Mendime
Adem Geca: Vitet e nëntëdhjeta, vite të krenarisë për shkollën shqipe
E hene, 24.10.2022, 07:21 PM
VITET E NËNTËDHJETA, VITE TË KRENARISË PËR SHKOLLËN SHQIPE
-Bashkëpunimi
i dy degëve të LASH-it “Naim Frashëri” gjatë pesë viteve (1990-1995)
Nga
Prof. ADEM GECA
-Është
vlerë e pamohueshme e forumit të intelektualëve “Luigj Gurakuqi” të Klinës, i
cili organizoi dhe po e zhvillon (3 shtator 2022) këtë Sesion, kushtuar Arsimit
shqip përgjatë viteve të 90-ta në Klinë e rrethinë, andaj u jemi mirënjohës e
veçanërisht për kryetarin e tij z. Pal Canaj.
-Përshëndetje
të përzëmërt Ministrit të Parë historik të Arsimit, dhe kryetar i LASH-it të
Kosovës, z. Rexhep Osmani!
-Përshëndes
ish Drejtorin e Entit Pedagogjik të Kosovës, z. Halim Hyseni!
-Si
dhe, përshëndetje për të gjithë Ju pjesëmarrës të këtij eventi shumë të
qëlluar!
Të
flasësh në retrospektivë kohore na është paksa e vështirë, por ngjarjet nëpër
të cilat rrethana u zhvilluan ato punë dhe angazhime në të mirën e Shkollës
shqipe, nuk harrohen, pavarësisht kalimkohës, e sidomos për ato zhvillime të
cilat tani na janë pasuri e historiografisë kombëtare dhe sot i kemi
parathemeltare të shtetësisë së Dardanisë së çliruar. Këtë e dëshmon përballja
e drejtpërdrejt me sunduesin dhe ligjet diskriminuese të tij, në formën institucionale
të formuara nga elita kombëtare shqiptare, e të cilat dolen fitimtare përballë
atij sistemi antishqiptar.
Roli
ministror i LASH-it “Naim Frashëri” Dega në Istog në ndërtimin e sistemit të
pavarur të arsimit istogas dhe bashkëpunimi pesëvjeçar me Kryesinë e degës së
LASH-it në Klinë lanë gjurmë të pamohueshme në të mirën e brezave në vijim.
Kishim një bashkëpunim të pashkëputshëm dhe shumë konstruktiv.
Vitet
e 90-ta ishin vitet më të rënda të rrugëtimit të arsimit shqip në Kosovë dhe të
mekanizmave bartës, si institucionet profesionale, shkollat, arsimtarët,
nxënësit dhe prindërit. Ishim para një përballjeje të jashtëzakonshme, andaj
dhe kërkoheshin edhe angazhime të jashtëzakonshme, sepse po kishim të bënim me
fatin individual dhe kolektiv të gjeneratave që po na vinin. Kësaj
domosdoshmërie kohe i doli përballë LASH-i, në të gjitha nivelet në tërë
Kosovën.
-Themelimi i LASH-it,
fillimi i formësimit të shtetësisë dhe Shkollës së pavarur shqipe
Më
12.12. 1990, në shkollën fillore “Meto
Bajraktari” në Prishtinë u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim
Frashëri”. Në emër të Këshillit nismëtar Kuvendin e hapi Munish Hyseni. Për
statutin dhe programin fjalen e rastit e mbajti Raxhep Osmani. Kryetar i
LASH-it u zgjodh Rexhep Osmani, për arsimin fillor, për atë të mesëm Shyqëri
Obertnica, ndërsa për arsimin universitar, dr. Hajrullah Koliçi. Kjo Kryesia
dhe kjo udhëheqje mori përgjegjësi historike duke udhëhequr, dhe, menjëherë
bëri strukturimin në degë nëpër komuna dhe në nëndegë nëpër shkolla. Brenda tre muajve, jo vetem në Kosovë, po dhe
në të gjitha trojet shqiptare u bë një veprim i tillë jetik dhe i domosdoshëm
për kohën dhe rrethanën.
