Mendime
Albert Zholi: Si u çlirua Korça më 24 tetor 1944
E marte, 25.10.2022, 10:09 AM
Si u çlirua Korça më 24 tetor 1944
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
78
vjet më parë pas një lufte të gjatë e të vështirë kundër pushtuesve
nazifashistë, u çlirua Korça dhe trevat e saj. Në vjeshtën e vitit 1944 lufta e
popullit shqiptar kishte hyrë në fazën përfundimtare. Nazistë gjermanë ishin të
detyruar të përqëndroheshin në qytete kryesore. Në Korçë, Ersekë e Bilisht
kishin dislokuar forcat e dy divizioneve të këmbësorisë dhe një brigadë të
motorizuar, të cilat kishin për detyrë të mbanin të lirë rrugëkalimin e
korparmatës 21 gjermane, e cila pritej të kalonte nga Greqia për në Jugosllavi,
nëpërmjet teritorit të qarkut të Korçës. Në këtë situatë të krijuar Shtabi i
Përgjithshëm i UNÇSh urdhëron shtabin luftarak të qarkut të Korçës për krijimin
e brigadës së 90-të Sulmuese, në përbërje të së cilës, do të konsideroheshin
batalionet “Hakmarrja”, “Skënder Çaçi” dhe “Fuat Babani”. Këto batalione
kryenin veprime luftarake të suksesshme në të gjithë qarkun e Korçës, kishin
përballuar me sukses operacionet e armikut të Dimrit 1943-’44 dhe të qershorit
1944. Në 13 tetor 1944 komandanti i Përgjithshëm i UNÇSh, gjeneralkolonel Enver
Hoxha, jep urdhër për çlirimin e Korçës. Me qëllim që të kurorëzoheshin me
sukses veprimet luftarake të forcave partizane të qarkut të Korçës, pra të
përmirësohej raporti i forcave me ato të armikut, Shtabi i Përgjithshëm
urdhëroi ngritjen e shtabit operativ me komandant Beqir Ballukun, i cili do të
komandonte veprimet luftarake në zonë. Kështu, përveç efektivave të Brigadës së
9-të S, në veprimet luftarake do të merrnin pjesë edhe dy batalione të
brigadave të 2-të dhe të 20-të S. Sipas detyrave të përcaktuara në urdhërin e
ShP, më 18 tetor filluan luftimet në të gjithë qarkun. Më 19 tetor u çlirua
Leskoviku, të nesërmen Erseka. Luftime u zhvilluan në Qafën e Qarrit, kundër
forcave gjermane që do të depërtonin në drejtim të Korçës. U zhvilluan luftime
edhe në zonën e Devollit, për bllokimin e rrugës Bilisht-Follorinë dhe për
çlirimin e Bilishtit. Mbi bazën e situatës së krijuar, shtabi operativ urdhëroi
rigrupimin e forcave dhe natën e 23 tetorit qyteti i Korçës ishte plotësisht i
rrethuar nga forcat partizane. Armiku tentoi disa herë të çante rrethimin duke
futur në luftim tanket dhe artilerinë, por pa sukses. Ai kishte minuar depot e
municionit, dhe disa objekte me rëndësi çka fliste se ai përgatitej për të
braktisur Korçën. Njësiti gueril i qytetit zbuloi objektet e minuara nga
armiku, i cili mundi të hedhë në erë vetëm depot e municionit. Në orët e para
të mëngjezit të 24 tetorit, të gjitha forcat partizane u hodhën në sulm të
përgjithshëm. Të mbështetura nga njësiti gueril, ato depërtuan deri në brendësi
të qytetit. Të ashpra qenë luftimet nga spitali në drejtim të prefekturës, tek
mitropolia, në varrezat e francezëve, si dhe në afërsi të bankës.
