Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 'Punë e organizuar në Spaç'
E premte, 22.04.2022, 06:53 PM
“Punë e organizuar në Spaç”
Nga
Kastriot Dervishi
Më
26.8.1978 Xhelal Koprenckës dhe Veiz Cecit, që vuanin dënimin në Repartin
nr.303 Spaç, u dërguan dy letra sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së,
Rita Marko dhe Hysni Kapo. Përmbajtja e tyre u gjykua si e rrezikshme nga
PPSH-ja. Në Spaç u evidentuan me këtë rast tre grupe (dy janë bërë të njohura)
e për këtë qëllim u kërkua të merreshin masa. Proceset u përsëritën dhe në fund
pati dënime me ekzekutim dhe me burgim.
Me
shkresën nr.2248, datë 29.9.1978 prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino i dërgoi
Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit letrat e shkruara Xhelal Koprenckës
dhe Veiz Cecit. Midis të tjerash, Mino shkruante: “Siç jeni në dijeni dhe armiq
të tjerë kohët e fundit kanë shkruar letra me përmbajtje të tillë, të cilat të
lënë të dyshosh për një punë të organizuar në Repartin e riedukimit të Spaçit.
Ne kemi mendimin që pasi të analizohet në kompleks, kjo veprimtari edhe ndaj
këtyre të fillojë çështja penale dhe hetimet të zhvillohen këtu”.
Por
zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, vendosi që çështja të
hetohej në Mirditë (në fakt u bënë në Lezhë) dhe jo në Tiranë.