Në
Istog, me iniciativen e Kryesisë së LASH-it në nivel Repiblike, më 15.03.1991 u
thirr Kuvendi themelues i Degës së LASH-it. Këshill nismëtar ishin këshilltarët
pedagogjik për Regjionin e Pejës: Nimon Mulliqi, Bajram Ahmetxhekaj dhe Beki
Kurti. Kuvendi u mbajt në shkollën fillore “Ismail Qëmali” në Saradran. Dhjetë
shkollat istogase derguan nga dy delegatë. Me vota unanime të Kuvendit për
kryetar të LASH-it, Dega në Istog, u zgjodh delegati nga Qendra Arsimore në
Istog, Adem Geca. Gjithashtu u formua edhe Kryesia. Kjo Kryesi dhe kryetari i
saj u gjeten të nesërmen në terren, shkollat istogase ishin me drejtori të
dhunshme e me ish drejtorë shqiptarë të suspenduar nga sistemi i dhunshëm. Një
numër sish kishin vendime nga gjykata serbe në Istog, që për 200 metra e kishin
të ndaluar të gjendëshin në asfërsi të shkollave.
Detyra
e parë e jona ishte, bërja e shkollave istogase me drejtorë. Brenda dy
muajve dhjetë shkolla u bënë me
drejtorë, falë angazhimit të Kryesisë së LASH-it. Motoja e zgjedhjes së
drejtorëve ishte, se drejtorin për herë të parë në historinë e shkollës shqipe
e zgjedhë vetë kolektivi dhe askush tjetër. Kështu, për drejtorë shkollash në
Istog u zgjidhen nga kolektivet përkatëse.
Pas
zgjedhjes së drejtorëve, si kudo nëpër Kosovë, edhe ne në Istog na u ngarkua
barra e përfundimit të vitit shkollor 1990/91, me dëftesa ekzistuese të së
kaluarës dhe në vend të vulave të bëhet me faksimile katrore... Autorizimin për
bërjen e faksimilit drejtori e mirrte me shkrim nga Këshilli i shkollës.
Të
gjitha këto veprime bëheshin në koordinim me Kryesinë dhe kryetarin e LASH-it
në nivel regjional, Pejë, Deçan, Klinë e Istog, kryetar Agim Berdyna. Takime në
nivel Regjioni bëheshin për çdo javë në Pejë. Gjatë kohës përsa Agimi mbahej në
burg, udhëheqjen e Degës në Pejë e bënte Selman Etemi, i cili e bartte
funksionin e nënkryetarit, e, që na ishte i rrebt, i përpiktë dhe hiq tolerant.
Viti
shkollor 1991/92, vit historik për arsimin shqip në Kosovë, filloi me vonesë.
Shkollat ishin të kyçura (mbyllura) me dhunë nga pushtuesi serb. Protestat para
shkollave nuk sollen lirimin e lokaleve, andaj më 20 janar, me vendim të
Ministrisë së Arsimit në ekzil dhe miratimin dhe pranimin e kësaj edhe nga
LASH-i, në të gjitha nivelet, mësimi fillon nëpër ‘shtëpitë’ shkolla. Me gjithë
vështirësitë që na dilnin në shteg të pavarësimit, shkolla shqipe u nis drejt
shtegut të shumëpritur. Më 31 janar 1992, një javë pas fillimit të mësimit
nëpër ‘shtëpitë’ shkolla në fshatin Uçë ranë dëshmorë në mbrojtje të nxënësve:
Muharrem Hysenaj, Bajram Hoxhaj dhe Hasan Hysenaj, duke i lënë edhe dy të
plagosur, Azllan Hysenaj dhe Osman Hysenaj. Ata shkuan në përjetësi, ndërsa më
të vendosur vazhduam në misionin tonë të shenjtë, me betimin se, s’ka të
ndalur. Me këtë rast nuk do flasim për biseda informative, të rrahurit, të
malltretuarit, se rastet na janë të shumënumërta.
-Pragu i Qershorit
1991/92 kërkonte mobilizim shtesë
Fatmirësisht
në mbështetje kishim popullin dhe partitë politike, ku secili bënte punën e
tij.
