E enjte, 07.11.2024, 03:12 AM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Thyerja e shpresave krim politik!

E hene, 04.09.2023, 06:56 PM


Thyerja e shpresave krim politik!

Shkruan: Florim Zeqa

Secili njeri dëshiron të jetojë i lirë në vendin ku ka lindur dhe është rritur, ngase aty e ka familjen, rrethin dhe shoqërinë, i ka rrënjet, kujtimet e rrites dhe ngritjes profesionale, aty i ka edhe ëndërrat për ardhmëri. Por ajo që po i ndodhë të ardhmes së rinisë sonë në Kosovën e pavarur është për t’u vajtuar!

Pritjet e mëdha të kthyera në pakënaqësi qytetare

Të gjithë e kemi pritur që ky popull i shumëvuajtur nga sundimet e gjata pas lirisë së fituar do të jetojë dinjitetshëm në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës, kemi pritur që ky popull ta shijojë vërtetë lirinë dhe barazinë sociale, gjegjësisht të drejtën e barabartë në arsimim dhe punësim, sigurinë e jetës dhe të drejtën për të qenë i barabartë para ligjit dhe drejtësisë.

Mirëpo, për fatin e keq demokracia pa funksionim të sistemit të drejtësisë është shndërruar në anarki ligjore, e cila ka shkaktuar thyerje shpirtërore të njerëzve, në veçanti të gjeneratave të raja, të cilat nuk e shohin asnjë përspektivë të ndritshme për jetë në vendin e ëndërrave të baballarëve të tyre që ranë dëshmorë, e sa prej tyre i lanë gjymtyrët e trupit në fushat e betejave për këtë liri që sot e gëzojmë.

Demokracia e kthyer në autokraci ka prodhuar pakënaqësi të mëdha shoqërore, pabarazi qytetare dhe konflikte të brendshme mes subjekteve politike, të cilat rivalitetin politik e kanë kthyer në armiqësi mes tyre.

Si gjithnjë pasojat e ndarjeve ideologjike dhe partiake po i vuan popullata, kurse politikanët pa fije morali i përdorin elektoratet e tyre si “mish për topa” për realizimin e aspiratave personale, grupore dhe klanore brenda sojit të tyre politik.

Thyerja e shpresave të njerëzve atdhedashës është krim politik

Politikanët pa vizion dhe pa strategji të reja për zbutjen e varfërisë dhe ngritjen e mirëqenjes qytetare, i kanë detyruar njerëzit që të ikin nga ky vend, ndoshta për të mos u kthyer më asnjëherë në vendlindjet e tyre.

Ky është produkti i kësaj klase politike në pushtet dhe opozitë, të cilët në vijimësi vepruan kundër interesave të shtetit dhe qytetarëve. Sikur të ishte ndryshe, njerëzit nuk do ta braktisnin aq lehtë vendin e tyre, siq nuk e braktisën në kohërat më të vështira të dhunës dhe represionit barbarë të pushtuesve serbë.

Edhe pse me shtëpi të djegura dhe pa kulm mbi kokë, ky popull i mirë dhe atdhedashës u kthye në vendin e vet pas përfundimit të luftës, u kthye sepse e kishte shpresën dhe besimin për ardhmëri në shtetin e lirë, por, po ikën tani me shpresa të thyera pikërisht nga humbja e besimit në këtë klasë politike, pa dallim pushtet dhe opozitë e cila asnjëherë nuk u qau hallin e qytetarëve, por të interesave të tyre personale.

Mashtrimet e njëpasnjëshme, mosmbajtja e fjalës dhe e premtimeve elektorale, shfrytëzimi i padrejtë i pozitave shtetërore, nepotizmi në të dyja nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale), degradimi i sistemit të drejtësisë, rrënimi i sistemit arsimor dhe shëndetësorë kanë ndikuar në thyerjen e shpresave të qytetarëve, të cilët më shumë besojnë në përmbysjen e botës sesa në përmirësimin e gjendjes në Kosovë.

Andaj, vetëm një frymë e re politike dhe një mentalitet i ri qeverisës mund të ndikojnë në kthimin gradual të shpresave të qytetarëve, në të kundërtën, me këta njerëz në skenën politike, shteti do të shkojë drejt zhbërjes kurse kombi drej çoroditjes kombëtare.

Florim Zeqa

01.09.2023



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora