Editorial
Ndue Dedaj: Shpopullimi, vetëm politikanët gojëlidhur
E marte, 21.11.2023, 08:59 PM
SHPOPULLIMI, VETËM POLITIKANËT GOJËLIDHUR
Papa Françesku, të rinjve shqiptarë: “Punoni për Atdheun, që të ecë përpara!
Atdheu ka nevojë për ju”.
NGA
NDUE DEDAJ
Shkruan,
po kujt t’ia thush? Qeveria merret me paradën e fitoreve rilindase, në një vend
ku përditë njerëzit ngrenë valixhet, shumica për të mos u kthyer më. Nuk ke
nevojë të shkosh në zyra demografike për ta kuptuar ikjen, mjafton të hedhësh
sytë rreth e rrotull pallatit tënd, sot iku në Itali një çift me një fëmijë,
dje iku në Greqi një tjetër çift me tre fëmijë, pardje shkuan në Kanada burrë e
grua me dy fëmijë, për habi, të gjithë të punësuar në shtet dhe privat. Duket
sikur Shqipëria është kthyer një vend tranzit për vetë shqiptarët, të cilët
qendrojnë në pritje sa t’iu dalë “llotaria” për diku tjetër në Perëndim. Ata që
vijnë janë refugjatët afrikanë që do ta kenë strehimoren e tyre të përkohshme
në Shëngjin e Gjadër.
Në
vitin 1990 në Shqipëri ishim katër milionë banorë. Po sot?... Le të presim
censusin të na e thotë fiks shifrën, por e sigurtë është që nuk jemi më shumë
se dy milionë e gjysmë dhe e ardhmja nuk pritet të jetë më e mirë, përkundrazi,
parashikohet rënie e mëtejshme e popullsisë, ku sipas përllogaritjeve nuk do të
jetë i largët moti kur vendi ynë do të mbetet me një milionë banorë. Kjo do të
thotë të shkosh në kufijtë e ekzistencës pa ndonjë luftë! Të kesh histori, po
jo të nesërme. Një popull i pakësuar në vendin e tij, i shpërndarë nëpër botë,
nuk mund t’i mbijetojë shoqërisë globale, që nuk flet “shqip”.
Nëse
shpopullimi i tridhjetë vjetëve do të kishte ndodhur në një ditë, kjo do të
kishte qenë ngjarja më tronditëse shqiptare në pesëqind vjet, pas dyndjeve të
arbëreshëve në shekullin XV. Por hemoragjia ka ndodhur ditë pas dite e natë pas
nate mbi gomone, pa e vënë re politika e kacafytur për pushtet. Politikanëve u
mjaton vetvetja, me popull, pa popull, ata janë në krye të vendit. Përfytyroni
një çast sikur në të gjitha pikat e kalimit kufitar të republikës, të venin një
herë të vetme e të “inspektonin” sportelet e ikjes, Presidenti, Kryeministri,
kreu i Kuvendit, ministrat? Por kjo nuk ndodh, se po u ngjite atje lart, mendon
ndryshe nga njerëzit e thjeshtë, ku sipas qeveritarëve të ikësh për një jetë më
të mirë, ku me e gjetë! Fatkeqësi që këtë “filozofi” nuk e kuptojnë nënat dhe
etërit e të rinjve që ikin, bizneset që kërkojnë përditë punëtorë, mediat që i
mëshojnë fort mos-ikjes dhe shpopullimit, institucionet fetare, shoqëria civile,
donatorët e huaj që investojnë në Shqipëri. Kot e kanë të gjithë këta! E kush
këto punë i di më mirë se qeveria?... Kurse po të pyesësh të qeverisurit, ata
të thonë se nuk ikin nga qejfi, nga e mira, por nga halli, ngaqë nuk kanë rrugë
për të qenë, pasuritë publike iu grabitën ditën për diell e ata nuk përfitojnë
asgjë, as nga ujërat, as nga mineralet etj.
