Mendime
Agim Binaj & Fahri Dahri: Gabimet që shoqëruan tranzicionin 30 vjeçar
E marte, 06.09.2022, 06:43 PM
LETËR PUBLIKE PËR GABIMET QË SHOQËRUAN TRANZICIONIN 30 VJEÇAR
Nga Prof.
Dr. Agim Binaj
Fahri Dahri, ekspert ekonomie
-“Pa njohur të
shkuarën nuk ndërtojmë dot të ardhmen”.
-“Baza e
mirëqenies së shqiptarëve ka qenë toka, pasuritë e tjera natyrore dhe zbatimi i
ligjit për krijimin e një shteti ligjor”.
Dihet se për të
siguruar të ardhme më të mirë, duhet të njohësh gabimet e të shkuarës e t’i
ndreqësh ato. Viti 1990 hapi një botë të re dhe për shqiptarët. U gëzuam për
rendin e ri demokratik që do të çonte në mirëqenie, mbrothësi e profetësin e
ëndërruar nga të parët tanë për shumë dekada.
Por ky entuziazëm
e gëzim për këtë rend të ri, filloi të venitet shpejt nga gabimet që
filluan të dalin në pah hap pas hapi.
Në drejtim pronës
mbi tokën, të shkatërrimit të aseteve të shumta të pasurisë kombëtare duke e
zëvendësuar me kioskat ose të quajturat kasolle të tregtise të lirë; të
dëmshpërblimeve të ish-çifligarëve (feudalëve) që e kishin fituar pronën mbi
tokën “me fermane të Sulltanëve për shërbimet ndaj Perandorisë Osmane”, dhe që
llogariten rreth 10 miliardë euro, pronat që u përkasin shqipëtarëve; në
drejtim të zbatimit të ligjit e legjislacionit, të sistemit të drejtësisë
në përgjithësi por edhe të luftës kundër korrupsionit që tashmë është në
përmasa galopante; të problemeve sociale, kujdesit e ruajtjes së familjes,
respektit për 'të dhe statusin e saj të shtenjtë, të politikave fiskale dhe
luftës ndaj evazionit fiskal.
Qëndrimi ndaj
pronës mbi tokën dhe shkatërrimet e pasurisë kombëtare
Në 30 vjet asnjë
hap pozitiv në mbrojtje, ruajtje dhe zhvillim të pronës. Me ndërrimin e
sistemit, u vrapua për të kryer “Reformën Agrare”, që njihet me emrin “Ligji
7501 i Tokës”, i cili, me amendamentet e bëra më pas, vërtetoi se ishte një
goditje e rëndë për demokracisë në parimin themelor të saj, në shtyllën më
kryesore të saj, të së drejtës mbi pronën e tokës. Reforma Agrare ka dy anë;
ç’pronësimin e çifligarëve (feudalëve) dhe dhënien e tokës atij që s’ka,
kryefamiljarit. Prona mbi tokën jo vetëm u copëzua, por iu dha atyre që nuk
u takon. Humbi e drejta zakononore shekullore mbi pronën për tokën, u shua
tradita e kryefamiljarit për zotërimin e pronësisë mbi tokën, që sollën pasoja
tejet të rënda në ekonomi dhe shoqëri, ndezën nga një anë konflikte edhe brenda
në familje, nga ana tjetër ç’interesin për tokën saqë sipërfaqe të tëra toke
mbetën djerr (pa punuar), përpos problematikave në familje e shoqëri dhe deri
te tronditja në siguritë e sovranitetit. Në planin ekonomik e të zhvillimit u
penguan invesitorët e brendshëm dhe të huaj, mungoi garancia e hedhjes së
kapitalit. Akoma më shumë kur aty ku do të investohej mungonin pronarët
ligjorë. Ligjërim të ligjit 7501 dhe sidomos i mballomave të më pasme të tij,
që dihej e ardhmja antidemokratike pasojat negative iu vërtetuan në këto tri
dekada në pasoja katastrofike, më e keqja është se asnjëra nga qeveritë nuk ndërmori
veprime e nisma ligjore për ta ndaluar e ndrequr këtë katastrofë, për të bërë
zgjidhjet përkatëse sipas eksperiencave të vendeve të tjera, sidomos atyre të
Lindjes, që ashtu si ne dolen nga komunizmi, dhe në veçanti sipas
eksperiencës së Kosovës.
Mbas vitit 1992,
me ndërrimin e pushtetit, që iu besua së djathtës, me bindjen se ajo do
përfaqësonte demokracinë, për fat të keq filluan shkatërrimet në çdo gjë të
arritur më parë, me moton “Të shkatërrohet çdo gjë e ndërtuar në komunizëm”.
