Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Vrasje në kufi dhe dekoratat për vrasësit
E merkure, 08.06.2022, 06:51 PM
Vrasje në kufi dhe dekoratat për vrasësit
Nga
Kastriot Dervishi
Më
8.6.1986 Bebi Shameti, 40 vjeç dhe shokët e tij u nisën të kalojë kufirin nga
Rrethi i Librazhdit. Këtë herë Bebi ishte i vendosur të arratisej me çdo mjet,
por të mos kapej e burgosej si në përpjekjen e parë. Për këtë kish gjetur një
pistoletë. Në orën 5.25 pengesa elektrosinjalizuese dha sinjalin në postën
kufitare për prekjen e telave. Nënoficerët Hazis Ngjelina (i qenit), Agim
Shebegu dhe ushtarët Luan Kodra, Fakir Çelepia dhe Viktor Manellari, iu vunë në
ndjekje grupit. Kur iu afruan 30 metra, Bebi i bëri thirrje të mos ta ndiqnin
dhe qëlloi Shebegun dy herë në dorë me pistoletë. Njësiti kufitar qëlloi në
drejtim të Bebit nga disa drejtime dhe e vrau. Kufitarët u dekoruan dhe dolën
si "heronj" në foton që shihet. Siç kam dëgjuar, trupi pa jetë i Shametit
u dërgua në Tiranë me synimin për t'u përdorur për kadavër, por për arsye të panjohura, u varros në Tufinë.