Speciale
Jusuf Buxhovi: Mashtrimet e kishës ortodokse serbe me autoqefalinë dhe pasojat për shtetin e Kosovës
E merkure, 04.10.2023, 07:57 PM
MASHTRIMET E KISHËS ORTODOKSE SERBE ME AUTOQEFALINË DHE PASOJAT PËR SHTETIN E KOSOVËS
Nga
Jusuf BUXHOVI
Ngritja
e shtetit hegjemon serb nga autonomia në vitin 1830 (në përmasat e pashallëkut
të Beogradit) dhe pranimi si shtet në Kongresin e Berlinit 1878 e deri te
zgjerimi me tokat shqiptare gjatë luftërave Ballkanike 1912-1913, me ç’rast
Kosova dhe Maqedonia do t’i njihen Serbisë, u bë mbi “tapitë shpirtërore” të
kishës ortodokse serbe dhe mashtrimeve të saj si “pjesë e identitet shpirtëror
dhe kulturor serb nga mesjeta e këndej”. Ky mashtrim që ishte pjesë e konceptit sllavo-rus që në pjesën europiane të Perandorisë
Osmane të krijojë shtete vasale (Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë), duhej të
përcillej me faktorin Kishë Ortodokse Serbe si dhe gjoja autoqefalinë e saj nga shekulli XIII e
këndej, që si do të shihet, ishte vetëm një autonomi e përkohshme nga Peshkopata e Ohrit (nga viti
1219-1275). Diskursi i këtij mashtrimi do të vazhdojë për tetë shekuj me radhë,
meqë autoqefalia e Kishës Ortodokse
Serbe do të fitohet në vitin 1922, pasi që të jetë formuar Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene.
Meqë autoqefalia kishtare përherë lidhej me shtetësinë, Kisha Ortodokse serbe,
këtë “të drejtë” e fitoi vetëm pas vendimeve të Konferencës së Parisit më 1919
kur u pranua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, në gusht të
vitit 1920, me anën e një delegacioni shtetëror do t’i drejtohet Sinodit të
Shenjtë të Patrikanës së Kostandinopojës për unifikimin e tri kishave (të
Karllovcit, të Malit të Zi dhe të Mitropolisë së Beogradit) në një kishë të
përbashkët, që do të quhej Kisha Ortodokse Serbe. Sinodi i Shenjtë, në
përputhje me realitetet shtetërore të cilave u nënshtroheshin edhe ato kishtare
(autoqefalitë), vendosi të miratojë kërkesën e shtetit SKS me kusht që të
paguajë 1,5 milionë franka francezë për lejimin e kishave të Kosovës dhe të
Maqedonisë (deri më atëherë nën juridiksionin e
Patrikanës së Kostandinopojës) që të përfshihen në kuadër të hierarkisë
së Kishës së bashkuar ortodokse serbe.
Akti përfundimtarë i kësaj marrëveshjeje do të nënshkruhet në vitin 1922 nga
Patriku i Kostandinopojës.
Meqë
ky mashtrim prej tetë shekujsh po vazhdon të prodhojë pasoja politike për
shtetin e Kosovës, ngaqë me pakon e Ahtisarit krishterimi ortodoks dhe objektet
e kultit kishtar trajtohen si pronësi e
Kishës Ortodokse Serbe, me ç’rast shqiptarët, që i kanë takuar
krishterimit nga zyrtarizimi i tij në shekullin IV, kur në Ilirik nuk ka pasë
sllav, privohen nga një pjesë e rëndësishme e
trashëgimisë së tyre shpirtërore dhe asaj historike, është e udhës që
të sqarohet historia e këtij mashtrimi.