Në
prag të përfundimit të vitit shkollor 1991/92, para nesh si LASH dolen dhe këto
detyra:
Ndërrimi
i emrave të shkollave që kishin emra me ngjyrime nga e kaluara si
antishqiptare. Dhe këtë e bëmë. Puna filloi nga poshtë lartë, sa vijon:
Këshillit qendror kompetent, në krye me LASH-in, nga secila shkollë i shkonin
tre emra. Një emër e propozonte kolektivi, një nxënësit dhe një prindërit. Kështu
për një kohë të shkurtër shkollat istogase por dhe në Klinë u bënë me emërtime
shqip.
-Për herë të parë në
histori, paisjet dhe dokumentacioni shkollor me identitet edhe kombëtar
Dalja
e dëftesave dhe diplomave të para me Shqiponjën dykrenare në mes dhe vulave me
logon Rapublika e Kosovës dhe bashkëpunimi i ngushtë me degën e LASH-it në
Klinë, konkretisht me kryetarin Selman Etemi, i cili ishte edhe drejtor në
shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë, u bë kjo e realizueshme.
Selman
Etemi, si kryetar i LASH-it në Klinë, por dhe nënkryetar i Degës të nivelit
regjional të Pejës, kishte marrë përsipër në obligim të shumë punëve me plot
sakrifica në nivel të Regjionit të Dukagjinit, një nga të shumtat edhe sjelljen
e dëftesave e diplomave nga qendra (Prishtina) por dhe sistemimin e materialeve
nëpër punkte dhe vende të sigurta, së pari në Klinë, e mëpastaj ato të
shpërndaheshin për katër komunat në nivel Regjioni (të Pejës).
Për
Istogun ishte një ndihmesë e madhe, e, kështu shpresuam dhe kështu edhe na
doli. Po bëj veçim rasti nga shumë të tjerë: Agim Berdyna na njoftonte se,
nesër, jo më herët, e as më vonë, duhet të tërhiqen dëftesat nga shtëpia e
Selman Etemit në Grabanicë të Klinës. U vura në “alarm” se, si të kontaktoja me
Selmanin. U krijua mundësia disi, dhe ramë në gjurmë të një telefoni ajror, dhe
bëmë kontakt. Bisedat duhej bërë edhe me nënkuptime se, frika ishte nga
përgjimet. P.sh., për rastin e dëftesave: ”Selman, për qat hall që e kemi me
ty, kur dhe ku mund të kontaktojmë me ty”. Selmani shkurt: “Nesër, në
Grabanicë, as pesë para pesëve, as pesë pas pesëve”. Të nesërmen siguruam një
makinë dhe vozitësin, Agim Çeta. Bashkë me Bajram Berishën e Zeqir Mehmetin
(tani në Radio Fontana), në ora fiks pesë të mëngjesit, u gjetem para shtëpisë
së kryetarit të LASH-it Selman Etemi, në Grabanicë komuna e Klinës. Pakot me
dëftesa dhe diploma i vendosem shpejtë në makinë të Agimit dhe u nisem për në
Trubuhoc të Istogut. Selmani me makinën e vet gjithnjë na përcillte deri tek
binarët e trenit (në Klinë) për preventivë. Ai thoshte: kur e lëmë rrugën për
Prishtinë, përcillne sinjalin e frenave pas. Po u rashë tri herë, kthehuni
menjëherë ...Zoti ju ndihmoftë...!
Kështu
bartjen e dëftesave dhe të diplomave nga Grabanica e kam bërë përgjatë katër
viteve me radhë. Dhe mund të them se, Grabanica (Selmani) ishte vendi kyq për
shpërndarjen e gjithë dokumecionit shkollor dhe pedagogjik, pra: Prishtinë
Grabanicë, e më pastaj Pejë, Istog e Deçan.
