Speciale
Dorian Koçi: Altruizmi dhe egoizmi në historinë shqiptare
E merkure, 04.10.2023, 07:57 PM
Altruizmi dhe egoizmi në historinë shqiptare
Nga
Dorian Koçi
Në
një editorial të vitit 1909 në Gazetën Liria të Selanikut, intelektuali i
njohur i botës shqiptare, Mid'hat
Frashëri shkruante ...një komb është
një familje madhe që ka nevojë për të gjithë të mirat e së voglës: shkuarja e
mirë, harmonia, bashkëpunimi këtu janë shumë më të nevojshme se te familja. Për
lumturinë e një kombi duhet që njeriu të ketë këtë virtyt, që në frëngjisht i
thonë altruizëm. Altruizmi është vetia fare kundër egoizmit: egoizmi na
urdhëron që të mundohemi vetëm për veten tonë, të bëjm’ atë që na do qejfi, t’i
bëjmë dëm tjetrit për të mirën tonë. Po altruizmi na këshillon që më parë të
mendojmë tjetrin, të shikojmë të mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut
tonë, me një fjalë, altruizmi na thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të
përgjithshëm dhe jo vetëm pas interesit tonë. Altruizmi është ajo lëndë, mund
të themi, që lidh njerëzit e një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri. Ky editorial i shkruar vetëm në më pak se një
vit pas Revolucionit Xhonturk dhe disa muaj pas Kongresit të Manastirit, provës
gjenerale të shqiptarëve për të qenë të lirë e të pavarur, ndriçonte dy vetira
të shpirtit shqiptar që ashtu si filozofia e të kundërtave kishin shenjuar edhe veprimet e udhëheqësve të tij politikë
përgjatë historisë së mesme e të re. Lumo Skëndo në përçapjen e tij
intelektuale vërente se nëse për egoizmin mund të sillte shembuj pa fund të
sjelljes politike të shqiptarëve , për
altruizmin e ndiente se për shqiptarët ishte një koncept i huaj.
Altruizmi!-shkruante në të njëjtin editorial- Mid'hat Frashëri , Ah, është një fjalë e panjohur për
ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi, kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e
përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin, fshati me fshatin, vëllai me vëllanë,
është një prov’e mjaftë, që altruizmit në vendin tonë as emri s’i është
dëgjuar!
Editoriali
në fakt i referohej sjelljes sociale brenda etnisë së shqiptarëve, brenda
çatisë së Perandorisë Osmane ku shqiptarët mendonin se pas Revolucionit
Xhonturk dhe statusquo-s që Fuqitë e Mëdha Evropiane, Perandoria
Austro-Hungareze dhe Perandoria Britanike garantonin për Gadishullin Ballkanik,
do të fillonin të shijonin frutet e barazisë konstitucionale. Marsi i vitit
1909 ishte shumë shpejt që shqiptarët ti kallnin flakën Perandorisë Osmane,
pasi shpresat ishin vërtet të mëdha. Shkolla shqip, klube shqiptare të shtrira
në të gjitha hapësirat shqiptare, deputetë shqiptarë në Parlamentin Osman ishin
fitore jo të vogla që shqiptarët si kishin pasur kurrë gjatë sundimit të Abdyl
Hamitit-Sulltanit të Kuq. Ndërkohë në kancelaritë e vendeve të pavarura
ballkanike dhe në Sant Petersburg po përgatititeshin alencat dhe planet për
mësymjen e përgjithshme ndaj osmanëve për ta zgjidhur njëherë e mirë “nyjen
gordiane” të Çështjes Lindore me anë të luftës. Mes shpërthimit të Luftës së
Parë Ballkanike dhe tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani lindi shteti
shqiptar. Shteti kombëtar shqiptar u krijua pas rrënimit dhe tërheqjes së
otomanëve nga Ballkani dhe kufijtë e tij do të përcaktoheshin në një konflikt
të hapur me fqinjët e vet që dëshironin të zbatonin parimin e plaçkës së
luftës. Kjo lakmi e fqinjëve për të përfituar sa më shumë territore edhe pa e respektuar
fare parimin etnik në terren po dëmtonte shumë popullsinë shqiptare që në
vigjilje të krijimit të shtetit të vet kombëtar i duhej që një pjesë e
konsiderueshme e popullsisë së saj, të mos përqendrohej rreth bërthamës së vet
etnike por t’i nënshtrohej autoritetit të shtetit kombëtar të popujve fqinjë.
Sigurisht që parimi etnik nuk ishte respektuar tërësisht dhe në caktimin e
kufijve të shteteve kombëtarë ballkanik,
por në ndryshim nga Shqipëria që po krijohej, popullsitë dhe territoret e
këtyre vendeve kishin mbetur nën dominimin osman , çka linte një shpresë që në
të ardhmen diçka mund të arrihej në kuadër të shpërbërjes së Perandorisë
Otomane. Në rastin e Shqipërisë caktimi i kufijve të saj merrte një rëndësi të
veçantë jo vetëm për të qenë “leben fahig” –viable për të përdorur një term që
përdori dhe diplomacia Austro-Hungareze por edhe për të arritur dhe përfshirë
në bazë të kriterit etnik pjesën më të madhe të popullsisë dhe etnike
shqiptare, pasi lënia e tyre nën administrimin e shteteve kombëtarë fqinjë nuk
linte asnjë shpresë se në të ardhmen mund të kishte ndonjë rivendikim kufijsh.
