Mendime
Eshref Ymeri: Përkthimi gojor dhe kultura e popujve
E hene, 24.10.2022, 07:46 PM
Përkthimi gojor dhe kultura e popujve
Nga
Eshref Ymeri
Për shkak të
natyrës së profesionit të vet, përkthyesi gojor, përveç zotërimit deri në
përsosmëri të gjuhës amtare dhe të gjuhës në të cilën përkthen, duhet të jetë i
pajisur me njohuri enciklopedike nga shumë fusha të dijes, me qëllim që të mos
i lejojë vetes të ndodhet para situatash të papritura dhe të zihet gafil. Në të
njëjtën kohë, ai duhet të studiojë me imtësi kulurën e popullit, në gjuhën e të
cilit përkthen, kulturë kjo, e cila është e pasqyruar në doket dhe zakonet, në folklorin dhe humorin e tij,
në mënyrën e të menduarit, në formimin e tij psikologjik, në fondin e
proverbave dhe të fjalëve të urta, të cilat përcjellin ecurinë e etapave të
zhvillimit të tij në rrjedhat e historisë. Ai duhet të njohë mirë heronjtë e
tij kombëtarë, simbolet kombëtare, datat e shënuara në historinë e tij dhe
festat zyrtare.
Përkthyesja e shquar amerikane Lin Vison (Lynn
Visson - 1945), në vitet ’60 pati kryer studimet në Universitetin e Harvardit. Gjatë
viteve 1979-1980, ajo ka punuar si përkthyese në Departamentin e Shtetit.
Ndërsa në rolin e përkthyeses sinkroniste për anglishten, për frëngjishten dhe
për rusishten, ka shërbyer pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara
prej vitit 1980 deri në vitin 2005.
Në praktikën e saj të gjatë, si përkthyese gojore dhe
sidomos si përkthyese sinkroniste, ajo është përqendruar më shumë në problemet
që hasin të huajt në gjuhën e folur angleze, çka, përbëjnë mjaft interes edhe
për ne shqiptarët, sidomos për përkthyesit gojorë të moshave të reja. Për këtë
qëllim, ajo ka botuar posaçërisht edhe një libër me titull “Russkije
problemëj v anglijskoj reçi. Sllova i frazëj v kontjekstje dvuh kultur”
(Probleme ruse në ligjërimin në gjuhën angleze. Fjalë dhe fraza në kontekstin e
dy kulturave). Në këtë libër ajo rrëfen për rastet dhe për gabimet që bëjnë
rusët në biseda me amerikanët. Shembujt e saj janë mjaft kuptimplotë për të
gjithë ata qytetarë të huaj që, në njërën ose tjetrën mënyrë, mund të gjenden
në vorbullën e jetës amerikane
Për t’i kuptuar më mirë amerikanët, duhen hedhur sytë nga
historia e tyre. Mënyra e të menduarit të amerikanëve filloi të formohet që në
kohën e vendbanimeve të para koloniale në Botën e Re. Në kushtet e hapjes së
tokave të reja, e domosdoshmërisë së mbijetesës, njeriu nuk duhej ta humbiste
shpresën, nuk duhej ta lëshonte veten. “No problem” (Nuk përbën ndonjë
shqetësim) - ishte shprehja më karakteristike që patën sajuar amerikanët
asokohe. Kurse shprehja tjetër “We shall overcome” (Ne do t’ia dalim, do të
fitojmë, do ta kapërcejmë gjithçka), përfaqëson
devizën e jetës së amerikanëve.
Në vitin 1950, shkrimtari, teologu dhe prifti amerikan Norman
Vinsent Pill (Norman Vincent Peale - 1898-1993), botoi librin me
titull “The Power of Positive Thinking” (Fuqia e të menduarit pozitiv). Asokohe
këtë libër e patën lexuar miliona njerëz. Ja cila është ideja kryesore e këtij
libri:
“Në qoftë se ju mendoni në një mënyrë
pozitive, gjithçka do të dalë me sukses”.