Kryetari
i Degës në Klinë (Selmani) pati edhe sprova tjera: me t’u kthyer nga mbledhja e
LASH-it që u mbajt në Strellc të Deçanit, në fshatin Pavlan pëson ndeshje
frontale me një veturë që në të ishin dy serbë të dehur dhe, makina tërësisht i
dëmtohet, me të ishin edhe Sami Krasniqi (anëtar i Kryesisë së LASH-it në
Klinë) e Ajvaz Bacaj (drejtor shkolle në Gremnik dhe aktivist në mirëvajtjen e
proceseve arsimore). Herën e dytë, duke i sjellur ditarët për shkollat e
Dukagjinit, duke u kthy nga Prishtina, tek Kodra e Goleshit (Kroi i Mbretit)
pëson ndeshje dhe makina përplotë me ditarë shkollash për Regjionin e Pejës
rrokulliset në humnerë poshtë rrugës, por ditarët të nesërmen ishin në
destinacionin e duhur, me të ishte edhe Agim Berdyna. Herën e tretë, në fshatin
Krushevë të Klinës, prap fatkeqësi: me makinën e vet përplot me material dhe tekste
shkollore, të dedikuara për Istog, pos që i dëmtohet makina, obligohet nga pronari (shqiptar) që t’i
shpërblehet (paguhet) ajo kafshë 300DM dhe ta vazhdonte rrugën! I them këto
raste, sepse puna dhe ai aktivitet kishte edhe kosto të mëdha (pos rrezikshmërisë)
e që këto Selmani i mbulonte vetë. Asnjëherë ky Kryetar nuk e ka shfrytëzu
asnjë metelik (dinar) për shpenzimet në udhëtim, organizim dhe transport të
materialeve. E këtë e bënim pothuaj të gjithë, por ky na ishte më i ngarkuari
dhe i palodhshmi, andaj dhe na ishte shembull unikat për atë kohë. E të mos
flasim për rrahje e malltretime të shumënumërta që i kishte.
I
veçantë është edhe rasti kur e zunë policia serbe në Kliqinë të Pejës, e ku në
veturën e vet i kishte edhe 1200 Abetare për shkollarët fillestarë. Thirrja në
bisedat informative nga ai pushtet policor, të cilat i kishte të shpeshta, nuk
e zbrapsnin së vepruari.
Vlenë
ta them se, sipas raporteve në nivel të Kosovës, komuna e Klinës paraprinte me
organizimin paralel të mësimit, përkundër dhunës së ushtruar nga ai pushtet
okupator, e sidomos juve të komunës tuaj ishit më të atakuarit.
Edhe
organizimi i mësimit nëpër shtëpi private ishte shembull për të mirë në nivel
të komunës tuaj, e kjo bëhej falë Kryesisë së LASH-it, Aktivit të drejtorëve,
partive politike, Sindikatës së Arsimit, etj, të cilat bënë gjithë të mundurën
që mësimi shqip të ketë suksese sa më të arritshme. Këtu, tek ju, bashkëpunimi
i Degës së LASH-it me subjektet e tjera në nivel të komunës, ishte një shembull
i mirë edhe për ne të komunave të tjera, pra reflektonte unifikim shembullor.
Gjithashtu, koordinim të mirë LASH-i në komunën tuaj kishte edhe me Forumin
Rinor të LDK-së në Klinë, e veçanërisht me kryetarin e Komisionit për Arsim e
Kuadër dhe kryetar i Komisionit për Informim të këtij subjekti, z. Florim Zeqa,
i cili pos tjerash, ndihmë kishte dhënë edhe në plotësimin e vendeve vakante
nëpër shkolla, qoftë edhe me studentë, sepse në atë kohë kishte mungesë kuadri
arsimor. Florimi ishte edhe dijedhënës në shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë.
Këto konstatime mbështetje kanë raportet e asaj kohe të nivelit regjional.
Për
shkollat istogase, vitin e dytë dhe të tretë, dëftesat dhe diplomat nga shtëpia
e Selman Etemit i kam bartur me makinën e Musa Blakajt dhe vozitës Musa si dhe
me Bajram Berishën, drejtor në shkollën e Saradranit. Kjo për kohën ishte një
punë me plot përgjegjësi dhe vështirësi. Se, kishim survejime dhe plot pengesa
nga ai pushtet i instaluar dhunshëm.
