Mendime
Idriz Zeqiraj: Ngulfatja e Kosovës nga BE dhe SHBA, me Asociacionin e stisur!
E shtune, 09.09.2023, 07:50 PM
NGULFATJA E KOSOVËS NGA BE DHE SHBA, ME ASOCIACIONIN E STISUR!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
BE-ja
dhe ndërkombëtarët tjerë, përballë protestave të dhunshme, vandaliste e
kriminale, të cilat kulmuan më 29 maj 2023, të organizuara nga Beogradi, në
veriun e Kosovës, u gjunjëzuan dhe u poshtëruan keqas. Qysh në gurin e parë, në
stupcin e parë, në plumbin e parë, ushtarakët e KFOR-it, Policia e EULEX-it dhe
ajo e Kosovës, duhej ta bënin rrethimin e hekurtë, t`i arrestonin dhe
zinxhirosnin, si qentë, jo 3-4 veta, por edhe 100 vandalistë kriminelë.
Identifikimi
i tyre ishte lehtësisht i zbulueshëm, sepse më të tërbuarit në sulm, vinin nga
Serbia. Kujtoni shoferin e Daçiqit, me stupcin e gjatë, i cili dajakoste
ushtarakët e KFOR-it. Hetimi i tyre do të dëshmonte, se hyrja e tyre ilegale në
Kosovë dhe sulmi i armatosur kundër forcave të KFOR-it, Policisë të EULEX-it,
të Poolicisë të Kosovës, të gazetarëve vendorë, ishte një agresion i Serbisë
kundër shtetit të Kosovës.
BE-ja
ka mirëpritur vetëm me fjalë, pakësimin e policisë të Kosovës, në masën 25 %
dhe disa nisma tjera de-përshkallëzuese, në 4 (katër) komunat veriore.
Përndryshe, me deklarimet e fundit të zëdhënësit të BE-së, Petër Stano,
demanton atë të ashtuquajtur "mirëpritje", kur thotë se "Kosova
është e paaftë, për ta realizuar mirësjelljen evropiane!"
Dhe,
kjo dëshmon se Zotëria në fjalë, edhe nëse nuk e ka këtë mendësi të mykur
personale, "ai flet me gojën e shefit të tij Borrell", siç kanë
konstatuar dhe deklaruar, botërisht, eurodeputetët gjermanë, anglezë dhe, të
paktën, 56 eurodeputetë të tjerë, duke i penalizuar ndërmjetësuesit dhe BE-në,
për sjelljen, tërësisht, të njëanshme dhe skandaloze, në raport me Kosovën
viktimë dhe mbështetjen e hapur dhe të turpshme për persekutoren Serbi.
Pas
dorëzimit të -Draft-statutit- për Asociacionin nga Komisioni serb, për BE-në në
Bruksel, ku, veç tjerash, kërkohet autonomi territoriale dhe referendum, për
serbët e Kosovës, Mirosllav Lajçak e aprovon, duke e konsideruar "si nismë
të mirë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi" dhe Josip Borrell, që sot
bënë thirrje "të dënohen dhunuesit e protestave të përgjakshme të 29 majit
2023", të nesërmen, pas arrestimit të 3-4 kriminelëve serbë, "të zënë
me pelë për dore", reagonte në adresë të qeverisë të Kosovës, se "po
provokoni serbët", gjithçka duhej të ndryshonte. Përkundër, "avazi i
vjetër" vazhdoi!
Borrell
dhe Lajçak duhet të përjashtoheshin, nga kryesimi i dialogut, kinse,
ndërmjetësues e pajtues, dhe të penalizoheshin, si abuzues e shpërdorues të
vrazhdët, të detyrës së besuar nga BE-ja, qofshin si korruptivë, ideologjikë
apo sllavistë. Por, mbi të gjitha, me qëndrimet, deklarimet dhe veprimet e
tyre, nxitën Serbinë fashiste, deri në përshkallëzimin e dhunës së përgjakshme,
për rrjedhojë plagosjen e tej 30 ushtarakëve të KFOR-it, të policëve të
Kosovës, gazetarëve dhe të qytetarëve të tjerë vendorë, në veriun e Kosovës.
