| E enjte, 14.12.2023, 08:58 PM |
O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë
Nga
Gjekë Gjonaj
Në
klasën e parë mësuesi dhe prindi na kanë mësuar se shkolla është shtëpia jonë e dytë, një vend edukimi, çerdhe e diturisë, një vend ku krijohet një person.
Kështu na ishte dikur
Në
shkollë, në kohën e brezit tonë, theksi vihej në njohuritë dhe edukatën e fituar Mësuesi respektohej njësoj si prindi, ndoshta edhe më shumë.
Prindërit na mësonin t’i respektojmë mësuesit tanë , sepse janë
ata që na edukojnë dhe na japin dituri,
na arsimojnë. Për mësuesit e asaj kohe
nuk ishte e rëndësishme se cilët ishin prindërit tanë, çfarë bënin për të jetuar, kush janë dajat ,
hallat, tezet, cilës parti i takon...
Nxënësit i kërkohej të mësonte.
I vetmi fakt vendimtar ishte njohuria e nxënësve. Si produkt i saj që
kishin mësuar merrnin një notë realiste ( të merituar) sipas kritereve të
notimit. “ As sipas gjyshes, as sipas dajave”.
Në shkollë kishte rregull, punë,
disiplinë. Prindërit tanë nuk
paguanin mësimet private. Ne ia
dilnim me punën tonë. Merrnim
rregullisht ndëshkime nga prindërit për
sjellje të papërshtatshme ndaj mësuesit.
Prindërit tanë i respektonin mësuesit.
Ata nuk ishin të drejtë dhe gjithmonë në krah të autoritetit të mësuesit.
Edukatori ishte një institucion për t'u respektuar. Kështu na ishte dikur.
Politika e shkatërroi
sistemin arsimor
Sot,
asgjë nuk është ashtu siç ishte dikur. Të gjithë jemi dëshmitarë se kriteret kanë ndryshuar si do të thoshin të moshuarit “Gjithçka ka marrë
teposhtën”. Partitokracia e ka bërë
punën e saj. Politika e shkatërroi sistemin arsimor në Mal të Zi . Institutet
tona drejtohen nga persona të paaftë, të
papërvojë në atë fushë dhe të kualifikuar politikisht. Fëmijët tanë edukohen
nga njerëz me diploma të dyshimta.
Sado
që mësuesi (mësimdhënësi)
këmbëngul se dija është në vendin e parë në sistemin arsimor, në të shumtën e rasteve hasin në pengesa e
dilema: A duhet t’i jepet notë reale
njohurive reale apo të respektohet
dëshira e statusi i prindërve
? Pothuaj çdo prind ( me përjashtime të
vogla) mendon se fëmija e tyre është më
i miri, më i zgjuari, më i afti, më i sjellshmi, më i kulturuari, por harrojnë
se çfarë të mire i bëjnë vetes ose
fëmijës së tyre, kur mësuesin e
vendosin në një pozicion të tillë që të
japë notat me grusht dhe kapele. Për këta prindër mësuesi
korrekt është i paaftë. Nuk u besojnë as njerëzve që janë shkolluar për të qenë mësues. E vetmja gjë që u intereson atyre është që
engjëlli i tyre të mos
arrijë rezultat tjetër përveçse
sukses të shkëlqyer, madje edhe
të marrë Çmimin “ Pishtari”. Tash disa vite , nëse jep një notë që nuk është
sipas kritereve të prindërve të pasur ose të njohur,
drejtorët partiakë
shqiptojnë fjalinë e famshme: “ A
e dini se është nxënës i një politikani, deputeti, ministri, drejtori, avokati, doktori,
gjyqtari të njohur... Nëse nuk i bindeni
dëshirës së drejtorit, do të vijë,
apo do t’ju marrë në telefon, një
politikan i famshëm, një prindër i pasur, duke
bërë vazhdimisht presione e kërcënime ndaj mësimdhënësve, të cilët jo
rrallë po sulmohen
edhe nga vetë nxënësit. Në vend
se nxënësi të frikësohet nga mësuesi, sot mësuesi ka frikë nga nxënësi. Atëherë,
çfarë i mbetet mësuesit? Të luftojë çdo ditë me presione të tilla? Pse? Për
çka ? Për shkak të kujt? E vetmja gjë që
i ka mbetur është që të “gjunjëzohet” dhe t’i japë
fëmijëve pesa. Në këtë
mënyrë mësuesi ruan shëndetin e
tij, kënaq prindërit dhe nxënësit.
