E marte, 08.10.2024, 06:39 AM (GMT+1)

Mendime

Adil Fetahu: Hekuran Halilit atë që ia thotë zemra, ia shkruan dora

E premte, 21.10.2022, 07:56 PM


HEKURAN HALILIT ATË QË IA THOTË ZEMRA, IA SHKRUAN DORA

(Hekuran Halili: BABAI, roman memorial, “Albas”Tiranë, 2022)

Nga Adil FETAHU

Duke iu përgjigjur pyetjes për shkrimtarët, Hajne thotë: “Shkrimtarët e këqij shkruajnë atë që ua thotë dikush; na shkrimtarët e mirë shkruajmë atë që dijmë vet; kurse Gete shkruan çka të dojë. Unë nuk jam Gete, prandaj shkruaj atë që di”.

Hekuran Halili nuk është Gete, por është shkrimtar i mirë dhe shkruan atë që di më së miri. Dhe çka ka që di më mirë se sa të shkruajë për babain e tij Safetin, të cilin e kishte edhe baba, edhe mësues edhe shok gjithë jetën.

Edhe prozën edhe poezinë Hekurani i shkruan nga ato që i di më së miri: për Çamërinë dhe çamët, sepse ato tema ia thotë zemra dhe dora ia skalitë më së miri.

Romanin Babai, autori ia kushton babait të vet, Safet Sadik Halili, dhe të gjithë baballarëve.

Në Hyrje të librit “Dy fjalë për librin tim Babai”, autori tregon se dëshira për të shkruar një libër i kishte lindur që kur ishte nxënës i Gjimnazit “Bido Sejko” në Konispol. Kishte shkruar në fletoren e tij për vëllezërit e babait, Eminin dhe Isufin, të cilët i kishin torturuar e vrarë bandat greke në fshatin e tyre Lops, krahina e Filatit. Shkrimet i kishte radhitur e hartuar në bazë të tregimeve që ia kishin treguar babi Safeti dhe nëna Nazua. Kur ia kishte lexuar ato shkrime babait, atij i kishin pëlqyer aq shumë, sa kishte kërkuar t’ia rilexonte herë-pas-here dhe i mbusheshin sytë me lot kur i dëgjonte. Hekurani kishte shkruar që atëherë edhe shkrime tjera, por nuk i kishte botuar.

Romanin “Babai” autori ka nisë ta shkruajë pas vdekjes së babait (1997) dhe thotë se ka punuar gadi njëzet vjet. Duke lënë që lexuesit ta vlerësojnë se sa ia ka arritur shkrimit, thotë: “për një gjë ju garantoj, e kam shkruar me shpirtë, me dashuri, me vërtetësi, me përkushtim, me gjendje të ndryshme emocionale”.  Dhe, lexuesi i vëmendshëm do të bindet në vërtetësinë që thotë autori, madje edhe vet lexuesi do të emocionohet. Edhe po ta kesh zemrën prej guri, do të rrjedhin lotët kur lexon për arratisjen e Kolë Ajazit (1947), një fshatar pasanik e bujar, te i cili kishte punuar tri vjet (rrogëtar) Safeti,  verës në punë të bujqësisë dhe dimrit në kujdesin për bagëtinë. Kola sillej mirë dhe e trajtonte me njerëzi Safetin, se ky  me punë e besnikëri e meritonte trajtimin e tillë. Pushteti komunist e konsideronte familjen e Kolë Ajazit familje kullake, dhe ia kishte vu syrin t’ia konfiskonte pasurinë, po edhe ta arrestonte Kolën dhe t’ia internonte familjen. Prandaj, Kola kishte vendosur të arratisej. Këtë plan ia kishte treguar Safetit, të cilit i kishte thënë t’i mbledhë plaçkat e veta, të mbushë e merr thasë me misër-kokër sa të mund të bartë kali Çilo. I mbushi Safeti katër thasë misër, shkoi në shtallë u përshëndet me kafshët duke ua fërkuar ballin, pastaj u përshëndet me gruan dhe motrat e Kolës,  Kola ia dha pagën e muajit dhe për tre muajë tjerë të ardhshëm. Safeti përjetoi një ndarje të rëndë nga Kola e familja e tij, dhe s’u pa më kurrë me ta, sepse u arratisën në Greqi.

Po të krahasosh romanin e Hekuran Halilit,”Babai”, me romane tjera të këtij zhanri, si “Babai Goriot” të Balzakut, “Letër Babait” të Franc Kafkës;, “Otac” (Babai) i Milenko Jergoviqit, etj.,  lexuesi ndihet krenar për raportet aq të afërta, të përzemërta e fisnike midis babait e djalit (Safetit e Hekuranit), pëkurndrejt raporteve  nga romanet e përmendura. Kjo është pasqyrë e edukatës së shëndoshë familjare në familjet shqiptare, që prindët të sakrifikojnë për të mbajtur dhe edukuar fëmijët, dhe që fëmijët të respektojnë prindët, të moshuarit e shtëpisë e të rrethit. Safeti e Nazua  që kishin gjashtë fëmijë; tri vajza e tre djemë, kishin sakfirikuar shumë për t’i rritur dhe edukuar si është më së miri.