Heroina kryesore e romanit të shkrimtares Margaret
Mitçell (Margaret Munnerlyn Mitchell - 1900-1949) “Gone with the Wind
(Bashkë me erën), Skarlet O’Hara (Katie Scarlett O'Hara Hamilton Kennedy
Butler), për situata shumë të vështira, thotë:
“Tomorrow is another day” (Nesër do
të jetë një ditë e re), domethënë problemet
e ditës së sotme do të mbeten në ditën e djeshme. Patjetër që do të vijë një “happy
end” (një fund i lumtur, një fund me mbarësi). Kjo
mendësi e gjen pasqyrimin e vet edhe në rregullat e komunikimit
dhe, po të përsiatësh për një çast, shumë veçori të mënyrës së sjelljes, si
tipar kombëtar amerikan, duken plotësisht normale. Kështu, fjala vjen, për
pyetjen “How are you?” (Si jeni?), amerikanët kanë vetëm një përgjigje
të saktë: “Fine, thanks” (Mirë, faleminderit), pa variante të tjera.
Nga amerikanët rrallë mund të dëgjosh fjalë ngushëlluese,
si, fjala vjen, “I gjori, si nuk i eci fati, sa ters!”. Shprehje të
tilla ngushëlluese amerikanët mund t’i marrin si keqardhje fyese. Megjithëse në
disa raste, nga goja e tyre mund të dëgjohet edhe shprehja “Oh, you pour
thing” (Oj ti, i gjori), por fill pas kësaj vjen një tjetër shprehje
korrigjuese e menjëhershme: “Oh, but I am sure it will be fine”,
domethënë sido që të jetë problemi, unë jam i bindur se gjithçka do të
shkojë mbarë.
Përgjithësisht, fjala “fatalizëm” ka ngjyrim negativ në
gjuhën angleze dhe shprehje të tilla, si “i braktisur nga fati, s’e do fati”
nuk hasen në të. Nisur nga kjo veçori e të menduarit të amerikanëve, vjen e
strukturohet mënyra e komunikimit të tyre. Kur amerikanët shikojnë dikë që
është rrëzuar në këmbësore, i drejtohen me pyetjen: “Are you all right?” (A
jeni mirë?).
Shprehja “time is money” (koha është para) që në
gjuhën shqipe ka si barasvlerës shprehjen “koha është flori”, ka
prejardhje amerikane. E ka p?rdorur p?r her? t?
par? personaliteti politik amerikan Benjamin Franklin (1706-1790), i
cili, n? librin e vet me titull “Advice to a Young Tradesman” (K?shill? nj?
tregtari t? ri) (1748), shkruante: “Mos harro se koha ?sht? para”. Amerikanët,
zakonisht, nuk i kanë qejf hyrjet e gjata dhe parapëlqejnë të kalojnë menjëherë
në thelbin e çështjes, sidomos kur bëhen biseda telefonike. Në respekt të
etiketës telefonike, në Amerikë zakonisht parapëlqehet përfundimi i shtruar i
bisedës, pohimi i marrëveshjeve të arritura dhe shprehjet standarde në mbyllje
të saj:
“Its been great talking to you. Se
you later” (Qe kënaqësi që komunikuam. Do të shihemi më vonë). Por
bashkëbiseduesi i huaj me amerikanin duhet të ketë parasysh se dëshira e tij
për t’u takuar nuk duhet marrë në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, edhe
sikur ai (amerikani) të thotë: “We must meet some day” (Ne duhet të takohemi
në ndonjëfarë mënyre). Sepse kjo shprehje shërben thjesht si shenjë mirësjelljeje
dhe s’do të thotë asgjë më tepër.
Duhet pasur kujdes se disa shprehje që përdorin të huajt
gjatë komunikimit me amerikanët, për këta të fundit mund të tingëllojnë fyese.
