Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Vrasja e Avni Rustemit
E merkure, 20.04.2022, 07:10 PM
Vrasja e Avni Rustemit
Nga
Kastriot Dervishi
Rreth
orës 17.00 të datës 20 prill 1924 Avni Rustemi me disa miq të tij, po shkonte
për të takuar në shtëpi ministrin e Arsimit, Fahri Rashit (Gjilani). Kur
arrijnë në Varrezat e Pashës (aty ku është busti i tij sot) në çastin që
takohet me Hoxha Kadriun, qëllohet me një plumb të vetëm nga mullixhiu Jusuf
Reçi. Pas një qëndrimi dyditor në spital, Avni Rustemi vdiq më 22 prill 1924
(fotografia bashkëlidhur).
Sipas
dëshmisë së Hoxha Kadriut, Avniu i ka thënë “Shkova me idhnim në Vlonë, pasi
mora vesh se nuk më dhanë leje...”. Në këtë çast nga ana e majtë e tij nga
prapa nga ana e murit të varrezave, i kaloi një njeri dhe me të shpejtë, sikur
po kalonte rrugën, e qëlloi me një plumb të vetëm dhe ia mbathi menjëherë.
Avniu kishte thirrur “ah ia q... nanën” dhe me të dy duar nxori koburen, të
cilën e mbështeti në murin e varrezës dhe qëlloi 6 herë në drejtim të Reçit, pa
mundur ta prekë atë. Pastaj shokëve që e rrethonin, kërkoi t’i sillnin
doktorin.