Ikjet
masive janë një dukuri që kanë prekur krejt trojet shqiptare, në Shqipëri,
Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni, që sipas nesh kanë të bëjnë jo me ndonjë prirje
të shqiptarëve për të emigruar, por me politikat aspak të favorshme që janë
ndjekur me vite. Pa i hyrë analizës së rrethanave, që nuk kanë qenë të njëjta
për shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë të 1913-ës, realiteti i shpopullimit
mbarëshqiptar sot është tejet shqetësues ngado që ta marrësh. Emigracioni ka
lënë zbrazët territoret shqiptare, jo vetëm në zonat malore, me shtëpi që nuk
nxjerrin më tym e rrënohen dita - ditës, me shkolla që mbyllën se nuk ka më
nxënës, me qendra shëndetësore që iu vihet dryni dhe shtëpi lindjeje që nuk
presin më foshnja, me një popullsi që plaket e nuk rinohet, duke u zvogësuar
frikshëm. Nuk është rastësi që sot kemi “lagje” të lezhianëve apo mirditorëve
në Milano, të hasianëve apo shishtavecarëve në Londër etj.
Pasi
të ketë përfunduar stuhia do të na mbetën vetëm titujt alarmues të shkrimeve të
gazetave, kronikave tëlevizive, portaleve etj., që nuk ua vuri veshin askush në
kohën e duhur. Mjafton të shkruash fjalën “shpopullimi” në Google dhe të
presësh vërshimin e lajmeve tronditëse, nga viti në vit: “A po shpopullohet
Shqipëria?”, “Është larguar një e treta e popullsisë së Shqipërisë”, “Shqipëri,
ikja e të rinjve, më e lartë se kudo tjetër në Europë”, “Shpopullimi, problem
kombëtar”, “Drama e emigrimit - nga e mungesa e sigurisë e shërbimeve”,
“Shqiptarët ikin për një jetë normale, jo për luks”, “30 për qind e popullsisë
së Kosovës është larguar në dhjetëvjeçarin e parë pas Pavarësisë”, “Shpopullimi
dhe diskriminimi i shqiptarëve të Medvegjës”, “Shpopullimi, 30 përqind e romëve
janë larguar nga Shqipëria” etj.
Një
dinamikë ikjesh e “kalkuluar” aq mirë, çka zor se do të kishte qenë kaq masive
dhe sikur do të kishte pasur ndonjë strategji shpopulluese. E vërteta është se
braktisja ka ndodhur pikërisht se nuk ka pasur një strategji për të frenuar
ikjen, përmes investimesh, ku qytetari ta krijonte jetesën në standarde
europiane në vendin e tij. Askush nuk mund t’i mohojë ndërtimet urbane dhe
rindërtimet e tërmetit, që ua kanë ndryshuar pamjen qyteteve etj., por kush
mund të thotë sa ka pasur dhe investime që sjellin punësim të përhershëm? Nëse
do të ishin bërë njëqind fshatrat e trumbetuar nga qeveria, në çdo bashki do të
kishim nga një apo dy qendra të zhvilluara rurale, çka do të nxiste për të
tjera si ato. Një qeveri që nuk krijon besim te njerëzit që e kanë votuar, që
nuk jep shpresë për të gjithë, që nuk ka në vëmendje çdo shqiptar, zor se bën
prokopi, le pastaj histori. Si ta kuptojmë deklarimin e kryeministrit për t’ia
dhënë llixhat e Peshkopisë një kompanie të huaj, pa ua afruar këtë mundësi në
radhë të parë atyre shqiptare? Apo para të “zotit të shtëpisë” askush nga
“robtë” nuk bën gëk - mëk?