Struktura e romanit “Babai”është e ndërtuar përmes rrëfimeve e tregimeve të babait (Safetit) dhe nënës Nazua, për vuajtjet dhe skamjen e përjetuar pas dëbimit nga fshati i tyre, Lopësi, në vitin 1944,  ku kishin sarajet dhe pasurinë e fituar me punë, të cilat ua kishe marrë e shkatërruar regjimi klerofashist grek. Brenda kufirit të shtetit shqiptar, të shkatërruar nga lufta, ishin vendosur në Konispol dhe ishin në gjendje të rëndë ekzistenciale.

Pas fjalës hyrëse të autorit (fq.9-11) dhe vlerësimit (reçensionit) të shkrimtarit Pajtim Çaushi, i cili është edhe redaktor i librit (fq.1-15_, romani në vazhdim përmbanë edhe 27 ese me rrëfime, tregime, dialogje, biografi: Flas me babanë; Imazhi i parë; Fillim bisedash; Shëndëlliu; Beteja për jetën; Kostumi; Përmbytja e Fushës së Vrinës; Karsella e nusërisë; Arratisja e Kolë Ajazit; Xamarja; Gjaja e gjallë të mba gjallë; Pëllëmba e babait; Miqësia; Tregon Sabriu; Grupi “tradhtar” çam i Teme Sejkos; Burgosja e babait; Histori lufte; Kullureti; Litari i dashurisë; Besnikëri e dashuri; Dashuritë e pabëra; Ardhja e babait në gjimnaz; Krenaria e prindit me fëmiun e mirë; Qerrexhinjtë e Shëndëlliut; Biseda të paharruara; Tri porosi të arta; Vëllezërit Halili (Emini,  Xhaxhi Qerimi, Rushani – xhaxhai i Shijakut, Isufi, më i madhi i vëllezërve Halili); dhe Largimi i babait.

Secili rrëfim, tregim, dialog, a biografi është histori në vete, jo e trilluar por e vërtetë. Autori thotë: “Ju do të gjeni në faqet e këtij libri babain tuaj, do të gjeni kohën, ngjarjet, shoqërinë në vite, sfondin historik në të cilin kanë ndodhur ato ngjarje. Do të gjeni Çamërinë, në të mira dhe në flakë”.

Kur përshkruan komunikimin me të atin, tërë përmbajtjën e romanit e përshkon një qëndrim emocional i autorit për babain, dhe pasqyron ekuilibër familjar, mirëkuptim e marrëdhënie të shkëlqyera mes familjareve, si prindërit mes vete, ashtu edhe në relacionin prindër-fëmijë, vëllezër e motra, xhaxhallarë e kushërinjë. Ndërsa marrëdhëniet e babaiit me punëtorët në fermën e kompleksit blegtoral ku punonte, poashtu ishin tejet korrekte  e me respektin reciprok.

Të lë mbresë të veçantë rrëfimi i autorit për “rezidencën e çuditshme” të babait. Ajo “residencë” ishte një shtrat-fole, i thurur me shumë mjeshtri me degëve të një druri argileje të madhe, në lartësi gjashtë metra nga toka, ku hypej e zbritej nëpër një shkallë të thurur me litar e dru, që ngritej e lëshohej si të doje. Në atë “residencë” flente e pushonte Safeti pas punës që bënte në fermë, mjelës i lopëve të fermës. Milte tri herë në ditë  nga 40-50 lopë.  Po aty shkonte edhe Hekurani, rrinte e bisedonte me babain dhe dëgjonte rrëfimet e tij për kohën sa kishte jetuar para se të detyrohej të shpërngulej nga fshati Lopës i Çamërisë mbetur brenda kufirit grek.  As dhoma ku banonin në Vrinë nuk ishte më e madhe as më komode se “rezidenca-fole”.

Rrëfim i dhembshëm është ai, kur babai i binte xamares dhe drejtonte shikimin nga Mali i Nartes, që ndante Konispolin nga Lopësi i tij. Ishte ajo melodi vajtimi, kur qante babai për villain e madh, Isufin, të cilin e copëtuan zervistët dhe e varen në Malin e Nartes.