Kështu, shprehja “You are wrong” (Ju nuk keni të drejtë) mund ta fyejë
bashkëbiseduesin amerikan. Sepse në gjuhën angleze kjo shprehje mund të
kuptohet si “You are telling lies” (Ju po thoni një të pavërtetë). Prandaj,
në vend të saj, është më mirë të përdoret shprehja “I do not think I can
agree with this” ose “I cannot absolutely agree with this” (Si zor se
mund të pajtohem me ju ose Unë nuk jam plotësisht në një mendje me ju).
Në librin e përkthyeses Lin Vison, janë me shumë
interes këshillat e saj se për çfarë nuk duhen pyetur amerikanët. Me
amerikanët, - thotë ajo, - nuk duhet të hysh në diskutime për shëndetin tënd
ose për shëndetin e bashkëbiseduesit amerikan, me përjashtim të rasteve kur
shkon të vizitosh mikun në spital. Ajo që një të huaji mund t’i duket si
shfaqje përkujdesjeje, simpatie dhe
vëmendjeje, për amerikanin mund të vlerësohet si ndërhyrje në jetën personale,
si mungesë takti.
Me fjalë të tjera, interesimi për shëndetin e
bashkëbiseduesit amerikan duhet të ketë njëfarë arsyeje, një parahistori, një
argumentim. Nëse bashkëbiseduesi amerikan ka shqetësime zëri, atë mund ta
pyesësh se çfarë ka dhe se si e ndien veten, por, pa pritur e pa kujtuar, të
fillosh të diskutosh me të problemin e tensionit të gjakut ose diçka tjetër që
krijon shqetësime për shëndetin tuaj dhe që ndikon në humorin tuaj, si puna e
veshkave, e mëlçisë, etj., kjo nuk është e rekomandueshme.
Me amerikanët, gjithashtu, nuk duhet diskutuar për
problemet e pagës dhe të shpërblimeve të ndryshme financiare (të honorareve).
Përgjithësisht, janë tabu të gjitha pyetjet që lidhen me informacionin personal
financiar, me përmasat e pronës dhe me nivelin e pagës. Me këto pyetje, një
amerikani mund t’i drejtohet vetëm inspektori i taksave dhe askush nga miqtë
apo të njohurit e tij.
Përkthyesi rus Aleksandër Shvejcer, në librin me titull “Me
sytë e përkthyesit” (Gllaza?mi perevo?dçika), të botuar në Moskë në vitin
2012, ja çfarë rrëfen për një pyetje pa takt të ish-kyeministrit Dmitri
Polankit, kur po e shoqëronte gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës në vitin 1960:
“Njëherë, gjatë bisedës me një pronar ferme në shtetin e
Ilinoisit, Polanski u mundua të sqaronte se sa të ardhura vjetore merreshin nga
ferma e tij. Fermeri nuk iu përgjigj asaj pyetjeje. Dhe pikërisht gjatë
konferencës së shtypit në bordin e aeroplanit, në të cilin po fluturonim nga Ilinoisi
për në shtetin Utah, njëri nga reporterët amerikanë tha:
- Zoti Polanski, ju shprehët pakënaqësinë që fermeri nuk
iu përgjigj pyetjes suaj për të ardhurat që siguronte. Që ta merrni vesh, kjo
pyetje, që lidhet me pagesën e taksave, në vendin tonë konsiderohet tepër
personale. Me sa duket, në vendin tuaj është ndryshe.
- Në vendin tonë një gjë të tillë nuk e mban të fshehtë
askush, - iu përgjigj Polanski”.
Ky rast dëshmon jo vetëm për mungesën e formimit kulturor
të Polanskit, por edhe për gabimin e përkthyesit, i cili duhej ta
paralajmëronte për të mos bërë pyetje të tilla.
Amerikanin nuk mund ta pyesësh se sa fëmijë ka, se ai
mund të mos ketë fëmijë apo mund të mos jetë i martuar dhe një pyetje e tillë e
vë në pozitë të vështirë jo vetëm atë, por edhe bashkëbiseduesin që e pyet.
Nuk mund të pyetet amerikani as për kompaninë ku punon.