Ekspertë
të ndryshëm shprehën se duhet ndryshuar kuadri ligjor, që rregullon
marrëdhëniet mes pushtetit vendor dhe atij qendror, që bashkive t’u jepen më
shumë kompetenca në administrimin e pasurive natyrore dhe të trashëgimisë në
territorin që mbulojnë. Përndryshe ato do të mbetën gjithmonë me sytë “lart”
dhe dorën shtrirë, se mos qeveria do t’iu japë ndonjë investim. Qytetari i ka
punët dhe interesat të lidhura drejpërdrejt me pushtetin vendor dhe kur sheh se
ky nuk ofron mundësi dhe lehtësi ekonomike për të, ai i revoltuar ia mbath
familjarisht përtej kufijve. Mjaft ka pritur, tridhjetë vjet. Ndryshe do të
ishte nëse pushteti vendor do të lejohej me ligj të krijonte të ardhura nga
menaxhimi i brendshëm i burimeve ekonomike, turistike etj. Çfarë mund të
presësh kur pjesën e “luanit” nga rentat minerale, shfrytëzimi i burimeve
hidrike etj. e merr qeveria? Ankthi i përditshëm dhe i përjetshëm i bashkive
është të gjejnë të njohur atje lart, që t’i marrin këmbën e dorën ministrit iks
për të realizuar këtë apo atë projekt a investim. Dihet që qeveria ka rolin e
saj në projektet madhore në shkallë vendi, problemi është te monopolizimi i të
ardhurave, që e bën decentralizimin e pushtetit fiktiv. E keni parë sesi për
çdo palë zgjedhje numri i votuesve bie? Njerëzit më shumë dalin për të votuar
ngaqë iu bien në qafë miqtë e shokët, se sa për besimin që kanë se gjërat do të
ndryshojnë.
Ka
shkaqe shpopullimi, nuk është nga dëshira. Provoni t’i bëni gjërat ndryshe,
zotërinj të politikës, pa Shqipëria do të ishte tjetër nga kjo që po na
rrëshqet përditë nga duart! Jepini pushtet qytetarit! Gjejeni ju mënyrën. Mund
të ketë më pak bashki republika e më shumë zhvillim! Si mund të jetë e varfër
Shkodra me liqenin, detin dhe alpet? Puka me pyjet që ka? Bulqiza me kromin që
nxjerr? Mirdita me bakrin dhe arin e Munellës? Lura me liqejt e turizmit. Për
të përmendur vetëm disa zona për të cilat kemi më shumë njohje. Ka tridhjetë
vjet që përflitet hidrocentrali i Skavicës e nuk bëhet. Ka njerëz të asaj ane
të largët të Drinit që shohin ëndrra me vepra të tilla hidroenergjetike, që
sjellin zhvillim dhe kur ato nuk ndërtohen për një kohë kaq të gjatë, atëherë ata
e kërkojnë jashtë vendit punësimin dhe mirëqenien e tyre, atje ku punët e mëdha
nuk zgjasin me vite e dekada pa u bërë. Ja, këto janë projekte qeveritare, që i
tejkalojnë fuqitë e pushtetit vendor. Ekonomistët dhe vizionarët e progresit i
dinë më mirë këto punë. Por ata nuk dëgjohen. Nuk janë pjesë e kabinetit
qeveritar, agjensive të zhvillimit etj. E nëse zyrat nuk flasin, qytetarët nuk
rrinë gojëkyçur, aq më tepër kur shohin që vendi po braktiset e shpopullohet.
Nuk je mirë as ti, kur komshinjtë e tu, njëri pas tjetrit, të lënë shëndetin,
duke ikur jashtë vendit “për një jetë më të mirë”. Shpopullimi bëhet një
realitet dhe më i trishtë kur të ikurit nuk kanë mundësi t’i kontribuojnë
atdheut qoftë dhe me votën e tyre si emigrantë, duke votuar atje ku janë, pasi
jo të gjithë i kanë kushtet të marrin avionin e të vijnë në Shqipëri sa herë ka
votime. Flitet e nuk bëhet. Kaq e vështirë të jetë? Apo është droja e politikës
se emigrantët, si qytetarë europianë, nuk mund të komandohen nga partitë, të
cilat as që iu interesojnë? Atyre iu intereson vetëm Shqipëria dhe i kanë
“llogaritë” vetëm me të.
Gjithsesi,
ende nuk është vonë për ta dashur këtë vend të gjithë ata që kanë mundësi ta
ndryshojnë. Vetëm pak kohë më parë, Papa Francesku u është drejtuar onlinë të
rinjve shqiptarë, duke i uruar dhe bekuar: “Për ju të rinj shqiptarë, një urim
të përzemërt. Ju uroj më të mirën, punoni për atdheun, që atdheu të ecë
përpara! Atdheu ka nevojë për ju. Zoti ju bekoftë, Maria ju ruajtë. Lutuni për
mua”, thuhet në videomesazhin e Papës.