Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 29 korrik 1913, dita e formimit të shtetit shqiptar
E premte, 29.07.2022, 06:26 PM
29 korrik 1913, dita e formimit të shtetit shqiptar
Nga
Kastriot Dervishi
Në
tetor 1912 nisi lufta e parë ballkanike, prej së cilës pothuaj i gjithë
territori europian i Perandorisë Osmane u pushtuar nga ushtritë ballkanike,
serbe, bullgare, greke, malazeze. Territori shqiptar u pushtua gati i gjithë,
përjashto trekëndëshin Vlorë-Berat-Kavajë. Për këtë arsye, fuqitë e mëdha:
Austro-Hungaria (AU), Italia, Gjermania, Franca dhe Rusia (Japonia nuk mori
pjesë), më 17.12.1912 nisën në Londër një konferencë ambasadorësh, e cila do
zgjidhte juridikisht gjendjen e re të krijuar në Ballkan. Në konferencë, dy
fuqitë e para, ishin me Shqipërinë. Synimi i tyre ishte kontrolli i Adriatikut
dhe të pengonin sllavët të kapnin këtë kontroll. Qeveria e Vlorës kërkoi një
territor prej 57 mijë kilometrash katrorë, ndërsa AU prej 48 mijë kilometrash katrorë.
Rusia kërkoi një shtet të vogël shqiptar, në hapësirën Mat-Berat. Pas debatesh
të ashpra, konferenca mori vendime kohë pas kohe. Më 22.3.1913 u caktua kufiri
verior i Shqipërisë, sipas së cilit Shkodra i ngeli Shqipërisë sepse atje
luftohej ende. Më 15.7.1913 AU dhe Italia paraqitën një propozim të ri për
formimin e një principate autonome të trashëgueshme nën garancitë e fuqive të
mëdha, shkëputjen e çdo lidhjeje me Perandorinë Osmane, administrata dhe forcat
e armatosura i besoheshin komisionin ndërkombëtar të kontrollit me mandat
fillestar 10 vjeçar, etj. Më 29.7.1913, në bazë të këtij propozimi, fuqitë e
mëdha dhanë vendimin përfundimtar me 11 pika. Kryetari i shtetit do zgjidhej
për 6 muaj nga fuqitë e mëdha.
Më
11.8.1913 u caktua kufiri jugor i Shqipërisë e më pas nisi puna për caktimin e
kufijve në terren. Në bazë të vendimin të konferencës, ushtritë e huaja u
larguan nga territori i njohur i shteti shqiptar. Përfundimisht me protokollet
e viteve 1925 dhe 1926 në Firence, mori fundi formatimi i shtetit shqiptar.