Duke pasur parasysh se vendi mund të jetë duke kaluar një periudhë krize dhe se
një numër i madh njerëzish ndërrojnë vendin e punës ose mund të kenë statusin e
të papunëve, një pyetje e tillë do të binte në sy për mungesë takti. Prandaj,
më e arsyeshme do të ishte që bashkëbiseduesi amerikan të pyetej për llojin e
punës, për llojin e profesionit, sesa për kompaninë ku punon.
Në librin e vet mjaft interesant, Lin Vison sjell
një mori shembujsh nga jeta, komike dhe domethënëse. Por një këshillë e saj për
përkthyesit gojor, ka vlerë për të gjithë: gjatë komunikimit me të huajt, ata duhet të jenë të gatshëm ta kapin çdo gjë
të re që në fillim dhe të mundohen të vjelin të dhëna sa më të plota për
kulturën e vendit që do të vizitojnë.
Përkthyesi amerikan, Harri Obst, ish-qytetar
gjerman, në librin e vet “White House
Interpreter. The Art of Interpretation” (Përkthyesi i Shtëpisë së Bardhë. Arti
i përkthimit gojor). të botuar në vitin 2010, rrëfen për përshtypjet e tij
nga Japonia, ku pati shkuar si shoqërues i Presidentit Regan, i cili do të
merrte pjesë në konferencën e radhës të G7-s të vitit 1986:
Meqë nuk kishte qenë asnjëherë në Japoni, mendoi se do të
ishte më mirë të nisej dy ditë para presidentit Regan, në mënyrë që të ishte i
ambientuar në një mjedis të ri dhe të mësohej me ndryshimin e regjimit ditor
pas një udhëtimi ndëroqeanik prej dymbëdhjetë orësh mesatarisht. Ai as fliste,
as lexonte në gjuhën japoneze dhe në aeroportin Narita, një i vetëm, me sy të
çakërritur, po shikonte shumë tabela me simbole në japonisht që tregonin
vendkalimin për në doganë. Më në fund, e pikasi një tabëlë në anglisht, ku
lexoi fjalën “Të huajt”. Kjo iu duk shumë e përshtatshme, por iu krijua
përshtypja sikur paskej zbritur pikërisht në një tjetër planet. Ngjarjet e
mëvonshme do ta vërtetonin një ndjesi të tillë. Sapo u gjend jashtë terminalit,
gjërat u bënë më të thjeshta. Gjeti dikë që fliste anglisht që e drejtoi për te
autobusi që do të ndalonte në hotelin Okura, ku qe strehuar delegacioni
amerikan për në konferencën në fjalë. Autobusi do të ndalonte paraprakisht në
tre hotele të tjera. Ai pati kënaqësinë të merrte vesh që shoferi i autobusit
kishte një kasetë me tekst të regjistruar në katër gjuhë, që njoftonte me
fortafolës kur autobusi ndalonte te çdonjëri nga hotelet dhe jepte edhe ndonjë
tjetër informacion të nevojshëm.
Autobusi ndaloi pranë njërit nga hotelet saktësisht në
orën 4:00. Në anën tjetër të rrugës, përballë hotelit, ndodheshin dy rrokaqiej
krejt me zyra. Qindra nëpunës, shumica meshkuj, po vërshonin jashtë ndërtesave
pas orarit të punës. Për habinë e përkthyesit, të gjithë ata kishin veshur
kostume dhe kravata të ngjashme në ngjyrë të errët, në dorë mbanin të njëjtin tip
çantash, kishin një mënyrë të ecuri, pikërisht të nxituar, dhe nxirrnin në pah
një shprehje joemocionale të fytyrës, si puna e lojtarëve të pokerit. Ata
dukeshin si një turmë milingonash të zeza që dyndeshin jashtë folesë. Kur iu
afruan autobusit, përkthyesit një dridhërimë ia
përshkoi gjithë trupin. I dukej sikur
ndodhej vërtet në një tjetër planet. Ata nuk mund të ishin njerëz të
gjallë. Ata dukeshin sikur të ishin robotë. Përkthyesi pyeste veten: a do të
ishte ndoshta e mundur që ne amerikanët të mateshim me punonjës si këta? Ai
vetëm sa pa ca skena në teknikën e levizjeve iluzore.