Ajo gjithsesi lidhet me fuqizimin e dinastisë
së Rashës Nemanjane (me prejardhje tribale) si dhe kyçjën e saj në kryqëzatat katolike evropiane si dhe shfrytëzimi i rrethanave të dobësimit të
Bizantit, që u krijoi mundësi për ngritje të fuqishme në Ilirik. Kështu, kur në
Kostandinopojë kryqtarët katolikë do të rrënojnë kulturalisht dhe politikisht
Bizantin, duke shpallur Perandorinë Katolike në vitin 1204, ndërsa qendra e Bizantit bashkë me kishën ortodokse
do të kalojë në Nike, kisha e Rashës në qendrën e saj në Zhiçë, me ndihmën e
drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë, do të ndihmohet, që me veprime në
kundërshtim me kanonet kishtare, për t’u shkëputur njëanshëm nga Peshkopata e Ohrit, në të cilën
gjendej nga koha e Simeonit bashkë me të tjerat në pjesën perëndimore të
Ilirikut. Kjo gjendje ishte konfirmuar edhe nga perandori i Bizantit Vasili II
në vitin 1018. Nga dokumentet e rishkruara dhe të përpunuara të Kishës
Ortodokse Serbe nga punëtoria e manastirit të Hilandarit veçmas me anën e
“zhitive”(jetëshkrimeve të monahëve kishtarë) që nuk paraqesin tjetër pos një
formë të haxhiografisë (jetëshkrime fetare), shumë prej tyre të përpunuar dhe
të rishkruara në shekujt XVII-XIX në
përputhje me qëllimet e caktuara politike, fitohet bindja se e ashtuquajtura
Kishë Ortodokse Serbe “pranohet e pavarur” nga Patrikana e Kostandinopojës, pra
fiton autoqefalin, ndonëse ajo që kishte ndodhur në Nike, në bazë të
dokumenteve meritore, paraqet vetëm një pavarësim të Peshkopatës së Zhiçës nga
Peshkopata e Ohrit dhe assesi autoqefali. Pra, në Nike, në rrethanat kur në
Kostandinopojë asokohe sundonte Perandoria Latine, kishte ndodhur vetëm një
riorganizim i përkohshëm kishtar në pjesën qendrore të Bizantit, si
kundërpërgjigje realiteteve të reja të krijuara kur kisha katolike kishte
fituar hapësirë të dukshme në këto pjesë dhe kërkonte që të faktorizojë aleatët
dhe vasalët perëndimorë: Nemanjajt e Rashës dhe bullgarët. Në këtë drejtim
Vatikani punoi me të madhe qe Kisha e Rashës me seli në Zhiçë dhe ajo bullgare
të shkëputen nga Kostandinopoja.
Natyrisht se edhe kisha e Kostandinopojës e dëbuar nga kryeqendra e vet,
asokohe nuk e kishte kundërshtuar “mëvetësimin” e kishës së Rashës me seli në
Zhiçë nga ajo e Ohrit, meqë ishte e interesuar që ajo të mos bëhej pre e
Vatikanit, veçmas pas kurorëzimit kishtar të Stefan Ne-manjës në vitin 1217 nga
Papati. Përkundrazi, si shihet, edhe Patriku i Nikesë, Manojllo, do ta
kurorëzojë “mbret” Nemanjën duke e toleruar formalisht krijimin e Peshkopatës
së Zhiçës, si të shkëputur nga ajo e Ohrit, por kjo me asnjë dokument nuk u vërtetua
se fitoi edhe autoqefali kishtare. Rreth kësaj kemi edhe dëshminë meritore të
Dr. Dimitrije Ruvarac, arkimandrit, menaxher i shtypshkronjës së kishave dhe
Bibliotekës Patriarkale të Sremski Karlovcit dhe redaktor i "Srpski
Zion". Ruvarac pohon se “nuk ka
dyshim se Sava mori disa privilegje për
hierarkinë kishtare rasiene në Nikea, por është e pamundur të identifikohen të
gjitha ato me bekimin për një ngjarje kaq të madhe kanonike, siç është krijimi
i kishës autoqefale. Me fjalë të tjera, Sava mund të merrte një vetëqeverisje
të caktuar nga Kostandinopoja për hierarkinë
kishtare, me një listë të përcaktuar qartë të privilegjeve - por jo
autoqefali.