-Tërheqja e dëftesa për
herën e katërt rast paksa i veçantë
Hera
e katërt, e që duhej ikur shpejt dhe pa pritur për në Grabanicë për dëftesa,
ishte një rast që s’mund ta kaloj pa e përshkruar shkurtimisht, se, me këtë
rast dëftesat dhe Selmani ishin në rrezik nga policia serbosllave e Klinës,
dëshmitarë të kësaj ishim edhe ne istogasit të ngarkuar për kryerjen e kësaj
pune.
Ishte
diku kah ora tetë paradite, dhe, isha mu në qendër të Banjës (së Pejës), ku
edhe jetoj. Enver Gashi, një ish polic, nga lartë ma bën me dorë, mbasi me pa
se po e prisja autobusin për në Vrellë. “Prof, u nisa tek ti, dhe mirë u bë që
të takova. Urgjent duhet të nisesh për në Grabanicë të Klinës. Pas orës
dymbëdhjetë do të është shumë vonë! Kështu, nga telefoni e ke këtë porosi prej
axhës Mustafë”. Eu, po ç’më paska vënë në pozitë të palakmueshme, s’kam për
momentin as makinë, dhe s’di si t’ja bëj hallit?! Enveri: “prof, lujti nafaka,
ja po vjen me makinë miku im Zymer Krasniqi i Osdrimit” (ish mësues, e tani
dëshmor i kombit). Përshëndetjes i ramë shkurt dhe u nisem për në Grabanicë,
por kah Peja. Fatkeqësisht bëmë dy orë derisa mbërritem në vendin e duhur
(Grabanicë). Atë ditë po vete Papa Pavli në Klinë, për një inagurim të një
kishe, andaj nga Peja nja dhjetë herë na ndaluan policët e atij rezhimi
totalitar. Me të mbërritur në Grabanicë, takuam Selmanin, ishte në pritje të
arritjes tonë aty. “Eu bre, u vonuat! Dëftesat i dërgova në deponë “Nëna
Tereze” në Klinë, sepse janë indikacionet se mund edhe të ndodhë farë bastisje
nga policia tek unë”. Ikim të gjithë bashkë për në Klinë. Pati ndalesa përgjatë
rrugës. Na u duk se i bëmë 10 orë udhëtim deri tek depoja e shoqatës “Nëna
Tereze”. Pakot me dëftesa i futem në bagazhin e makinës dhe, Selmani na la në
një parking e shkoi deri te binarët e trenit në drejtim të Gurrakocit të shoh
gjendjen. Po çfarë të shihte, në atë moment përplotë policë pothuaj në të
gjitha këndet. Bënin bastisje një nga një të makinave në atë drejtim. Selmani
na preferoi që ta lëmë makinën dhe, të gjithë bashkë të hyjmë në një
vetëshërbim, që gjendej aty afër. Ashtu edhe vepruam. U njoftuam se edhe në
dalje nga Klina në drejtim të Pejës kishte poashtu ndalesa dhe bastisje. Gjatë
qendrimit në atë vetëshërbim, kur një zë jehoi nga një kënd në gjuhën serbe:
“Hej, kryetar si je, si po shkon Arsimi”?! Selmani: “Si është më së miri, ashtu
siç po dojmë vetë” aty për aty ia ktheu kryetari i LASH-it të Klinës, Selmani.
Unë pyes Selmanin se kush na është ky bre?! “Adem, a ke pare me veti? Po, kam.