Ky çast do ta mbante përkthyesin të mbërthyer sa të ishte
gjallë. Dhe rrinte e mendonte me vete: ç’ndryshim i madh në krahasim me larminë
e shoqërisë amerikane të viteve ’80, përballë njëtrajtësisë stoike të
japonezëve.
Një tjetër huti nga përplasja me një tjetër kulturë do ta
priste përkthyesin së shpejti, sapo arriti në hotelin Okura, jo fort larg nga
ambasada amerikane. Hoteli ishte bosh, në pritje të delegacionit amerikan që do
të merrte pjesë në konferencë. Përkthyesi ishte njëri nga të parët e
sapoardhur. Sigurimi japonez kishte krijuar një unazë të shtrënguar rreth
hotelit. Pasaportën diplomatike ia kontrollua me kujdes dhe fotografinë ia
krahasuan me fytyrën dy ose tri herë. Vetëm pas këtij kontrolli e lejuan të
hyj. Për habinë e tij, kur hyri, atje po e priste një grup prej shtatë ose tetë
vetash që qenë rreshtuar për ta përshëndetur. Dy shërbëtorë i morën bagazhin
dhe ai i ndoqi nga pas për në sportelin e regjistrimit. Grupi mikpritës, që nga
rangu më i lartë deri te rangu më i ulët, përfshinte edhe dy përgjegjës
shërbimi të veshur me kostume të errëta dhe madje një shërbyese me veshje
solemne. Kur u drejtua bashkë me ta për në sallonin e gjerë, ata të gjithë u përkulën
para përkthyesit.
Por përkthyesi nuk ishte i përgatitur për një gjë të
tillë. Gjyshi i tij e kishte mësuar se prusianët u përkulen vetëm mbretit dhe
flamurit të tyre, por jo edhe mbretërve të huaj. Të përkulurit nuk ishte në
natyrën e përkthyesit. Por tani ai ndodhej në Japoni dhe ishte diplomat
amerikan. Kështu që ndaloi hapin, u kthye para grupit të rreshtuar dhe përkuli
kokën fare paksa. Kjo shkaktoi një reagim të befasishëm te japonezët. Ata të
gjithë u përkulën përsëri, por shumë më thellë sesa më parë, saqë kokat e tyre
arritën deri në nivelin e gjunjëve. Përkthyesi e ndjeu veten më shumë të zënë
ngushtë sesa të nderuar.
Dy orë më vonë, ai u gjend në ambasadën amerikane për të
raportuar për arritjen e tij dhe për të parë dokumentet e konferencës. Kur u
rrëfeu për atë që i ndodhi në hotel, ata i kërkuan t’u tregonte se si ishte
përkulur dhe u shkrinë gazit. Një përkulje paksa e kokës si ajo, ua shpjegoi,
është e rezervuar vetëm për kryeministra dhe për të tjerë personalitete të
larta. Nuk ka asgjë për t’u habitur që japonezët qenë shtangur dhe që iu
përkulën përsëri edhe më thellë.
Dy gjëra i patën bënë përshtypje përkthyesit kur po
ndiqte televizionin në dhomën e hotelit. Emisioni i përditshëm i lajmeve në
Tokio transmetohej në anglisht nëpërmjet përkthimit të njëkohshëm me shtypjen e
një butoni. Në fund të emisionit, dy lexues të lajmeve, një burrë dhe një grua,
në pozicionin e tyre ulur, do të përkuleshin para teleshikuesve aq thellë, saqë
hundët e tyre preknin sipërfaqen e tryezës.
Pra, përkthyesi gojor, duhet të ketë një të tillë
përgatitje profesionale dhe të jetë i pajisur me të tilla njohuri të thella për
traditat e vendit, në gjuhën e të cilit përkthen, në mënyrë që të mos ndodhet
kurrë para skenave të tilla të paptitura.
Kaliforni, 23 tetor
2022