Por,
pas rrëzimit të Perandorisë Latine më 1261 dhe të rikthimit të Bizantit në
Kostandinopojë, vendimet e Nikesë rreth shkëputjes së Peshkopatës së Rashës nga
Peshkopata e Ohrit anulohen dhe ajo prapë do t’i kthehet gjendjes që ishte në
vitin 1219. Madje, me rastin e rikthimit nën administrimin e Peshkopatës së
Ohrit, bashkë me atë bullgare, në Koncilin e Lionit, më 1274, kërkohet falje
për këtë “sjelle të pamirë të kishës së Rashës”.
Lajmet
më të hershme të suksesit të Savës në fitimin e autonomisë - jo autoqefalisë -
erdhën nga biografët e tij (higjiografët). Dhe me një vonesë të madhe.
Domentian shkruan për këtë (rreth 1253, kështu që shkrimet e tij u
"ripunuan" nga një autor tjetër pas vitit 1290); dhe më pas, të
paktën një shekull më vonë (midis 1320 dhe 1330) dhe Teodosi.
Domentian
dhe Teodosi lan një konfuzion në takimin në shkrimet e tyre. Njëri prej tyre
shkruan për 14 vitet që Sava kaloi si kryepeshkop; kjo do të thoshte, me
kushtin që në vitin 1233 (ose 1234) për disa arsye Sava dha dorëheqje nga froni
i Kryepeshkopatës së Zhiçës, se ai mund të ishte shuguruar më 1219, dhe pastaj
Patriarku Manojlo Sarantin (???????? ?? ?????????? ? ????????????).
Sidoqoftë,
Domentiani dhe Teodosi janë të aftë për çështjet kishtare, kështu që,
megjithëse ata zbukurojnë dukshëm gjëra - për shembull, thuhet gabimisht që
Sava erdhi në Kostandinopojë me perandorin bizantin, megjithëse është e
verifikueshme që Theodore I Lascaris mbretëroi në Nikea - ata nuk pretendojnë
se bëhej fjalë për autoqefali të kishës.
Edhe
te kjo çështje, ndërhyrja e dr. Ruvarac, heq mjegullimin e krijuar nga
biografët e tij dhe të tjerët që i përpunuan ato. "Deri më tani, asnjë
letër nuk është shtypur askund, e cila do të konfirmonte kush dhe kur Shën
Savën e shuguroi kryepeshkop dhe mbi çfarë baze. Sepse, po të ishte kështu,
atëherë duhej të lësho-hej një letër e tillë dhe një akt i tillë i rëndësishëm
nuk mund të humbiste. Prandaj, nuk dihet saktësisht se cilin vit, për të mos
përmendur muajin dhe ditën, është shuguruar Sava kryepeshkop, siç mungon
edhe emri i patriarkut që e bëri atë”.
Ato
që thotë dr. Ruvarac, mbështetet nga qëndrimet e Dr. Janko Shafarik, i cili u mor shumë me
këtë çështje. Shafariku paraqiti një raport mbi rezultatet e hulumtimit të tij
në arkivat e Kostandinopojës, botuar më 1855 në Beograd. Për atë që gjeti në
Kostandinopojë, Shafarik shkruan:
"Ne
nuk mund të dokumentojmë asnjë veprim me anë të të cilit Shën Sava u bë një
kryepeshkop i pavarur. Madje, asnjë veprim tjetër i ngjashëm, nuk është gjetur
deri më sot!”.