Nazistët
mundën të çajnë rrethimin duke u tërhequr në drejtim të rrugës së Bilishtit,
pasi la rreth 10 të vrarë, po kaq të plagosur e mjaft armatime. U kapën robër
dhe 300 ballistë, të cilët mbështesnin forcat gjermane. 209 prej tyre, pasi
dorëzuan armatimin u lanë të shkojnë në shtëpitë e tyre. Në orën 15.0 të datës
24 tetor, Korça u çlirua. Fitorja u arrit në saje të heroizmit partizan,
kontributit të çmuar që dhanë kuadrot komandues të të gjitha formacioneve
luftarake pjesëmarrëse, përfshi edhe njësitin gueril. Për të festuar çlirimin e
qytetit, këtë ditë të shënuar, mbasditen e 25 tetorit, populli i Korçës e shumë
banorë të fshatrave mbushën plot e përplot anët e rrugëve kryesore të qytetit.
Me flamuj kombëtarë e shalle të kuq, me lule e banderola, populli përshëndeste
me dashuri e plot gëzim bijtë e bijat partizane, që parakalonin ngadhnjimtarë
në rrugët e qytetit. Kori miks i Korçës, kishte përgatitur një program, me
këngë patriotike e partizane. Artisti i shquar Kristo Kono kishte kompozuar
këngën e mirënjohur kushtuar kësaj dite, të cilën e interpretojnë vazhdimisht
me virtuozitet artistët tanë, për “Korçën-djep të lëvizjes patriotike, vatër të
dijes e kulturës kombëtare”, për Korçën që mbushi rreshta partizane të më shumë
se 5 brigadave të UNÇSh.
Historiku
Brigadës IX Sulmuese
Kjo
brigadë u krijua me qëllimin e shtimit të veprimeve ushtarake në zonën e
Korçës. Detyra ishte të eliminonte autokolonat armike që lëviznin në aksin
Janinë-Korçë-Manastir-Follorinë, Korçë-Pogradec-Tiranë, por detyra më e
rëndësishme ishte çlirimi i qyteteve të Korçës, Ersekës dhe Bilishtit. Me
marrjen e këtyre qyteteve armikut i priteshin rrugët e komunikacionit dhe
paralizohej tërheqja e ushtrisë gjermane nga Greqia për në Jugosllavi nëpërmjet
territorit shqiptar.
Urdhëri për krijimin e brigadës u dha nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë
Nacionalçlirimtare. Në përbërje të tij u caktuan batalione me përvojë në luftë
kundër pushtuesve. Inaugurimi i brigadës u bë para efektivit të saj ku u
rreshtuan të gjithë batalionet e saj. Brigada kishte një armatim që dispononte
e gjithë ushtria shqiptare në atë moment, ajo kishte armë të dhuruara nga
populli, por edhe nga ndihmat aleate të hedhura me parashutë, si armë
automatike, por që nuk plotësonin të gjithë numrin e pjesëtarëve të brigadës.
Brigada ishte e pajisur me shërbim shëndetësor. Pranë shtabit të brigadës
qëndronte një mjek dhe 2-3 infermiere vullnetare.
Pas ngritjes së Shtabit Operativ për çlirimin e Korçës, Brigada IX, që përbënte
dhe një nga forcat kryesore pjesëmarrëse në operacion, kishte në përbërje të
saj 1580 partizanë. E gjithë forca partizane në zonën e Korçës arrinte në 3000
veta, po të shtohen këtu edhe partizanët e Brigadës II me 1150, dhe brigada XX
me 430. Këtu mund të shtojmë edhe forcat guerile që vepronin brenda në qytete,
si në Korçë dhe Bilisht, të cilat arrinin në rreth 1000 vetë.
Menjëherë pas çlirimit të qarkut të Korçës, me urdhër të Shtabit të
Përgjithshëm, dy nga batalionet e brigadës IX u vendosën në mbrojtje të qytetit
të Korçës dhe dy të tjerë në mbrojtje të qytetit të Bilishtit. Detyrë ishte
edhe mbrojtja e kufirit me Greqinë, e cila po mbante një qëndrim agresiv ndaj
popullit shqiptar sidomos çamëve. Pas qetësimit të gjendjes forcat e Brigadës
IX, që tashmë kishin hyrë në përbërje të Divizionit të IV, morën urdhër të
largohen nga qarku i Korçës dhe të vendosen në Shqipërinë e Mesme në rajoni
Krujë-Ishëm-Kavajë.