BE dhe SHBA të marrin
masa kundër destabilizimit të Kosovës
BE-ja,
në bashkëpunim me komandën e KFOR-it dhe qeverinë e Kosovës, duke parë qëllimet
e Beogradit, në koordinim me Moskën, për ndarjen dhe aneksimin e veriut të
Kosovës, përmes të ashtuquajturit -Asociacion-, duhej dhe duhet të marrin këto
masa, për ta pamundësuar çfarëdo destabilizimi të Kosovës apo të rajonit të
Ballkanit Perëndimor:
a)
Heqja nga agjenda e dialogut, të çfarëdo Asociacionit mono-etnik. Ndërkohë,
trajtimi dhe të drejtat e minoriteteve, të garantohen nga BE-ja dhe SHBA,
përmes monitorimit, me kuadrin që ata kanë në Kosovë. Tashmë, është provuar se
Kosova ka ligje të kompletuara, në trajtimin demokratik të pakicave. Populli
ynë ka vuajtur, përtej një shekulli, diskriminimin e egër të pushtuesit
serbo-sllavë. Andaj, kurrë nuk do ta bëjë atë, që ka provuar në kurrizin e tij.
Përkundrazi, minoritetet kanë të drejta, madje edhe privilegje, më shumë se sa
çdo minoritet, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë në botë.
b)
Kosova ka 365 km. linear kufi tokësor me Serbinë. E gjithë kjo hapësirë, është
e pamundur të kontrollohet nga forcat e KFOR-it. Prandaj, ajo që nuk është bërë
nga dita e parë e çlirimit, të bëhet, të paktën, sot. Pra, ushtria e Kosovës të
vihet përgjatë gjithë kufirit me Serbinë, aktualisht, nën monitorimin e
KFOR-it.
Kjo
prani ushtarake në kufi, do ta parandalonte çfarëdo agresioni, si ai i 29 majit
2023, ose i përmasave më të mëdha; do t`i parandalonte protestat e pamotivuara,
të paligjshme; hyrje-daljet e pakontrolluara, ilegale, sikur Kosova të ishte
"Hani i Dilit" në Prishtinë apo "Hani i Perisnakës" në
Skrapar. Do ta parandalonte kontrabandën me armë, drogë, cigare apo mallra të
tjera.
c)
Ura e Ibrit, e mbyllur me qëllime të errëta, ndarëse, duhet të hapet pa
ceremoni fare, për lëvizjen e lirë të njerëzve, pavarësisht, përkatësisë nacionale.
Komunietetet në hapësirat e veriut të Kosovës, nuk kanë armiqësi reciproke.
Zjarrit të urrejtjes ndërnacionale, i fryejnë ata që ëndërrojnë aneksimin e
asaj pjese, të bllokuar përtej dy dekadave radhazi.
d)
Të larguarit me dhunë e përgjakje, shqiptarë, boshnjakë, romë, duhet të kthehen
në trojet e tyre, në veriun e Kosovës, duke i ndihmuar në ndërtimin e shtëpive
të tyre të djegura, nga vandalët kriminelë serbë. Për ndërtimin e shtëpive,
përveç shtetit që e ka për detyrë, mund të ndihmojnë firmat dhe njerëz të tjerë
vullnetmirë. E gjithë kjo duhet të monitorohet nga shteti i Kosovës.
Sanksionimi arbitrar i
Kosovës, në vend të Serbisë!
Kosova,
padrejtësisht dhe arbitrarisht, u sanksionua me masa ndëshkuese politike dhe
ekonomike! Ndërsa Serbia "e kaloi lumin pa u lagur!" BE-ja nuk u
merakos as për kidnapimin e policëve shqiptarë, nga banda zyrtare serbe, brenda
territorit të Kosovës. Dhe, përveç fjalëve, nuk ndërmori asnjë masë kundër
Serbisë. Pas reagimit të botës demokratike, BE-ja, ndërkombëtarët, "sa për
sy e faqe", bënë disa vërejtje, më shumë qortuese, se sa kërcënuese ndaj
Serbisë!
Edhe
pse qeveria e Kosovës bëri disa hapa domëthënës, për de-përshkallëzimin e
situatës, BE-ja "po e konsideron se kjo nuk mjafton për heqjen e masave
ndëshkuese ndaj Kosovës!" Ajo prsëritë slloganin klishe se "nevojitën
hapa të mëtejshëm", pa emërtuar ndonjë syrësh. Ndërsa amerikanët ngulmojnë
në bërjen e Asociacionit, duke e përsëritur mënyrën e bërjes, konformë
Kushtetutës të Kosovës. Por, Escobar i referohet edhe Marrëveshjes fatale të
vitit 2013, të bërë nga i shantazhuari me dosje faktike të krimeve, ndaj
kundërshtarëve politikë shqiptarë, Hashim Thaçi.
Ambasadori
Hovenier, fort i merakosur për Asociacionin, ngushëllon shqiptarët me garancitë,
se nuk do të përseritet rasti boshnjak i fashistit Dodik. Por, nuk përmend
garancinë e shpërfillur të ambasadorit Hill, për krijimin e Asociacionit të 14
komunave me shumicë serbe të Bosnje Hercegovinës dhe as pendesën e tij të
madhe, pse e bëri atë, përkatësisht, "Republika Srpska" dhe pasojat
fatale të kësaj krijese monstrume, e cila ka paralizuar "shtetin"
boshnjak!? Emisarët vijnë e shkojnë, por tragjikja mbetet dhe atë e vuan
populli, që kurrë nuk e gëzoi ëndrrën e lirisë të mirëfilltë.