Nga ana tjetër shtrohet pyetja: “
Çfarë mund të mësojnë sot nxënësit tanë
nga mësues gjysmë të ditur me diploma të
dyshimta, të rreme , apo të blera”? Asgjë të dobishme! Kurrë më shumë shkolla e
diploma dhe kurrë më pak njohuri.
Situata alarmante në
fushën arsimit
Rezultatet shqetësuese
të publikuara nga OECD (
Organizata për bashkëpunim dhe
zhvillim ekonomik) javën e kaluar në testin PISA 2022, nga të cilat askush nuk mund të ndihet mirë, veçmas ata që
janë të ndërlidhur drejtpërdrejt me sistemin arsimor në Mal të Zi, janë pasqyra e vërtetë e këtij
sistemi. Sipas këtij testimi Mali i Zi
ka arritur rezultatet më të
këqija që nga viti 2012. Nxënësit
pesëmbëdhjetë vjeçar në Mal të Zi kishin
406 pikë në matematikë, në lexim 405
pikë dhe 403 pikë në shkencë, dukshëm
nën mesataren e OECD. Kështu, Mali i Zi
është i 54-ti nga 80 vende në matematikë, i 56-ti në lexim dhe i 62-ti në
shkencë. O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë?
Për
situatën alarmante në këtë fushë, kërkuam përgjigje nga njohësit e mirë të
këtij procesi dhe punonjës shqiptarë e
përgjegjës në institucione përkatëse
shtetërore, mirëpo u deklaruan se nuk dëshirojnë ta komentojnë. Po ashtu nuk pranuan të deklarohen edhe disa veteranë të arsimit
shqip në Ulqin dhe Malësi.
Provime vetëm për të kaluar, e jo për të mësuar
Drejtori
i Shkollës së Mesme “ 25 Maji”- Tuz, Sehad Lulanaj, njëheri profesor
shumëvjeçar i Gjuhës dhe Letërsisë
Shqipe pohon se ky është vetëm fillimi i alarmit të kuq që po
ndodhë në sistemin arsimor në Mal të Zi, që po mësohet mekanikisht të kesh notë
e jo dije. Planprogramet, librat, plotësimi i dokumentacionit nga ana e një
mësimdhënësit që ia vështirëson punën, mos interesimi i nxënësit, kushtet
me të cilat punon një mësimdhënës çdo ditë, roli i prindërit, mungesa e kuadrit
adekuat. Të gjitha këto janë faktorë që kanë ndikuar negativisht në
rezultatet e Pisa test”, shprehet Lulanaj.
Drejtori
i SHF “ Bedri Elezaga”në Katërkollë (
Anë të Malit), Mustafë Bardhi, mendon
se sistemi arsimor në Mal të Zi ka
ndryshuar për keq me aplikimin e sistemit të Bolonjës. ” Personalisht mendoj
që të dalim nga kjo situatë dhe të kemi sukses pikërisht në matematikë, shkrim
- lexim dhe shkencë duhet patjetër të kthehet sistemi i mëparshëm. Sikur të
kthehet abetarja ,lapsi,goma,fletorja dhe libri, jam më se i bindur që do të
kemi sukses si individ,shkollë dhe shtet”, nënvizon Bardhi.
Rrok
Dushaj , profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në SHF “ Mahmut Lekiq “ në Tuz,
pranon se rezultatet e Pisa test nuk
kënaqin as mësimdhënësit , as
prindërit, as nxënësit dhe se fajin
e kanë te gjithë së bashku. Sipas tij në këtë kohë është shumë e
vështirë të punohet me nxënës. “ Me
keqardhje duhet te them se para librit nxënësit tanë më parë kanë telefonin.
Atyre u duhet afruar libri , sepse ai e ndriçon mendjen. Po ashtu më duhet të
them se nxënësit e këtij shekullit mësojnë vetëm kur janë testet, vetëm për
nota. Në suksesin e nxënësve, me përjashtimin e disave, angazhohen edhe
prindërit, të cilët kërkojnë me çdo kusht që fëmijët e tyre të dalin me të
gjitha pesa. Mësimdhënësit sot janë nën presione deri edhe në kërcënime. Për fat të keq
sot kemi edhe nxënës që ende nuk dinë të lexojnë, apo të shkruajnë, e të mos
flasim për leximin artistik”, thekson
Dushaj.
Për
t`i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor në Mal të Zi
, Ministria e Arsimit në Mal të Zi duhet të
shërojë këtë sistem sa më parë. Çdo ditë e vonuar i kushton shumë shoqërisë sonë.