Edhe
historiani i kishës serbe, Svetozar Niketiq, qysh më 1870 vlerëson se "Megjithëse kisha serbe ka qenë ajo që e
konsideroi Sava si të pavarur, përsëri kryepeshkopët e saj, të zgjedhur nga
asambleja e hierarkëve, u përcaktuan në atë titull nga patriarku i
Kostandinopojës”. Por Niketiq, thotë se, falë Savës, u fitua e drejta për të
shuguruar peshkopët e tyre vetë në të ardhmen, por ata mbetën nën ohforionin e
Kostandinopojës, praktikë kjo që përkohësisht do të ndërpritet nga Stefan
Dushani. S’do mend, se e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre në të
ardhmen, që si përvojë u shfrytëzua gjatë dy shekujve të ardhshëm në hapësirat
kah Nemanjajt shtrinë pushtetin, u shfrytëzuar për t’u “promovua” autoqefalia.
Kisha Ortodokse Serbe retushoi në këtë frymë thuajse të gjitha dokumentet
kishtare që erdhën nga punëtoritë e Hilandarit.
Në
të vërtetë, ky veprim, nuk anashkalohet as nga disa autorë objektivë serbë
(ndër të cilët duhet dalluar Ilarion Ruvarac). Aty, me të drejtë, shihen edhe
prapaskenat e Vatikanit, që asokohe luheshin në kurriz të Patrikanës së
Kostandinopojës me rastin e pushtimit të kryeqytetit të Bizantit nga katolikët,
në vitin 1204 që zgjati deri në vitin 1261, kur aty u kthye Perandori bashkë me
suitën e klerikëve nga Nikea. Në këtë vënerim, gjithsesi, rolin kryesor kishte
veprimi i Peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian (Demetros Chomateros), që sapo
të përhapet lajmi nga Nikea, nxori mallkimin drejtuar Arhimandrit Sava të
Rashës. Në letrën drejtuar Patrikut ortodoks në Nike thotë se Sava nuk e ka të
drejtën të shkëputet nga Peshkopata e Ohrit, meqë kjo nuk lejohet nga kanoni i
rregullit apostolik.
Letrat
e peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian, do të mbesin një zë i shurdhër për
mbi gjysmë shekulli, deri sa do të bjerë Perandoria latine e Kostandinopojës në
vitin 1261. Bizanti sapo u kthye në kryeqytet e me të edhe qendër e Patrikanës
Ortodokse, u kthye edhe rregulli i dikurshëm kishtar. Ky veprim ishte përcjellë
me “miratim” edhe nga Vatikani, ngaqë ishte kthyer “normaliteti” midis dy
qendrave botërore që thirreshin në të njëjtën perandori, e cila asokohe ndodhej
përballë kërcënimeve osmane. Në kuadër të këtyre raporteve, për Patrikanën e
Kostandinopojës me interes të madh shfaqej edhe rikthimi i fuqisë së humbur
kishtare të Peshkopatës së Ohrit, me rastin e shkëputjes së njëanshme prej saj
të Ipeshkvisë së Rashës dhe asaj bullgare, të cilat aktronin autoqefalin. Në
këtë aspekt letrave të Homatianit do t’u hiqet pluhuri i kohës dhe madje, do
t’u jepet përgjigje e drejtë, me atë që në Koncilin e Lionit do të thuhet se në
Nikea ishte shkelë kanoni apostolik dhe se Peshkopatës së Ohrit i ktheheshin
Ipeshkvia e Rashës dhe ajo bullgare. Natyrisht se këtij vendimi i parapriu
dekreti i Perandorit Mihali VIII, me të cilin Peshkopatës së Ohrit i kthehej
juridiksioni mbi Ipeshkvinë e Rashës dhe atë bullgare në përputhje me dekretin
që kishte shpallur në fillim të shekullit XI Perandori Bazili II. Anulimi i
pavarësisë së peshkopatës së Rashës, qendra e së cilës kishte kaluar në
manastirin e Zhiqes, që në historinë kishtare të Kishës Ortodokse Serbe quhej
autoqefali, kërkonte edhe largimin e peshkopit Danilo nga ajo pozitë. Kjo do të
bëhet në vitin 1272.
(Shkëputje nga libri "Dardania - antika, mesjeta",
Prishtinë,2020)