Përreth pothuajse një shekull ringjallje
të etnisë shqiptare për të krijuar shtet modern shqiptar, elita e tyre
kombëtariste ishte ballafaquar me vetëpërpjekjen dhe bashkëpunimin me të tjerët
për të zgjidhur problemet mbi territorin dhe hapësirën gjeografike që
administronte. Pashallëqet e Mëdha shqiptare u kishin dhënë mundësi elitave
shqiptare të kontrollonin Adriatikun, Jonin si dhe një pjesë të Egjeut dhe luginën
e Vardarit, pozicionet më strategjike të Ballkanit ndaj në vigjilje të
tronditjes së pushtetit otoman në Ballkan nga revolta serbe (1815) dhe
revolucioni grek (1821) , elitat serbe dhe elitat greke u përpoqën të
bashkëpunonin me eilita shqiptare të pashallëqeve. Si është një fakt i njohur
historik, shpërthimi i rrebelimit të Ali Pashë Tepelenës në Epir rriti shanset
për triumfin e Revolucionit Grek. Revolucioni Grek dhe lufta për pavarësi
1821-1832 do të shërbenin edhe si lakmues identitar për popullisitë e Epirit,
ku suliotët do të përqafonin identitetin
kulturor helen. Për më tepër të vonuar do të ishin në këtë drejtim dhe klasa
drejtuese e ajanëve myslimanë shqiptarë ku bënte pjesë dhe Ali Pasha Tepelena
që shpesh herë në aksionet e tyre politike do të ishin transmetues
solidaritetit të ummas islamike në territoret shqiptare duke krijuar konflikte
të panevojshme me bashkësitë ortodokse shqiptare si Suli dhe Himara. Në një
shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve
të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i
përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose,
thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku
padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion
të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë
një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të
krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.” Në këtë rast tipari altruist i
disa prijësve etnikë shqiptarë qoftë të krishterë apo myslimanë u shfrytëzua në
maksimum nga elita kombëtariste greke, pasi duke rrënuar pushtetin otoman pa
asnjë garanci politike për mbijetesën e tyre etnike ata u u gjendën në zemër të
rrebeshit të asimilimit në shtetin e ri kombëtar grek. Rezultati ishte
katastrofal për popullsinë etnike shqipfolëse në Greqi. Si të krishterë
ortodoksë që ishin,dhe duke qenë se ortodoksia ishte në themel të identitetit
helen modern që po lindte, shumë prej arvanitasve kishin marrë në luftën për
çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të saj. Njëlloj si në shekujt
e mëparshëm helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe moskompaktësia e disa
popullsive, si dhe procesi i urbanizimit. Mungesa e një tradite letrare
vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht që po
zhvillohej ishte, sëbashku me Kishën, një motor i fuqishëm i greqizimit,
veçanrisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që
ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të
paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t’i përkisje
shtresës më të ulët të shoqërisë neo-helenike, domethënë të ishe fshatar ose
marinar, kurse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një “helen i
vërtetë”.
Tetëdhjetë
vjet më vonë në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, shtetet
ballkanike kryesisht Serbia doli me parrullën “Ballkanasi i Ballkanasve” duke
dashur të eliminojë çdo ndërhyrje të Fuqive të Mëdha dhe rikomfirmuar
hegjemoninë e tyre. Për fat të keq një pjesë e rëndësishme e krerëve të
popullit shqiptar përfshi Isa Boletini, Mehmet Pashë Dëralla, Esat Pashë
Janina, Hasan Tahsin Pasha (Masareja) ranë dakord të bashkëpunonin në veprime të
përbashkëta ushtarake me forcat serbe e greke duke përshpejtuar disfatën e
forcave osmane. Historiografia shqiptare nuk e ka analizur artë këtë problem
duke mbajtur qendrim njësues si të gjitha historiografitë zyrtare të vendeve
ballkanike, ku rëndësi kishte dëbimi i osmanëve nga Ballkani dhe jo pasojat.
Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike kufijtë e përcaktuar në Konferencën e
Londrës kishin lënë jashtë më shumë se
gjysmën e territoreve shqiptare he shqiptarët nuk zotëronin më të njëjtin
pozicion strategjik në konfigurimin e shteteve ë reja në Ballkan. Parë në këtë
kënvështrim analiza dekonstruktive e bilancit të forcave në Ballkan përforcohet
kur shikon sesi këto ushtri të dobëta
turke që ishin shpartalluar aq lehtë në luftërat Ballkanike nga ushtritë e
vogla ballkanike, dy vjet më vonë mbrojtën heroikisht Galipolin në gadishullin
e Azisë së Vogël nga sulmet e ushtrive moderne anglo-franceze, të përforcuara
dhe me elementë shqiptarë. Nga gjiri i kësaj elitë fisnike ushtarake kishin
dalë së ushtarët më të mirë e trima osmanë. Gjatë shekujve të mëparshëm
popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në
perandori Këtë dobësim të pozicionit dhe
kontrollit strategjik elita shqiptare e kuptoi shumë lehtë kur pa se në 26
prill 1915 u kthye në një plaçkë tregu në Traktatin e Fshehtë të
Londrës. Karakteri altruist në rrëzimin pa kushte të Perandorisë Osmane disa
vjet më vonë nxorri në pah karakterin egoist të elitës shqiptare që në Luftën e
Vlorës më 1920 përkundrejt gjithë parashikimeve nxorri fitimtar elitën
shqiptare komëtariste të edukuar në Perandorinë Osmane dhe të trajnuar në
oborrin perandorak të Vjenës. 102 vjet më parë sovraniteti dhe liria kombëtare
e shtetit të pavarur shqiptar u siguruan me anë të triumfit të Luftës së
Vlorës, epopesë moderne të bashkimit të forcave shqiptare të diplomacisë, artit
ushtarak dhe heroizmit të tribunëve popullorë. Lufta e Vlorës ishte një luftë
me një karakter kombëtar ku u përfshinë strukturat e shtetit shqiptar nëpërmjet
Prefekturës së Beratit që mbulonte administrativisht edhe hiterlandin e Vlorës
që mbahej ende e pushtuar nga italianët , organizimit të forcave vullnetare dhe
mbështetjes diplomatike. Si një luftë e tillë u perceptua dhe në opinionin
publik shqiptar të kohës dhe jehonën që pati në shtyp. At Shtjefën Gjeçovi do
të shprehej në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” për këtë ngjarje se : “Në luftë të
Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të
pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën
sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e
ledhet e çelikta të armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e
cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar”
.
Për
fat të keq pësimet e së shkuarës nuk u bënë mësime kur qielli i Evropës u
trazua sërsih nga retë e Luftëss së Dytë Botërore. Internacionalizmi i
komunistëve shqiptarë nuk bëri të mundur që të mobilizonte të gjitha forcat e
kombit shqiptar këndej e andej kufirit për të realizuar kompaktësinë etnike dhe
siguruar një vazhdimësi të Shqipërisë që apostulli i shqiptarizmit, Naim
Frashëri, në 1886 i kishte kënduar tek
“Bagëti e Bujqësia :
...Dellëndyshe
bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe
të k'ënda vahn' e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A
mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me
këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo
vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe
fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q'është
thier, bërë posi një pasqirë,
Duke
këputur nga cmagu, që s'e kanë vartur mirë,
Apo
vjen nga fush'e Korçës, nga vënd'i mir' e i gjerë,
Pej
zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot' e ndjerë?
A
më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga
Vijosa, nga Devolli, pej Vlor' e pej Myzeqeje?
Të
munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me
gas të math do t'i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për
me marrë drejt Shkumbinë edh' Elbasan' e Tiranën,
E
me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur,
Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat'
e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit' e Tetovën;
Krojënë
e Skënderbegut, q'i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue
bam me trimni luftë, e m'e munt mren e Tyrqisë.
Durres,
o qytet i bukur, që je kërthiz' e mëmëdheut!
Edhe
ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat
tuaj aqë trima do ta lenë vall' Ylqinë
Edhe
gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë
më ngjan e s'e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria
këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.
Altruizëm
apo egoizëm në marrjen e vendimeve kryesore për rrugëtimin drejt mirëqënies dhe
përparimit kombëtar? Marrëdhëniet mes njërës rrymë mendimi e tjetrës duhet ta
braktisin modelin Faustian të paktit me Mefistofelin për të fituar rininë, por
të fillojnë një reformim të vetë jetës kombëtare të shqiptarëve, ku vlerat
demokratike perëndimore dhe prognozat e sakta të përfitimit dhe humbjeve duhet
të zënë vend në ligjërimin publik, politik, ekonomik e shoqëror në Shqipëri.
Nëse pragmatizmi politik shpeshherë, për shkak të kompleksitetit të tij krahasohet
si det i madh, ku derdhen të gjitha pasionet politike, ekonomike e kulturore,
ka ardhur koha që notarët profesionistë të mësojnë dhe zhytjen, sepse problemet
gjenden shumë thellë brenda shpirtit kombëtar dhe pastaj të fillojnë të notojnë
sërish në sipërfaqe për të siguruar më të mirën për interesin kombëtar.
Burimet:
1- At Shtjefën Gjeçovi,
Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”. 1921.
2- Charles&Barbara
Jelavich.: “Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920”.
Dituria.Tiranë:2004.
3- Dorian Koçi. Pikëtakime
Historike, Kulturore,Identitare. Bota Shqiptare, Tiranë,2016.
4- Ferdinant
Salleo. “Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri”,Tiranë, 2000,Shtëpia e Librit
dhe Komunikimit.
5- Lumo Skëndo, Gazeta
“Lirija”, Selanik, 7 mars 1909
6- Naim Frashëri. Poema
“Bagëti e Bujqësi”, Bukuresht, 1886.
7- Natalie Claire .”Në fillimet e nacionalizmit
shqiptar”,Tiranë, Përpjekja, 2009.