Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Shoqëria jonë duket se po kalon nëpër xhungël
E premte, 04.11.2022, 08:57 PM
Ndue Ukaj:
Sipas
shkrimtarit të madh Albert Camus, pa kulturë, shoqëria është një xhungël
Në
kohë të amështa si kjo e jona, kur asgjë s’duket se ka kuptim, arti mund të
shërbejë si një udhërrëfyes për të mposhtë ligështinë, për t’i dhënë oksigjen
mendjes njerëzore dhe për t’i qetësuar sadopak trazimet e mëdha shpirtërore të
brezit tonë.
Camus
te “Artisti dhe koha e tij” flet për vokacioni e vërtetë të artistit, i cili,
sipas tij, duhet t'u japë ngushëllim dhe forcë atyre që luftojnë për një botë
të drejtë.
Sot
duket sikur forcat që luftojnë për një botë të drejtë janë pakësuar.
Më
shumë dëgjohen forcat që gulçojnë, ulërinjnë e spërkasin gjithçka me helmin e
gjuhës që mbjell urrejtje.
Kriza
e njeriut të sotëm parasëgjithash është krizë e thellë shpirtërore dhe
identitare.
Dhe
si çdo herë në histori, sa herë ka kriza të tilla, tronditjet janë të mëdha.
Shoqëria
jonë e brishtë është duke u rropatë pa busull në një krizë të frikshme që ka
atakuar çdo aspekt të jetës dhe është bërë e përgjithshme.
Kjo
krizë ka shtrirje në krejt sistemin tonë të brishtë dhe duket sikur ka thyer të
gjitha parimet që e mbajnë një shoqëri normale në këmbë. Dhe si pasojë, dhuna e
arroganca shfaqen hapur e ashpër.
Në
këtë kohë, janë të shumtë ata që thonë se është folë e thënë shumëçka dhe më
s’ia vlen të thuhet asgjë.
Megjithatë
vlerësoj se mendimet e urta mund të shërbejnë si krua ku mund ta shuajmë etjen
në ditë përvëluese.
Është
mirë të kthemi prapa dhe të dëgjojmë ç’kanë thënë të mençurit kur vetë janë
sfilitë nëpër kriza të tilla.
Shkrimtari
Albert Camus ka kaluar nëpër kriza të thella, të varfërisë, luftërave,
sëmundjeve, krizës së thellë të besimit te njeriu, pra ka kaluar nëpër
trajektoret e vuajtjeve, absurdit, shpërfytyrimit, luftës.
Vlerësimet
për kontributin e tij letrar janë të mëdha. Encyclopaedia Britannica për të
thotë se ai “si romancier dhe dramaturg, moralist dhe teoricien politik, pas
Luftës së Dytë Botërore ai u bë zëdhënësi i brezit të tij dhe mentori i brezit
të ardhshëm, jo vetëm në Francë, por edhe në Evropë dhe përfundimisht në botë.
Shkrimet
e tij, të cilat i drejtoheshin kryesisht izolimit të njeriut në një univers
alien, largimit të personit nga vetja, problemit të së keqes dhe shtypjes
finale nga vdekja, pasqyronin me saktësi tjetërsimin dhe zhgënjimin e
intelektualit të pasluftës.”
Sot
në mjedisin tonë të ngulfatur me marrëzi, ku duket se janë mbyllë dyert e
dritaret për ajrosje me vlera të artit e kulturës, ku tallavaja sundon ashpër,
një këshillë e tij më tingëllon e dobishme:
“Arti
ndoshta në vetvete s’mund të prodhojë rilindjen që nënkupton drejtësi dhe liri.
Por pa të, ajo rilindje do të ishte pa formë dhe, rrjedhimisht, do të ishte
asgjë. Pa kulturë dhe lirinë relative që ajo nënkupton, shoqëria, edhe kur
është e përsosur, s’është veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim i
vërtetë është një dhuratë për të ardhmen."
Shoqëria
jonë duket se po kalon nëpër xhungël.
E
salja prej saj s’është e lehtë.
Sot
e as nesër, kokën s’mund ta çojmë lart që të gjejmë rrugën e dalies me këto standarde
të përdala që i kemi normuar si vlera shoqërore.
Mbase,
të ushqyer me kulturë dhe me një ideal të lartë, nesër mund të gjejmë
shtegdalje. Në të kundërtën, prej kësaj xhungle brezi ynë zor se do të del.
Brezat
tjerë, me siguri do të shkruajnë tregime tjera, por nga ne do të trashëgojnë
helm dhe cektësi.