Mendime
Enver Bytyçi: Sundimi i ligjit në Kosovë dhe i regjimit në Shqipëri!
E premte, 28.10.2022, 07:57 PM
Sundimi i ligjit në Kosovë dhe i regjimit në Shqipëri!
Nga
Enver Bytyçi
“World
Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, dje publikoi raportin për Indeksin e Sundimit të Ligjit
për vitin 2022. Është një raport i përvitshëm në të cilin bëhen vlerësime për
disa tregues të qeverisjes, si për lirinë e shtypit, ekzistencën e
korrupsionit, transparencën në qeverisje, respektimin e të drejtave të njeriut,
respektimin e ligjeve dhe kushtetutës kombëtare si dhe ligjeve ndërkombëtare,
rendi dhe siguria, të drejtat civile si dhe funksionimin e drejtësisë e luftën
kundër krimit.
Të
përmbledhura në një fjali, Indeksi i Sundimit të Ligjit shpreh nivelin dhe
shkallën e ushtrimit të shtetit të së drejtës. Nëse qytetarët e një vendi duan
të kuptojnë se sa respektohet liria e tyre si dhe ligji e drejtësia në një
vend, kjo pasqyrohet pikërisht në studimin e "World Hustice Project"!
Që do të thotë se ata kanë mundësi të perceptojnë, nëse në vendin e tyre sundon
e drejta dhe ligji, apo regjimi!
Por,
çfarë thotë raporti i këtij viti për Shqipërinë dhe Kosovën?
1.
Shqipëria renditet në vendin e 87 në mesin e 140 vendeve sa i përket sundimit
të ligjit ose shtetit të së drejtës. Është përkeqësuar krahasuar me vitin e
kaluar. Kosova renditet në vendin e dytë me përmirësimin më të lartë në botë
për sundim të ligjit, por duke u renditur në vendin e 57’të në botë prej 140
shteteve.! D.m.th. janë 30 vende ndërmjet tyre dallim. Shqipëria ka 110 vjet
shtet, Kosova vetëm 15 vite pavarësi! Shqipëria zë vendin e fundit në rajon,
Kosova zë vendin e parë. Edhe në raportin e vitit 2021 Shqipëria zinte vendin e
84, ndërsa Kosova vendin e 60-të.
2.
E gjitha kjo vjen për shkak se në Kosovë respektohet liria e medies shumë herë
më mirë sesa në Shqipëri. Sepse Kosova drejtohet nga kushtetuta dhe ligji e jo
nga aktet normative të qeverisë. Sepse Kosova ka transparencë për çdo vendim të
qeverisë dhe proces të hartimit e miratimit të ligjeve po ashtu transparent.
Ndërsa Shqipëria bën ligje dhe ndryshime kushtetuese sipas klimës politike në
favor të kryeministrit. Sepse në Kosovë shtetin nuk e drejton mafia dhe krimi i
organizuar, por një lidership i përgjegjshëm për fatet e vendit dhe ndërtimin e
shtetit të së drejtës. Kurse në Shqipëri ndodhë e kundërta.
Shqipëria
është vendi ku vendimmarrjen e ka në dorë mafia dhe krimi i organizuar. Në
Kosovë vendimet i merr Parlamenti dhe Qeveria, pra institucionet e Kosovës,
sipas kompetencave që kanë. Në Shqipëri vendimet i merr Kryeministri për
llogari të mafies dhe oligarkisë. Ligjbërja dhe vendimmarrja në Shqipëri
shkojnë në interes të dhunimit të së drejtës. Ndërsa në Kosovë në interes të
qytetarit. Dhunimi i të drejtës çon në diskriminim, shtypje të vullnetit të
qytetarit, varfëri dhe rrënim të ekonomisë e mirëqenies. Më tej vijnë problemet
sociale deri te emigracioni masiv. Shqiptarët e Shqipërisë zënë vendin e parë,
duke lënë prapa edhe Ukrainën në luftë, sa i përket emigracionit.
3.
Raporti për Indeksin e Zbatimit të Ligjit në shkallë globale zbulon faktin se
Shqipëria është më keq sesa Vietnami dhe vende të shumta afrikane e latino-amerikane.
Ndërkohë që Kosova ka lënë mbrapa në shkallën e përmirësimit në këtë fushë edhe
vendet e zhvilluara e demokratike. Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se
Shqipëria në vendin e fundit në rajon ndiqet nga Serbia në të parafundit. Që do
të thotë se qeverisja në të dy këto vende ngjason me njëra-tjetrën dhe është e
lehtë të kuptosh se kjo mbetet një ndër shkaqet kryesore të afrimitetit
anti-Kosovë të Tiranës zyrtare dhe Beogradit.
4.
Sipas raportit të World Justice Project, ndërsa Shqipëria dhe Serbia i kanë
përkeqësuar treguesit e qeverisjes krahasuar me një ose disa vite më parë,
Kosova i ka përmirësuar ato ndjeshëm. P.sh Shqipëria vitin e kaluar ishte në
vendin e 84-të, ndërsa këtë vit në të 87-in. Tri shkallë përkeqësimi përfaqëson
ky fakt. Kurse Kosova nga vendi i 60-të vitin që shkoi, këtë vit u ngjit në
vendin e 57-të! Kjo tregon trendin e ardhshëm të zhvillimeve. D.m.th. se në
Shqipëri nuk ka perspektivë përmirësimi e zhvillimi, ndërsa Kosova po bëhet
modeli i qeverisjes.
Pavarësisht
kësaj, ambasadorët e vendeve të rëndësishme të botës së lirë vazhdojnë të
mbrojnë qeverinë e Tiranës. P.sh. ambasadori britanik në Tiranë edhe pse pranoi
se 140 mijë shqiptarë kanë shkuar me gomone drejt vendit të tij, përsëri akuzat
i përdori kundër opozitës, dhe lëvdatat i rezervoi për Qeverinë! Po duket sikur
sa më shumë që ambasadorët e lavdërojnë qeverinë e Edi Ramës, aq më shumë ai
zhytet në keqqeverisje, duke krijuar një imazh gri në të zezë për vendin tonë.
Ndërkaq qeveria shqiptare, nëse do donte prosperitetin e Shqipërisë, do të
mjaftonte të merrte modelin e qeverisjes në Kosovë.
Edhe
një këshillë për shumë bashkëkombës në Kosovë: Mos i gjykoni udhëheqësit nga
fjalët dhe retorika që ushtrojnë, por nga rezultati i punës që bëjnë. Sepse jo
pak prej jush u besoni tambureve të nacionalizmit të Edi Ramës, në vend që t'i
besoni punës së tij e të secilit prej politikanëve për zhvillimin e lirisë,
demokracisë e të qeverisjes së vendit! Raporti i institutit amerikan është një
mësim i mirë edhe për këtë!