Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Trafiku i Prishtinës
E premte, 28.10.2022, 06:57 PM
Trafiku i Prishtinës
Nga
Ndue Ukaj
Prishtina
është qytet kaotik dhe i ndërtuar pa ndonjë koncept të menduar arkitekture.
Trashëgimi
të vjetër me të cilën mund të krenohet, s' ka.
Ajo
komuniste është pa kurëfarë shije.
Arkitektura
e re është jashtë çdo koncepti, për faqe të zezë, pa asnjë standard e as në
harmoni, pa shije estetike dhe shumë jo funksionale.
E
në gjithë këtë mjedis, zhurma e kaosi mbizotërojnë kudo dhe kjo gjendje krijon
njerëz të frustruar.
Kur
je në trafik, si vozitës apo këmbësor, sheh se populli ynë duket se ka problem
me rregullat dhe me estetikën. Atij, me gjasë, më shumë i pëlqen kaosi dhe
anarkia. Kudo e vëren një familjarizim me anarkinë dhe kaosin dhe kund s'
shfaqet ai më qartë se në trafik.
Mjafton
ta analizosh si sillemi në trafik dhe
aty e sheh si gulçon shpirti egoist dhe anarkist i shqiptarit. E sheh qartë se ai s'njeh rregulla dhe nuk
ushqen ide për tjetrin. Ai, thjesht, ka parime për veten e tij, por s'e çmon
dhe s' e njeh atë që është interes i përgjithshëm.
Prandaj,
në vend të kukurisjeve kundër çdo kujt dhe gjithçkaje, është e udhës të bëjmë
një autokritikë.
Të
mësohemi me rregulla.
Të
mësohemi se bota nuk përfundon te hunda jonë.
Vangjel
Koça, me1934, shkruant: "Shpirti i Shqiparit ka qenë anarkist dhe kështu
nuk ka patur kurrë ide Shteti."
Pra,
kaosi dhe zhurma në rrugët tona pasqyrojnë gjendjen tonë shpirtërore dhe
primitivizmin e madh që mbretëron mes nesh. Dhe këtë e vëren gjithsecili që
ngas makinën apo ec rrugëve, ku sheh njerëz plot nerva dhe një atmosferë të
shëmtuar e krejtësisht kaotike.
Ne
e kemi gojën plot kritika kundër të tjerëve- sidomos kundër politikës - por sapo vetë sprovohemi në çështje të etikës
publike, bëhemi shkelës të çdo etike e rregulli publik.
Në
trafik, përditë e tregojmë mosedukatën tonë, tregojmë kush jemi, dhe me siguri,
për këtë s’ i ka fajet askush, përveç shpirtit tonë egoist që s' çan kokën për
rend, rregull dhe interes të përbashkët.
Rrugët
tona janë imazhi ynë, ku shpërfaqet pakujdesia, kaosi dhe zhurma e çmendur që
mbretëron mes nesh.
Në
rrugët tona pakkush çan kokën për tjetrin. Po, sepse në rrugët tona, njeriu
ndalet ku të mundet, pa u interesuar fare ç' pengesa u shkakton të tjerëve,
dhe, nëse rastësisht i mbetet ndonjë qese plastike a copë bërllok, pa fije
turpi e hedh kudo që të mundet.
Një
perëndimor që vjen në Prishtinë dhe shëtit me veturë ose në këmbë - hiç më
shumë se një orë - e sheh këtë gjendje të mjerë, varfërinë shpirtërore,
moskujdesin, dhe s' ka nevojë për asnjë informacion shtesë politik e
institucional që të kuptojë sa vlejmë dhe sa kujdesmi për pastërtinë e të mirën
e përgjithshme.
Pra,
e keqja në Kosovë s'është vetëm "privilegj" i të njohurve dhe pushtetarëve, ose i
"atyre" të tjerëve, siç na pëlqen të kukurisim, por e të gjithëve dhe
mbretëron kudo mes nesh.
Prandaj,
përpjekja për të gjetë një mundësi të re për të estetizu sadopak këtë shëmti
është emergjente dhe në vend të yryshit gulçues kundër duhet të ndalim e të
mendojmë çfarë qyteti duam.
Prishtina
është një grumbull ndërtesash e rrugësh që as përafërsisht s' i afrohen një
qyteti normal.
Qyteti
e qytetërimi janë të lidhura si mishi me thonin.