nuk
do t’i kryejnë shumë nga detyrimet e marra sipas marrëveshjes që ajo të ketë
përmasat gjithëkombëtare. Veçmas ato që kishin të bënin me ndezjen e
kryengritjes edhe në Shqipërinë e Mesme dhe atë të jugut. Megjithatë, vilajetet
tjera shqiptare, do të solidarizohen me kryengritjen e Kosovës, qoftë duke u
lidhur me të me anën e kryengritjeve vendore, qoftë duke përkrahur platformën e
bisedimeve të krerëve të kryengritjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë e
pastaj në Ferizaj me përfaqësuesin e qeverisë osmane Ibrahim pashën. Madje,
edhe Ismail Qemali, i cili fillimisht do të gjendet jashtë vendit me detyrë për
të mbledhur armë dhe të holla për
kryengritjen dhe për të agjituar politikisht për të, me t’u kthyer në Vlorë,
duke u deklaruar në mbështetje të programit politik të Kryengritjes dhe
platformës së saj, do të lërë prapa disa deklarata kundërthënëse rreth
kërkesave politike, të cilat do t’ia vështirësojnë punën ideatorit të saj
kryesor Hasan Prishtinës, që edhe ashtu kishte telashe me rrymën e
konservativëve dhe të feudalëve, të cilët në masë të madhe të ndikuar nga
prapaskenat e agjentëve serbë që u rrinin pranë, edhe më tutje kërkonin që
përmbysjen e qeverisë xhonturke ta kushtëzonin me kthimin në pushtet të Sulltan
Hamitit, për të cilin ishin në gjendje që të vazhdonin edhe më tutje kryengritjen
pa hezituar që të marshojnë edhe për në Selanik për ta liruar nga internimi me
çka rrezikoheshin në tërësi qëllimet dhe kërkesat politike të kryengritjes.
Përballimi
i vështirësive të brendshme kur tri rrymat me pikëpamje të ndryshme (feudalët shqiptarë
bashkë me fanatikët fetarë - që kërkonin rrënimin e parlamentarizmit dhe
kthimin e absolutizmit; opozitarët që kërkonin vetëm rrëzimin e qeverisë “se
keqe” dhe zëvendësimin me një “të mirë”, si dhe autonomistët - që kërkonin
pranimin e autonomisë shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane), do t’ia dalin
që të gjejnë gjuhë të përbashkët, siç
ishte ajo që do të pasqyrohet në Memorandumin prej katërmbëdhjetë pikash, si
dhe suksesi historik i tyre në raport me qeverinë osmane, Shqiptarëve nuk do t’ua lehtësojë punën dhe as që do t’u
mundësojë që të gëzojnë frytet e saj. Sepse, krahas me arritjen e marrëveshjes
me qeverinë osmane, do të ecin edhe zhillimet për fillimin e luftës së Aleancës
Ballkanike me Perandorinë Osmane, e cila shfaqej si kundërpërgjigje e
drejtpërdrejtë ndaj marrëveshjes së
Shqiptarëve me qeverinë osmane. Ndonëse aty autonomia shqiptare nuk theksohej
në mënyrë të veçantë, siç ishte paraparë në pesë pikat e “Kuvendit të Junikut”,
por ajo dilte nga përmbajtja e saj, kjo ishte e papranueshme për Serbinë, Malin
e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat pa u shpërndarë mirë kryengritësit
shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, siç pritej, do të futen në luftë me
Perandorinë Osmane, luftë këtë që Aleatët Ballkanikë do ta fitojnë pa ndonjë
mund të madh, me ç’rast për cak kishin pushtimin dhe copëtimin mes tyre të
trojeve shqiptare, siç do të ndodhë në të vërtetë.
Këto
zhvillime të paralajmëruara që më parë, të cilat do të tregojnë qëllimet e tyre
të vërteta me anën e arritjes së aleancave të ndërsjella ballkanike (fillimisht
të Serbisë me Bullgarinë, pastaj të
Serbisë me Greqinë dhe së fundi të Greqisë me Bullgarinë) të cilat do të
lidhen në periudhën kohore shkurt - maj 1912 dhe do të korrespondojnë me
fillimet e kryengritjes shqiptare të Kosovës të pranverës dhe verës së atij
viti, do të ndikojnë jo vetëm përmbajtjen e kërkesave të Shqiptarëve (kur do të
anashkalohet ajo që theksonte autonominë politike), por ato do të ndikojnë edhe
qëndrimin politik të Shqiptarëve ndaj vetë Luftës Ballkanike, e cila për moto
do të ketë çlirimin përfundimtar nga pushtimi osman.
Kundruall
këtyre rrethanave Shqiptarët do të përcaktohen që të mbrojnë trojet e tyre nga
pushtimet e ushtrive fqinje, edhe pse kjo të ndodhur në një front bashkë me
ushtritë osmane, i fuste në luftë me fqinjët dhe, në rast humbjeje, i
përballonte me rrezikun e ndëshkimit, që ishte paraparë.
Si
do të shihet, besimi se përkrah ushtrive osmane, Shqiptarët do të mbrojnë
trojet e tyre, do të humbet shpejt, pasi që armata osmane, jo vetëm që nuk do
të rezistojë në përputhje me fuqinë që kishte, por me “manovrat” gjoja për t’u
rigrupuar në veri kah Shkodra dhe në jug kah Janina, në të vërtetë do t’ua
lëshojë frontet ushtrive serbe, malaziase,bullgar dhe greke që me të shpejtë të
pushtojnë tokat shqiptare. Historianët e ndryshëm edhe sot kanë dilema çfarë
qëndronte në të vërtetë përballë kësaj sjellje të armatës osmane dhe cilat
ishin motivet e tërheqjes së saj, kur dihej se ajo ushtarakisht ishte e
përgatitur për luftë, ndërkohë që mbajtja e hapur e fronteve të luftës për një
kohë pak më të gjatë, jo vetëm që do ta ndryshonte gjendjen në të mirë të saj,
por ajo do të pengonte edhe realitetet e reja të krijuara me dhunë, të cilat do
t’u shkojnë për shtati planeve hegjemoniste të vendeve sllavo-ortodokse dhe
forcimit të Rusisë në rajon?
Rezistenca
e njësive shqiptare, si rezervistë apo si vullnetarë, nuk do të mjaftojë që
trojet shqiptare të shpëtojnë nga pushtimet. Përkundrazi, tërheqja “taktike” e
armatës osmane dhe lënia e forcave shqiptare në vijat e frontit, do të sjellë
një tragjedi të paparë. Ushtritë pushtuese (serbe, malaziase, greke dhe
bullgare) nga të gjitha drejtimet do t’u vërsulen tokave shqiptare duke
masakruar jo vetëm mbrojtësit e pafuqishëm, por që si “hakmarrje” ndaj
“rezistencës armike”, do “të gjejnë shkase” për t’iu sulur ushtarakisht popullatës së pambrojtur të Kosovës nga pika
e Merdarit e deri në bregdet.
Do
të jetë ky gjenocidi i dytë serbo-malazias brenda katër dekadave (i pari gjatë
dimrit të vitit 1877/78 me rastin e
luftës ruso-osmane kur ushtria serbe do të shfrytëzojë humbjen e forcave osmane
për t’u futur në pjesët e Toplicës, të Kurshumlisë e të Prokupës ), që për
pasojë do të ketë vrasjen e mbi tridhjetë mijë Shqiptarëve si dhe shpërnguljen
e mbi 150 mijë vetash që do të kërkojnë shpëtim në drejtim të Turqisë dhe të zhvendosjes në pjesët e
Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.
Sidoqoftë,
në këto rrethana, kur përkundër rezistencës së Kosovës në luftë me ushtritë
pushtuese serbe dhe malaziase, thuajse e gjithë Shqipëria do të pushtohet nga
fuqitë e vendeve të Aleancës Ballkanike, ndërkohë që pjesa më e madhe e
patriotëve shqiptarë që kishin udhëhequr rezistencën në frontet me Serbinë,
Malin e Zi ishin zënë rob nga fuqitë pushtuese (Hasan Prishtina, Nexhip Draga,
Idriz Seferi dhe shumë të tjerë, të cilët do të dërgohen në burgun e
Beogradit), atyre që kishin mbetur jashtë kësaj tragjedie (Ismail Qemalit dhe
të tjerëve që gjatë Kryengritjes së Kosovës, por edhe luftës kundër pushtimeve
me forcat serbe dhe malaziase ndodheshin në Stamboll), domosodshmërisht u binte barra që ta merrnin përsipër luftën
politike dhe diplomatike për shpëtimin e Shqipërisë.
Kështu,
Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe disa të tjerë, në rrugë e sipër për
në Vjenë, do t’i drejtohen Bukureshtit, ku do të mbajnë një tubim në të cilin
do të bisedohet për fatin e Shqipërisë.
Pa u përcaktuar për formën politike të saj, në Bukuresht do të vendoset që
Ismail Qemali t’u drejtohet Fuqive të Mëdha, dhe më konkretisht Austro-Hungarisë
si mbrojtëse të vetme për përkrahjen dhe shpëtimin e Shqipërisë. Gjatë takimit që do të ketë me
ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Berhtoldin në Budapest, më 17 nëntor,
Ismail Qemali do të marrë garancitë e Vjenës për një Shqipëri të pavarur, e
cila duhej shpallur sa më parë, para se çështjet të vendoseshin në tryezën e
konferencës ndërkombëtare, e cila parashihej të thirrej në fillim të dhjetorit.
Ajo
që do të ndodhë nga 17 nëntori deri më 28 nëntor kur në Vlorë do të shpallet
pavarësia e Shqipërisë shënon luftë me kohën për të përballuar rrethanat ndër
më të pavolitshme që duhej të parandalonin
shpalljen e aktit madhor historik.
Në
Vlorë, megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve kundër saj, më 28 nëntor 1912,
do të shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe kështu do të përmbyllet një proces i
gjatë i përpjekjeve shumëshekullore të
Shqiptarëve për pavarësi dhe liri.
Me
këtë rast gjithsesi se ka rëndësi të theksohet ajo që tha Hasan Prishtina:
“Lufta
ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në
vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.
(Shkëputje nga “Kosova” IV, 2017).