I kam 10 DM. “Pra, fillo me Zymerin që të bleni diçka, që të reflektojmë
qëllimin tonë për kinse blerje, se qenkemi nën përcjellje”. Pasiqë ishte edhe
pragfesta e Bajramit, neve filluam që të marrim artikuj kinse të duhur. Mësuam,
se ky që parashtronte pyetje, e që na mbante nën vëzhgim, ishte nga sigurimi i
pushtetit serbosllav, i cili me pa dashjen tonë, na shtyri të i shpenzojmë
bashkë me Zymerin nga 10 MD. Kur u largua ai farë udbashi serb, Selmani thotë:
“lëni gjërat e blera në makinë e, ejani pas meje”. Shkuam në restorantin
“Fontana”. Aty takuam një që e njihshim që të tre, ishte Alush Agushi me dy të
tjerë. Me të na vërejtur, na ftoi të ulemi tek ta. Pasiqë njiheshin me
Selmanin, iu treguam hallin. “Mirë de, hani drekë njiherë, e pastaj shofim si
t’ja bëjmë”. Drekimit iu përgjigj me pagesë Alushi. Bashkë me Selmanin kah
tregu i kafshëve e deri në fshatin Videjë e nëpër fshatin Terstenik na
përcollen dhe, siç thonë, pa therrë në këmbë, por jo edhe pa mund, kaluam
thellë në fshatrat e komunës së Istogut. Pra, ky qe një udhëtim alternativ i
mundshëm.
-Shprehja e mirënjohjes
na është obligim moral e shoqëror
Dhe,
sot e asaj dite, unë si kryetar i LASH-it për Degën në Istog, i jam mirënjohës
bashkëveprimit dhe ndihmesës në vazhdim të kryetarit të LASH-it në Klinë Selman
Etemit, i cili pa kursyer bëri gjithë të munduren në të mirën e Shkollës shqipe
përgjatë viteve më të vështira, veçanërisht në Regjionin e Pejës me katër
komuna. Po ashtu, iu jam mirënjohës të gjithë anëtarëve të Kryesisë së Degës së
LASH-it në Klinë, e në veçanti kryetarin e saj, të cilët bënë punë shumë
vlerëmëdha në ruajtjen dhe triumfin që Shkolla shqipe të mbijetojë përballë
atij pushteti okupues. Edhe pas kaq shumë vitesh ruaj respektin mirënjohës
sidomos edhe për këta bashkëveprimtarë të rryer në të mirën e Arsimit shqip
gjatë viteve të 90-ta: Xhafer Bashotën, Prend Buzhalen, Hajdin Morinën, Mikel
Gojanin, Sami Krasniqin –i ndjerë (të pestit anëtarë të Kryesisë), Idriz Dushin,
Prenk Gjetajn, Ramadan Krasniqin, Zenun Zeqën, Hysni Elshanin, Hamit Shalën –i
ndjerë, Ilaz Gashin –i vrarë në Luftën e fundit, Ajvaz Bacajn, Dulaman Gashin
–i ndjerë, Prend Culajn, Lekë Grabanicën, Abaz Durakun, e shumë të tjerë.
Falenderoj
familjarët e familjes Etemi në Grabanicë, në të cilën shtëpi në fillimmars të
vitit 1991, u bë themelimi i LASH-it për Klinë, dhe këtu u mbajt Kuvendi me
përfaqësues nga të gjitha shkollat e kësaj komune (nga dy të deleguar) dhe,
mund të them se, edhe për vetë Istogun barti rrezikshmërinë që edhe komuna jonë
të jetë realizuese e të gjitha punëve ashtu siç ishin paraparë nga niveli
qendror i LASH-it të Kosovës, me në krye Rexhep Osmanin. Sepse nga këtu
furnizohej me material pedagogjik e arsimor i tërë Regjioni i Pejës, dhe
rrezikshmëria ishte tejet e madhe. Material ky, që sillej prej Prishtine
kryesisht nga vetë Selmani kryetar i LASH-it në Klinë dhe njëkohësisht edhe
drejtor në shkollën “Azem Bejta” të Grabanicës, e, që presione e malltretime
nga ai pushtet okupues kishte edhe për tentativën e hjekjes së emrit të kësaj
vatre arsimore, por asnjëherë s’u arrit një gjë e tillë, falë qëndresës së tij
dhe të kolektivit shqiptar të shkollës e qytetarëve të Bashkësisë Lokale të
Grabanicës.
Kështu,
ne Selmanin e kishim për çdo rast që duhej kontaktuar dhe bashkëvepruar në
kryerjen e punëve për mirëvajtjen e Shkollës shqipe me plot halle e vështirësi
të kohës. Punë kjo, e cila u bë për disa vite rresht, falë gatishmërisë edhe të
këtij miku e bashkëveprimtari të pathyeshëm, që pas tij kemi ecur dhe vepruar,
pavarësisht në çfarëdo vështirësie apo pengëse që hasnim. Andaj them që, me
Selmanin ishim bashkë në ato ngjarje, e që s’ishin të vogla e të pakëta dhe
asnjë për t’u nënçmuar, dhe ia dolem faqëbardhë. Çdo suksesi i gëzoheshim. Pas
vetes kishim armatën e mijërave arsimtarëve që s’dinin të ndalur, dhe nxënësit
e prindërit e tyre që na mbështetnin në çdo hap.
Ndoshta,
për ata që nuk ishin nëpër këto rrjedha, por edhe atyre që nuk i përkasin atij
brezi veprues, këto të dhëna dhe dëshmi mund t’u duken paksa jo me peshë, por
këto ishin e vetmja forcë konkrete institucionale në përballje me atë sundues
të pamëshirshëm.
Gjithashtu,
falenderoj Familjen dhe familjarët e Sami Krasniqit, nga fshati Zajm, në të
cilën gjenim strehim dhe përkrahje të pashoqe në organizim të veprimeve të
mëtejme, e ai vetë ishte edhe anëtar Kryesie në Degën e LASH-it të Klinës.
Falenderoj
vlerëmadhin Idriz Dushin, mësuesin që na ipte forcë dhe kurajo në veprim.
Studioja e tij në Klinë na ishte vendtakim por dhe strehim sipas nevojës, e,
këtë e dëshmon edhe kjo foto, nga tubimi konsultatin për zhvillimin e mëtejm
për organizimin e mësimit përballë rrebesheve pansllaviste të kohës:
Ishim
bashkë në ato ngjarje, e që s’ishin të vogla, dhe assesi s’janë për t’u nënçmuar.
Sot historiografia e jonë i ka pasuri në vete. Janë të bëma dhe suksese, po
edhe deshe, s’mund të humbasin. U gëzuam në sukseset tona të arritura, por dhe
u pikëlluam shpesh. Në çdo hap mund të na pikaste më e keqja, por të gjithë
bashkë ia dolem, dhe për këtë ndjehemi krenarë. Kjo armatë e dijedhënësve
përgjatë atyre viteve shumë të vështria, nuk punoi dhe sakrifikoi për
mirënjohje e dekorata që sot t’u ipen, por ajo do reflektonte respektin dhe
mosharresën për atë sakrificë dhe punë kolosale kombëtare.
Në
këtë shkrim të shkurtër, është e pa mundur që të përfshihet gjithë ajo punë
kolosale dhe ai sukses i arritur në dijedhënie, por dhe që të mbijetojë Shkolla
shqipe në komunën tuaj, por duke iu falenderuar të gjitha subjekteve të
përmendura dhe jo vetëm emrave të prezantuar, ia dolët, dhe keni mirënjohjen
dhe respektin istogas, sepse ju kishim model të veprimit në atë kohë.
Iu
mbetem borxh edhe shumë emrave të miqëve bashkëveprimtarë të asaj kohe, që në
komunën tuaj ishin shembull dhe flamurtarë të kryerjes së punëve nëpër flakën e
pushkës që, Shkolla shqipe t’i kryej proceset e parapara edukative dhe arsimore
përballë atij okupimi klasik policor serbosllav. Por, monografia që është në
përfundim e sipër, për komunën e Istogut, do të dedikojë hapësirë të veçantë
edhe për të dëshmuarit e tjerë, sepse vepra i bën të paharruar.
(Kjo më është kumtesa e
përgatitur për Sesionin e mbajtur në Klinë, më 3 shtator 2022, kushtuar Arsimit
shqip gjatë viteve të 90-ta në këtë komunë).
Dërguar për botim nga Florim Zeqa