Dëshpërues
është fakti se ndërkombëtarët i dinë qëllimet ngulmuese të Serbisë, për
Asociacionin, arritjen e autonomisë territoriale për serbët e Kosovës, me
synimin final, aneksimin e veriut të Kosovës. Dhe, megjithatë e heshtin
fatalitetin e pritshëm për Kosovën hallemadhe!?
Vendimi
i qeverisë të Kosovës, për vendosjen e kryetarëve të zgjedhur ligjërisht, në
zyrat komunale shtetërore, ka qenë imponues. Sepse, -Lista Serbe- përgaditej
për pushtimin e këtyre zyrave, edhe pse vullnetarisht e qëllimshëm, me udhër të
Beogradit, i kishte braktisur. Trajtimi i njëanshëm, semplist, i thjeshtë,
madje i neveritshëm, i ndërkombëtarëve të veprimeve të ligjshme të qeverisë të
Kosovës, ishte thikë pas shpinës për Kosovën, sepse trimëroi Listën Serbe dhe
bandat e saj.
Kritika e ministrës
Gervalla, e bërë BE-së, ishte e saktë dhe parimore
Kritika
e bërë, në adresë të BE-së, nga ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donikë
Gërvalla, në takimin ndërkombëtar në Dubrovnik, edhe pse qortues për etikën
diplomatike, është i përligjur, praktikisht, sepse ajo, duke lënë hipokrizinë,
për ata që u mungon parimësia e guximi, "vuri pikën mbi -i-". Evropa,
në luftën e saj për çlirim dhe mbrojtje, një herë nga fashizmi hitlerian, 80
vite më parë, dhe, më pastaj, nga komunizmi fashizoid Sovjetik rus, është
ndihmuar për fitoren e lirisë dhe mbrojtjen e sovranitetit të saj. Dhe, kjo po
ndodhë edhe sot.
Atëherë,
pse BE-ja, SHBA, ndërkombëtarët, duan ta godasin Kosovën, me relativizimin e
kufinjëve të saj, të njohur ndërkombëtarisht, duke imponuar zbatimin e
marrëveshjeve, të nënshkruara, siç është -Asociacioni i komunave me shumicë
serbe-, nga individë dhe grupe të shantazhuara, me dosje të krimeve të
bollshme, siç ka bërë Hashim Thaçi me bandën
e tij pushtetare?!
Ministri
Nenad Rashiq është shembull për referim, se si duhet të mendojnë dhe veprojnë
komunitetet brenda një shteti. Shqiptarët kanë qenë pjesë e shqetësimeve të
tij, kur banditët serbë organizuan goditjen e djalit gjimnazist, në shenjë
hakmarrje, pse Rashiq angazhohet për bashkëjetesë të harmonishme të
komuniteteve në Kosovë, përfshirë serbët dhe shqiptarët.
Ministri
Rashiq është deklaruar se masat sanksionuese për Kosovën, janë të padrejta dhe
si të tilla duhet të hiqen. Andaj, plotësimin e çfarëdo kërkese, nga pala
shqiptare, për shfuqizimin e masave sanksionuese nga BE-ja dhe të tjerë, do të
ishte e tepërtë dhe hiç logjik. Përkundër, për vënien e sanksioneve Kosovës,
BE-ja, me aleatët e saj, normalisht, duhet të kërkojnë falje.
Megjithatë,
zoti Rashiq është praktik, kur kërkon "heqjen e ndalesës për mallrat
serbe, në këmbin të shfuqizimit të masave nga BE-ja."
Tregtia
ndërmjet shteteve fqinjë, është më e levrdishme, se sa me vendet e largëta.
Thjeshtë, ulë koston qarkulluese të mallrave. Shtetet, mbi bazën e interesave,
mbrojtjen e prodhuesëve të brendshëm, përcaktojnë edhe përmasën e tregtisë,
importimin. Dhe, ky është rregull i njohur.
Realisht,
në raportin tregtar, Serbia është dukshëm më shumë përfituese dhe kjo dëshmohet
me shifrat, të shprehura në miliona euro epërsi. Vërtet, ndalesat për një serë
artikujsh nga Serbia, ndikojnë në ngritjen e çmimeve në Kosovë. Por, njëfarë
reciprociteti ndërshtetëror, është sa i ligjshëm, aq edhe i nevojshëm.