U shkatërruan kombinate, uzina, fabrika, industria ushqimore dhe e lehtë, etj.
U prenë, u dogjën vreshta, pemëtore, u prishën rezervuarët për ujitje,
kolektorët, kanalet kulluese etj., dhe në vend të kësaj pasurie të krijuar prej
shqiptarëve me punë prej “skllavi” u mbollën kjoskat, kasollet për tregti, duke
hequr dorë nga prodhimi në miniera, në bujqësi, në blegtori, etj. U cënuan
ligjet e klasifikimit të tokave, të cilat kaluan nga toka bujqësore (ara) në
toka ndërtimi. Për justifikimin e këtij shkatërrimi masiv, meqë justifikimi se
ato asete ishin të periudhës komuniste, vunë në lëvizje pseudo teoricienë për
të argumentuar e propaganduar me “çekun e bardhë” e me “teorinë e
terapisë së shokut”, “gjithçka do niset e do të ripërtërihet nga zero”, për
ta pësuar edhe neve si vendet e tjera që zgjodhën po këtë model të terapisë së
shokut. Ndërsa vendet si Sllovenia, që zgjodhën modelin e tranzicionit të butë
që nuk shkatërroi, edhe që ato që nuk i privatizoi i mbajti si pronë
shtetërorë, fituan edhe ecën drejt suksesit. Ndaj ka ende kohë e mundësi qe të
studiohet ky model. Koha tregoi se këto teori ishin mashtruese, të qëllimta në
dëm të shqiptarëve, të varfërimit të tyre ekonomikisht, për dobësimin e shtetit
dhe me synime destabilizuese për të cënuar sovranitetin. Në vend të “çekut të
bardhë”, lulëzoi droga, trafiqet e armëve, të naftës, të qënieve njerëzore,
filloi korrupsioni dhe pasiguria për njerëzit.
Nuk mbetën pa u
dëmtuar e vjedhur thesari i shtetit dhe bankat, që nga ajo Kombëtare. U kryen
veprime jashtë ligjeve dhe normave për qarkullimin e parave. Riviheshin në
qarkullim paratë e dëmtuara, nuk regjistrohej emëtimi i parave, nxirreshin në
tregun e zi për këmbime valutore në përfitime nepotike. Bankat u trajtuan
thjesht si prona personale, si biznes vetjak. Për veprimet shkatërruese,
përgjegjësit nuk u dënuan me argumentin se kishin “sjellje të mira me fqinjët”.
Për popullin qëndrimet ishin të habitshme, por pushtetarët veprimet i kryenin
të paramenduara.
Demokracia u godit
rëndë në nervin e saj kryesor, te “vota e lirë”. Vota e zgjedhësve, tjetërsohej
me ndërrime kutish, me blerje e shitje votash, me mashtrime në numërime,
fenomene negative që kanë “ymër” dhe sot. Shiteshin e bliheshin deputetë e
ministra, po çmënduria më e madhe ishte shitja dhe blerja e partive. Partitë u
kthyen në interesa grupesh, në biznes. Nuk flitet më për të djathtë e të majtë.
Dora antidemokraci
u shtri pa droje edhe në sektorin e ushtrisë, u dëmtuan ndërtesat, u trafikuan
armatimet, u shitën për skrap, etj. Humbjet e pësuara llogariten afërsisht në
70 miliardë dollarë, investim 45-vjeçar në fushën e mbrojtjes.
Zgjidhja kërkon
rivendosjen realisht të shtetit të së drejtës, duke filluar nga sistemi i
drejtësisë dhe Reformë Agrare mbi bazën e parimit të Aristotelit apo të
tjerëve, Korifej të mendimit se “kujt i takon toka që e ka krijuar natyra dhe
si duhet të ndahet ajo”. Duhet të ndahet një herë e përgjithmonë pronësia mbi
tokën, të ndahet ai që e ka pronën mbi tokën me djersën e tij (me blerje), nga
ai që e ka me tituj pronësie me ferman sulltani për shërbimet që i ka bërë
Perandorisë Osmane.
Këtu duhet parë me
kujdes edhe pronësia mbi tokën e institucioneve fetare. Për vakëfet
(pasuri e paluajtshme e një institucioni fetar) të tregohet kujdes dhe vëmëndje
e veçantë, duke siguruar burimet e pronësisë, nëse ato janë të blera nga
institucionet fetare, të dhuruara nga besimtarët, apo të dhuruara nga fermane
sulltanësh, etj.
Ministria e
Bujqësisë dhe Ministria e Drejtësisë të ngrejnë grupe pune me profesionistë të
afirmuar për të hartuar me afate të caktuara reformën e duhur agrare.
Të analizohet puna
e dhënies së tapive dhe çertifikatave të pronësisë, që sipas programit
elektoral, duhej të kishin përfunduar në mandatin e parë të kësaj qeverie. Reforma
e re Agrare të mos jetë "pronë" e partive politike, ajo të realizohet
mbi bazën e parimeve të demokracisë. Të çrrënjoset nga mendjet që ajo të
përdoret nga politika në fushata zgjedhore.
Kujdes dhe
vëmëndje duhet ti përkushtohet momentit që ka nxjerr në pah nevojën e
rregjistrimit të pasurive të paluejtshme dhe krijimit të "rregjistrit
kombëtar të pasurive përkatëse".
Zbatimi i ligjit
për të drejtën qytetare e shoqërore dhe për të luftuar korrupsionin
Krahas ngutjes për
të dëmtuar demokracinë nëpërmjet pronës (kryesisht tokës), e cila varfëron
popullin, cënon sigurinë dhe sovranitetin, “shigjetat vrasëse” u drejtuan në
një tjetër nerv të shtetit dhe shoqërisë. U krijua boshllëk me papunësinë në
vend. Kjo lindi nevojën e punësimit në tregjet e punës jashtë vendit. Të
koordinuara nga lart-poshtë, majtas, djathtas, u “legjimitua” lëvizja e lirë,
por jashtë ligjeve dhe rregullave. U krijuan qëllimisht kushte për shpopullimin
e vendit. U tronditën familjet shqiptare, fenomene jashtë konceptit
shqiptar. Pasoja të rënda me vdekje maleve, fushave dhe detrave, përdhunime,
poshtërime, vrasje nga çdo krah. Imazhi i vendit dhe i popullit shqipar ra
shumë, si asnjëherë më parë. Nuk ka arësyetim tjetër veç shkatërrimit të
shtetit shqiptar fenomeni i "fajdeve". Të ashtuquajtura
"Piramidat" fundosën ekonomikisht familjet shqiptare. Një akt i
mirëplanifikuar për krijimin e trazirave. Paratë e shqiptarëve janë të pastra,
mbi këtë "bazë" shteti krijoi institucionin "Sude", për
mega mashtrim. Populli fukara vrapoi në radhët e gjata për të "humbur"
edhe shtëpitë me shpresën e tre apo edhe dhjetëfishimit të depozitimit të
parave tek "bankat e sudeve". Sudet falimentuan, paratë e shqiptarëve
u vodhën nga "mjeshtrit" e fajdeve. Erdhën revoltat e
vitit 1997. Shteti shqiptar u trondit nga themelet.
Sovraniteti, paprekshmëria e kufijve shtetërorë u bënë fushë tregu. Përsëri u
ngritën veshët e komshinjëve, u mprehën shpatat dhe filluan testimet për
realizimin e synimeve të tyre shekullore. Zoti dhe shtetet miq të vërtetë
ngritën dorën dhe thanë “ndal”. Shpëtuam nga mosekzistenca. U vërtetua se si
majtas dhe djathtas interesi nacional (kombëtar) nuk ishte në agjendën
shtetërore. Qendrimet me pronën, familjen dhe interesin për mbrojtjen
nacionale, treguan se nuk ishin në vëmëndjen e udhëheqësve politikë dhe
shtetëror. Por nuk u mjaftua me kaq. Demokracia duhej goditur fort deri në
palcën e saj. Vota e zgjedhësve, nuk duhej të lihej (mbetej) në dorën e
popullit. Vota e tij duhej përpunuar, duhej të shkonte aty ku vritej
demokracia. Dhe kështu ndodhi. Kutitë e votimeve nuk duhej të ishin të
“virgjëra”, ato duhej të zbrazeshin nga fletët e votimeve dhe të
zëvendësoheshin me të tjera. Shembujt janë të shumtë dhe pafre, në të tridhjetë
vitet radhazi dhe nga të dy polet politikë. Nuk anashkalohet pa kujtuar faktin
skandaloz kur disa kuti votimi u kontestuan dhe u vendos për t’u rinumëruar në
KQZ. Filloi marrja e kutive për rinumërim para komisionit, por u pa se ato
ishin të hapura, gjë që ndërpreu numërimin. Filluan debatet nëse duhet vazhduar
apo jo. Më i “mënçuri” në komision pa droje tha: “Të vazhdohet
numërimi, nuk prish punë, le të jenë të hapura kutitë, brenda ato kanë
rezultatin e saktë”. Ky fakt ka ndodhur në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë, në
vitin 2011, apo në zgjedhjet të tjera në Dibër e Shijak, Peqin e Lezhë. Të
tilla sjellje me kutitë e votimit u përkasin të tridhjet viteve të
“demokracisë”. Në vitet 1996, 1997, 1998 e më pas si rrjedhojë e
mosfunksionimit me dashje të votës së lirë, kriter bazë i demokracisë, vendi
gati shkoi në luftë civile. U hodhën parrulla “veriu kundër jugut”. Populli i
kuptoi qëllimet e mbrapshta dhe e pengoi vëlla vrasjet që politika e kishte
synimin e saj.
Po a mundet që
politikanë të tillë të kësaj kohe me gjithë këto të zeza, po të shtojmë dhe
ngjarjen e Gërdecit që u vranë disa dhjetra njerëz, apo vrasjet në Bulevardin
“Dëshmorë e Kombit”, kërkojnë të kthehen përsëri dhe të qeverisin shqiptarët?
Historia e Romës së Lashtë në shek. I pas Krishtit, na kujton Neronin, kur i
vuri zjarrin Romës, për të ardhur përsëri në pushtet.
Politika 30
vjeçare u karakterizua nga gabime të rënda kushtetuese, si dhe me konflikte
artificiale e kërcënime, fasade për palët politike por zbrisnin me ndikim të
madh çorientues tek populli. Vazhdohet me kërcënime, me sharje, në çdo fjali
përdoret fjala vjedhje, hajdut, korrupsion, etj, pa u vërtetuar nga drejtësia
me barrë prove që krijojnë neveri e urrejtje dhe hedhin pluhur mbi të vërtetën.
Insinuata, kërcënime e akuza që mund të bëjnë efekt vetëm tek ata me zemër të
“dobët”, ose me ndonjë “cen” dhe të frikësohen. Qeverisja mbahet e merret jo me
demagogji e kërcënime por me votë dhe paraqitje programeve të zhvillimit.
Politikanëve u duhet të hedhin ide, projekte, programe për të fituar garën e
votimeve, jo nervozizmë deri në shpërfytyrim. Me hakërrime mes palëve, garën e
fiton ai që nuk trembet, nuk vret, nuk shpif, nuk kërkon pushtet tavoline.
Duhet mësuar se demokracia nuk është urrejtje, as frikë, as shpifje, por garë
për një mirëqenie më të mirë, për një familje më të konsoliduar, për pronësi të
merituar, dhe ruajtje e mbrojtje të saj për interes nacional natyror, etnik
etj. Por mesa duket, disa politikanë ende nuk e kanë kuptuar demokracinë. A e
dini pse? Sepse ata çdo veprim apo mosveprim e shikojnë në rafshin personal
duke harruar ose bëjnë sikur harrojnë që mbrapa tyre janë anëtarët e
partive, janë familjet e tyre, mbarë shoqëria, gjë që i detyron të ndërrojnë
mendësi e kahje dhe të përafrohen në demokraci. Nëse dëshirojnë të kenë sukses
në politikë dhe t’i shërbejnë me të vërtetë demokracisë dhe zhvillimit, jo me
konflikte, por me vepra, me të vërtetat, me programe të besueshme për të mirën
e Shqipërisë, mund të mbijetosh në politikë dhe të pasohesh nga populli votues.
Si përfundim, në
30 vite, populli shqiptar u manipulua, u mashtrua dhe vendi humbi shumë nga
imazhi i mirë. Ishte mëshira e Zotit dhe ndihma e sinqertë, vllazërore e
shteteve miq që shpëtuam nga thonjtë e “tuçmakëve” antishqiptarë. Shqiptarët
kërkojnë heqjen dorë nga veprime anti-demokratike dhe protesta paqësore në
kërkim të të drejtës së tyre për një shtet të lirë, demokratik e një qeverisje
të mirë, “një qeveri si buka që hahet dhe uji që pihet” siç kërkonte i
madhi Sami Frashëri.
Zgjidhja duhet
kërkuar në bërjen e një Reforme Zgjedhore pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve
partiakë, reforma që të sigurojë saktë e në kohë atë çfarë shprehin zgjedhësit
me “votën e lirë”. Çdo ndërhyrje nëpërmjet mjeteve monetare, materiale,
favoreve, manipulimeve, shantazheve etj., duhet të ndëshkohet ashpër deri në
shpalljen të paligjshme të kandidatit dhe seksionit të partisë, që e ka
përgjegjesinë si të tillë, madje të shkarkohen edhe drejtuesit partiakë të atij
seksioni, etj.
Politikanët tanë
duhet të mbajnë parasysh ndër shumë të tjera dhe porositë e njerëzve të mençur
si Alcide de Gasperi, ish kryeministër i Italisë, së “politikanët mendojnë
gjithmonë për zgjedhjet e ardhshme, burrat e shtetit mendojnë për brezat e
ardhshëm”. Vetëm kështu do të sigurohet rrugëtim i mbarë drejt së ardhmes.
Asgjë nuk duhet të jetë dogmë. Progresi dhe zhvillimi sigurohen duke përfituar
e përshtatur të mirat e së shkuarës dhe duke ndëshkuar gabimet, sidomos të
atyre që kanë sjellë pasoja të rënda në ekonominë shqiptare dhe varfërimin e
tejskajshëm të popullit tonë.
Secila forcë
politike ose lider politik të gjejë vetveten dhe të reflektojë para se të
akuzoje te tjerët.
Qëndrim ndaj
kujdesit, ruajtjes dhe respektit të familjes
Qëndrimi i
politikanëve që kanë “udhëhequr dhe udhëheqin” këtë vend ndaj këtij
problemi gjatë këtyre 30 viteve kanë sjellë shqetësime madhore në dëm të
shqiptarëve. “Shqipëria po humb një gjeneratë që do të sjellë, pse jo dhe
pakësimin në numër të kombit tonë brez pas brezi…”.
Një nga tre
themelet e demokracisë është familja, e cila është goditur rëndë. Ajo nuk ka
gjetur kujdesin, mbrojtjen dhe përkushtimin nga politika 30 vjeçare; është
përballur e po përballet me probleme të shumta negative, si vrasje,
imoralitete, konflikte, moskamje, përçarje. Është shtuar egoizmi dhe smira mes
anëtarëve të saj. Kjo qelizë e shtetit, që prej vitit ‘90-të, filloi të
shpërbëhej. Mungesa e pronës krijon papunësi, gjë që të papunët i detyroi t’i
drejtoheshin tregjeve të huaja. Lindën lëvizjet demografike brenda dhe
jashtë vendit. Asnjë kriter, asnjë interesim zyrtar. Popullsia lëvizi nga
zonat rurale dhe u grumbullua në zonat urbane, në qytetet e mëdha, duke krijuar
vështirësira të shumta; konflikte serioze me zaptime trojesh “pa zot”,
sepse pronarët e vërtetë i “gëlltiti” ligji i qëllimshëm 7501 me mballomat
shtesë. Një katraurë e vërtetë që vazhdon 30 vite radhazi, në dëm të bujqësisë,
të blegtorisë dhe të pemtarisë, të zhvillimit të qyteteve etj. Lëvizjet
demografike u orientuan edhe drejt shteteve të tjera, fenomen që dëmtoi
interesin kombëtar. Aftësitë njerëzore të dijes dhe djersës emigruan. Vendi eci
drejt shkretësisë. Dijet, muskujt dhe djersa e mbi një milion e gjysmë
shqiptarëve u vu në funksion të të huajve. Asnjë masë ndihmuese nga shteti për
stimulimin e të rinjve dhe të rejave për të siguruar jetesën pranë familjeve
dhe vendit të tyre. Goditje të fortë ka marrë ekonomia shqiptare edhe nga
diferencimet në punësime. Është tepër i dukshëm fakti që në administratat e
rëndësishme janë punësuar të afërmit e njerëzve me pushtet, i ëashtë dhënë
përparësi mediokritetit, është preferuar në punësim nepotizmi dhe militantizmi.
Këto janë realitete me fakte të rënda, që veprojnë jo thjesht pasojë mosdije e
mosorientimi, mosthellimi etj, por veprimtari të qëllimshme, të koordinuara në
të gjitha drejtimet. Në mënyra të ndryshme, të kamufluara dhe të strukturuara,
të gjithë keqbërësit tanë, të brendshëm e të huaj, në unison, ndihmuan në
shpopullimin e Shqipërisë.
Në të ardhmen
Ministria e Arsimit, Kulturës dhe e Shëndetësisë, lipset të mos merren me
reforma fasadë, por të ngarkohen sociologë, psikologë dhe trupat pedagogjike
për hartimin e politikave për rikthimin e traditës te familjet shqiptare, p.sh.
mikëpritja, përkujdesja për familjarë, fqinj apo shoqëri, duke hequr dorë nga
gara me njëri tjetrin për makina më luksoze apo pasuri në rrugë të padrejta. Në
çdo vendimmarrje të qeverive duhet mbajtur parasysh faktori psikologjik, social
dhe kushtet ekonomiko-shoqërore të vendit tonë.
Vijon
nesër pjesa e II