Se çfarë meraku dhe sa kishte njohuri  për kafshët baba Safeti, tregon autori në rrëfimin “Gjëja e gjallë të mba gjallë”. Një fshatar po e qonte një mëshqerrë të mire te kasapi, pasi shkeponte nga një këmbë e enjtur. Babi e pyet pronarin, sa mund të fitonte prej saj, ia jep aq të holla dhe e merr mëshqerren, e qon te shtëpia dhe, dhe si njeri që kishte fituar përvojë veterinare me kafshët e femrës,  e shëron  mëshqerrën, që u bë lopë e mirë, jepte nga 10-12 litra qumësht në ditë, i polli pesë viça, deri sa ua mori shteti. Te përshkrimi i kësaj storje, autori tregon një mjeshtri të hollë trilli, kur thotë: ”Mëshqerra tundi me kënaqësi veshët, i hodhi tim ati një vështrim mirënjohës, me sytë e lagësht falënderonte sikur të kish kuptuar që ai njeri ishte fati i saj që e shpëtoi nga thika e Jasinit”.

Në rrëfimin “Pëllëmba e babait”, autori tregon se si erdhi te rasti që babai Safeti, për herë të parë dhe të fundit në jetë, ia kishte dhënë një shuplakë, dhe atë e kishte bërë para syve të shokëve të Hekuranit dhe të disa tjerëve të rritur, në kohën kur ku po u tregonte (komentonte) përmbajtjen e romanit të Fatmir Gjatës – “Armiqtë”, pjesën ku flet për “Grupin armiqësor çam të Teme Sejkos”. Ajo shuplakë i kishte dhimtë më shumë shpirtërisht se fizikisht, sa që nga turpi kishte dënesur, nuk kishte hangër darkë as nuk kishte shkuar të nesërmën në shkollë, dhe për dy-tre  muaj rresht nuk kishte folur me babain, edhepse babai i kishte kërkuar falje sapo ishte këthyer në shtëpi. Ndonëse “dhemb shumë pëllëmba e babait”, dhembjen shpirtërore për atë shuplakë e kishte më të madhe babai, që e kishte lënduar shpirtërisht djalin aq të  mbarë e të dashur para shokëve e njerëzve tjerë. Por, përsëri u bënë miq, përsëri zhvillonin biseda të ndryshme në “rezidencën-fole”. Babai krenohej me djalin që kishte, aq të zgjuar e të pjekur, e që në gjimnaz e lavdëronin profesorët dhe e admironin shokët. Kjo pjekuri bënte që Babai e ftonte edhe kur bisedonte me shokë, në tavolinën e burrave e në klubin e fshatit, ndonëse ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç.

Kështu, rrëfim pas rrëfimi për ndodhitë e babait dhe të vetat,  me përshkrime të hollësishme të detajeve, autori e bënë romanin të këndshëm për lexim, herë-herë emocional. Autori shfaqë njohuri të mahnitëshme mbi florën dhe faunën, kur përmendë dhjetra e dhjetra emra drunjësh, bimësh, kafshës, shpezësh, bukuritë e ambientit. Janë interesante e të përshkruara mirë,  saktë e realisht të gjitha ngjarjet që lidhen me jeten dhe punën e babait dhe me vet autorin, mësimet e jetës dhe  porositë e babait, të cilat i zbaton dhe i përcjell te fëmijët tash që është bërë baba dhe gjysh.

Romani “Babai” është një libër i veçantë përkah subjekti, thjeshtësia, dashuria, përkushtimi, besnikëria, emocioni, qatësia e mendimeve. Shihet se babai ka jetua me vija e vrragë në zemrën e tij për tmerret dhe krajatat e jetës së çamëve e të familjarëve, por i lumtur me gruan dhe fëmijët e mbarë, me shoqërinë e mirë ku gëzonte respektin e merituar, të fituar me punë të ndershme e përkushtim. Edhepse e kishte humbur pasurinë materiale që kishte lënë në Lopës, e kishte rujtur e shtuar pasurinë shpirtërore ndaj familjes, gruas, fëmijëve, vëllezërve, kolegëve e shokëve të punës.

Dashuria dhe respekti i autorit për babain e tij dëshmohen dhe përjetësohen jo vetëm për së gjalli e gjatë sëmurjes së shkurtër, përcjelljes e varrimit, por edhe me romanin “Babai”,  që është memoriali më i mire dhe më i qëndrueshëm që ka mund t’i ngritë personalitetit të babait, e në të cilin defilojnë edhe një galeri personazhes tjera, qofshin ato pozitivë apo negative. Është ky një roman didaktik, nga i cili mund të mësohet shumë për raportet e shëndosha të prindërve mes vete, me fëmijët, me familjen e gjërë dhe me shoqërinë.

Është shkruar me shpirtë, me dashuri, me vërtetësi, me përkushtim, me gjendje të ndryshme emocionale; herë ndihesha i qeshur e i gëzuar dhe jo më pak herë edhe I mallëngjyer, me lot në sy, për babain,- e thotë vet autori në hyrje të romanit. Kush e lexon romanin “Babai”, do të bindet në vëretetësinë e kësaj që thotë autori.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora