Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Kosova dhe qëndrimi absurd i Bashkimit Evropian
E merkure, 03.08.2022, 07:50 PM
KOSOVA DHE QËNDRIMI ABSURD I BASHKIMIT EVROPIAN
NGA PROF. XHELAL ZEJNELI
Që nga shpallja e
pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kanë kaluar katërmbëdhjetë vjet.
Sovraniteti dhe tërësia tokësore e saj vazhdon të mos njihet nga Serbia. Për
këtë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
Kosova është shtet
i pavarur dhe ka të drejtë të sillet si i tillë. Shtetet e mëdha të Evropës
Perëndimore, si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania e kanë njohur pavarësinë
e Kosovës, sovranitetin e saj dhe tërësinë tokësore të saj. Atëherë përse e
lejojnë Serbinë t’i kanoset Kosovës?! Dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian
– Gjermania dhe Franca, e kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues, ndaj është
për t’u habitur sesi e lejojnë Beogradin t’i kërcënohet asaj ushtarakisht.
Kosova është
çështje amerikane apo çështje e BE-së!? Kosova është çështje e NATO-s apo e
Brukselit?!
Si është e mundur
që Berlini dhe Parisi të mos e mbyllin ‘çështjen’ e Kosovës qe 14 vjet?! Nuk
kanë dashur apo s’kanë mundur? A janë angazhuar dhe sa janë angazhuar
ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, e lindur
Kasner, 1954-) dhe presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron,
1977-) për ta mbyllur punën e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran?! A
janë angazhuar dhe sa kanë punuar Merkeli dhe Makroni për t’i frenuar dhe për
t’i ndalur synimet dhe aspiratat hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë
ndaj Kosovës? A ka qenë Kosova në agjendën e tyre dhe ç’vend ka zënë ajo në atë
agjendë? Duke qenë se drama kosovare nuk po mbyllet, rezulton se Kosova s’paska
qenë dot në fokusin e interesimit të tyre. Po qe se Kosova është ‘çështje’
evropiane, atëherë ka qenë detyrë e Berlinit dhe e Parisit ta mbyllnin atë me
kohë.
Ndaj Kosovës, Beogradi
ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë politikën e forcës. Berlini dhe
Parisi s’e kanë konstatuar këtë?! Politikën luftënxitëse, destruktive dhe
destabilizuese të Vuçiqit, s’e ka vërejtur Brukseli? Politikë luftënxitëse,
destruktive dhe destabilizuese Beogradi ndjek jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj
tërë rajonit. Destruksioni serb shtrihet edhe ndaj Malit të Zi, Bosnjës dhe
Hercegovinës, Kroacisë.
A nuk e vëren
Brukseli se Serbia:
- ka kohë që
armatoset me armë të siguruara nga Rusia dhe nga Kina;
- sjell në rajon
Rusinë dhe Kinën;
- përçon në
gadishull interesin rus dhe kinez;
- është zonë ruse
e ndikimit;
- është sferë ruse
e interesit.
Berlini dhe
Parisi, jo vetëm që nuk kanë frenuar dhe nuk kanë ndalur Serbinë, por edhe e
kanë favorizuar me të madhe. S’kemi ç’të themi për investimet ekonomike ruse,
kineze dhe turke në Serbi, por s’ka se si mos habitesh me investimet gjermane,
franceze, italiane! Në vend të ndëshkimit dhe izolimit, Serbia merr shpërblim.
Shpërblehet një shtet i cili në vitet 1991-1995 ka shkaktuar gjakderdhje në
Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Shpërblehet një
Serbi e cila ka kryer gjenocid si në Bosnjë dhe Hercegovinë ashtu edhe në
Kosovë.
Shpërblehet një
Vuçiq i cili:
- ushtron gjenocid
të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc,
Medvegjë);
- mbështet
agresionin rus ndaj Ukrainës;
- nuk i vuri
sanksione Rusisë;
- gjithë ditën
kontakton dhe komunikon me Moskën dhe Putinin;
- në fillim të
viteve ’90 të shekullit XX, i ngjiste nëpër muret e ndërtesave të Beogradit
fotografitë e kriminelit të luftës Vijisllav Sheshelit;
- i takonte të
djathtës ekstreme, duke qenë edhe një euroskeptik i palëkundshëm;
- në vitet
1998-2000 ishte ministër i Informatave dhe mbronte me mish e me shpirt
politikën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Këto nuk i ka
ditur Brukseli, Berlini dhe Parisi, Merkeli dhe Makroni? Erdhi një ditë dhe ky
farë Vuçiqi na veshi lëkurë qengji!! E tmerrshme!
Më 15 korrik 2019,
për një vizitë dyditëshe shkon në Beograd Emanyel Makroni, ndërsa më 13 shtator
2021, i bën një vizitë dyditore Beogradit edhe Angela Merkeli. Që të dy e
anashkalojnë Kosovën demokratike. E dhimbshme!
Qendrat proruse dhe filoserbe të Bashkimit Evropian nuk do ta mbyllin ‘çështjen’ e
Kosovës.
Berlini dhe Parisi
konsiderohen lokomotivë e BE-së. Kjo lokomotivë nuk paska fuqi:
- t’i bindë pesë
shtetet e Unionit – Spanjën, Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë që ta
njohin pavarësinë e Kosovës?
- ta pranojë
Kosovën në Këshillin e Evropës?
- ta pranojë
Kosovën në BE me një procedurë të përshpejtuar, si një rast i veçantë;
- të angazhohet
për integrimin e Kosovës në NATO?
Fuqitë historike
të Perëndimit, jo vetëm që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por si anëtare
të NATO-s, për të parandaluar një katastrofë humanitare përmasash
biblike, kanë ndërhyrë edhe ushtarakisht kundër makinerisë pushtuese dhe
vrastare të Serbisë. Ndërhyrjen e NATO-s kundër kolonialistëve, hegjemonistëve
dhe ekspansionistëve serbomëdhenj, Spanja dhe Greqia, ndonëse anëtare të saj,
nuk e kanë kundërshtuar. Tani, këto dy shtete nuk e njohin pavarësisë e
Kosovës. Nuk është kjo paradoksale?!
Nuk mbyllet puna e
Kosovës me politikanin spanjoll Josef Borel (Josep Borrell, 1947-) dhe
me politikanin e diplomatin sllovak Miroslav Lajçak të cilët
vijnë nga vendet që s’e kanë njohur
pavarësinë e Kosovës. Emërimi i tyre s’është dot i rastësishëm. Ata janë
emëruar që puna e Kosovës të zgjidhet me kompromis. Kjo është ajo që e kërkon
Serbia. Por, Brukseli duhet ta dijë se kompromis për Kosovën paraqet plani i
Ahtisarit. Çdo gjë përtej këtij plani cenon sovranitetin dhe tërësinë
tokësore apo integritetin territorial të Kosovës. Me këtë plan, pakicave të
Kosovës u sigurohen liri dhe të drejta si në asnjë vend të BE-së. Përfaqësuesit
e pakicës serbe janë të përfshirë, si në Kuvendin e Kosovës ashtu edhe në
qeverinë e saj. Serbishtja ndërkaq, është gjuhë zyrtare në mbarë territorin e
Kosovës. Vallë, këto s’i di Brukseli? Por, Serbia nuk do të drejta për serbët e
Kosovës. Ajo do territor. As këtë s’e vëren Brukseli? Berlini dhe Parisi duhet
t’ia thonë Beogradit pa ekuivokë se synimet territoriale janë në kundërshti të
plotë me parimet e BE-së. BE-ja funksionon mbi parimin demokratik dhe jo mbi
atë të ndryshimit të kufijve. Problemi qëndron në faktin se Serbi jeton
matanë demokracisë, në anën e kundërt të saj.
- Kosova është
shtet me sistem demokratik dhe me demokraci parlamentare;
- Në Kosovë
zhvillohet, ndërtohet, respektohet dhe realizohet pluralizmi politik;
- Kosova është
shtet ku ka rend dhe rregull;
- Kosova është
shtet i së drejtës, përkatësisht shtet ligjor, madje shumë më ligjor se Serbia;
- Kosova nuk është
dhe kurrë s’ka për të qenë pseudoshtet, siç e dëshiron Serbia;
- Në Kosovë
respektohen me Kushtetutë dhe ligj liritë fetare;
- Në Kosovë
respektohen liritë dhe të drejtat e pakicave sipas standardeve më të larta të
BE-së;
- Kosova ndjek
politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese në rajon;
- Ndaj fqinjëve të
vet, Kosova ndjek politikë të fqinjësisë së mirë;
- Kosova synon
anëtarësimin në BE;
- Kosova synon
anëtarësimin në NATO.
Atëherë ku qëndron
problemi i Serbisë?! Këtë pyetje Brukseli duhet t’ia bëjë Serbisë dhe jo ta
ledhatojë atë.
* * *
Në vitet
2008-2014, kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi (1968-). Në vitet
2014-2017 ishte Isa Mustafa (1951-). Në vitet 2017-2020 ishte Ramush
Haradinaj (1968-). Në muajt shkurt-qershor të vitit 2020 ishte Albin
Kurti (1975-). Në vitet 2020-2021 ishte Avdullah Hoti (1976-) dhe
prej vitit 2021 e këndej, përsëri Albin Kurti. Këtë që e bën
kryeministri i përtashëm – Albin Kurti, duhej ta kishin bërë paraardhësit e
tij. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Si e tillë, ajo jo vetëm që ka të
drejtë të vërë rend në mbarë territorin e saj, por këtë e ka edhe detyrim. Me
fjalë të tjera, faji i moszbatimit të parimit të ndërsjellshmërisë apo të
reciprocitetit nuk takon vetëm Brukselit. Fajin për fatkeqësinë e vet,
njeriu duhet ta kërkojë në vetvete, thotë romancieri, filozofi, dramaturgu
dhe kritiku francez Zhan-Pol Sratrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980).
Ndaj zvarritjes së
rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës kanë qenë indiferentë edhe
institucionet arsimore dhe shkencore të kombit – akademitë e shkencave, si të
Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë. Nuk kanë qenë në krye të përgjegjësisë
historike as universitetet e kombit. Me një fjalë, inteligjencia shqiptare ka
qëndruar në gjumë. Qëllimi i tyre ka qenë të zënë pozita dhe t’i ruajnë ato.
Qëllimi i tyre ka qenë ta çojnë mirë me pushtetarët, për përfitime meskine. Një
klasë politike që lufton me vetveten, s’lufton dot me armikun. S’bëhet shtet me
dasma dhe me ceremoni fetare. Aq më pak me muzikë pornografike. Për shtet
kërkohet arsimim, vetëdije kombëtare, idealizëm dhe vetëmohim. Shteti modern
s’bëhet dot me populizëm. As me mikrovlera, as me mikrosisteme. S’bëhet shtet
duke vepruar në mikroplan.
Nuk mjafton ditë e
natë t’u referohemi ilirëve, Gjergj Kastriotit, rilindësve, Vlorë
së 1912-ës, Nënë Terezës, Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit, përkatësisht
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në anën tjetër preokupim ta kemi pasurimin
brenda natës.
Me ndihmën e
ShBA-së, Kosova është duke ndërtuar makrovlera dhe makrosisteme, është duke
vepruar në makroplan.
* * *
Trazirat e shkaktuara
prej bandave çetnike kriminale serbe në veri të Kosovës, më 1 gusht të viti në
vazhdim, shkojnë favor të Putinit. Ai noton në gjakun e ushtarëve të vet dhe të
ushtarëve e civilëve ukrainas. Ai e ka humbur arsyen. Tanimë do luftëra dhe
zjarr. Ai ka kaluar matanë historisë. Është antihistorik. Brukseli nuk duhet ta
sjellë punën që për Kosovën të prononcohet madje edhe kryetari i Bjellorusisë Aleksandar
Lukashenko (1954-). Lidhur me barrikadat e çetnikëve serbë në veri të
Kosovës, ai tha: “Do të jemi me Serbinë...”.
S’na habit dot
Lukashnko, miku i afërt i Putinit. Na habit Josef Boreli i cili me deklaratën e
vet përkitazi me bllokimin e rrugëve të veriut të Kosovës, s’bëri dot asnjëfarë
dallimi midis viktimës dhe hienës gjakpirëse. Viktimë është Kosova që s’e lënë
të qetë, ndërsa hienë gjakpirëse është Serbia e Vuçiqit dhe jo vetëm e tij. A
s’e sheh vallë Brukseli se në Serbi s’dëgjohet dot kurrfarë zëri alternativ? A
kjo Serbi i thotë vetes: jam Evropë?! A kjo na qenka Evropa?! I këtillë
na qenkësh kontinenti i vjetër?! Evropë, lëre rahat Serbinë në gjirin e Moskës
dhe të Pekinit! Të mjaftojnë Shqipëria dhe Kosova, zemra e shqiptarisë. S’ka
pasur fuqi që ka mundur ta shtrojë. Kombi shqiptar Evropë, të vlejnë sa njëqind
Serbi – proruse. Mos prano në gjirin tënd Evropë, kalë troje. Mos
shti në kështjellë tënde kolonë të pestë – ruse.
Kosova dhe
Shqipëria do të bëhen.